Matteo Renzi dhe David Cameron, një Ciao dhe një Goodbye ndryshe...

Matteo Renzi dhe David Cameron, një Ciao dhe një Goodbye ndryshe...

Matteo Renzi: kush është njeriu që udhëhoqi referendumin kushtetues në Itali?

Ardhja e tij në pushtet erdhi me një farë popullariteti të veçantë në Itali, gjë që në fakt duket se tashmë është tejet larg situatës që u paraqit në fillim të muajit dhjetor me mbajtjen e referendumit. Kryeministri italian vuri në ‘lojë’ postin e tij, për një ‘PO’ apo për një ‘JO’, ku kjo e fundit shërbeu për t’i prerë atij ëndrrën politike

Matteo Renzi, tashmë ish-Kryeministri i Italisë; erdhi në detyrë në shkurt të vitit 2014. Ai u zgjodh kryeministër në moshën 39 vjeç, gjë që e bën atë kryeministrin më të ri të vendit që prej bashkimit të saj në vitin 1861. Që atëherë ai është konsideruar si ‘il Rottamatore’, për  shkak të aftësisë dhe dëshirës së tij për ndryshim duke ndërmarrë kështu disa reforma. Në fakt, Renzi e sheh veten si një reformist dhe beson se gjendja e vendit nuk mund të përmirësohet nëse disa reforma nuk ndërmerren një herë e mirë. Si rrjedhojë,  qëllimi i tij primar për t’u bërë Kryeministër  ishte pikërisht për të zbatuar një sërë reformash, duke e nisur me reformat në sektorin e politikave të punësimit dhe duke vazhduar me reformën publike, reformën administrative, reformën e taksave dhe reformën kushtetuese.

E teksa në pamje të parë të gjithë ‘magjepsemi’ nga një karakter kaq interesant i një politikani, sërish mbetemi të paqartë se pse italianët vendosën të mos pajtohen me programin e tij? Ku gaboi ai? 

I konsideruar shpesh si një politikan i ri dhe energjik, i cili erdhi për të ‘shkundur’ gjërat, tendenca e tij për tu veshur ‘casual’ me këmisha me jakë të zbërthyer dhe xhinse duket se e ndihmuan atë për të nxitur këtë tërheqje në radhët e publikut të gjerë. Ai është gjithashtu tepër  aktiv në Twitter dhe ka një reputacion se gjithmonë shpreh mendimin e tij pa ndonjë kompleks apo duke mos i kushtuar shumë vëmendje gjuhës diplomatike, aq shumë saqë shpesh herë është quajtur dhe si ‘djali i keq i Europës’. 

Renzi ka kritikuar shpesh herë reagimin e BE-së ndaj krizës së migrimit duke bërë dhe thirrje për vendet e Europës Lindore që nuk kanë pranuar refugjatët, madje dhe duke sugjeruar kështu që të ketë një financim të reduktuar nga BE-ja për këto vende.

Edhe pse që me 1 000 ditët e tij të para në detyrë, ai u fokusua në rimëkëmbjen e ekonomisë, sërish ka pasur mjaft akuza të forta ndaj efektshmërisë së projektligjit të tij. 

Diçka që bëri mjaft  bujë, në një kulturë katolike, ishte edhe propozimi i tij për të kaluar një ligj të shumëpritur për partneritetin civil të të njëjtit seks. Edhe pse ishte i vështirë për tu implementuar për shkak të kundërshtimit nga konservatorët katolikë , ai  me dinjitet i hodhi poshtë këto zëra duke sjellë dhe një klauzolë për të drejtat e adoptimit për homoseksualët.

Njihuni me Renzin

italian-prime-minister-matteo-renzi-has-been-dealt-a-major-blow-in-the-latest-local-electionsI lindur në vitin 1975 në Firence i dyti nga katër fëmijët e familjes Renzi, ai u rrit në një familje katolike në qytetin italian. Ai është i martuar me mësuesen e shkencave humane Agnese Landini - e cila është dhe e dashura e tij që në adoleshencë. Çifti ka tre fëmijë: Francesco, Emanuele dhe Ester.

Me një pasion të qartë për politikën, ai ishte një adoleshent vullnetar në fushatën e ish kryeministrit dhe ish-shefit të KE-së, Romano Prodi gjatë viteve 1996. Ai u diplomua në drejtësi nga Universiteti i Firences, nga ku në një kohë vërtet të shkurtër përfundoi drejt e në politikë. Edhe pse asokohe punonte për biznesin e reklamave të familjes së tij, ai shumë shpejt u zgjodh në postin e kryetarit të Komunës së Firences  në moshën 29 vjeçare. Kur ishte vetëm  34 vjeç, nga Kryetari i Bashkisë së Firences, ai më pas bëhet udhëheqës i Partisë Demokratike. Në vitin 2014, në moshën 39 vjeçare, ai merr kështu dhe postin e  kryeministrit  të  Italisë.  

Kryeministri Italian duket të jetë bashkuar me epokën e atyre që shpesh konsiderohen si 'cool'; liderët botërorë të rinj si Barack Obama dhe Justin Trudeau, të cilët sollën një imazh të ri të politikanit, larg pamjes serioze dhe të ngrysur, por përkundrazi, këta udhëheqës të rinj sa vijnë e bëhen më popullor karshi njerëzve të tyre. Fakti i të qenurit mjaft popullor, shihet edhe në mos-heqjen dorë të një prej pasioneve të tij më të mëdha siç është futbolli. Në fakt, posti i tij i lartë, nuk e ka penguar aspak të mbetet një tifoz i zjarrtë futbolli dhe një mbështetës i madh i ACF Fiorentina, klubi i vendlindjes së tij. 

Ndër të tjera, Renzi ka marrë edhe vlerësimin e kolegëve të tij si Obama i cili është shprehur në një intervistë për Vogue se vlen për tu lavdëruar "vizioni progresiv dhe largpamës për të ardhmen e vendit të tij". Ai madje ka shtuar se ishte i impresionuar me "pasionin e Renzit për solidaritet europian". Tony Blair, është një tjetër simpatizant i italianit, duke e konsideruar atë si "një nga gjërat më të rëndësishme që i ka ndodhur  Europës në disa vjet."

Planet e mëtejshme të Renzit

Gjatë fjalimit të dorëheqjes së  tij, Renzi ka thënë se "Përvoja e tij e qeverisë mbaron këtu", duke i uruar vendit të tij fat të mirë në të ardhmen. Duke qenë se Renzi pavarësisht moshës së tij të re, ka pasur një përvojë të çmuar politike, mbetet të shihet nëse ai do të largohet krejtësisht nga bota politike apo jo. Përpara referendumit, ai sinjalizoi mundësitë që angazhmi i tij në të ardhmen në mbetet i hapur. Renzi në fakt, duket të mos e ketë humbur pozitivitetin e tij, pasi dhe pas dorëheqjes ai është shprehur mjaft pozitiv për të ardhmen: "Unë do të shkoj në shtëpi dhe të bëj diçka tjetër në jetën time. Jam vetëm 41 vjeç dhe mund të bëj çdo gjë, me një buzëqeshje të vetme".  Eksperienca e tij në qeverisje mbaroi këtu, por për të kjo nuk ishte një humbje, pasi nëse lufton për një ide apo ideal nuk mund të humbasësh kurrë. Kjo është dhe filozofia që ka shoqëruar Renzin deri më tani, duke i dhënë atij besimin se italianët do të ishin përkrahësit e padiskutueshëm ndaj propozimeve të tij.

David Cameron, revolucionari Britanik i Brexit

David Cameron njihet më shumë si një udhëheqës revolucionar i Partisë Konservatore të Britanisë, dhe u zgjodh Kryeministër në vitin 2010. Por edhe pse asokohe nuk dihej se si do të shkonte fati i Mbretërisë së Bashkuar, e ca më pak ai i Kryeministrit të saj më të ri, pas referendumit të qershorit në 2016, ku  Britania e Madhe  votoi për të lënë Bashkimin Europian, Cameron dha dorëheqjen e tij duke mos e çuar deri në fund mandatin e tij të dytë.

I lindur më 9 tetor 1966 në Londër, Angli,  David Cameron, një pasardhës i mbretit William IV, mori një arsim cilësor dhe arriti rezultate të larta në studimet e tij që në moshë të re. Ai më vonë studioi në Brasenose College, Oxford, nga e cila ai u diplomua në vitin 1988 me një shkallë nderimesh të klasit të parë në filozofi, politikë dhe ekonomi. Pas diplomimit, Cameron ka punuar për departamentin e hulumtimit të Partisë Konservatore, ku  qëndroi për pesë vjet.

Në vitin 1992, ai u përzgjodh si këshilltar i veçantë për Kancelarin e Thesarit Norman Lamont. Më pas, Sekretari Michael Howard e rekrutoi atë për të punuar bashkë, në një rol të marrëdhënieve me median. Më pas në vitin 1994, Cameron la pasionin e tij për politikën për të punuar si drejtor i punëve të korporatës në Carlton Communications, një kompani britanike e medias. Ai dha dorëheqjen nga ai rol në vitin 2001 për të vazhduar ambicien e tij për një vend parlamentar, të cilën e fitoi duke përfaqësuar qytetin Oxfordshire të Witney.

Sa i takon jetës së tij personale, Cameron është i martuar me Samantha Sheffield që prej vitit 1996, një martesë nga e cila ai ka katër fëmijë. Fëmija i tyre i parë, Ivan, vdiq në moshën 6, nga një kombinim i paralizës cerebrale dhe një formë e epilepsisë së rëndë.

David dhe Partia e tij Konservatore

Cameron u shpall lideri i Partisë Konservatore, pasi fitoi zgjedhjet në dhjetor 2005. Fitorja e tij ishte për shkak se ai u angazhua në garantimin e përkrahjes së brezit të ri duke kërkuar që njerëzit të ‘ndjehen mirë duke qenë konservatorë përsëri.’ Sipas një artikulli të BBC, ai është shprehur: "Unë dua që të kalojmë në një brez tërësisht të ri." Cameron bëri thirrje se konservatorët duhet të përmirësoheshin e të zhvilloheshin më tej, në të kundërt lëvizjet e mëtejshme në të djathtë, do ta kthenin këtë parti në një "grup periferik."

Ndër veprimet e para që Cameron  ndërmori ishte formimi i një pakti me Liderin e Liberal Demokratëve Nick Clegg, një lëvizje që solli qeverinë e parë të koalicionit që prej Luftës së Dytë Botërore. "Ne po përballemi me disa probleme të thella si deficiti i madh, probleme sociale dhe një sistem politik në nevojë për reforma," është shprehur ai për The Telegraph. "Për këto arsye, kam për qëllim të formoj një koalicion të nevojshëm dhe të plotë ndërmjet Konservatorëve dhe Liberal Demokratëve. Unë besoj se është rruga e drejtë për të siguruar këtë vend me një qeverisje më të mirë, më të fuqishme e më  të qëndrueshme. Nick Clegg dhe unë jemi të dy liderët politikë që duan të lënë mënjanë dallimet partiake dhe të punojmë shumë për të mirën e përbashkët dhe për interesin kombëtar”,- ka përfunduar ai.

Zgjedhjet, fitorja, Brexit dhe dorëheqja

imagesZgjedhjet e vitit 2015 dukej të ishin një garë e fortë mes Partisë Laburiste apo të punës siç e njohim ne dhe asaj Konservatore. Megjithatë, përtej fushatës së vështirë, Cameron dhe partia e tij ia doli mbanë të garantonte disa vende në dhomën e Komunëve, dhe të siguronte kështu fitoren e dëshiruar. Lideri i Partisë Laburiste, Ed Miliband dha dorëheqjen nga posti i tij, pasi rezultatet e zgjedhjeve reduktuan dukshëm numrin e vendeve të Liberal Demokratëve nga 57 në 8. Partia Konservatore fitoi 24 vende më shumë në Dhomën e Komunëve nga një total prej 331 anëtarëve dhe Cameron vazhdoi të mbetej kryeministër. Por jo për shumë kohë…

Aftësia e David Cameron për tu dukur tamam si një kryeministër, ishte padyshim një nga pikat e tij më të forta. Kjo gjë nuk ka qënë kurrë më parë kaq e dukshme se sa gjatë deklaratës së tij së Dhomës së Përbashkët në të Dielën e Përgjakur (Bloody Sunday), në qershor 2010, e cila tërhoqi lëvdata nga i gjithë spektri politik. Ai  përshkroi gjetjet e Raportit Saville të të vdekurve nga të shtënat e 13 marshuesve më 30 janar 1972 në Londonderry si "shokuese" - një veprim që është i pajustifikuar dhe i pajustifikueshëm. 

Sa i takon politikës së jashtme, Cameron ka qënë një shtysë e madhe tek Presidenti Amerikan Barack Obama për t’i ardhur në ndihmë luftëtarëve rebele në përpjekje për të rrëzuar kolonel Gadafin në Libi. Ai u prit si hero, kur vizitoi vendin bashkë me presidentin francez Nicolas Sarkozy në shtator të 2011-ës, pasi Gaddafi ishte rrëzuar.

Një  nga arritjet e tij më të mëdha është padyshim lejimi i martesës midis çifteve të të njëjtit seks në Angli dhe në Uells. Për Z. Cameron ky ishte një sinjal i fuqishëm për një vend tolerant, siç ai do donte që Britania të ishte, por e gjitha kjo i kushtoi atij humbje  në mbështetjen e konservatorëve në fshatra, shumica e të cilëve nuk mund ta pranonin këtë veprim.

Pas disa viteve refuzimi të thirrjeve nga deputetët e tij për një referendum mbi anëtarësimin e Britanisë në Bashkimin Europian, Cameron më në fund njoftoi në një fjalim të tijin në  janar 2013, se ai do të mbante një referendum të tillë nëse fitonte zgjedhjet e ardhshme. Pra duke u munduar të fitonte sërish zgjedhjet, ai vuri në lojë postin e tij, pasi ishte pikërisht kjo votë që i dha fund karrierës së tij.Përpara se të kuptonte më vonë në fushatë se e gjitha kjo mund të mos ishte e mjaftueshme , Z. Cameron ishte mjaft i sigurt në aftësinë e tij për të bindur vendin të votonte për të qëndruar në BE. 

Pas referendumit të diskutueshëm dhe polarizuese të Mbretërisë së Bashkuar për divorc nga Bashkimi Europian, Cameron u dorëhoq nga posti i tij. Ky referendum më 24 qershor 2016 në fakt tronditi botën, duke i thënë ‘Bye’ BE-së. Sipas rezultateve 48.1% e britanikëve votuan kundër largimit, ndërkohë që 51.9% votuan në favor të largimit nga Unioni. "Unë do të bëj gjithçka mundem në të ardhmen për të ndihmuar këtë vend të madh të ketë sukses"- deklaroi ai duke mbajtur lotët, -"Mendoj se vendi kërkon lidership të ri. Unë nuk mendoj se  mund të jem kapiteni i duhur për të mbajtur këtë vend në destinacionin e ardhshëm." Cameron duket të ketë hyrë në historinë e Mbretërisë së Bashkuar si kryeministri që e nxorri atë nga BE-ja.

Post-Brexit dhe Post-Renzi

E në fakt teksa shohim dy liderë të atillë jo vetëm karizmatikë për kohën që jetojmë, por me një karrierë të suksesshme që në moshë të re dhe me vizion për të filluar ndryshimin që nga vendi i tyre tregon se të gjithë ne po përballemi me kohë të vështira pasi ndihemi të pushtuar nga ndjenja pasigurie që mbase na çojnë në zgjedhje të gabuara.  Megjithatë populli britanik dhe ai italian kanë treguar edhe një herë me vendosshmëri dhe në mënyrën më demokratike vendimin e tyre. ‘Largimi’ apo ‘qëndrimi’, një ‘Po’ apo një ‘Jo’, arritën padyshim të turbullojnë edhe një herë arenën politike ndërkombëtare, sidomos në një situatë krizash të vazhdueshme. Por ndërsa jemi gjithmonë në favor të vlerave demokratike dhe lirive të individit, si dhe provimit të pandalshëm të tyre, në këtë kuadër, të dyja referendumet duket të kenë folur shumë qartë. Si Cameron ashtu dhe Renzi, u treguan të përgjegjshëm për ‘dështimin’ e tyre, duke respektuar vendimin e sovranit si dhe duke paraqitur dorëheqjen e tyre si një dëshmi se propozimet e tyre nuk ishin më të mirat e mundshme, ose të paktën jo ato çka prisnin popujt përkatës. Megjithatë këto janë ngjarje që tashmë kanë ndodhur, nga të cilat ne mbase duhet të nxjerrim një mësim të mirë: Në një kohë tek përballemi me kaq shume sfida, të qëndruarit të fortë e të gatshëm për të sjellë ndryshim apo për të ndërmarrë disa reforma të domosdoshme, duhet të jetë shumë herë më mirë se dorëzohemi ndaj një përgjigjeje të thjeshtë…Një mirupafshim alla italo-britanike duhet të shërbejë tashmë si një shembull për të kuptuar se vendime të tilla mund të komplikojnë situatat edhe më për vendet përkatëse por edhe për të gjithë Europën

                                                                                                                 Stafi i EuroSpeak, dhjetor 2016

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk