Çështja Katalane: aktorët dhe faktorët

Çështja Katalane: aktorët dhe faktorët

Lëvizjet katalane pro pavarësisë kanë bërë shpesh thirrje për protesta masive e tubime të cilat kanë pasur pjesëmarrje të madhe nga shtresa të gjera të popullatës. Në 2014, prekur nga kriza financiare dhe ekonomike, dhe rritja në nivele të larta e papunësisë qeveria katalane propozoi një status unik për ta, ngjashëm me atë të shtetit bask, i cili siguronte edhe njëfarë autonomie fiskale. Parlamenti spanjoll, e refuzoi kërkesën për referendume të mëtejshme, sidomos ato të karakterit politik. Po në vitin 2014, Gjykata Kushtetuese e Spanjës rishkroi statusin e autonomisë për rajonin. Sipas vendimit, përmendja e Katalunjës si një komb nuk kishte kuptim ligjor brenda formacionit dhe kuadrit ligjor të Spanjës. 

Më vonë në vitin 2015, partitë pro-pavarësisë fitojnë shumicën absolute në zgjedhjet rajonale të parlamentit katalanas. Unionistët ishin në gjendje të siguronin vetëm 39% të votave. Forcat radikale të Kandidatura Popullore për Unitet (CUP) kundërshtuan ri-propozimin e Mas për presidencën katalunase dhe në vend të tij lobojnë për Carles Puigdemont. 

Pas një seriali të gjatë përshkallëzimi politik të aksionit pro-pavarësisë, që pasoi instalimin e Puigdemont në pozitat e Presidentit, më 1 tetor 2017 u mbajt pas shumë trazirash referendumi për pavarësinë e Katalunjës i njohur ndryshe dhe 1-O.

Zhvillimi i referendumit u bllokua zyrtarisht prej mosnjohjes dhe ndalimit të Madridit. Qytetarët katalanas u detyruar të votonin nën një klimë të paqëndrueshme, deri edhe të dhunshme. Kjo situatë krijoi polemika dhe debat në radhët e analistëve dhe faktorit ndërkombëtar. Kritika iu drejtuan sidomos aktit të Madridi që dërgoi trupa policore për të penguar me forcë zhvillimin e procedurës së referendumit. Përballë një kontradikte të tillë, qeveria qendrore këmbënguli që veprimet e drejtësisë ishin të justifikuara në kontekstin e ruajtjes së rendit kushtetues, duke theksuar se Spanja ka përfaqësuar kështu një shembull demokratik për bashkësinë ndërkombëtare.

Sidoqoftë, sipas mbrojtësve të Madridit, mbajtja e referendumit në këtë datë ishte e paligjshme pasi ishte pezulluar më parë nga Gjykata Kushtetuese e Spanjës. Për shkak të shumë parregullsive në administrimin e votave dhe përdorimit të forcës nga Policia Kombëtare dhe Garda Civile, vëzhguesit ndërkombëtarë deklaruan se referendumi dështoi pasi nuk përmbushi standardet minimale ndërkombëtare për zgjedhjet.
Por, cilët ishin aktorët kryesorë në këtë dramë të pa zakontë iberike, të luajtur kështu shpejt, me vrull idealist dhe njëherazi me pragmatizëm unitar, aq sa druhesh se u zhvillua pa skenar?

Kalorësit e Spanjës së Bashkuar

Mariano Rajoy 

Mariano Rajoy është një politikan spanjoll dhe aktualisht kryeministër i Spanjës që nga viti 2011, përgjatë legjislaturës X dhe XII të qeverisë spanjolle. Ai u bë udhëheqës i Partisë Popullore në 2004 dhe Kryeministër në vitin 2011 pasi Partia Popullore arriti fitoren në zgjedhjet e përgjithshme të atij viti duke u bërë Kryeministri i gjashtë i periudhës së demokracisë spanjolle. Në vitin 2016 Rajoy arriti të rizgjidhej kryeministër po pa mundur të fitonte shumicën, u detyrua të formonte koalicion.

Më përpara, Rajoy ka qenë ministër nën administrimin e José María Aznar, duke zënë role të ndryshme udhëheqëse në ministritë e linjës midis 1996 dhe 2003 dhe gjithashtu ka qenë edhe Zëvendës Kryeministër në periudhën 2000-2003. Ai ishte Udhëheqësi i opozitës gjatë qeverisjes së majtë të José Luis Zapatero, mes 2004 dhe 2011.  

I diplomuar në Universitetin Santiago de Compostela, ai u fut në shërbimin civil Spanjoll në një moshë të re, vetëm 23 vjeç.

Kryeministri spanjoll deklaroi pas referendumit se vetëm një pakicë e popullsisë katalanase mori pjesë në referendumin që sipas tij ishte një skenë nga qeveria katalanase dhe faktorë të tjerë me qëllim destabilizimin e Spanjës. Presidenti i sapozgjedhur Katalan këmbëngul në një platformë negociatash ku numërohen 46 pika për diskutim, përfshirë dhe çështjen e pavarësisë. Qeveria qendrore e Spanjës, nga ana tjetër rithekson ndërkohë se çështja e pavarësisë është jashtë diskutimit. I sapo rikonfirmuar si kryeministër, në 2016, Rajoy shpall planin për një projekt masiv investimi prej më shumë se 3.9 miliar € në Katalonjë, kryesisht në projekte infrastrukturore. Kjo u vlerësua si një taktikë klasike politike e njohur si "shkopi dhe karrota", ku një rezultat të padëshirueshëm politik e shmang me anë të nismave zhvillimore dhe jo me anë të diktatit dhe detyrimit.

Në kuadrin e ngjarjeve në Katalunjë, kundërshtarët e tij e akuzojnë Rajoy-in se nuk ka bërë asgjë për të ndalur ndjenjën e fuqizuar të separatistëve përgjatë këtyre viteve në Katalunjë. Rajoy edhe më parë ka argumentuar se nuk mund të negociojë një referendum të pavarësisë në rajon, sepse ky veprim shkel kushtetutën e Spanjës e cila deklaron se vendi në territorialitetin e tij është i pandashëm. Ai ka refuzuar të përjashtojë një manovër të pashembullt kushtetuese për të imponuar sundimin e drejtpërdrejtë në rajon nga Madridi - një veprim që u vu në zbatim pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë prej Parlamentit Katalan.

Felipe VI

Felipe VI i lindur më 1968 është mbreti i Spanjës. Ai u ngjit në fron më 2014 pas abdikimit të babait të tij, mbretit Juan Carlos I . Në përputhje me Kushtetutën e Spanjës, si monark, ai është njëherazi dhe kreu i shtetit dhe komandanti kryesor i Forcave të Armatosura Spanjolle dhe gjithashtu luan një rol në nxitjen e marrëdhënieve me Amerikën latine dhe Ish-Vëndet Hispanike, të cilat së bashku quhen "kombet e komunitetit historik spanjoll”. Felipe kreu shkollën e mesme në Ontario, Kanada dhe studioi në Universitetin Autonom të Madridit, ku u diplomua në Juridik. Ai përfundoi studimet e tij akademike në programin e Masterit, diplomuar për Marrëdhënie Ndërkombëtare, nga Shkolla e Shërbimit të Jashtëm në Universitetin e Georgetown.

Pas referendumit të zhvilluar, Mbreti Felipe ka akuzuar në mënyrë të drejtpërdrejtë autoritetet katalanase për përpjekjen për të cenuar "bashkimin dhe unitetin e Spanjes" dhe paralajmëroi se shtytja e tyre për pavarësi mund të rrezikonte stabilitetin social dhe ekonomik të vendit.

Mbreti Felipe në deklaratën e tij me anë të një qëndrimi të rreptë dhe të pa precedent, iu drejtua gjithë spanjollëve "veçanërisht katalanasve" - duke u kujtuar se Spanja kishte jetuar tashmë si një shtet i demokracisë për dekada dhe ishte një vend ku secili komunitet lejohet të mbroj idetë e veta si edhe të gëzoj një shkallë autonomie për sa kohë që ata respektojnë ligjin. Veprimin e njëanshëm për shpallje pavarësie, mbreti e dënoi si një veprim destabilizues dhe antiligjor. Në këtë komunikatë Filipe u mbështet në sentimentin pro-Europian të Spanjollëve, simbolizuar prej flamurit të Bashkimit që qëndronte në sfond pas mbretit gjatë deklaratës. Në diskursin e tij, Filipe nuk përmendi dhunën e ushtruar nga forcat e sigurisë spanjolle karshi demonstruesve dhe votuesve përgjatë zhvillimit të referendumit.


Ëndrra aksioniste e një ideje të madhe-Mbështetësit e pavarësisë

Carles Puigmont

Carles Puigmont i Casamajó lindur me 29 Dhjetor 1952 është një politikan spanjoll, momentalisht presidenti i 130-të i rajonit të Katalunjës. Në moshën 16 vjeçare filloi të punonte si gazetar në gazetën vendase “Diari de Girona” e më pas la studimet për filologji në universitetin e Geronës për t’iu përkushtuar tërësisht gazetarisë. Pas shumë vitesh si gazetar, në 2006 ai hoqi dorë prej këtij profesioni për t’iu bashkuar një koalicioni katalanas, i cila më vonë u shndërrua në një lëvizje pro pavarësisë. Në vitin 2011 u zgjodh kryetar i bashkisë së qytetit të Gironas duke i dhënë fund kështu qëndrimit në pushtet për 32 vjet të Partisë Socialiste Katalanase.

Kur zgjedhjet parlamentare të vitit 2015 u fituan nga partitë pro-pavarësisë, Carles Puigdemont u zgjodh deputet i Convergència Democràtica de Catalunya, partia e atëhershme në pushtet. Pak muaj më vonë, presidenti i zgjedhur i asaj kohe, Artur Mas u detyrua të japë dorëheqjen pasi u akuzua për korrupsion. Si pasardhës të tij zgjodhi pikërisht Carles Puigdemont i cili me një mazhorancë votash u shndërrua në presidentin e 130-të i Katalunjës më 10 Janar 2016.

Që në fjalimin e tij të parë në parlament Carles Puigdemont bëri të qartë se legjislatura do të ishte e shkurtër, kohë e mjaftueshme për ta përgatitur një referendum i cili me anë të votës do të përcaktonte të ardhmen e Katalunjës. Pas referendumit të 1 Tetorit, pritej që Pugdemont të shpallte përfundimisht pavarësinë e Katalunjës, por lideri Katalanas duke iu drejtuar parlamentit rajonal kërkoi pezullimin përkohësisht të Nenit 4.4 mbi ligjin e referendumit, që kërkon një deklarim të njëanshëm të pavarësisë në rast të votimit pro, për të dialoguar dhe njëherë me qeverinë Spanjolle. Ai iu drejtua 7.5 milion katalanasve, përfshirë ata që votuan kundër, se situata e tensionit që u krijua ditën e votimit duhet reduktuar dhe të gjithë së bashku duhet të mbrojnë demokracinë dhe paqen pavarësisht se nuk bien dakord mes tyre. Për më tepër një pjesë e fjalimit të tij ishte në spanjisht në mënyrë që të gjithë qytetarët e Spanjës të kuptojnë se Katalanasit nuk janë kriminelë, por thjesht kanë një dëshirë për të ndryshuar atë çfarë është kthyer në një marrëdhënie jo funksionale dhe të paqëndrueshme.

Më 27 tetor, i rrethuar me më shumë se 200 kryetarë të cilët i janë bashkuar simbolikisht çështjes së pavarësisë dhe nën vështrimin e paraardhësit të tij në detyrë Artur Mas, Carles Puigdemont theksoi se më në fund parlamenti ka hedhur një hap të madh e të shumëpritur. Ai pohoi se ka ardhur koha që institucionet dhe qytetarët të ketë një frymë paqeje, qytetarie dhe dinjiteti. Në fund ai e mbylli fjalimin e tij të shkurtër mes duartrokitjesh dhe përqafimesh dhe duke kënduar bashkë me qeverinë dhe këshilltarët e tij himnin katalanas “Els Segadors”. Ditën e shpalljes zyrtare të pavarësisë nga presidenti Puigdemont, Junqueras në fjalimin e iu drejtua qytetarëve të republikës. Ai i premtoi atyre se të gjithë ata po veprojnë me mirëbesim dhe respekt për të përballuar sfidat e së ardhmes. Ata mbështeten në vlera me karakter universal e tillë si barazia dhe shprehin pikërisht të njëjtat vlera. Ai është i bindur se mund të ndërtohet një e ardhme me liri dhe të drejta të barabarta për të gjith dhe se duan ti japin një drejtim mandatit demokratik të 26 shtatorit 2015.

Oriol Junqueras

Oriol Junqueras i Vies lindur më 11 Prill 1969 është kryetari aktual i Partisë Republikane dhe nënkryetar i Katalunjës. Është diplomuar në vitin 1996 në Universitetin e Barcelonës për Histori Moderne dhe Kontemporane ku më pas punoi si profesor. Në sferën publike ai ka qenë një nga përfaqësuesit e lëvizjes politike për Sovranitet dhe Progres. Karriera e tij përgjatë viteve është shumë e larmishme në gazetari e media, ashtu siç edhe përgjatë viteve ka qenë autor dhe bashkë-autor i disa librave historikë dhe politikë si “Guerres dels Catalans”, ”Els Catalans i Cuba”, ”What’s up with Catalonia”etj. Nga viti 2007 deri në vitin 2011 ai ka qenë angazhuar në organizmat vendorë, por gjithashtu edhe anëtar i Parlamentit Europian me Partinë e Aleancës së Lirë Europiane (2009-2011), si dhe president i Esquerra Republicana që nga tetori 2011 dhe kryetar i grupit të tij parlamentar që nga nëntori i vitit 2012.

Aktualisht është anëtar i partisë së Majtë Republikane (Esquerra Republicana de Catalunya) dhe ka qenë Ministër i Ekonomisë për Barcelonën. Për sa i përket pavarësisë së Katalunjës Junqueras eshtë një nga mbështetësit kryesorë të saj. Që para fillimit te referendumit sipas tij ndarja e Katalunjës nga Spanja nuk ishte vetëm e mundur por dhe e pashmangshme.

Pashmangshmëria e një fundi apo fillimi i një shteti?

Pas shpalljes së pavarësisë ,e cila këtë herë nuk la vend për keqkuptime, prokurori i përgjithshëm Jose Manuel Masa deklaroi se ka ngritur dy padi duke kërkuar ndjekjen penale të kabinetit tashmë të përmbysur dhe parlamentit rajonal për rebelim, keqpërdorim të fondeve publike dhe krime të tjera. Pas këtyre deklaratave thuhet se Puigdemont ndodhet në Bruksel për të kërkuar azil politik por nuk ka ende një komunikim zyrtar. Ndërkohë Madrid ka marrë në kontroll strukturën ekzekutive dhe ligjvënëse të Katalunjës, duke i revokuar autonominë, e duke shkarkuar një pjesë të mirë të funksionarëve katalanas prej posteve të tyre. Mbetet për tu parë nëse ky nivel i ri kontrolli do të jetë i mjaftueshëm për ta shuar kandilin e pavarësisë, apo do të jetë kjo flakë e hareshme e lirisë ajo që do të djegë autoritetin dhe diktatin për të valëvitur e lirë në shpirtin e një shteti të ri.
                                                                                                                      Stafi i EuroSpeak, shtator 2017

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk