Kuadri ligjor dhe politikat e zhvillimit të inovacionit në BE

Kuadri ligjor dhe politikat e zhvillimit të inovacionit në BE

Inovacioni mbart një natyrë të dyfishtë, ku në njërën anë është pervaziv, pra është gjithëpërfshirës dhe prek drejtëpërdrejt përditshmërinë e kujtdo. Megjithatë, në kuptueshmërinë e gjerë, diskutimi apo referimi ndaj inovacionit mbetet i vagullt. Kjo natyrë eluzive për shkak të kuptueshmërisë së gjerë të termit, e bën inovacionin të largët për nga perceptimi (Finckenberg-Broman, 2022). Ajo që është shndërruar në një aksiomë kategorike, është se inovacioni është jo vetëm mundësi zhvillimi, por është një kusht i domosdoshëm i zhvillimit. Qëndrim ky për të cilin qeverisjet globalisht i kushtojnë gjithmonë e më shumë energji mbështetjes së inovacionit, e cila reflektohet në politikat në mbështetje të tij.

Në Konventën e Inovacionit të mbajtur për herë të parë në dhjetorin e vitit 2011[1], Komisioneri i Bashkimit Europian për kërkimin dhe inovacionin, asokohe znj. Máire Geoghegan-Quinn, foli për “emergjencë për inovacion”[2]. Ajo do e parashtronte kërkimin dhe inovacionin jo vetëm ndër kryeprioritetet e Bashkimit Europian me qëllimin për të qenë garues me konkurrentët global, por e parashtroi edhe si instrumentin për t’a nxjerrë ekonominë europiane nga kriza e 2008-ës[3]. Ky fjalim duhet parë në kontekstin që Bashkimi Europian gjendej asokohe, e cila ishte në një situatë jo e suksesshme pas një dekade nga miratimi i Strategjisë së Lisbonës[4] dhe disa programeve zhvillimi të ndërmarra.

Nëse ndalemi në një vështrim më të largët se ky në fjalë, vendet e zhvilluara në Europë po shkojnë drejt një shekulli garimi për nxitjen e inovacionit, që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Në anën tjetër, Bashkim Europian si bashkësi ndërshtetërore shënon vetëm dy dekada angazhimi strategjik në këtë drejtim. Strategjia e Lisbonës e vitit 2000, ishte hapi i parë i një fokusimi të plotë të Bashkimit Europian në fushën e inovacioni, e cila solli një koordinim strategjik në nivel BE-je. Një ndër synimet madhore të asaj strategjie ishte arritja e vlerës 3% të PBB-së si investim për Kërkimin dhe Zhvillimin (R&D).

Pas një dekade pas Strategjisë së Lisbonës, institucionet e BE kuptuan që qëllimet ambicioze të vendosura në 2000 nuk u arritën. Shkaku i këtyre pasojave të padëshiruara mund të shihet si kombinim i disa faktorëve, të cilat vareshin së shumti nga probleme në qeverisjen e vetë BE-së. (Finckenberg-Broman, 2022) Ashtu si asokohe, por ende sot, gjerësisht pranohet se zhvillimi i inovacioni duhet të shihet i ndërlidhur me një prej themeleve kryesore të Bashkimit Europian që është garantimi i tregut të vetëm (single market). Mungesa e fokusit të nevojshëm tek kjo e fundit, ka qenë dhe një ndër kritikat kryesore që autorë kanë bërë për politikat e Bashkimit Europian si i tërë. (Granieri & Renda, 2012)

Megjithatë, vështirësitë e hasura kanë sjellë një shtim të këmbënguljes së BE-së dhe inovacioni është gjithnjë e më shumë në vëmendje të politikave të BE-së. Kjo këmbëngulje u reflektua fillimisht tek “EU2020 Strategy”, e cila u drejtua nga iniciativa “Innovation Union” dhe nga nisma të tjera të ndërlidhura si “Axhenda Dixhitale”, “Politika Industriale për një Epokë të Globalizimit” dhe “Axhenda për Aftësi të Reja dhe Punësim”. Gjithashtu, e njëjta qasje dhe më e avancuar, vazhdoi me Strategjinë “Global Gateway”, e cila ishte në harmoni me Objektivat e Zhvillimit të Qendrueshëm (SDGs) të OKB-së.

 

“State of the art” në Bashkimin Europian

Që prej vitit 2011, Bashkimi Europian përdor një instrument vlerësimi të përvitshëm për ecurinë e inovacionit[5]. Sipas kësaj metodologjie së vlerësimit dhe më konkretisht raportimit të fundit (European Commission, 2023), dekada e fundit ka shënuar një progres të vendeve anëtare në tërësi dhe në raport me ekonomitë jashtë Bashkimit Europian dhe Europës.

Sipas raportit të vitit 2023, performanca e inovacionit në Bashkimin Europian është rritur me 8.5% që nga viti 2016. Megjithatë, evidentohet se nga viti 2022 deri në 2023, performanca vjetore e inovacionit në BE është përmirësuar me një ritëm më të ulët, konkretisht me 0.6%. Në raport me të tjerët, sipas metodologjisë në fjalë, Koreja e Jugut shfaqet si vend më inovativ, i cila ka shfaqur një performancë shumë më të lartë se BE. Në avantazh me performancën e BE-së rezultojnë edhe Australia, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara. BE ka një avantazh performance mbi Brazilin, Kilin, Kinën, Indinë, Japoninë, Meksikën dhe Afrikën e Jugut[6].

Pranohet që ky progres, si një mesatare aritmetike të të gjithë indikatorëve, nuk reflektohet në qëndrueshmëri konstante të indikatorëve të vlerësuar specifikisht. Kësisoj, në lexim krahasimor ndër vite nuk arrihet të lexohen trende pozitive të indikatorëve specifikë. Gjithashtu në vitin e fundit, por edhe në vitet më parë, vihet re se distanca ndërmjet vendeve të ashtuquajtur “inovatorë të qëndrueshëm” po ngushtohet me “inovatorët e moderuar”, por largësia mbetet e njëjtë me vendet “inovatorë të rinj”. Leximet e këtij trendi mund të jenë të ndryshëm, por mund të pranohet si një fakt objektiv që hendeku brenda BE-së midis pararojës dhe pjesës tjetër të vendeve të tjera vazhdon të jetë i qëndrueshëm, duke pamundësuar funksionimin e tregut të vetëm.

Ajo që mbetet e pandryshueshme si shqetësim është niveli i ulët i investimit në total për R&D, i cili vazhdon të jetë mesatarisht konstant dhe i ulët. Nëse analizon periudhën 2001- 2011 evidenton që mesatarja e investimit të vendeve të Bashkimit Europian për Research & Development shkon rreth 0.6% të PBB-së. Me përjashtim të Maltës, asnjë vend nuk e kalon 2% e PBB-së në investimet për R&D(Nicolaides, 2015). Kjo situatë, me dinamika të vogla, evidentohet edhe në periudhën në vijim, kur investimet në R&D nuk kalojnë nivelin mesatar të periudhës më sipër. (European Commission, 2021)

Si dhe u argumentua më lart, mungesa e një tregu të vetëm real është ndoshta shkaku më i dukshëm i problematikave që aktualisht pengojnë performancën e Europës në fushën e kërkimit dhe inovacionit. Kjo pavarësisht të një tradite të gjatë në arsim, prodhim dhe shërbime. Autorët, vlerësojnë se Europa është e mirë në krijimin e produkteve të reja, por e dobët në komercializimin e tyre.

Kompleksiteti i qeverisjes së politikave të inovacionit në Bashkimin Europian është rritur. Sot, kompetencat institucionale janë shumë të fragmentuara nëpër Drejtoritë e Përgjithshme, që çon në mungesë koherence politikash. Ka shumë nivele ndërhyrjesh dhe shumë instrumente për financim, të cilat krijojnë një mjedis kompleks për aplikuesit potencialë. Sistemit aktual i mungon sinkronizimi dhe nuk është i përshtatshëm për të arritur efektivisht kompanitë e vogla. Inovacioni nuk konsiderohet në të gjitha fazat e procesit të hartimit të politikave dhe nuk ka indikatorë që ndjekin suksesin e politikave të orientuara nga inovacioni. (Granieri & Renda, 2012)

Bashkimi Europian në vijimësi e ka mbështetur zhvillimin e inovacionit në ekonominë e saj në politikën e garantimit të instrumenteve financiarë. Kjo reflektohet edhe në konkluzionet e strategjisë së saj “Strategjia Dixhitale e BE”[7]. Megjithatë, Komisioni Europian ka njohur rëndësinë e një acquis më të orientuar drejt inovacionit, gradualisht duke eksploruar sesi rregullat e BE-së mund ta mbështesin inovacioni. (Simonelli & Renda, 2019)

 

Perspektiva zhvillimi

Autorë të ndryshëm, në teoritë e makroekonomisë, evidentojnë mundësitë e ekonomive të prapambetura për të parë nga historitë e suksesit të vendeve të tjera, dhe të zgjedhin shtegun e zhvillimit që duan të ndërmarrin. Për të përdorur këto avantazhe, këto ekonomi duhet të kenë dy kapacitete, si (1) kapacitetin e planifikimit, për të cilën është e nevojshme një burokraci profesionale dhe e aftë, ndërsa në anën tjetër (2) një qasje të “duruar” të kapitalit, pra, financues të gatshëm të investojnë shuma të mëdha për periudha të gjata. Të dy komponentë qëndrojnë më shumti në suazën e një roli aktiv të qeverisjes. (Gerschekron, 1962)

Qeveritë mund të nxisin inovacionin duke vepruar jo vetëm si lehtësues dhe rregullatorë, por edhe si klientë, duke marrë në konsideratë që administrata ka nevojë për produkte dhe shërbime të reja. Duke shprehur nevojat e tyre për produkte dhe zgjidhje inovative, qeveritë mund të bëhen katalizatorë të investimeve të reja dhe zbatimit të zgjidhjeve teknologjike inovative. Një shembull perfekt është se si Presidenti Barack Obama njoftoi në Shtetet e Bashkuara se "agjencitë do të blinin 100%makina me karburant alternativ, hibride ose elektrike deri në vitin 2015". Me qëllimin e reduktimit të ndikimit mjedisor të flotës federale të autoveturave, qeveria amerikane i dha një nxitje të jashtëzakonshme gjithashtu inovacionit në fushën e mjeteve të gjelbërta. (Finckenberg-Broman, 2022)

Në vazhdën e këtij argumenti, gati në çdo sfidë jetësore, zhvillimi i inovacionit apo më konkretisht roli i qeverisjes nuk kalon në vetëm “një shteg” apo brenda një modeli të vetëm. Përpos trendeve globale, përvoja e deri sotme ka treguar vende si shembuj të zhvillimit të inovacionit si modele unike apo të quajtura modele indigjene. (Breznitz, 2007) Modele të zhvillimit të inovacionit përmenden shumë shtete si Japonia apo Koreja e Jugut, por në disa raste evidentohen modele unike. Shembuj që literatura i trajton si të tilla janë Izraeli, Tajvani dhe Irlanda.

Irlanda ndonëse pjesë e Bashkimit Europian që prej vitit 1973, ajo ndan më shumë karakteristika dhe qasje politike me Izraelin dhe Tajvanin sesa me pjesën tjetër të Bashkimit Europian. Të treja këto vende, në vitet pas Luftës së Dytë Botërore qëndronin në të njëjtën pikënisje si vende me fuqi punëtore të paspecializuar në numër të lartë, numër relativisht të ulët të atyre që kishin përfunduar arsimin e mesëm apo infrastrukturë komunikimi të dobët. Në qasje qeverisëse të ndryshme dhe motivacioni të ndryshme, të tre këto vende u shndërruan në pionerë të inovacionit. (Breznitz, 2007)

Ndryshe nga vende si Japonia ose Koreja e Jugut, vendet në fjalë e mbështetën zhvillimin tek sipërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe jo tek korporatat e mëdha. Kjo erdhi jo vetëm si një zgjedhje ekonomike, por mbi të gjitha mbi një motivacion gjeostrategjik. Irlanda ashtu si Tajvani dhe Izraeli i frikësoheshin korporatave të mëdha edhe për shkak se gjendeshin nën një trysni gjeopolitike të fqinjëve të tyre. Në rastin e Irlandës, politika ekonomike e saj u formësua në kontekstin e varësisë së saj nga Britania dhe përpjekjes për të dalë nga kjo varësi[8]. (Breznitz, 2007)

Tjetër karakteristikë e Irlandës, që e ndan dhe me Izraelin, është marrëdhënia shtet-industri e mbështetur tek agjencitë e zhvillimit. Ndryshimi qëndron se në Irlandë, këto agjenci ishin më të “drejtuara” nga vetë industria dhe në Izrael marrëdhënia qeveri-industri ishte e barabartë. Për rrjedhojë zhvillimi në Irlandë është mbështetur në investime direkte të huaja, ndërsa Izraeli është mbështetur nga grante qeveritare për ide të krijuara nga vetë industria.[9]

 

Përfundime

Përpos analizave pozitive të indikatorëve apo vlerave financiare gjigande për të garantuar mbështetjen e inovacionit, dinamikat ekonomike evidentojnë disa të dhëna kritike për Europën. Nëse në Europë, e renditura globalisht e katërta, shënohen sot rreth 150 kompani inovatore startup me vlerë mbi 1 miliardë dollarë, quajtur ndryshe “unicorn”, tre vendet e para shënojnë së bashku rreth 1,100 të tilla.

Në qasjen e BE-së më shumë, ajo është munduar të shqetësohet për “portofolin” e “dorës së padukshme të tregut”. Ndërsa përsa i përket “dorës së dukshme” ia ka lënë qeverive të shteteve anëtare ta drejtojnë atë në raport me inovacionin. Në rezultante, duke munguar një treg i vetëm, por edhe një dirigjim vizionar, ngjan se në BE dora e dukshme dhe ajo e padukshme nuk arrijnë të kenë forcën që kërkohet të kenë.

Reald Keta, nëntor 2023

*Realdi është një ekspert ligjor me përvojë të gjerë në administratën publike dhe organizatat jofitimprurëse, ku ka njohuri të diversifikuara mbi aktet ligjore dhe rregullative në çështje të lidhura me pronën, pronësinë industriale, proceset zgjedhore dhe reformën zgjedhore, reformën administrative-territoriale, qeverisjen, procesin e integrimit europian, luftën kundër korrupsionit, reformën në drejtësi, demokratizimin dhe të drejtat e njeriut. Ai ka eksperiencë të gjerë si kërkues dhe analist ligjor dhe është i kualifikuar në përgatitjen e opinioneve dhe dokumenteve ligjore të detajuara dhe gjithëpërfshirëse. Momentalisht mban pozicionin e Këshilltarit ligjor pranë Ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.

 

Bibliografia

Finckenberg-Broman, P. (2022). "Weaponizing EU State Aid Law to impact the future of EU Investment Policy in the global context". Springer.

European Commission. (2023). European Innovation Scoreboard 2023.

European Commission. (2021). European Innovation Scoreboard 2021.

Lamoreaux, N. R., & Sokoloff, K. L. (2007). "Financing Innovation in the United States, 1870 to the Present". MIT Press.

Pelkmas, J., & Renda, A. (2014). "How can EU Legislation Enable and/or dissable innovation".

Breznitz, D. (2007). "Innovation and the state political choice and strategies for growth in Israel, Taiwan, and Ireland". Yale University Press.

Nicolaides, P. (2015). "European Union Law of State Aid".

Simonelli, F., & Renda, A. (2019). "Study supporting the interim evaluation of the innovation principle". European Commission.

Granieri, M., & Renda, A. (2012). "Innovation law and policy in the European Union". Springer.

Gerschekron, A. (1962). "Economical backwardness in historical perspective". Harvard University Press.



[1] Fjalimi hapës nga Komisionerja Máire Geoghegan-Quinn në konferencën e mbylljes së konsultimit mbi strukturën e përbashkët strategjike për Hulumtimin dhe Inovacionin në Bashkimin Europian, Bruksel, 10 qershor 2011.

[2]Megjithatë, është bërë e qartë se Europa po përballet me një emergjencë të inovacionit - duhet të japim prioritet inovacionit për të siguruar që nuk mbetemi pas konkurrentëve tanë dhe për të garantuar një cilësi më të mirë të jetës për njerëzit në Europë.Link

[3]Kërkimi dhe inovacioni janë në krye të axhendës politike dhe ekonomike të Europës. Në qershor të vitit të kaluar, udhëheqësit e Europës miratuan Strategjinë Europa 2020, rrugëtimin tonë për të rivendosur ekonominë europiane në rrugën e duhur. Në thelb të saj është bindja se kemi nevojë për kërkim dhe inovacion për të nxjerrë Europën nga kriza ekonomike aktuale dhe për të ndërtuar rritje të qëndrueshme afatgjatë.Link

[5] Me ndryshimet e fundit të metodologjisë në vitin 2016, instrumenti është i ndarë në katër tematika (kuadri i kushteve, investimet, veprimtaritë inovative dhe ndikimi), të cilat janë zbërthyer në 12 dimensione të inovacionit.

[6] Bazuar në performancën relative me BE në vitin 2023, Koreja e Jugut rezulton të jetë një “inovator i ri”, ndërsa Australia, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara rezultojnë “inovatorë të fortë”, Kina dhe Japonia “inovatorë të mesëm”, ndërsa Brazili, Kili, India, Meksika dhe Afrika e Jugut “inovatorë në zhvillim”.

[7]Sipërmarrjet inovative janë qendrore për ekonominë dixhitale. Për të arritur sukses, ata kanë nevojë për një qasje të rritur në financim, duke përfshirë equity dhe venture capitals.” Link

[8] Në të njëjtën përpjekje, në rastin e Izraelit, politikat e shkencës dhe teknologjisë u formësuan në kontektin e konfliktit Izraelito-Arab dhe kërkimi i vazhdueshëm për një identitet kombëtar hebraik. Ndërsa në rastin e Tajvanit, politikat e zhvillimit të inovacionit u formuan për të shpëtuar nga izolimi formal politik ndërkombëtar dhe nevoja për të hartuar dhe paraqitur një model të ri në kundërvënie me diktatin kinez të "një Kine".

[9] Në rastin e Tajvanit, motori i R&D iu besua agjencive shtetërore që “ushqejnë” industrinë si Industrial Technology Research Institute (ITRI) dhe Institute for Information Industry (III). Kjo për shkak të mosbesimit ndaj industrisë së bizneseve të mëdha dhe frikës së fuqive garuese. Për rrjedhojë, kjo jo vetëm ndaloi krijimin e konglomerateve, por kontrolloi hyrje-daljet e investimeve dhe e mbështeti inovacionin në agjencitë publike të kërkimit për të drejtuar përpjekjet ndaj R&D dhe për t’i ndarë rezultatet në industrinë private. 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk