Sporti ka një rëndësi të veçantë për Bashkimin Europian i cili i vlerëson aktivitetet sportive dhe zhvillimin e aktiviteteve të tilla si mënyrë mjaft e mirë për të zhvilluar dhe promovuar vlerat që BE ka në themel si: solidariteti, toleranca, gjithëpërfshirja dhe konkurrenca, edukimi dhe ndërgjegjësimi mbi këto vlera. Gjithashtu Strategjia Europiane e 2020 mbështetet mjaft te zhvillimi i sportit për të përmirësuar nivelin e punësimit dhe lëvizshmërinë e qytetarëve europianë sidomos me fokus të rinjtë.
Vetë Komisioni Europian ofron mbështetje financiare mbi projektet dhe aktivitetet në fushën e sportit duke theksuar rolin pozitiv të tij në shoqëri dhe ekonomi, si një element që ndikon në zhvillimin e qëndrueshëm. Ai ka një ndikim pozitiv në shëndetin fizik të individit, por edhe tek vlerat që ai mëson, me anë të edukimit dhe ndërgjegjësimit që sporti i jep. Gjithashtu përfshirja e të gjitha grupeve të shoqërisë në sport dhe me anë të sportit është një mënyrë tjetër për të luftuar pabarazinë dhe për të ofruar mundësi të barabarta për të gjithë, sidomos për ato grupe më pak të përfaqësuara, si femrat që nuk marrin të njëjtin vlerësim dhe përfaqësim në krahasim me meshkujt në shumë disiplina sportive, ashtu edhe personat e tjerë me aftësi fizike të kufizuara. Fokus të veçantë ka dhe integrimi i emigrantëve me anë të aktiviteteve sportive, duke mundësuar dialogun, bashkëpunimin dhe tolerancën, siç është edhe rasti i shumë atletëve me origjinë jo europiane apo me prindër emigrantë, që në Rio 2016 përfaqësuan vendet e BE-së.
Shumë atletë të talentuar patën mundësinë të shpalosnin aftësitë e tyre sportive në disiplinat olimpike duke fituar medalje ari, argjendi dhe bronzi. Nëse Bashkimi Europian do të konkurronte si një ekip i vetëm, ai do të ishte në krye të klasifikimit Olimpik për medaljet, duke përfshirë edhe arritjet e Britanisë. Medaljet e arit të çdo shteti të BE-së së bashku e çuan totalin në 81 për BE-në, në krahasim me 30 për Shtetet e Bashkuara dhe 19 për Kinën. Nga këto 81 medalje ari, 21 u fituan nga atletët britanikë, ku në tabelën zyrtare, Britania është e dyta pas Shteteve të Bashkuara. Gjermania është vendi i dytë më i mirë europian, i katërti në klasifikimin e përgjithshëm me 13 medalje ari, e ndjekur nga Franca dhe Italia në vendin e shtatë dhe të tetë me tetë medalje ari secili.
Atletët europianë u dalluan për performanca të jashtëzakonshme në Rio, ku ndër ta spikatën belgia 21 vjeçare Nafissatou Thiam, me fitore në 7 garësh në atletikë; 21 vjeçarja kroate Sara Kolak i mahniti rivalët e saj me hedhje shtize deri në 66,18 m; Ekaterini Stefani e Greqisë fitoi në një garë emocionuese në kërcim për së larti; Matej Toth i dha Sllovakisë medaljen e parë olimpike në atletikë, me një garë prej 50 km; në moshën 37 vjeçare, Ruth Beitia rezulton femra e parë spanjolle që fiton medalje ari në atletikë; gjermani Thomas Röhler mori titullin në hedhje shtize me një distancë prej 90,30 m.
Tenisti britanik Andy Murray, pasi fitoi medaljen e artë për të dytën herë radhazi në lojërat olimpike, u mor në intervistë nga një gazetar i BBC, i cili e pyeti se si ndihej pasi ishte personi i parë që fitonte dy medalje ari në tenisin olimpik. Murray nuk hezitoi të korrigjonte intervistuesin se edhe femrat janë persona po ashtu, dhe se motrat Williams kanë fituar nga katër medalje ari secila. Mbase Murray do të duhet të fitonte edhe një medalje tjetër për Feministin e vitit.
Një surprizë e bukur për këtë vit ishte Kosova, e cila në debutimin e saj fitoi dhe medaljen e parë të arit me kampionen Majlinda Kelmendi në disiplinën e xhudos. 25 vjeçarja mundi në finale italianen Odetta Giuffrida, duke spikatur dhe për historinë e dhimbshme të kaluar gjatë luftës në Kosovë, si dhe duke dhënë një mesazh pozitiv për të gjithë të rinjtë që e shohin sportisten me admirim.
Një ndër yjet e Rio 2016, hungarezja Katinka Hosszu, trajnohet nga bashkëshorti i saj dhe kjo është një marrëdhënie që ngjalli shumë debat teksa ajo rrëmbeu 4 medalje- 3 prej të cilave prej ari- në garat e notit. Që prej lojërave olimpike të vitit 2012 në Londër, hungarezja thuajse hoqi dorë prej këtij sporti, pasi nuk arriti të merrte titullin. Por në sajë të mbështetjes së bashkëshortit të saj/trajner, 27 vjeçarja mori një kthesë dramatike, duke rezultuar në fitore historike. Përveç se bashkëshort dhe trajner, ai është edhe fansi i saj më i madh, duke qenë se ka përjetësuar pseudonimin e Katinkës “Iron Lady”, me një tatuazh në krahun e tij dhe do të mbahet mend gjatë për brohoritjet e tij gjatë garimit të notares.
Një tjetër histori suksesi ishte ajo e Mo Farah, vrapuesit britanik, i cili mban rekordin europian për 1 500 m dhe 10 000 m. 33 vjeçari arriti të bëhej njeriu i dytë në histori i cili fiton të dy këto tituj në të njëjtin edicion, për të dytën herë, duke e renditur kështu Britaninë shumë lart në klasifikim. Emri i tij i plotë është Mohamed Muktar Jama Farah, i lindur në Somali, i cili në moshën 8 vjeçare u shpërngul në Britani bashkë me të atin. I dalluar që në vegjëli për aftësi mbresëlënëse fizike, ai pati një sërë arritjesh sportive gjatë adoleshencës së tij. Farah u natyralizua si britanik falë mbështetjes së filantropit Eddie Kulukundis, i cili pagoi për formalitetet. Më 19 gusht 2010, Farah vendosi një rekord të ri për Britaninë në 5 000 metërsh duke u shndërruar në britanikun e parë që vrapon në më pak se 13 minuta, ndërsa në Lojërat Olimpike Londër 2012 fiton medaljen e tij të parë olimpike të arit duke vrapuar në 10 000 m.
Rio 2016 nuk kishte si qëllim vetëm bashkimin e të gjithë sportistëve të botës në garat me njëri-tjetrin, por edhe për të ndërgjegjësuar dhe për të dhënë mesazhe paqeje, solidariteti, bashkimi dhe toerance. Vetë motoja e lojërave të këtij vitit ishte ndërtimi i një botë të re, më të mirë e më paqësore. Skuadrës së Refugjatëve, që vinte në dukje plagën që po kalon bota sot, me luftërat e shumta dhe varfërinë ekstreme që i detyron njerëzit të largohen nga shtëpitë dhe vendi i tyre. Një mesazh origjinal dhe kuptimplotë erdhi dhe nga skermistja italiane, Elisa di Francisca, e cila fitoi medaljen e argjendtë. Gjatë ceremonisë së dhënies së medaljeve ajo zgjodhi të mbante flamurin e BE-së dhe jo atë italian. Atletja i bëri thirrje botës që të bashkohet kundër ekstremizmit dhe dhunës islamike. Skermistja italiane, e cila ishte kampione olimpike në vitin 2012, pesë herë kampione e botës dhe shtatë herë kampione europiane, ndërsa mbante flamurin e BE-së u shpreh se nëse Europa mbetet e bashkuar mund të mposhtë terrorizmin.
Stafi i EuroSpeak, gusht 2016