Në fund-muajin shkurt, Presidenti i Komisionit Europian Juncker filloi dhe turin e tij Ballkanik, ku vizitoi kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor me qëllim prezantimin e strategjisë së zgjerimit dhe për të rikonfirmuar mbështetjen për integrimin e rajonit në BE. Gjatë vizitës së tij në Tiranë, presidenti Juncker vlerësoi si impresionuese reformat e ndërmarra nga shteti shqiptar dhe institucionet përgjegjëse, por theksoi se nuk ka ardhur në Shqipëri me një datë konkrete. “Nuk kam ardhur në Tiranë për një datë, por të inkurajoj Shqipërinë të vazhdojë me reformat.”- shprehet ai. Ndërkohë që Shqipëria dhe gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor e shikon integrimin Europian më afër se kurrë ju prezantojmë me personat më të rëndësishëm në institucionet europiane, si Komisioni apo Parlamenti Europian me të cilët Shqipëria dhe jo vetëm duhet të lobojë lidhur me çështjen e integrimit të saj në Bashkimin Europian dhe për progresin në fazat e mëtejshme.
Nuk pritej që të ishte austriaku Johannes Hahn, ai që do të merrte një rol kaq të rëndësishëm në nëntor 2014 – atë të Komisionerit Europian për Politikat e Zgjerimit. Johannes Frederik Hahn ka shërbyer edhe më parë si Komisioner, në rolin e Komisionerit për Politikën Rajonale gjatë periudhës 2010-2014. Ndërkohë ka qenë dhe Ministër i Shkencës dhe Kërkimit Shkencor në Austri në vitet 2007-2010.
Hahn ka studiuar në Universitetin e Vjenës, ku u diplomua me një doktoraturë në filozofi në vitin 1987 dhe po aty filloi karrierën e tij politike në organizatën rinore të Partisë Popullore Austriake, ku ai ishte kryetar i grupit të Vjenës nga 1980 në 1985. Gjatë kësaj periudhe ai hartoi manifestin e parë europian të krahut të të rinjve të partisë së tij. Në një kohë kur shumë nga partia kishin dyshime rreth pranimit të Austrisë në BE, Hahn miratoi një qëndrim të vendosur pro-europian. "Është pak si përkrahja e klubit të preferuar të futbollit," -shprehet ai- "Ju nuk mund ta dini saktësisht pse ju bëni tifo."
Hahn tani është përgjegjës për një politikë që përbën rreth 1/3 e shpenzimeve të BE-së. Shkalla e dukshme e shpenzimeve rajonale, rreth 50 miliard € në vit, e bën Hahn një nga figurat më të rëndësishme në komision. Është një ndryshim i madh për një njeri që kurrë nuk e priste, madje as nuk e kishte planifikuar të bëhej komisioner. I pyetur nga Politico nëse ai planifikonte një karrierë në Bruksel, Hahn është shprehur se nuk e kishte menduar, madje ai as nuk ishte konsultuar me familjarët e tij për këtë post.
Hahn në fjalimin e tij të parë si komisioner tha se donte të sillte një pjesë të përvojës së tij nga eksperienca prej pesë vitesh të tij si komisioner për politikën rajonale në rolin e tij të ri. "Në të kaluarën, kisha përshtypjen se interesi europian nuk luan asnjë rol," -shprehet ai. "Ne duhet të identifikojmë se cilat janë interesat europiane" dhe "duhet të jemi shumë më të sigurt" .
Ndër përgjegjësitë kryesore të komisionerit pas marrjes së këtij posti janë: thellimi i marrëdhënieve me fqinjët e BE në jug dhe lindje, në interes të BE dhe në interes të partnerëve të tyre; promovimi i stabilitetit në kufijtë e Europës dhe ndihma ndaj vendeve fqinje për të zhvilluar institucione të qëndrueshme demokratike dhe për t'u bërë më të begatë në kuadër të Politikës Europiane të Fqinjësisë; koordinimi i ofertës së Bashkimit Europian për bashkëpunim më të ngushtë në fusha të tilla si tregtia, lëvizshmëria, energjia dhe arsimi për të krijuar partneritete të përshtatura për zhvillimin e marrëdhënieve me secilin fqinj; vazhdimi i negociatave për anëtarësimin në BE dhe ndihma për përgatitjen e atyre vendeve me perspektivë të anëtarësimit për sfidat e ardhshme; mbështetja e vendeve para anëtarësimit në zbatimin e reformave demokratike dhe ekonomike, ruajtja e sundimit të ligjit, forcimi i qeverisjes ekonomike dhe konkurrueshmëria, zhvillimi i një administrate publike funksionale dhe ndërtimi i urave me vendet fqinje.
Johannes Hahn çdo natë, lë mënjanë të paktën një orë për të reflektuar mbi ngjarjet e ditës. Ai si një filozof i mirëarsimuar, pëlqen të lejojë që mendja e tij të endet para një ekrani me lojëra të thjeshta kompjuterike. Hahn, është një dashamirës i muzikës baroke dhe udhëtimeve me varkë. Ndryshe nga shumica e politikanëve ai nuk ndjen një nevojë të vazhdueshme për të folur, i peshon me kujdes fjalët e tij dhe është i lumtur të qëndrojë i heshtur nëse beson se ka thënë atë që duhej thënë. Njerëzit që e njohin mirë e përshkruajnë atë si shumë të ndjeshëm.
Në universitet, Hahn shpejt zbuloi se Filozofia i përshtatej atij shumë më mirë se Drejtësia, dhe pikëpamjet e tij për jetën ndryshuan shumë shpejt. Fatkeqësisht në moshën 22 vjeçare, u diagnostikua me kancer, beteje të cilën e ka fituar edhe pse ende shkon për kontrolle të rregullta. Hahn shprehet se kjo përvojë e hidhur, kjo përballje me vdekjen e ka bërë atë të reflektojë e të ndryshojë prioritetet e tij. Veçanërisht, sëmundja e bëri Hahnin një njeri të qetë. Ai e bëri rrugën e tij në politikë pa u përpjekur me ashpërsi për pozitat që ai fitoi, në qeverinë lokale dhe rajonale. "Unë kurrë nuk kam aspiruar për asnjë post, për të shmangur zhgënjimin nëse gjërat nuk funksiononin ashtu siç i prisja," - thotë ai.
Gjatë vizitës së tij të fundit në Tiranë, Johannes Hahn u shpreh për Die Welt se: “Komisioni Europian do të rekomandojë së shpejti për vendet anëtare, ndoshta gjatë verës, për të hapur negociatat me Shqipërinë dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Ne besojmë se të dy vendet kanë bërë reforma të rëndësishme dhe janë të kualifikuara për këtë hap. Shqipëria ka bërë hapa përpara në luftën kundër krimit të organizuar”.
Komisioneri është shprehur edhe më parë në lidhje me hapjen e negociatave dhe ka rekomanduar që vendet anëtare të BE të marrin në konsideratë pranimin e Shqipërisë. Për të hapur zyrtarisht bisedimet e pranimit, BE ka nevojë për mbështetje unanime nga shtetet anëtare. Së paku dy vende, Holanda dhe Greqia, në të kaluarën kanë shprehur rezerva që të fillojnë të flasin për pranimin me Tiranën.
Megjithatë, Hahn është optimist, duke thënë se "është pjesë e përshkrimit të punës sime për të bindur shtetet anëtare individuale ndonjëherë edhe në një proces të gjatë". Për sa i përket Serbisë dhe Malit të Zi, Hahn shprehet se: “Vendosja e vitit 2025 si një datë për përfshirjen në BE të Serbisë dhe Malit të Zi është realiste por tejet ambicioze.”
Hahn vuri në dukje vrasjen e udhëheqësit serb të Kosovës Oliver Ivanoviç si dëshmi të jo-stabilitetit të rajonit, duke thënë: "Unë shpresoj se kjo është një thirrje zgjimi për politikanët përgjegjës. Unë kërkoj që shteti të kuptojë se vetëm bashkëpunimi, pajtimi është rruga e cila do t’ju çojë përpara".
Christian Danielsson, Drejtori i Përgjithshëm në Drejtorinë e Negociatave për Zgjerim të Komisionit Europian
Christian Danielsson është Drejtori i Përgjithshëm në Drejtorinë e Negociatave për Zgjerim të Komisionit Europian që prej vitit 2013. Lindur në Suedi në vitin 1956, Danielsson përfundoi studimet për Administrim Biznesi dhe Ekonomi në vitin 1981 në Universitetin e Ekonomisë në Stokholm. Përpara eksperiencës në institucionet Europiane, Christian Danielsson ka mbajtur pozicione si Sekretar i Dytë gjatë viteve 1981 – 1987 për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Suedisë, për Ambasadën e Suedisë në Angola dhe për Delegacionin Suedez në Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD. Danielsson ka qenë për rreth 20 vite, gjatë periudhës 1992 – 2010 Këshilltar në Përfaqësimin e Përhershëm të Suedisë në BE, më pas si Ministër në Përfaqësimin e Përhershëm të Suedisë në BE dhe Përfaqësues i Përhershëm i Suedisë në Bashkimi Europian.
Eksperienca e parë në institucionet Europiane nisi në vitin 1995 kur u caktua Anëtar i Kabinetit të Komisionerit Vlerësues. Ai ishte këshilluesi i Komisionerit mbi politikat e BE-së, duke zhvilluar dhe koordinuar Komisionerin me politika për bashkëpunimet gjyqësore në çështjet civile dhe penale. Danielsson ishte përgjegjës në Kabinet për marrëdhëniet e jashtme, tregtinë dhe tregun e brendshëm. Në vitin 2002, caktohet Zëvendës Kryetar i Kabinetit të Zëvendës Presidentit të Komisionit Europian. Ai këshillonte presidentin e asaj kohe, Verheugen për politikën e BE-së, zhvillimin dhe koordinimin e negociatave të anëtarësimit dhe ishte përgjegjës për marrëdhëniet me Turqinë. Në vitin 2005, Danielsson ishte Shef i Njësisë, ku menaxhonte procesin e pranimit të Turqisë, duke përfshirë negociatat e pranimit, dialogun politik, marrëveshjen e asociimit dhe bashkimin doganor. Për periudhën 2007 – 2008, shërbeu si Drejtor i Përgjithshëm i Zgjerimit, duke menaxhuar dhe koordinuar procesin e pranimit të Kroacisë, Republikën Ish-Jugosllave të Maqedonisë dhe Turqisë. Në vitin 2011 caktohet Zëvendës Sekretar i Përgjithshëm, pozicion të cilin e mbajti deri në vitin 2013, kur vendoset Drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Negociatave për Zgjerim nën drejtimin politik të Komisionerit Johannes Hahn. Ai ka qenë disa herë i pranishëm në Shqipëri dhe duket se ndërkohë që vlerëson hapat pozitivë të ndërmarra nga shteti shqiptar dhe aktorët kyç, është dhe kritik dhe kërkon që Shqipëria të punojë më shumë.
Në nëntor 2016, Danielsson mbajti një fjalim për fqinjësinë, negociatat e zgjerimit në Shqipëri dhe për anti-korrupsionin në Universitetin e Tiranës. Ai diskutoi rreth tri çështjeve: lufta kundër korrupsionit, rëndësia e reformës në drejtësi dhe pritshmëritë e BE-së për të ardhmen. Për luftën kundër korrupsionit u shpreh: “Përpjekjet për të hartuar politika dhe veprime konkrete për të çrrënjosur korrupsionin nuk do të kursehen. Korrupsioni është një plagë që ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, në funksionimin e administratës publike dhe në cilësinë e shërbimeve dhe ka një efekt të dëmshëm mbi ekonominë. Çrrënjosja e tij është një përpjekje komplekse dhe kryesisht një sfidë për qytetarët dhe institucionet e Shqipërisë. Lufta kundër korrupsionit në Shqipëri është thelbësore për ta çuar vendin përpara në procesin e zgjerimit.”Ai përshëndeti nisjen e projektit të binjakëzimit që do të zhvillohet në bashkëpunim me Gjermaninë dhe Austrinë. Projekti është hartuar për të mbështetur formulimin, koordinimin, si dhe zbatimin konkret të politikave antikorrupsion. “Ky është shembull i bashkëpunimit dhe partneritetit europian për të sjellë ndryshim pozitiv në të mirë të gjithë qytetarëve të Shqipërisë,” -shtoi Danielsson mbi projektin. Asistenca që vjen nga BE janë 10 milion € mbështetje financiare në fazë zhvillimi për zbatimin e strategjisë ndërsektorale kundër korrupsionit. Kjo mbështetje synon veçanërisht gjithë aspektet operative që lidhen me parandalimin dhe rritjen e ndërgjegjësimit. Mbi reformën e drejtësisë, përmes raportit vjetor të komisionit në 2016, u dha një rekomandim i kushtëzuar për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Sipas publikimit të delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Danielsson u shpreh se: “Rekomandimi varet nga progresi i besueshëm dhe i prekshëm në zbatimin e reformës së drejtësisë, veçanërisht përmes vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ne presim që arkitektura e gjyqësorit në vend, të ristrukturohet në mënyra që mund të lejojnë ngritjen e një sistemi plotësisht të pavarur, të përgjegjshëm, efikas dhe të paanshëm. Një sistem tek i cili kushdo mund të mbështetet. Një sistem që e kryen mirë rolin e tij vendimtar të përfaqësimit të një shtylle të shtetit.”
Ai theksoi se ndryshimi nuk do të ndodhë vetëm përmes një legjislacioni më të mirë dhe ristrukturimit institucional. Pastrimi i radhëve të gjyqësorit nga ata që kanë qenë të korruptuar apo kanë krijuar lidhje me rrjetin e organizuar kriminal është kyç. Për këtë qëllim rivlerësimi i gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve është një hap i pashmangshëm për të bërë që profesionalizmitë mund të sigurohet përfundimisht në sektor.
Mesazhi i Komisionit Europian për Shqipërinë në Paketën e tij të fundit të Zgjerimit dhe mbi pritshmëritë për të ardhmen njeh progresin e qëndrueshëm të bërë deri tani nga vendi, ndërsa sjell në të njëjtën kohë në thelbin e tij përgjegjësi të qarta për autoritetet vendore për të vazhduar kryerjen e zbatimit konkret. “Fushat me rëndësi të veçantë në Shqipëri, që synojmë gjithashtu t’i trajtojmë me këtë projekt, përfshijnë mes të tjerave: financimin e partive, mosndëshkimin de facto për zyrtarët e nivelit të lartë, influencën e paligjshme të interesave të biznesit privat mbi vendim-marrjen politike dhe operatorët e shtetit ligjor. Paralelisht, BE-ja do të sigurojë mbështetje për shoqërinë civile për të rritur ndërgjegjësimin publik dhe për të konsoliduar reagimin në linjë të parë të qytetarëve kundër korrupsionit. Ne jemi përkrah jush në gjetjen e mënyrës së duhur për ta luftuar këtë sfidë dhe për ta sjellë Shqipërinë aty ku e ka vendin, për të qenë plotësisht anëtare e Bashkimit Europian”.
Gjatë 2017 ai ka zhvilluar disa vizita dhe takime ku ka vlerësuar arritjet e bëra dhe përpjekjet por edhe ka ofruar sugjerime dhe mundësi të tjera për progresin dhe zbatimin e mëtejshëm të reformave. Ai ka nënvizuar gjatë këtyre takimeve jo vetëm sa i rëndësishëm është plotësimi i pesë prioriteteve kryesore, por edhe që Shqipëria të ruajë bashkëpunim të ngushtë me Shtetet Anëtare të BE-së për çështjen e fluksit të qëndrueshëm, por haptazi të pabaza të azil kërkuesve, si një trend negativ që vazhdon të kërkojë masa konkrete. Danielsson rikujtoi rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore, me besimin se shteti Shqiptar do të mbajë një qasje konstruktive për nxitjen e shkëmbimeve dhe dialogut me të gjithë partnerët rajonalë.
Genoveva Ruiz Calavera, drejtuese e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit të Reformës në Drejtësi, ka lindur në Madrid në vitin 1962, ku edhe u rrit dhe u diplomua në filologji. Ajo ka studiuar edhe në Marlborough School në LA (SHBA) në Menaxhimin e Publikut nga "Ecole de Commerce Solvay" në Bruksel. Ajo ka mbajtur pozicione të shumta drejtuese në sektorin privat përpara se të bëhej pjesë e BE. Ruiz Calavera u bashkua me Komisionin Europian në vitin 1992 duke punuar në pjesën e negociatave për anëtarësimin e Suedisë, Finlandës dhe Austrisë në vitin 1996 dhe për anëtarësimin e Vendeve Baltike dhe Vendet e Lindjes, Malta dhe Qipro që u bënë anëtare të BE në 2004.
Njohja e saj dhe angazhimi në Ballkanin Perëndimor ka filluar që 20 vite më parë, ku ajo gjatë viteve 1999-2000 ka qenë pjesë e Task Forcës së Komisionit Europian për Rindërtimin e Kosovës, në Prishtinë. Ajo më vonë në 2002, ishte Zëvendës Drejtuese e Njësisë për Serbinë dhe Malin e Zi dhe Udhëheqëse e çështjes së Kosovës në vitin 2006. Në janar të vitit 2009, ajo u emërua Drejtuese e Njësisë për "Përgjigjen ndaj Krizës dhe ndërtimit të paqes" në Drejtorinë e Përgjithshme të Marrëdhënieve me Jashtë. Pas krijimit të Shërbimit Europian të Veprimtarive të Jashtme në vitin 2011, ajo u bashkua me Shërbimin për Instrumentet e Politikës së Jashtme (FPI) duke ndihmuar Përfaqësuesen e Lartë Federica Mogherini në funksionin e saj si Zëvendës Presidente e Komisioni Europian.
Më 1 qershor 2016, ajo u emërua drejtuese, përgjegjëse për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Negociata me Fqinjët dhe Zgjerimit në BE. Në këtë cilësi, ajo është përgjegjëse për menaxhimin e marrëdhënieve dypalëshe midis BE-së dhe Shqipërisë, Bosnjës & Hercegovinës, ish- Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Serbisë, duke i udhëhequr dhe monitoruar ato drejt progresit në BE-së në kontekstin e Procesit të Stabilizim-Asociimit, dhe duke i mbështetur negociatat e pranimit. Axhenda e saj përfshin gjithashtu promovimin e bashkëpunimit rajonal dhe ofrimin e mbështetjes për Ballkanin Perëndimor përmes Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA).
Emri i Calaveras është bërë i njohur për gjithë shqiptarët pasi ajo është edhe drejtuese e ONM – Operacionit Ndërkombëtar për Monitorimin e Reformës në Drejtësi. Sipas znj. Calavera, ONM ka një natyrë tërësisht administrative. Detyrat e tij mund të krahasohen me ato të një Njësie për Menaxhimin e Projekteve e ka për qëllim të lehtësojë punën e përbashkët të Komisionit Europian dhe Qeverisë Amerikane.
Të gjitha rekomandimet lidhur me përzgjedhjen aktuale të kandidateve për formimin e organeve të vettingut dhe të ardhmen e tij, do të kryhen nga vëzhgues ndërkombëtarë që janë ose do të emërohen nga ONM. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit është një instrument jo-ekzekutiv, qëllimi i vetëm i të cilës është monitorimi dhe sigurimi i rekomandimeve përgjatë procesit të vettingut. Të gjitha vendimet ekzekutive i përkasin institucioneve të Shqipërisë.
Para fillimit të punës në një intervistë për Deutsche Welle, Genoveva Ruiz Calavera, ndër të tjera është shprehur: “Historia e kohëve të fundit ka treguar edhe një herë se kur mbizotëron uniteti brenda BE-së, zgjidhjet e përbashkëta, të bazuara në solidaritet, kanë sjellë përfitime për të gjitha vendet në Europë, madje përtej saj. Kjo ka qenë gjithashtu e rëndësishme për vendet e Ballkanit Perëndimor. P.sh. bashkëpunimi për krizat e refugjatëve përmes rajonit ka treguar që një partneritet edhe më i ngushtë është i nevojshëm dhe qëllimi përfundimtar i anëtarësimit në BE të të gjitha vendeve të rajonit nuk përfaqëson asgjë tjetër përveҫ kulminacionit të një trajektoreje të natyrshme historike: Ballkani Perëndimor është pjesë e familjes europiane dhe e ardhmja e tij është Bashkimit Europian’.
Sa i përket për vazhdimësisë dhe cilësisë së vetingut vetëm disa muaj më parë, në një intervistë tjetër për DW ajo ka vlerësuar: “Procesi i vettingut, në përgjithësi, po shënon progres dhe është në drejtimin e duhur. Institucionet e vettingut, të ngritura në bazë të Kushtetutës së Shqipërisë duhet të marrin përgjegjësitë e tyre për të shënuar progres dhe për ta vendosur atë fort në shinat e duhura, përpara vlerësimit të kontekstit të Shqipërisë, në dritën e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE. Jam shumë e kënaqur që operacionet e vettingut kanë filluar dhe që së bashku me progresin në pesë prioritetet kyҫe do të hapin derën për hapin tjetër që do të hedhë Shqipëria në procesin e integrimit europian”.
Gjithashtu ajo shton se BE nuk do të harxhonte kaq shumë fonde nga buxheti i saj, kaq shumë energji dhe kaq shumë nga besueshmëria e saj nëse nuk do të besonim që do të arrijmë atë që presim në fund të procesit: “kushte më të mira për gjykatësit për të bërë punën e tyre në standarde të larta dhe më shumë rezultate në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe sigurisht një drejtësi shumë më të ndershme se deri tani, dhe zbatim rigoroz të ligjit.”
Marrëdhëniet e Parlamentit Europian me Parlamentin e Shqipërisë, kanalizohen nëpërmjet Delegacionit të saj në Komisionin Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri, shkurtuar si D-AL. Ky është një forum i veçantë, i krijuar në vitin 2014, i cili sjell së bashku përfaqësues të zgjedhur europianë dhe shqiptarë. Delegacioni i Parlamentit Europian në Shqipëri ka 14 anëtarë, po aq ka dhe Delegacioni i Shqipërisë në D-AL.
Kryetarja i delegacionit të Parlamentit Europian është eurodeputetja Monica Macovei, një anëtare rumune e Grupit të Konservatorëve dhe Reformistëve Europianë në Parlamentin Europian. Ajo mbështetet nga dy nënkryetarë: eurodeputetët Elly Schlein dhe Ivan Jakovčić. Znj. Macovei është gjithashtu bashkëkryesuese e Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit. Delegacioni mblidhet herë pas here në Bruksel ose Strasburg. Këto takime trajtojnë çështje administrative, të tilla si zgjedhja e kryetarit ose nënkryetarit dhe përgatitjet për seancat e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit. Takimet gjithashtu shqyrtojnë çështje thelbësore, të tilla si situata politike dhe ekonomike në Shqipëri dhe marrëdhëniet dypalëshe.
Macovei, në faqen zyrtare të këtij mekanizmi shprehet ndër të tjera që : “Shqipëria është një vend kandidat për në BE dhe ka bërë përparim të konsiderueshëm gjatë viteve të fundit në fushat e sundimit të ligjit, reformës së gjyqësorit dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Megjithatë, ky përparim duhet të forcohet ndjeshëm, veçanërisht kur ka të bëjë me luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit dhe procesit të vetingut të gjyqtarëve. Shpreh bindjen se procesi i reformës duhet të shoqërohet me një dialog të mirëfilltë politik dhe bashkëpunim të qëndrueshëm ndërpartiak, para së gjithash në Parlament. Ne jemi të gatshëm të kontribuojmë në përpjekjet e Shqipërisë për të përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për hapjen e negociatave për anëtarësim dhe presim një dialog të frytshëm në shkëmbimet tona të ardhshme. “
Më 1 shkurt 2018, në Bruksel u zhvillua një shkëmbim pikëpamjesh mbi situatën politike dhe ekonomike në Shqipëri dhe marrëdhëniet e saj me BE-në mes përfaqësuesve të parlamentit Europian dhe ambasadores së Shqipërisë në BE. Më shumë se dy javë më vonë, më 19 shkurt 2018 një takim tjetër u zhvillua këtë herë në Tiranë mes 4 përfaqësuesve të Parlamentit Europian përfshirë dhe kryetaren Macovei dhe deputetin Kukan. Gjatë këtyre takimeve Macovei u shpreh qartë “se rruga e Shqipërisë drejt BE kalon përmes Reformës së Drejtësisë. Sipas saj, Shqipëria është në rrugën e duhur për integrim dhe partitë politike duhet të ndjekin interesin e popullit shqiptar.”
Monica Luisa Macovei është një politikane rumune, avokate dhe ish-prokurore, aktualisht anëtare e Parlamentit Europian nga Konservatorët dhe Reformistët Europianë dhe më parë një anëtare e Partisë Liberale Demokratike të Rumanisë. Ajo ka mbajtur postin e Ministres së Drejtësisë në Rumani në kabinetin e parë të kryeministrit Kalin Popesku-Tăriceanu. Në këtë pozitë ajo u kreditua me zbatimin e reformave të drejtësisë që kërkoheshin për Rumaninë për t'u bërë një vend anëtar i Bashkimit Europian. Kjo eksperiencë e saj në shtetin e vet mund të jetë një avantazh për Shqipërinë e cila tani së fundmi po ndërmerr reforma të ngjashme për sistemin e Drejtësisë dhe mund të përfitojë nga eksperiencat e mëparshme të shteteve të tjera tanimë anëtare të BE-së.
Monica Macovei u diplomua në vitin 1982 nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Bukureshtit; në vitin 1994 ajo përfundoi studimet master në të drejtën krahasuese kushtetuese nga Universiteti i Nju Jorkut / Universiteti i Europës Qendrore. Ajo ka qenë pedagoge në Universitetin e Bukureshtit. Gjithashtu ka shkruar një sërë librash dhe artikujsh mbi tema ligjore dhe për të drejtat e njeriut. Macovei gjithashtu ka mbajtur postin e prokurores nga 1983 deri në vitin 1997, gjatë periudhave komuniste dhe postkomuniste. Nga viti 1997 deri në vitin 2004 ka punuar si avokate.
Në vitin 1997, Macovei u përzgjodh si Eisenhower Exchange Fellow, një nder që iu jepej "burrave dhe grave me arritje të jashtëzakonshme në mes të karrierës, të cilët pritet të marrin pozicione influencuese dhe pritet të bëjnë ndryshime" në rajonet e tyre të origjinës, në vend ose në nivel global. Në vitin 2009, Macovei fitoi një vend si deputete në zgjedhjet e Parlamentit Europian e më pas u rizgjodh në 2014 dhe tashmë është pjesë e grupit të Partisë Popullore Europiane.
Më 26 shtator 2012, Macovei fitoi Çmimin e Parlamentit për Drejtësinë dhe Liritë Civile. Si anëtare e komitetit të drejtësisë dhe të lirive civile të parlamentit, ajo pati mundësinë për të zgjeruar betejën e saj kundër korrupsionit, transparencës dhe lirive civile në nivel të BE. Ajo gjithashtu shkoi përtej kufijve të BE duke u përpjekur të siguronte sundimin e ligjit, drejtësisë dhe lirive civile në vende të tjera. Në një intervistë në qershor 2014, Macovei mbështeti sanksione më të forta kundër Rusisë në përgjigje të agresionit ushtarak rus në Ukrainë. Ajo gjithashtu vuri në dukje rëndësinë e pranimit të NATO-s dhe BE të Europës Qendrore dhe Lindore, duke deklaruar se dritarja më e mirë për miratimin e reformës mund të jetë në periudhën midis anëtarësimit në NATO dhe BE.
Eduard Kukan, Eurodeputeti sllovak me interes të veçantë për rajonin e Ballkanit, është nënkryetari i Partisë Demokratike – Bashkimi i Demokracisë Sllovake dhe Kristianizmit, si dhe anëtar i Partisë Popullore Europiane në Parlamentin Europian. Në korrik të vitit 2009, Kukan falë mbështetjes së bashkëqytetarëve të tij, u bë anëtar i Parlamentit Europian. Si deputet i Parlamentit Europian ai ka kontribuar me punën e tij në mënyrë që çështjet e diskutuara dhe të vendosura në PE të kenë një efekt pozitiv dhe të dukshëm si për qytetarët e Sllovakisë ashtu edhe për qytetarët e tjerë të BE. Eduard Kukan, i regjistruar në komisione dhe delegacione të ndryshme merret kryesisht me çështjet e Politikës së Jashtme të BE dhe çështjet e zhvillimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Gjithashtu ka mbajtur pozicione si anëtar i Komitetit të Jashtëm, anëtar i Delegacionit të Përhershëm në Këshillin e Europës dhe në kuadër të Bashkimit Ndërparlamentar ka qenë Kryesues i një Grupi Miqësie me vendet e Ballkanit. Shumica e karrierës së tij politike i është kushtuar diplomacisë dhe shërbimit të jashtëm. Eduard Kukan ka përvoja të shumta, qoftë si ish-ministër i trefishtë i Punëve të Jashtme të Sllovakisë ose si ambasador në OKB. Gjithnjë brenda fushës së politikës së jashtme është interesuar për pikëpyetjet e Europës Juglindore dhe zgjerimit të BE.
Tashmë ai jeton si në Bratislavë ashtu edhe në Bruksel me të shoqen Zdenka me të cilën ka dy fëmijë dhe katër nipër e mbesa. Në kohën e lirë Kukanit i pëlqen të luaj tenis, të shkojë në teatër dhe të lexojë libra. Ai flet anglisht, rusisht, spanjisht dhe suahili. Në vitin 1993 ai mori titullin "Doctor honoris causa" në Upsala College, Neë Jersey si dhe mban të njëjtin titull nga Universiteti Shtetëror i Shën Petersburg.
Kukan në periudhën shtator 2009 deri më qershor 2014 ka qenë i deleguari i Parlamentit Europian për marrëdhëniet me Shqipërinë, Bosnje dhe Herzegovinën, Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën. Gjatë kësaj periudhe ai ka raportuar në Parlamentin Europian për situatën e Shqipërisë si dhe ka qenë mbikëqyrës i zgjedhjeve të përgjithshme të zhvilluara në Shqipëri në qershor 2017. Pas këtyre zgjedhjeve Eurdeputeti në faqen e tij zyrtare është shprehur kënaqur për mbarëvajtjen e zgjedhje, duke kërkuar nga ana tjetër që pavarësisht rezultatit partitë politike të vazhdojnë më dialogun e tyre politik për të çuar më tej reformat, duke e cilësuar si përgjegjësi të gjithë aktorëve për të ndihmuar në progresin e vendit drejt BE-së. Eduard Kukan është shumë aktiv në lidhje me zhvillimin e aktiviteteve në Shqipëri, ku herë pas here ai vjen e viziton vendin duke u takuar me aktorë të rëndësishëm të politikës shqiptare por dhe përfaqësues të shoqërisë civile apo grupeve të interesit. Në një vizitë të fundit në Shqipëri Kukan me nota pozitive është shprehur që në Bruksel zhvillimet e fundit në Shqipëri po priten mirë dhe BE e inkurajon Shqipërinë të vazhdojë më tej, duke shtuar se: “BE do të mbështesë përpjekjet, por në fund të fundit ju vetë duhet ti zbatoni reformat tuaja”.
David McAllister, propozuesi i paketës “McAllister Plus” dhe ndikimi i tij në krizën politike të zgjedhjeve parlamentare 2017 në Shqipëri. Edhe pse nuk është pjesë e Delegacionit të PE për Shqipërinë, McAllister ësht një emër i dëgjuar dhe i njohur për Shqipërinë dhe aktorët shqiptarë politikë dhe jo vetëm. David McAllister, lindur në Berlin, Gjermani, në vitin 1971, është një politikan gjerman dhe anëtar i Parlamentit Europian. Ai ka përfunduar studimet për drejtësi në vitin 1996 përmes një burse nga Fondacioni Konrad Adenauer në Universitetin e Hanoverit. Gjatë viteve të studimit, McAllister mbajti pozicionin e kryetarit lokal të organizatës rinore Bashkimi Kristian Demokratik (CDU), “Bashkimi Junge”, në rrethin Cuxhaven. Nga viti 1996 deri në 2010 ishte anëtar i këshillit të rrethit Cuxhaven. Gjatë këtyre viteve, ai mori titullin avokat. U pozicionua si kryebashkiak i vendlindjes së tij nga 2001 në 2002. Gjatë viteve 2002 – 2003, ai ishte gjithashtu sekretar i përgjithshëm i CDU-së në Saksoninë e Poshtme. Që nga viti 2003 deri në 2010, McAllister ka shërbyer si drejtues i grupit parlamentar të CDU-së në Parlamentin e Saksonisë së Poshtme.
Në vitin 2005, kancelarja Angela Merkel i ofroi atij pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm të CDU-së, por McAllister 34 vjeç në atë kohë, nuk pranoi, duke argumentuar se nuk donte të ngrihej në karrierë shumë shpejt. Ai ishte delegat i CDU-së në Konventën Federale me qëllim zgjedhjen e Presidentit të Gjermanisë në vitet 2004, 2009, 2010 dhe 2012. Në vitin 2008 u zgjodh kryetar i CDU-së, duke marrë 98.9% të votave dhe në 2010 deri në 2013, McAllister u zgjodh Kryetar i Saksonisë së Poshtme. Pas zgjedhjes së tij si kryeministër, ai u përshkrua si një pasues i mundshëm i Angela Merkel. McAllister e mbajti pozicionin e kryetarit të CDU-së deri më 26 nëntor 2016 dhe njoftoi se ai e shihte të ardhmen e tij politike në Europë. Në zgjedhjet europiane të vitit 2014, McAllister u zgjodh anëtar i Parlamentit Europian. Sot ai është anëtar i Bashkimit Kristian Demokratik, nënkryetar i Partisë Popullore Europiane (PPE) dhe Zëvendës Kryetar i Bashkimit Demokratik Ndërkombëtar. Ai u emërua Kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian në shkurt 2017 dhe është përmendur si një Komisioner i mundshëm europian i ardhshëm.
Në një artikull të muajit mars 2017, me titull "Ballkani është një rajon me rrezik të lartë", gazeta Gjermane "Die Welt" shkruante se në shumë vende të Ballkanit ka probleme. Në të njëjtën kohë shtetet si Rusia, Turqia, Kina, Arabia Saudite dhe Katari po përpiqen të rrisin ndikimin e tyre në rajon. David McAllister deklaroi se: "Ballkani është një rajon me rrezik të lartë, ku në një kohë të shkurtër, një veprim i papërgjegjshëm, mund të rindezë konflikte që besohet se u kapërcyen. Sipas Komisionit Europian, Parlamentit dhe qeverisë Shqiptare, Shqipëria është në rrugën e duhur. Bisedimet e Shqipërisë për anëtarësimin në BE mund të hapen në 2018". Sipas portalit të European Western Balkans, McAllister vlerësoi marrëveshjen e partive politike të Tiranës mbi reformën gjyqësore. Ai shtoi: "Ky ka qenë një kriter i rëndësishëm për fillimin e negociatave. Kur fillojnë negociatat, do të hapet çështja e sundimit të ligjit që nga fillimi."
Në muajin prill 2017 i ardhur në Tiranë David McAllister dhe z. Knut Fleckenstein paraqitën një platformë për të ndërmjetësuar një zgjidhje për bllokimin politik të Shqipërisë përpara zgjedhjeve parlamentare të datës 25 qershor 2017. Ata paraqitën propozime që përfshinin pika mbi dekriminalizimin, luftën kundër drogës, masa teknike për përmirësimin e zhvillimit të zgjedhjeve dhe masat politike për ndërtimin e besimit afatgjatë në sistem. Paketa përfshinte 20 pika, si: -caktimi i katër ministrave konsensualë teknokratë, -propozimi dhe vendosja nga opozita i një personi jo anëtar si zëv/kryeministër të përkohshëm, -zgjedhja nga opozita e avokatit të popullit, -zgjedhja nga opozita të kryetarit të komisionit të zgjedhjeve etj. Një muaj më vonë, në maj 2017, koalicioni kryesor i opozitës në Shqipëri dhe qeveria pranuan paketën “McAllister Plus", një propozim i integruar kompromisi që synonte zgjidhjen e krizës politike në vend përpara zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit. McAllister mbetet një figurë e rëndësishme si një negociator dhe ndikues në ecurinë politike të Shqipërisë.
Stafi i EuroSpeak, shkurt 2018