Kryeministri më i ri në Europë, Sebastian Kurz

Kryeministri më i ri në Europë, Sebastian Kurz


I njohur dikur si fëmija “gjeni”, Kancelari aktual i Austrisë Sebastian Kurz u lind më 2 gusht të vitit 1986. Babai i tij ishte inxhinier, ndërsa nëna ka pasur profesionin e mësueses. Ai ka studiuar për drejtësi, por pasioni i madh për politikën e shtyu ta linte shkollën dhe sot është kryeministër i vendit. Sipas medias së njohur Vox, austriakët e quajnë atë Wunderwuzzi - "fëmija i çuditshëm".

Në moshën 31-vjeçare, kreu i Partisë Popullore konsiderohet drejtuesi më i ri në Europë, pas fitores së konservatorëve në zgjedhjet legjislative më 15 tetor 2017. Marshi drejt pushtetit i Sebastian Kurz të lë pa frymë. Vetëm 24 vjeç, ai u zgjodh Ministër i Europës, Integrimit dhe Çështjeve të Jashtme dhe në moshën 26 vjeçare u zgjodh deputet. Një vit më vonë u emërua Ministër i Jashtëm. Mënyrat e sjellshme, figura elegante dhe tiparet djaloshare e kanë bërë atë një yll të diplomacisë ndërkombëtare. Kjo demonstrohet më së miri nisur edhe nga pjesëmarrja e tij në takime të nivelit të lartë apo ndërhyrjet e tij të dëgjuara me një interes të jashtëzakonshëm në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ai u prezantua në skenën ndërkombëtare në takimin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në vitin 2014, si Ministër i Europës, Integrimit dhe Çështjeve të Jashtme. Duke nxjerrë në pah moshën e tij 28 vjeçare, në atë podium u shpreh se ai do të ofronte “perspektivën e një brezi të ri” dhe më pas fjalimi i tij u përqendrua në ekstremizmin fetar dhe terrorizmin, në kuadër të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit. Në moshën 27 vjeçare, ai priti bisedimet midis Iranit, Shteteve të Bashkuara, Kinës, Rusisë, Gjermanisë, Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar për marrëveshjen bërthamore. Në vitin 2015, marrëveshja historike u nënshkrua në Vjenë. Me kërkesën e tij, axhenda e tij do të përfshinte menaxhimin e integrimit të refugjatëve . Kjo bëri që ai të prezantojë të ashtuquajturën "Ligjin e Islamit" në vitin 2015, i cili vendosi kufizime mbi paratë e huaja duke mbështetur xhamitë austriake në një përpjekje për të frenuar një rritje të të ashtuquajturit "islam politik".

Në vitin 2016, Kurz rezultoi vendimtar për mbylljen e Rrugës së Ballkanit (Balkan Route) të ndjekur nga refugjatët dhe kritikoi publikisht politikën e dyerve të hapura të Angela Merkelit. Me politikat kundër emigracionit, luftës ndaj Islamit radikal, dëbimet që nuk parashikojnë sanksione të ashpra për refugjatët që nuk respektojnë ligjin, si dhe mbylljen e kufijve të jashtëm të BE-së, në vetëm 3 muaj Kurz bëri për vete austriakët, duke fituar zgjedhjet dhe duke u shpallur kancelari i Austrisë.

Tani duhet të tregojë se di edhe t’i qeverisë ata, përmes zbatimit të programit qeveritar dhe ndërmarrjes efektive të politikave dhe strategjive qeveritare, në interes të kombit të tij. Analistët mendojnë se 31-vjeçari arriti me sukses t’i ndryshonte fizionominë partisë konservatore dhe të rigjallërojë të djathtën, përfshirë të djathtët e skajshëm, pas shpërbërjes së koalicionit mes konservatorëve dhe socialistëve. Megjithëse Partia Popullore ka qenë e pranishme për dekada të tëra, Kurz e goditi partinë me një qasje krejt tjetër duke e çuar partinë në moshën e mediave sociale. Ai madje ndryshoi emrin e partisë nga Partia Popullore në "Lista Sebastian Kurz - Partia Popullore e Re". Posterat e partisë lexonin: "Koha për diçka të re" bën me dije media Al Jazeera. Ai mblodhi të ardhurit për t'u bashkuar me listën e tij politike - duke ftuar disa që kurrë nuk kishin shërbyer në qeveri dhe filluan të nxisin partinë drejt karizmës. Kjo mund të tingëllojë si Emmanuel Macron i Francës, por ndryshe nga Macron, i cili nisi një parti të re politike, Kurz kishte avantazhin dhe privilegjin e të punuarit me një strukturë partiake që ka ekzistuar për rreth 30 vjet. Pra, ai e formësoi partinë për tiu përshtatur epokës së tij të drejtimit. Kurz është krahasuar me udhëheqës të tjerë të rinj, karizmatikë si Justin Trudeau i Kanadasë. Megjithatë, politika e Kurzit në përgjithësi është shumë më e djathtë se axhendat më liberale të homologëve të tij francezë dhe kanadezë.

Në fushatën zgjedhore sikurse dhe ai vetë e parashikoi, media u fokusua shumë në çështjen e emigracionit por programi i tij përmbante shumë pika të tjera të rëndësishme. Sipas Kurz shkollimi i detyrueshëm do të jetë për ata fëmijë që janë të aftë në gjuhën gjermane. Fëmijët gjithashtu duhet të frekuentojnë dy vite në kopësht dhe kjo do të thotë se do të zgjerohet dhe stafi i mësimdhënies. Oraret e punës do të shpenzohen në mënyrë më fleksibël.

Në të ardhmen do të paguhen 1500 euro më pak tatime mbi të ardhurat për çdo person nën moshën 18 vjeçare. Kuota e borxhit publik do të ndryshojë nga 85% në 60 % dhe derisa kjo të ndodhë do të krijohet një mekanizëm kontrollues. Për ata që do të vendosin të punojnë më shumë se mosha 63 vjeçare do të përfitojë për çdo vit që ka punuar më shumë një shtesë prej 5.5%. Po ashtu propozohen në të ardhmen dhe pagat transparente te cilat do ti lejojnë punonjësit të shohin ekzaktesisht shumën qe punëdhënësi i detyrohet autoriteteve tatimore.

Kurz insiston dhe mbi një ligj për sa i përket të drejtës për azil dhe një kontroll më të lartë në kufijtë e huaj. Ndërsa për sa i përket islamizmit politik, organizmat fetare të huaja politike nuk do të kenë mundësi të ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Austri përmes organizatave apo shoqatave të ndryshme.

Në lidhje me politikat e tij të ndërmarra pas fitimit të zgjedhjeve, kryetari konservator austriak, Sebastian Kurz, ka ftuar partinë e ekstremit të djathtë FPO me lider Heinz Christian Strache në negociata ekskluzive për krijimin e një koalicioni qeveritar. Kjo sepse udhëheqësit karizmatik, i mungonte shumica e nevojshme për të qeverisur i vetëm.

Kjo lëvizje, që i hapi rrugën një rikthimi të Partisë së Lirisë së Austrisë (FPO) 17 vite pasi ishte thirrur në koalicion në vitin 2000 nga një tjetër konservator, Wolfgang Schüssel, pritej gjerësisht nga ana e Sebastian Kurz. Nëse Sebastian Kurz, i ri por plotësisht i vetëdijshëm për pushtetin, do të krijojë koalicion me partinë populiste të djathtë “FPÖ” të Heinz-Christian Strache, politika e migracionit, siguria e brendshme, por edhe çështje strukturore do të marrin një drejtim të ri, mbase dhe të dyshimtë. Kurz dhe Strache ndajnë të njëjtin mendim në lidhje me azilkërkuesit dhe emigrantët ilegalë të cilët sipas tyre, mund të ndalen vetëm nëse mbyllen kufijtë. Rikujtojmë se fushata zgjedhore u mbizotërua nga çështja e migracionit. Austria, me një popullsi prej më pak se 9 milionë banorësh, priti 90 mijë azilkërkues, shumica myslimanë, gjatë krizës së vitit 2015, duke nxitur mbështetje të popullit për politikanët e së djathtës ekstreme, që janë në favor të ligjeve më të ashpra mbi emigracionin.

Disa nga argumentet që përdori Kurzi dhe me të cilat fitoi zgjedhjet, duke bindur elektoratin e tij ishin më tepër dëbime dhe ekstradime si dhe kampe për emigrantët në Afrikë, apo në ishuj të pabanuar. Ai luajti një rol të rëndësishëm në hartimin e një marrëveshjeje me fqinjët jugorë të Austrisë për të mbyllur të ashtuquajturën rruga e Ballkanit Perëndimor, rruga kryesore për refugjatët që shkojnë nga Greqia në Europën Veriore. Kjo lëvizje e vuri Kurz në kundërshtim me Berlinin dhe Brukselin, por ai i qëndroi vendimit të tij. Plani i tij ishte jashtëzakonisht larg nga rruga e rrahur nga politikat dhe idetë e tjera europiane për të kufizuar këtë çështje. Filozofia e tij nuk ishte e majtë apo e djathtë, ai mori një rrugë të tretë duke u fokusuar tek integrimi dhe Ballkani. Sipas tij ishte e pamundur mirpritja e të gjithë emigrantëve në vendin e tij të vogël por, as nuk mund t’i ndalonte të gjithë. Një në pesë persona në vendin e tij kanë lindur jashtë Austrisë, prandaj ai e kuptoi se kishte për detyrë t'i mirpriste këta të huaj.

Kurz është shumë pozitiv ndaj mbështetjes nga ana e popullsisë katolike të Austrisë si dhe të kardinalëve katolikë të rangut të lartë. Ai po krijon aleanca të reja me Europën Lindore si dhe lidhjet e tij me Vatikanin do të jenë vendimtare. Kurz nuk e fsheh besimin e tij katolik i cili luan për të një rol të rëndësishëm dhe në jetën e tij personale sikurse ka influencuar dhe vendimet e tij politike.Ai gjithashtu preferon ta rrethojë veten me një ekip të përbërë nga të krishterë dhe bën takime të shpeshta me autoritetet e krishtera. Sipas disa deklaratave në media të ndryshme ai ka thënë se ka kërkuar këshillën e një prifti në kohën kur merrej me krizën e emigrantëve si ministër i jashtëm. Në atë kohë Kancelarja Angela Merkel i kundërshtoi vendimet e tij duke i quajtur ato anti humanitare por sipas Kurz veprimet e tij ishin në përputhje me besimin e tij katolik. Ka deklaruar gjithashtu se një nga këshillat që ka marrë nga këshillat e shumta është se një qenie njerëzore nuk duhet ta humbë kurrë dhembshurinë për fqinjët por si politikan nuk duhet të largohemi kurrë nga realiteti dhe duhet ruajtur vendosmëria për të marrë vendimet e nevojshme edhe nëse ato janë të vështira.

Shumica e Austriakëve kërkojnë një udhëheqje të fortë veçanërisht kur këta liderë përmbajnë vlera të krishtera. Populli Austriak dëshiron ndalimin e hyrjes së refugjatëve në vend por gjithashtu nuk duan të konsiderohen si ksenofobë prandaj votimi për dikë që praktikon krishtërimin dhe kupton frikërat e tyre është zgjedhja e duhur.
Historikisht Kisha Katolike është përfshirë gjithmonë në bashkimin e Europës Lindore me atë Perëndimore dhe në mënyrë që Vatikani ta përdorë Austrinë si ndërmjetëse të këtij bashkimi, vendi ka nevojë për një kancelar të krishterë. Austria e ka gjetur këtë person i cili ështe Sebastian Kurz prandaj ky projekt unifikimi mund të nisë.
Në jetën private, Kurz është një njeri shumë romantik. Ai ka të njëjtën partnere që në kohët e shkollës, Susanne Thier, 5 vite më e vjetër sesa ai. Ai është i pamartuar edhe pse bashkëjeton me të. Gjatë fushatës zgjedhore, ajo i ka qëndruar gjithmonë në krah dhe tani ka marrë rolin e Zonjës së Parë austriake. Kurz është mjaft i njohur për stilin e tij të flokëve dhe për kostumet elegante.

Sipas investigimit të një gazete gjermane mbi jetën private të Kurz thuhet se ai vjen nga një familje e thjeshtë. Mamaja e tij ka punuar si mësuese ndërsa i ati punonte si teknik. Gjatë shkollimit të tij, ai ka qenë në klasë me emigrantë kur ata nuk ishin ende një çështje e rëndësishmë si në ditët e sotme. Gjithashtu një tjetër informacion interesant është se prindërit e tij kanë mirëpritur refugjatë në shtëpinë e tyre nga Bosnjë-Herzegovina gjatë periudhës së krizës në atë vend, kur ai ishte fëmijë.

Më poshtë kemi veçuar shprehje nga fjalimet e tij publike:

Unë jam i vetëdijshëm për përgjegjësinë që jam duke marrë si kancelar i Austrisë. Gjërat kanë përparuar shumë shpejt për mua vitet e fundit, ama nuk kanë ndryshuar nga një ditë në tjetrën. Unë kam një përvojë gjashtë vjeçare në qeverisje dhe kam marrë vendimin për të kandiduar në mënyrë shumë serioze. Në maj, vendosa të ndryshoj Partinë Popullore Austriake dhe të filloj një lëvizje të gjerë që synon një të ardhme më të mirë për këtë vend.
Njerëzit që janë më të vjetër në moshë kanë avantazhin e të pasurit më shumë eksperiencë . Ne nuk duhet të demoralizohemi nga fakti që jemi të rinj. Nëse të qenit i ri është problemi atëherë mund të ngushëllohemi me faktin se çdo gjë përmirësohet me kohën.

                                                                                                                      Stafi i EuroSpeak, tetor 2017

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk