Programi i Belgjikës për Presidencën e Këshillit të Bashkimit Europian

Programi i Belgjikës për Presidencën e Këshillit të Bashkimit Europian

Bashkimi Europian karakterizohet nga  ndryshime dhe dinamika, por gjithashtu ka dhe linjën e tij të qendrueshme  të organizimit të tij të brendshëm. Një nga këto spektra organizative është Presidenca e Këshillit të Bashkimit Europian, e cila mban një nga strategjitë më të rëndësishme të zhvillimit për përmirësimin e BE. Në këtë prizëm, ngjarja më e fundit është ndryshimi i udhëheqjes së presidencës nga Spanja tek Belgjika, që duket shumë premtuese, me ide inovative dhe prioritete strategjike.


Këshilli i Bashkimit Europian është një institucion kyç i BE që ndan detyrat legjislative dhe vendimmarrëse me Parlamentin Europian. Këshilli përbëhet nga ministra të qeverive të vendeve anëtare të BE, dhe presidenca e tij përcaktohet me rotacion  mes vendeve anëtare çdo gjashtë muaj, dhe secili vend që mban presidencën cakton axhendën dhe udhëheq takimet. Duke punuar në trio, ata caktojnë qëllime afatgjata dhe vendosin axhendat për një periudhë 18-mujore. Përtej udhëheqjes së vendit kryesues në takime, vendimet merren në mënyrë kolektive nga të gjitha shtetet anëtare, pavarësisht nga presidenca. Këshilli vepron në status të barabartë për shtetet anëtare në vendimmarrje, duke përdorur mekanizma votimi bazuar në tema, jo në madhësinë e shtetit ose pozitën ekonomike. Influenca ndërtohet përmes bisedimeve, aleancave dhe mbështetjes për politikat ose nismat e propozuara.


Trioja e tanishme përfshin presidencat e Spanjës, Belgjikës dhe Hungarisë.

Presidenca belge e Këshillit të BE fillon më 1 janar dhe përfundon më 30 qershor 2024.


Eshtë e rëndësishme të përmendet se Bashkimi Europian ndodhet në një udhëkryq, duke u përballur me pasojat e agresionit ilegal rus në Ukrainë, pandeminë, krizën e energjisë, keqinformimin, ngjyshimet ekstreme klimatike dhe një konflikt të rindezur në Lindjen e Mesme. Belgjika gjithashtu do të mbështesë aplikimin e Axhendës Strategjike 2024-2029 dhe do të përgatisë diskutime mbi të ardhmen e Bashkimit Europian. Fokusi i presidencës belge është t’i japë përparësi gjashtë fushave tematike dhe do t’i kushtojë vëmendje të veçantë mbështetjes së palëkundur për Ukrainën.

Nën moton "Mbro. Forco. Përgatitu", Belgjika do të përqendrohet në këto fusha tematike: Mbrojtja e Shtetit të së Drejtës, Demokracisë dhe Unitetit; Forcimi i Konkurencës; Një tranzicion mjedisor; Përforcimi i axhendës sociale dhe shëndetësore; Mbrojtja e njerëzve dhe kufijve dhe promovimi i një Europe globale.


Gjashtë Prioritetet


Presidenca belge e Këshillit të Bashkimit Europian është e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave themelore, demokracisë dhe Shtetit të së Drejtës, ndërsa nxit angazhimin e qytetarëve, autonominë e mediave dhe iniciativat arsimore. Ajo ka si prioritet përmirësimin e konkurencës afatgjatë, promovimin e praktikave të qëndrueshme dhe tranzicionit të energjisë. Gjithashtu, presidenca përqendrohet në ndërtimin e një shoqërie më të përfshirë, duke adresuar çështje si shëndeti mendor, banesa të arsyeshme dhe gatishmëria shëndetësore. Në arenën ndërkombëtare, ajo kërkon të forcojë autonominë dhe interesat e BE përmes një politike të jashtme të balancuar dhe sistemeve të forta globale shëndetësore.


-MBROJTJA E SHTETIT TË SË  DREJTËS, DEMOKRACISË DHE UNITETIT

Vlerat kryesore të BE-së lidhen me mbrojtjen e të drejtave themelore, demokracisë dhe Shtetit të së Drejtës, me synim bashkimin ndërsa siguron barazinë dhe mirëqenien individuale. Presidenca belge vendos fokusin në angazhimin e qytetarëve, autonominë e mediave dhe iniciativat arsimore për të forcuar demokracinë, ruajtur trashëgiminë kulturore dhe lehtësuar pranimin e vendeve të reja anëtare.


-FORCIMI I KONKURENCËS

Si përgjigje ndaj zhvillimeve gjeopolitike dhe përparimeve teknologjike, BE synon të forcojë konkurencën afatgjatë, duke siguruar një mjedis biznesi të drejtë dhe duke i dhënë përparësi inovacionit dixhital. Prioritetet përfshijnë hulumtimin, sigurinë ekonomike, dhe përputhjen e politikave për fleksibilitet e qëndrueshmëri, përparim industrial dhe strategji të përbashkëta të brendshme dhe të jashtme.


-NDJEKJA E NJË TRAZICIONI MJEDISOR

Me fokus në ndryshimet klimatike, biodiversitetin dhe masat kundër ndotjes, presidenca përcakton prioritete, duke propozuar praktika të qëndrueshme, tranzicionin e energjisë dhe investime në burimet e rinovueshme. Synimi është energji me çmim të arsyeshëm, neutralitet klimatik dhe një rrjet i integruar i energjisë Europiane.


-PËRFORCIMI I AXHENDËS SOCIALE DHE SHËNDETËSORE

Duke u bazuar në Kornizën Europiane të të Drejtave Sociale, presidenca synon një shoqëri më të përfshirë, duke ngulmuar në dialogun social, punësimin e rregullt, shëndetin mendor, strehimin , gatishmërinë shëndetësore dhe trajtimet mjekësore të aksesueshme.


-MBROJTJA E NJERËZVE DHE KUFIJVE

Duke vazhduar fokusin në të drejtat sociale, presidenca dëshiron të rrisë përpjeket për dialog përfshirës, së bashku me forcimin e gatishmërisë për kriza të mundshme dhe sigurimin e furnizimeve mjekësore.


-PROMOVIMI I NJË EUROPE GLOBALE

Përballë sfidave globale, synohet forcimi i  autonomisë dhe interesave të BE-së përmes një politike të jashtme të balancuar dhe vënë theksin në bashkëpunim, tregtinë e hapur, sistemete shumëpalëshe të përforcuara dhe forcimin e sistemeve shëndetësore në nivel global.


Axhenda e presidencës belge të Këshillit 


Axhenda e presidencës përfshin një plot 462 evente të planifikuara për tu organizuar s, të pajisura me çdo prioritet thelbësor. Duke filluar që nga data e fillimit të presidencës belge më 1 janar 2024 deri në përfundim të saj më 30 qershor 2024, këto takime  do të zhvillohen në disa vende, jo vetëm nëBelgjikë që do të jetë vendi me më shumë takime prej 441 eventesh, por edhe në  Francë ku parashikohet organizimi i 5 eventeve, Luksemburg me 13 evente dhe duke vazhduar me 2 të tjera që do të ndodhin jashtë Europës, ku një ndër destinacionet është dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.


Vlen për tu përmendur se presidenca belge ka vendosur një theks të rëndësishëm në sektorin kulturor, duke krijuar një plan që përfshin 64 evente të organizuara me detaje në lidhje me fusha të ndryshme. Programi Muzikor, që fillon me një shfaqje madhështore në Bozar më 5 janar 2024, do të shtrihet nëpër qytete të ndryshme në Belgjikë ku është planifikuar dhe pjesëmarrja e Mbretit Filip me Mbretëreshës Matilda dhe mysafirë të tjerë mjaft të vlerësuar. Në fushën e Arteve dhe Letërsisë, presidenca do të organizojë ekspozita arti dhe ngjarje letrare, ku dhe vetë mjediset e Këshillit të BE-së do të shërbejnë për të shaqur ekspozitat dhe shfaqjet e tjera kulturore. Festivalet dhe ngjarjet e organizuara në hapësirat publike ofrojnë një përvojë kulturore të pasur, duke përfshirë ture në qytet, shfaqjet e dritave të mbrëmjes dhe festivale që mbulojnë tema si sfidat klimatike, rinia, barazia gjinore, politikat sociale dhe lëvizshmëria. Përveç kësaj, spektri i Teatrit dhe Kinemasë eksploron BE-në përmes prodhimeve bashkëkohore, klasikëve të rikrijuar, krijimeve origjinale, dokumentarëve, filmave të shkurtër dhe veprave kinematografike që hulumtojnë historinë dhe institucionet europiane, duke kultivuar një dialog europian të pasur dhe të domethënës.



Paneli i Qytetarëve beEU


Në axhendën e kësaj presidencë shquhet një element i ri dhe i veçantë si  "Programi i Pjesëmarrjes së Qytetarëve," i cili simbolizon këmbënguljen e shprehur nga presidenca belge në përfshirjen e qytetarëve brenda Këshillit të Bashkimit Europian. Është krijuar një iniciativë përfshirëse me disa nivele për pjesëmarrjen e qytetarëve për të mundësuar angazhimin aktiv të tyre në diskutimet e BE-së dhe mbi BE-në. Objektivi është që të kultivohet një demokraci aktive dhe e qasshme e qytetarëve në të gjithë Europën. Belgjika, pas angazhimit aktiv në Konferencën për të Ardhmen e Europës në vitet 2021-2022, mbështet idenë e një përfshirjeje të qytetarëve europian  dhe synon të marrë vazhdimisht mendimet e qytetarëve mbi çështje të BE-së. Si pjesë e presidencës së saj për vitin 2024, është strukturuar një program i pjesëmarrjes së qytetarëve në disa nivele.

Në nivel kombëtar, presidenca belge planifikon të mbajë një panel të pjesëmarrësve të zgjedhur rastësisht në Bruksel gjatë tre fundjavave. Qëllimi i tyre do të jetë të diskutojnë çështje të lidhura me BE-në dhe të ndajnë vizionet e tyre për të ardhmen. Ky panel i pjesëmarrësve gjithëpërfshirës synon të mbulojë një spektrum të gjerë të qytetarëve, me një fokus të veçantë tek të rinjtë që do të hedhin votat e tyre të para në zgjedhjet europiane të vitit 2024. Një total prej 60 qytetarëve do të zgjidhen rastësisht për panelin, me mbi 16,000 letra të shpërndara në të gjithë vendin duke bërë thirrje për pjesëmarrje.


Në këtë pjesë të programit, është organizuar tashmë 1 panel i qytetarëve beEU, 9 ngjarje vendore të qytetarëve dhe është bërë e mundur përfshirja e mbi 500 qytetarëve.


Politika e Zgjerimit e BE nën presidencën belge


Në lidhje me zgjerimin europian, diskutimi është i një qasjeje me një ton të përmbajtur, por duke përfshirë tema themelore, veçanërisht vendimin e Këshillit Europian për t’i dhënë statusin e vendit kandidat Ukrainës dhe Moldavisë. Programi i Zgjerimit belg është shumë i përgjithshëm, duke ngjasuar me stilin e zotimeve deklarative aktuale. Theksohet monitorimi i kandidatëve, në përputhje me metodologjinë e re dhe principin e vlerave, si dhe inkurajimi i reformave, veçanërisht në fushat e demokracisë dhe Shtetit të së Drejtës. Në anën tjetër, presidenca belge vendos një fokus në kapacitetin integrues të BE-së për pranimin e anëtarëve të rinj, si dhe "reflektime mbi reforma të nevojshme të brendshme për një zgjerim të suksesshëm në të ardhmen."


Në konrast me tonin e përgjithshëm të Programit Presidencial, pritet që kjo të jetë një nga temat më të targetuara lidhur me Belgjikën, duke marrë parasysh se për Ukrainën dhe Moldavinë, një vendim politik është miratuar, por nuk ka vendime konkrete lidhur me datën e fillimit të negociatave, strukturën e tyre, screening etj. Përveç Ukrainës dhe Moldavisë, në Program nuk përmendet asnjë shtet kandidat tjetër në mënyrë të spikatur.


Axhenda Strategjike e BE-së 2024-2029 dhe Roli i Belgjikës


Çdo 5 vjet, udhëheqësit e Bashkimit Europian vendosin në mënyrë të përbashkët prioritetet politike për të ardhmen e tij. Kjo përpjekje kolektive drejtohet nga Presidenti i Këshillit Europian, ku udhëheqësit angazhohen në bisedime dhe marrin vendime të përbashkëta. Ky proces përputhet me zgjedhjet në Parlamentin Europian dhe paraprin çdo mbledhje të Komisionit Europian.


Charles Michel, Presidenti i Këshillit Europian, po drejton një proces bashkëpunues dhe përfshirës, duke angazhuar ngusht liderët e vendeve anëtare të BE-së. Ai është përgjegjës për përcaktimin e temave të diskutimit në samitët e BE-së deri në përfundimin e gjysmës së parë të vitit 2024.


Diskutimet fillestare mbi prioritetet e ardhshme për axhendën strategjike ndodhën gjatë takimit të Këshillit Europian të paprogramuar në Granada, Spanjë, më 6 tetor 2023. Temat e diskutuara përfshinin sigurinë dhe mbrojtjen, konkurencën, energjinë, migracionin, angazhimin global dhe zgjerimin.


Në nëntor 2023, Presidenti Michel filloi një serë konsultimesh me synim të drejtuar në diskutimet mbi aspektet kyçe të lidhura me politikat, financat dhe vendimmarrjen. Raundi fillestar i konsultimeve u zhvillua në Berlin, Kopenhagen, Zagreb dhe Paris. Pritet që aplikimi i axhendës strategjike të nisë në qershor të 2024.


Ndërsa cikli institucional aktual po i afrohet fundit, presidenca e Belgjikës është e përkushtuar në lehtësimin e një kalimi të qetë në fazën tjetër. Ajo do të ndihmojë aktivisht në aplikimin e Axhendës Strategjike për 2024-2029 dhe do të nisë përgatitjet për diskutimet mbi trajektoren e ardhshme të Bashkimit Europian.


Programi ka një qasje produktive dhe gjithëpërfshirëse, duke theksuar angazhimin e qytetarëve dhe të rinjve ndërsa shkon drejt sfidave të ardhshme. Fokusi i dedikuar në sektorin kulturor dhe vendosja e një kuadri bashkëpunues me qytetarët europianë mbetet për tu vlerësuar si risi. Programi i presidencës belge duket se vendos një standard për udhëheqjen europiane në vijim, duke treguar përpjekje inovative që shtetet e tjera mund të marrin parasysh për presidencat e tyre të ardhshme.


Elira Sylshabani, Staf i EuroSpeak, janar 2024 


Referenca: 

https://belgian-presidency.consilium.europa.eu/

https://www.consilium.europa.eu/en/policies/strategic-agenda-2024-2029/

https://portalb.mk/presidenca-belge-cfare-mund-te-pritet-per-zgjerimin-e-bashkimit-evropian/



1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk