Parabola e ish-Kryeministrit maqedonas Nikola Gruevski

Parabola e ish-Kryeministrit maqedonas Nikola Gruevski

Cili ishte Nikola Gruevski, dhe si arriti ai të ishte kryeministër për gati 10 vite?

Nikola Gruevski ka lindur më 31 Gusht 1970 në Shkup. Ai është diplomuar në Fakultetin e Ekonomisë në Prilep, pranë Universitetit “Shën Kliment Ohridski” – Manastir në vitin 1994, dhe më 12 dhjetor të 2006-ës ka përfunduar studimet master në Fakultetin Ekonomik në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodij” në Shkup. Gjatë këtyre viteve rezymeja e tij është pasuruar me kualifikime në të drejtën ndërkombëtare tregtare në Institutin e Londrës që në vitin 1996. Përgjatë kohës së studimeve ai ka pasqyruar talentin e tij në aktrim në Teatrin e Dramës në Shkup dhe ka qenë gjithashtu aktiv në skenën e teatrit amator të qytetit, gjithashtu ai ka qenë dhe boksier për njëfarë kohe shkruan The Economist.

Si fillim ai nuk ka qenë fokusuar te politika, por te ekonomia fushë që kishte bërë dhe studimet e tij. Karriera e Nikola Gruevskit nis në vitin 1995-1998 si drejtor në Departamentin e Sigurisë në Bankën e Ballkanit në Shkup, dhe më pas pozicionohet si drejtor në Bankën Botërore në Republikën e Maqedonisë dhe në Bankën Europiane për Rinovim dhe Zhvillim. Përsa i përket pikënisjes së karrierës së tij politike, gjithçka fillon në momentin që ai emërohet Ministër i Tregtisë gjatë qeverisjes së Ljubco Georgievskit (Kryetari i atëhershëm i Partisë VMRO-DPMNE), në fund të 1998, kur ishte vetëm 28 vjeç. Në 1999 emërohet Ministër i Financave përgjatë rikonstruktimit të qeverisjes së Georgievskit dhe gjatë këtij pozicioni Gruevski implementon reforma të reja financiare mes të cilave është shtimi i tatimit mbi vlerën e shtuar, vendosja e faturave fiskale dhe fushata “Bli produkte maqedonase”.

Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2002 në Maqedoni, VMRO-DPMNE kalon një periudhë të trazuar brenda-partiake, pas të cilës Gruevski zgjidhet lider i partisë në 2003, në moshën 33-vjeçare duke zëvendësuar kryetarin e atëhershëm Georgievskin. Në atë kohë ai ishte një politikan i ri ambicioz dhe ambicia kryesore e tij ishte të centralizonte vendimmarrjen brenda VMRO-DPMNE dhe të modernizonte strukturat e partisë ku objektivi i fundit u arrit nëpërmjet rekrutimit të një grupi të rinj ekspertësh në komitetin qendror të partisë. Shumë shpejt, kabineti i Ministrave u përbë nga individë të rinj, aspirantë dhe të arsimuar në perëndim, kjo sipas një tendence të përhapur në atë periudhë në Europën Juglindore.

VMRO-DPMNE fitoi zgjedhjet parlamentare të korrikut 2006 dhe më 25 gusht 2006 u formua qeveria e re me Gruevskin kryeministër. Qeveria e tij kishte shumë të rinj, kryesisht në të 30-at, në ministritë kryesore dhe në pozicionet e tjera. Sipas Open Democracy që nga ditët e para të mandatit të Nikola Gruevskit në detyrë si kryeministër, 'VMRO-DPMNE' e re u frymëzua nga tendenca e neokonservatorizmit midis qarqeve të politikëbërjes në SHBA. Nikola Gruevski, theksoi angazhimin e tij ndaj institucioneve euroatlantike dhe zgjodhi liberalizimin e shpejtë të ekonomisë përgjatë linjave post-keynesiane. Si një gjest mirënjohjeje për aleatin e tij të vogël ballkanik, përfaqësuesit amerikanë elaboronin mënyrat e mundshme për të përfshirë vendin maqedonas në radhën e zgjerimit të NATO-s pavarësisht nga mosmarrëveshja e këtij vendi me Greqinë.

Koalicioni i udhëhequr nga partia e Gruevskit, VMRO-DPMNE, fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 1 qershorit 2008, duke shënuar fitoren e tij të dytë elektorale radhazi, ku fitoi më shumë se gjysmën e vendeve në parlament. Gruevski krijoi një qeveri me partinë politike shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim. Ai i dha një vëmendje të madhe ekonomisë dhe financave gjatë udhëheqjes së tij. Nën udhëheqjen e tij ekonomia e Maqedonisë u përmirësua gradualisht. Në vitin 2007 PBB u rrit me 5.1% - shkalla më e lartë e rritjes që nga shpallja e pavarësisë. Ai vetë është shprehur në ato kohë se vendi është i fokusuar te NATO, te Bashkimin Europian dhe në përmirësimin e klimës së biznesit. Iniciativa Europiane e Stabilitetit bazuar në botimin e vitit 2008 të "World Bank",raportoi se Maqedonia u rëndit e 4-ta nga 178 vende për sa i përket reformave pozitive për bizneset në vitin 2017. "Mes 178 vendeve ne jemi në vendin e 4 sipas reformave pozitive të klimës së biznesit në vitin 2007. ", raporton Iniciativa Evropiane e Stabilitetit. Sërish ai doli fitimtar në zgjedhjet parlamentare të 5 qershorit 2011. Kjo fitore ishte e treta rresht, duke fituar 56 nga 123 vendet në parlament. Kundërshtimet e keqpërdorimit të burimeve shtetërore, përfshirë shantazhin e më shumë se njëqind mijë shërbyesve publikë për të vepruar si propagandues u neglizhuan, dhe zgjedhjet u shpallën të vlefshme. Gruevski formoi qeverinë e re, përsëri në koalicion me Bashkimin Demokratik për Integrimin. Dhe 3 vite më vonë, më 27 prill 2014, ai fitoi përsëri zgjedhjet parlamentare edhe këto të parakohshme, duke i dhënë Gruevskit mandatin e katërt dhe të fundit si Kryeministër i Maqedonisë. Gjatë kësaj periudhe Gruevski, nga analistë dhe përfaqësues të ndryshëm vendas por dhe europianë, po shqyrtohej me kujdes pasi dukej që në politikat dhe qëndrimet e tij po anonte më shumë nga lindja dhe politikat e orientuar nga Rusia, teksa shprehte zhgënjimin për Perëndimin dhe po rriste gjithmonë e më shumë notat nacionaliste dhe ndasore mes komuniteteve të ndryshme në Maqedoni. Integrimi euroatlantik i vendit kishte ngecur në vend, kishin kaluar 10 vite që kur Maqedonia kishte marrë statusin e vendit kandidat dhe asnjë progres nuk ishte bërë për hapjen e negociatave ndërkohë që futja në NATO nuk mund të mendohej sa kohë që ‘grindja’ me Greqinë për emrin vazhdonte dhe nuk ishte menduar zgjidhja.

Sipas një analize të realizuar nga OpenDemocracy - akuzat për nepotizëm dhe autoritarianizëm filluan të rriten. Me theks të veçantë në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, politikëbërësit europianë dhe analistët politikë shpejt mbajtën një qëndrim kritik ndaj Nikolla Gruevskit dhe qeverisë së tij. Fushat kryesore të shqetësimit ishin nepotizmi dhe autoritarizmi, si dhe akuzat për përhapjen e agresive të nacionalizmit. Gjatë kësaj periudhe ai fokusohet më shumë te projektet dhe politikat që do të dëshmonin historinë maqedonase dhe popullit maqedonas. Miratimi i Neo-Maqedonizmit u institucionalizua më tej përmes ndërtimit të projekteve madhështore arkitekturore të nisura në 2010, kryesisht të frymëzuara nga antikiteti klasik. Kjo nismë e njohur si Shkupi 2014 parashikoi ndërtimin e më shumë se 40 skulpturave e monumenteve në të gjithë Shkupin. Në frontin e brendshëm, Socialistët/ LSDM dhe qarqet e tjera të opozitës akuzuan qeverinë për investimin e një përqindjeje disproporcionale të buxhetit të shtetit në këto projekte, ku sipas një raportimi të BIRN shifra mund të ketë shkuar deri në 560 milion €. Në politikën e jashtme, theksi mbi neo-maqedonizmin komplikonte më tej marrëdhëniet me fqinjin jugor, Greqinë.

Skandali i përgjimit dhe dorëheqja

Në maj të vitit 2015, në Shkup filluan protesta kundër Gruevskit dhe qeverisë së tij. Sipas BBC, Protestat filluan dhe u ndoqën edhe nga akuzat e opozitës, e cila deklaroi se Gruevski kishte 20 000 zyrtarë maqedonas dhe figura të tjera të përgjuara, si dhe mbuloi vrasjen e një të riu nga një oficer policie në vitin 2011. Një protestë e madhe ndodhi më 5 maj 2015, duke pasur përplasje të dhunshme ndërmjet aktivistëve dhe policisë, me lëndime në të dy anët.

Disa ministra, përfshirë ministrin e brendshëm, dhanë dorëheqjen gjatë protestave. Gruevski fillimisht nuk pranoi të tërhiqej, duke thënë më disa ditë më vonë se "po të kthehem prapado të ishte një veprim frikacak ... unë do të përballem me sulmet". Megjithatë, më 15 janar 2016 Emil Dimitriev kandidoi si kryeministër i Maqedonisë dhe ai mori detyrën më 18 janar, pas dorëheqjes së Gruevskit nga pozita. Në korrik 2017, një gjykatë maqedonase urdhëroi konfiskimin e pasaportave të Gruevskit dhe katër zyrtarë të tjerë të partisë së tij, duke përfshirë ish-ministren e brendshme, Gordana Jankulloska dhe ish-ministrin e transportit, Mile Janakieski, në lidhje me rastin e përgjimit. Në dhjetor 2017, Gruevski dha dorëheqjen si udhëheqës i VMRO-DPMNE, pas disfatës më të madhe të partisë nga Bashkimi Social Demokratik në zgjedhjet lokale.

Gjyqi dhe arratisja

Më 23 maj të këtij viti (2018), Nikola Gruevski, tashmë ish-kryeministër i Maqedonisë u dënua nga gjykata vendase me 2 vite burg “për ushtrim të ndikimit të paligjshëm” në lidhje me blerjen e një makine luksoze në 2012, kostoja e së cilës ishte mbi 600 000 €. Ky ishte verdikti i parë i shpallur në lidhje me Gruevskin, i cili u transmetua drejtpërsëdrejti në disa media. Shpjegimi i gjyqtarit lidhur me vendimin ishte se Gruevski shfrytëzoi postin e tij si kryeministër për të kërkuar nga ish-ministrja e punëve të brendshme, Gordana Jankulloska, blerjen e një Mercedesi të blinduar, për shfrytëzim personal, duke përdorur fondet e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Pas shpalljes së dënimit me burg, deputetët nga partia e Gruevskit, VMRO-DPMNE, dolën nga parlamenti në shenjë proteste. Disa orë më vonë partia shprehu zemërimin e saj duke thënë se gjykata i takon Bashkimit Social Demokratik të Maqedonisë (SDSM), partisë në pushtet dhe se po përdoret për të persekutuar ata që nuk pajtohen me kryeministrin Zoran Zaev. Një orë pasi shqyrtimit të vendimit, Gruevski iu drejtua publikut nëpërmjet profilit të tij në Facebook me këtë mesazh: "Mbaje kokën lart, ditë më të mira do të vijnë” dhe një ditë më vonë, ai shprehet se gjyqi ishte një sulm politik i hapur. "Ky procedim është pjesë e një gjuetie politike dhe gjyqësore," citohet në statusin e tij. "Ky është persekutimi klasik politik në të cilin unë dhe shumë nga bashkëpunëtorët e mi janë nën sulm".

Sipas Radio Free Europe dënimi i Nikola Gruevskit është një moment simbolik në trazirat e fundit politike të vendit. Arratisja e tij nga vendi me qëllim kërkimin e Azilit politik e rëndon më tej situatën e krijuar . Në mes të tetorit të 2018 ai u largua në drejtim të Hungarisë që iu përgjigj pozitivisht kërkesës së tij për azil, pavarësisht kritikave dhe llogaridhënies nga BE-ja për vendimin e marrë. Lidhur me të kaluarën, shihet se raportet mes Gruevskit dhe kryeministrit hungarez Viktor Orban janë tepër të ngushta pavarësisht se ai ka mohuar zyrtarisht që ka ofruar ndihmë aktive në ikjen e tij. Kjo gjë vërtetohet nga fakti se në vitin 2017, Orban ofroi mbështetjen e tij publike ndaj Gruevskit gjatë fushatës së tij për zgjedhjet lokale, në të cilat partia e tij pësoi humbje nga Social Demokratët.

Gruevski aktualisht është ende duke u përballur me tri gjykime të tjera, të cilat përfshijnë një skandal të madh përgjimi për të cilat mund të jepen dënime më të rënda se vendimi aktual prej 2 vitesh burg. Ai pretendon se rastet janë të motivuara politikisht dhe se vuajtja e dënimit në Maqedoni do të vinte në rrezik jetën e tij , duke justifikuar kështu arratisjen e tij.

Me një karrierë të gjatë politike, me luhatje të ndryshme të qëndrimeve gjeopolitike dhe me akuzat për korrupsion, Gruevski si udhëheqës i një vendi me demokraci të pa-konsoliduar gjendur mes aspiratave euroatlantike dhe qasjeve lindore dhe autoritare të politikë-bërjes është një simbol i kësaj mënyre qeverisjeje që po haset gjithmonë e më shumë sot jo vetëm ne vendet e Ballkanit Perëndimor, por dhe në disa nga vendet e vetë Bashkimit Europian.

                                                                                                                       Stafi i EuroSpeak, nëntor 2018

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk