Avantazhet dhe disavantazhet e inteligjencës artificiale në Shqipëri dhe masat e ndërmarra nga institucione përkatëse dhe Bashkimi Europian

Avantazhet dhe disavantazhet e inteligjencës artificiale në Shqipëri dhe masat e ndërmarra nga institucione përkatëse dhe Bashkimi Europian

“Më shkruaj fjalinë e parë për një artikull lidhur me inteligjencën artificiale”, i kërkova Chat GPT-së të më ndihmonte, teksa mendoja se si mund ta nisja këtë artikull, dhe përgjigja ishte: “Inteligjenca Artificiale”: Revolucioni Teknologjik që Po Transformon Botëkuptimin Tonë” (ChatGPT, 2023). Nuk është hera e parë që bëj teste të kësaj natyre, dhe shumica prej tyre më kanë bërë të mos e marr seriozisht këtë platformë, sidomos kur e pyes se kush është Alban Tufa (unë), ose kur i kërkoj të më krijojë një poezi dashurie për gruan time në hekzametër, ngaqë shumë herë marr përgjigje të çorientuara, të pasakta dhe të ndryshme, informacione të cilat nuk gjenden në Google, ose struktura fjalish të dobëta. Megjithatë, buja që ka marrë kjo platformë e inteligjencës artificiale e bën të padiskutueshme praninë e saj në jetën tonë.

Praninë dhe efektin e IA-së e ndjeva një ditë, kur duke ndjekur një video nuk e di se në cilin rrjet social, sugjerohej një platformë  në të cilën, vetëm futesh në të, cilëson temën dhe brenda 7 sekondash përgatitet një prezantim në power point prej 8 slidesh (wepik.com, 2023). E bëra provë me një temë lidhur me audiencat e medias ku prezantimi edhe pse ishte mesatarisht i mirë, ngjante disi i sforcuar. Pavarësisht kësaj, e gjitha ishte mahnitëse. E imagjinova veten student, punonjës, ose një ekspert i gjendur në një situatë të ndërlikuar ku koha nuk premton. Kjo platformë ishte shpëtimtare. Por, parë nga perspektiva e një lektori kjo më ngjau zhgënjyese, ngaqë shumë lehtë mund të mashtrohesha nga projekte apo prezantime të tilla. Që nga ky çast mendova që e gjitha kjo duhet marrë seriozisht, ngaqë është një mënyrë e re se si praktikat tona të jetës dhe mënyra se si ne po e perceptojmë atë, po marrin tjetër formë.

 

Avantazhet dhe disavantazhet e IA-së

Seria e parë e sezonit të gjashtë të serialit “Black Mirror” me titull “Joan is Awful” (Joan është e tmerrshme), është shembulli tipik se si inteligjenca artificiale është rrënjosur tashmë në jetët tona dhe ka sjellë diskutime nga më thelbësoret.  Në këtë seri, një platformë prodhimi dhe transmetimi filmash, nuk prodhon filma fiksion, por nëpërmjet të dhënave që vilen nga smartfonët, nëpërmjet një algoritmi shumë të ndërlikuar,  kopjon jetët e secilit përdorues dhe i transmeton për të tjerë, derisa një vajzë përfundon duke e parë jetën e saj në darkë me seri, ekzaktësisht ashtu siç i ndodhte çdo ditë. Sigurisht ky është produkt artistik, ama mbetet shumë pranë të vërtetës duke lënë krejt të hapur diskutimin për avantazhet dhe disavantazhet e përdorimit të inteligjencës artificiale në jetën tonë.

Diskutimet më të mëdha lidhur me pranimin ose jo të inteligjencës artificiale kanë të bëjnë me kostot që ajo ka. Ashtu si shumë automatizime, IA mbështet minimizimin e kostos pasi ul nevojën për të patur shumë personel dhe kohë. Shumë studiues shprehen se kompanitë mund të zvogëlojnë kohën e konsiderueshme duke miratuar aplikacione të përshtatshme të IA-së në procesin e vendimmarrjes,  gjë e cila çon në reduktimin e kostove operacionale (Chowdhury & Sadek, 2012 ).

Nga ana tjetër reduktimi i kostos në burime njerëzore shoqërohet me kosto të larta për të ndërtuar dhe mirëmbajtur një algoritëm apo platformë të inteligjencës artificiale. Një nga disavantazhet kryesore të inteligjencës artificiale është kostoja e mirëmbajtjes dhe riparimit. Softueri duhet të përditësohet vazhdimisht për të përmbushur kërkesat në ndryshim. Në rast të një avarie, kostoja e riparimit mund të jetë shumë e lartë. (Osipov & Ulimova, 2017)

Një diskutim tjetër që lidhet më aplikimin e inteligjencës artificiale ka të bëjë me çështjet ligjore dhe etike. Kjo lidhet me mungesën e transparencës në çështjet që kanë të bëjnë  me sigurinë e të dhënave. Ndërsa avantazhet dhe disavantazhet që sjell përdorimi i IA-së në fusha apo industri të ndryshme gjenden në tabelën e mëposhtme.

Inteligjenca artificiale

Avantazhet

Disavantazhet

Shkurton kohë dhe kosto

Rrit nivelin e papunësisë

Eliminon gabimin dhe rrezikun njerëzor

Është e gabueshme

Përmirëson sistemet e menaxhimit.

Ul krijimtarinë dhe shton përtacinë

Redukton nevojat

Shkel të drejtat e autorit (Chat-et dhe IA për prodhim)

Është e disponueshme 24/7

Zbatimi i saj është i kushtueshëm

Kryen vendimmarrje të paanshme

Ka mungesë emocionesh dhe krijimtarie

Kryen punë të përsëritura

Sjell degradim psiko-social

Merr dhe analizon të dhëna

Nuk ka asnjë përmirësim me përvojën e vet

Shërben si asistencë dixhitale

Punë të reduktuara për njerëzit

Aplikohet në përditshmëri

Shumë probleme etike

Ndjek shpikjet e reja

Probleme me privatësinë dhe sigurinë e të dhënave

Është siguri e shtuar

Mungesë transparence dhe shpjegueshmërie

Identifikon flukset më të mira të punës njerëzore

Krijon varësi dhe ka besueshmëri të ulët

Identifikon modelet e përdorura

Rrit mundësinë e mashtrimit

 

Përdorimi i IA-së në Shqipëri

Në vendin tonë përdorimi i inteligjencës artificiale nuk është në nivelet e dëshirueshme. Edhe pse kemi ecur përpara nga viti në vit, përdorimi i IA-së në krahasim më vendet e zhvilluara është shumë i ulët. Ngjashëm paraqitet situata edhe kur krahasohet me rajonin. Indeksi i Gatishmërisë së Inteligjencës Artificiale për vitin 2021, i publikuar nga Oxford Insights, e rendit Shqipërinë në vend të 83-të nga 160 vende gjithsej. Në këtë indeks edhe pse Shqipëria ka patur një rritje, ajo mbetet përsëri shumë e ulët, duke u ngjitur vetëm me dy vende. Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria renditet e parafundit duke lënë pas vetëm Bosnje Hercegovinën, e cila renditet në vend të 96-të. (Deda, 2022)

Numrin e 33-të të revistës Bankieri në vitin 2019, Shoqata Shqiptare e Bankave ia kushtoi inteligjencës artificiale, gjë e cila të bën të kuptosh se ky sektor është i interesuar në përdorimin e saj. “Inteligjenca Artificiale nuk do të mund të zëvendësojë kurrë punonjësit e bankës, në kuptimin e gjerë të fjalës ‘zëvendësim’. Padyshim që, makinat do të bëhen gjithnjë e më inteligjente, por njerëzit kanë qenë gjithmonë të mençur”, shkruante në editorialin e atij numri Elvin Meka, kryeredaktori i revistës (Meka, 2019). Përqafimi i IA-së në sistemin bankar fillon që te robotët e radhëve, te ATM-të interaktive dhe deri te aplikacionet smart apo Chat botët nëpër uebsajte. Me një vështrim të përgjithshëm në Chat botët e Bankave një pjesë të tyre nuk janë në gjendje të kthejnë as Përshëndetjen, dhe në disa raste të tjera përgjigjet janë shumë të limituara. Kjo të bën të kuptosh që Chat botët janë të dobëta, dhe me to nuk mund të komunikosh dot gjatë. Dhe në këto raste edhe pse IA-ja ndihmon për disa pyetje dhe probleme të shpeshta, pjesa tjetër e rasteve duhet të trajnohet në faza të mëtejshme. Një sektor tjetër që ka përqafuar IA-në është tregtia online. Aspekti më përfaqësues i saj janë Chat botët. Edhe në këtë sektor situata paraqitet e njëjtë pasi Chatet, edhe pse kanë një gamë më të gjerë përgjigjesh, tentojnë të të orientojnë drejtë lidhjeve të ndërfaqeve të produkteve. Ndërsa në raste të tjera të lidhin me një agjent. Kjo të lë të kuptosh që disavantazhi i përdorimit të tyre në vendin tonë është se në shumicën e rasteve kërkohet mbështetja humane për zgjidhjen e çështjeve.

Në rastet e lartpërmendura implikohen çështjet e të dhënave, si dhe siguria e tyre. Kur ne futemi në uebfaqet e kompanive të ndryshme lëmë gjurmë në disa mënyra, të tilla si cookies ose meta pixel. Këto të dhëna mund të vilen dhe të përdoren në tregun e zi, për qëllime nga më të ndryshmet, gjë e cila i shtohet si disavantazh përdorimit të IA-së.

Një sektor i cili është prekur shumë nga përdorimi i IA-së është edhe ai i marketingut dhe komunikimit vizual. Ekzistojnë shumë platforma të IA-së të cilat shërbejnë për funksione të ndryshme në fushën e komunikimit dhe të marketingut, që nga platformat e krijimit të përmbajtjeve multimediale, deri te platformat e gjenerimit të teksteve, të cilat kanë zënë vend në përdorimin e menaxhimit të rrjeteve sociale. ChatGPT-ja së bashkë me versionet e saj me pagesë prodhon tekste, foto dhe postera të cilat shpërndahen nga menaxherët nëpërmjet programeve të skedulimit. Nga ana tjetër versionet e paguara të Canva-s japin produkte nga më të ndryshme audio dhe video. Të gjitha këto vënë në diskutim çështje të tilla si ulja e kreativitetit, dhe zhvlerësimi i profesioneve, por nga ana tjetër kanë reduktuar kohën dhe sidomos kostot për burimet njerëzore.

Një çështje tjetër që ka ngritur shqetësimin e ekspertëve është përdorimi i IA-së në sektorin e arsimimit dhe rritja e mundësisë e mashtrimit. Në janar të këtij viti Universiteti SciencePo në Paris e ndaloi përdorimin e ChatGPT dhe IA-së në kryerjen e detyrave dhe në rast vërtetimi studentët mund të përjashtohen nga universiteti apo edhe nga arsimi i lartë. Frika më e madhe e ekspertëve të arsimit është fakti që përdorimi i IA-së në shkollë mund të të bëjë të varur.

Qasja e institucioneve dhe e BE-së

Teksa përdorimi i IA-së në botë po bëhet gjithnjë e më i pakontrollueshëm, shumë vende kanë filluar të marrin masa rregullatore. Sam Altman, shef ekzekutiv i kompanisë OpenAI, që ka në pronësi ChatGPT, u tha para disa muajve ligjvënësve amerikanë se vendosja e rregullave për përdorimin e IA-së është thelbësore për kohën ku jetojmë (Euronews, 2023). Ndërsa në muajin korrik Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara  njoftoi mbajtjen e takimit të parë mbi kërcënimet e mundshme të IA-së për paqen globale.

Me sa duket Bashkimi Europian është një hap më përpara në këtë aspekt. Në mesin e qershorit të këtij viti Parlamenti Europian miratoi ligjin për inteligjencën artificiale. Akti për Inteligjencën Artificiale u propozua për herë të parë në vitin 2021. Përgjatë kohës pësoi disa ndryshime të rëndësishme, derisa u miratua dy vite më pas. Ky kuadër rregullator e ndan inteligjencën artificiale bazuar në nivelet e rrezikut që ajo paraqet për shtetin dhe shoqëritë. Kësisoj akti përcakton 4 nivele të rrezikut në IA-së: rrezik i papranueshëm; rreziki lartë; rrezik i kufizuar; rrezik minimal ose pa rrezik. Në këtë akt vihet theksi te disa ndalesa të cilat janë thelbësore për të ulur rrezikshmërinë dhe për të ruajtur të drejtat themelore të njeriut si dhe privatësinë. Së pari ndalohet përdorimi i plotë i Inteligjencës Artificiale (IA) për mbikëqyrjen biometrike, njohjen e emocioneve, policimin parashikues. Së dyti sistemet gjeneruese të IA si ChatGPT duhet të tregojnë se përmbajtja është krijuar nga IA-ja. Së treti, sistemet e inteligjencës artificiale të përdorura për të ndikuar tek votuesit në zgjedhjet e tyre, sisteme këto që konsiderohen të jenë me rrezik të lartë. (EUParliament, 2023)

Ndërkaq në vendin tonë institucionet nuk kanë marrë ende masa për rregullimin e Inteligjencës Artificiale. Edhe pse janë zhvilluar disa workshop-e, konferenca dhe tryeza diskutimi, këto mbeten vetëm iniciativa sporadike dhe nuk pjesëmarrin direkt në institucione politikëbërëse. Lidhur me mundësitë dhe kërcënimet e IA-së  Shoqata Shqiptare e Teknologjisë së Informacionit zhvilloi para disa muajsh një tryezë të rrumbullakët dhe kjo tryezë doli në disa përfundime. (BussinessMag, 2023) Shumica prej tyre lidheshin kryesisht me çështje praktikash dhe edukimi për përdorimin e IA-së, por pa pretenduar ndalesa apo rregullime ligjore.

Diskutimet e para lidhur me aplikimin e inteligjencës artificiale në shërbimet publike  në Shqipëri filluan në fundin e muajit prill të këtij viti (2023), përgjatë Forumit të Klimës së Biznesit. Në fjalën e tij kryeministri Edi Rama foli për përfshirjen e IA-së në sektorin e prokurimeve, si një nevojë e domosdoshme për të shmangur komisionet e vlerësimit si dhe për të shmangur korrupsionin në këtë sektor.  (Rama, youtube.com, 2023). Katër muaj më vonë në një konferencë për mediat Kryeministri bëri me dije se qeveria po punon për të aplikuar Inteligjencën Artificiale dhe specifikisht ChatGPT –në sistemin e shërbimeve qeveritare e-Albania. Ai theksoi se ChatGPT-ja do të ndihmojë në mënyrë specifike si operator virtual për të kthyer përgjigje në kohë reale. (Rama, 2023). Ndërsa pak ditë më vonë në Asamblenë e Partisë Socialiste, Kryeministri përmendi sërish përdorimin e IA-së në sektorë të tillë si ai i prokurimeve. Në fjalimin e tij në lidhje me këtë çështje, Rama u fokusua në reduktimin e kostove dhe të kohës, si dhe në shmangien e gabimeve që do të sjell aplikimi i IA-së në këtë sektor. Është pozitiv fakti që të mirat dhe avantazhet që sjell IA-ja diskutohen në nivele qeveritare. Megjithatë mbetet e paqartë kostoja që kjo Inteligjencë do t’i sjellë shoqërisë dhe buxhetit të shtetit. Së fundmi, përtej çdo paqartësie dhe përtej çdo frike që mund të ngjallet, Inteligjenca Artificiale mbetet një çështje e pamohueshme, që dita ditës po bëhet e nevojshme, dhe nuk do të jetë e largët dita kur ajo të bëhet e domosdoshme edhe në vendin tonë.

 

Alban Tufa, shtator 2023

*Alban Tufa është gazetar, shkrimtar, lektor i shkencave të komunikimit dhe kërkues shkencor i fokusuar në metodat cilësore të tilla si fokusgrupet dhe intervistat e thelluara. U diplomua në Shkenca Komunikimi dhe kreu studimet Master të profilizuara në Gazetari. Ai është angazhuar në jetën publike me shkrime kritike dhe reportazhe mbi kulturën, letërsinë, komunikimin dhe jetën sociale.  Njëkohësisht është përfshirë edhe në rrethet letrare më shkrime të ndryshme krijuese në prozë dhe poezi, duke marrë pjesë në trajnime, debate dhe konkurse të ndryshme, ku numëron disa çmime kombëtare dhe rajonale. Ndër to mund të përmenden (tre) Çmimet letrare në Festivalin Letrar për të Rinj (Shqipëri); Çmimi “Tahir Zemaj” (Kosovë) dhe Çmimi “Vexhi Buharaja” (Shqipëri). Ai është autor i dy vëllimeve me poezi “Një mbrëmje si mbrëmë” (M&B Botime 2020), “Ata ishin (mbetën) dy” (Toena 2023) dhe i një romani “Nishanet në formë L-je” (Toena 2022) po ashtu është bashkautor në disa antologji letrare, si dhe autor dhe bashkautor i disa punimeve që lidhen me kërkimet në fushën e audiencave dhe efekteve të medias. Po ashtu, është pjesëmarrës në Rezidencat Letrare READ të cilën e ka zhvilluar në Prishtinë dhe është fitues i Fondit të Mbështetjes së Shkrimtarëve të Rinj, nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit për vitin 2023. Aktualisht është punon me kohë të plotë si lektor pranë Departamentit të Shkencave të Komunikimit në Kolegjin Universitar “Bedër” dhe me kohë të pjesshme si moderator focus grupesh dhe zhvillues i intervistave të thelluara në Institutin Kërkimor Data Centrum.

 

 

Bibliografia

Avcontentteam. (2023, 05 28). analyticsvidhya.com. Retrieved from analyticsvidhya.com: https://www.analyticsvidhya.com/blog/2023/05/advantages-and-disadvantages-of-ai/

BussinessMag. (2023, 06 02). businessmag.al. Retrieved from businessmag.al: https://businessmag.al/inteligjenca-artificiale-ne-fokus-nje-kercenim-apo-mundesi/

CBS. (2019, 05 25). youtube.com. Retrieved from youtube.com: https://www.youtube.com/watch?v=EfREntgxmDs

ChatGPT. (2023). chat.openai.com. Retrieved from chat.openai.com: https://chat.openai.com/

Chowdhury, M., & Sadek, A. W. (2012 ). Artificial Intelligence Applications to Critical Transportation Issues . Transportation Research Board , 5-8.

Deda, X. (2022, 02 18). scan-tv.com. Retrieved from scan-tv.com: https://siu.scan-tv.com/inteligjenca-artificiale-ne-sherbimet-publike-sa-te-gatshem-jemi-renditemi-ne-vend-te-83-te-ne-bote-te-parafundit-ne-rajon/

Euronews. (2023, 05 16). euronews.com. Retrieved from euronews.com: https://www.euronews.com/2023/05/16/chatgpt-boss-tells-us-congress-that-regulation-of-artificial-intelligence-is-crucial

Meka, E. (2019). Inteligjenca Artificiale: Bashkëkzistenca midis “mençurisë” dhe “inteligjencës”. Bankieri, 5-5.

OKB. (n.d.). un.org. Retrieved from un.org: https://www.un.org/en/academic-impact/helping-fight-covid-19-pandemic-artificial-intelligence

Osipov, S., & Ulimova, N. (2017). Advantages and Disadvantages of AI. Science and world, № 4 (44). Vol. I.

Parliament, E. (2023, 05 14). europarl.europa.eu. Retrieved from europarl.europa.eu: https://www.europarl.europa.eu/news/en/press-room/20230609IPR96212/meps-ready-to-negotiate-first-ever-rules-for-safe-and-transparent-ai

Pratt, M. K. (2023, 06 16). techtarget.com. Retrieved 08 06, 2023, from techtarget.com: https://www.techtarget.com/searchenterpriseai/tip/Top-advantages-and-disadvantages-of-AI

wepik.com. (2023, 08 05). Retrieved from wepik.com: https://wepik.com/

 Rama, E. (2023, 04 24). youtube.com. Qasur në youtube.com: https://www.youtube.com/watch?v=HbFiEFmsiyw

Rama, E. (2023, 08 25). youtube.com. Qasur në youtube.com: https://www.youtube.com/watch?v=j5Yms7yzPvw

wepik.com. (2023, 08 05). Qasur në wepik.com: https://wepik.com/

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk