Zgjedhjet në Gjermani - 16 vjet Merkel. Sfidat dhe një vështrim nga e ardhmja

Zgjedhjet në Gjermani - 16 vjet Merkel. Sfidat dhe një vështrim nga e ardhmja


Të dielën e 26 shtatorit priten të mbahen zgjedhjet e përgjithshme për Bundestagun gjerman, të cilat do të shënojnë edhe një kapitull të ri për Republikën Federale Gjermane pas qëndrimit në pushtet për 16 vjet të kancelares Angela Merkel. Ndryshe nga zgjedhjet paraardhëse ku fituesi i zgjedhjeve ishte dukshëm favorit disa muaj para, dhe ku paqartësia e vetme ishte se si do të përbëhej koalicioni qeverisës, zgjedhjet e kësaj radhe rezervojnë surpriza, qoftë për faktin se cila do të jetë partia fituese, qoftë edhe për koalicionet e mundshme qeverisëse që mund të krijohen.



16 vjet Merkel: Përballja me krizat e njëpasnjëshme

Nën drejtimin 16 vjeçar të kancelares Merkel, shteti gjerman ka luajtur një rol të rëndësishëm si në politikën europiane dhe atë botërore. Gjermania u shndërrua në lokomotivën udhëheqëse të politikave të Bashkimit Europian, konsideruar faktin që udhëheqja e kancelares u testua në shumë  përballje me kriza të ndryshme. Problemet për Merkel filluan me krizën financiare globale që kërcënoi të shpërbëjë Eurozonën në 2008, më pas ishte ndërhyrja e Rusisë në Ukrainë në 2014, çka vendosi në provë aftësitë e saj në gjeopolitikë, më pas kriza e refugjatëve e 2015 dhe në fund Pandemia e Covid-19 dhe përmbytjet në zonën e Nordrhein-Westfalen në korrikun e 2021.



Gjatë krizës financiare, Gjermania nën drejtimin e Merkel mori një rol mbizotërues në zgjidhjen e problematikave të krijuara. Merkel arriti ti impononte BE-së politikat ekonomike shtrënguese si kundërpërgjigje ndaj krizës financiare, politika të cilat u pranuan edhe nga organet europiane si Banka Qendrore dhe Komisioni, dhe duke detyruar shtete të rëndësishme anëtare si Franca të ndryshonin politikat e tyre ekonomike dhe të zbatonin politikat gjermane të kursimit buxhetor. Ndërkohë që për një pjesë rruga e imponuar nga Merkel ishte e duhura për BE-në për të përballuar krizën globale financiare, për kritikët kjo rrugë thelloi dallimet ekonomike midis vendeve anëtare të veriut me ato të jugut. Politikat e shtrëngimit ndikuan që shtete anëtare si Greqia të konsideronin daljen nga Eurozona, madje edhe nga Bashkimi Europian. Gjithsesi udhëheqja e Merkel arriti që të parandalonte një shpërbërje të BE-së.


Por ndryshe nga imponimi që Merkel arriti të bënte ndaj shteteve anëtare të BE-së në përballje me krizën ekonomike, krejt e kundërta ndodhi me krizën e refugjatëve sirianë në vitin 2015.  Lufta civile në Siri krijoi një valë të madhe refugjatësh sirianë drejt vendeve të BE-së, të cilat u gjendën të papërgatitura për të menaxhuar krizën, por gjithashtu vendosën në pikëpyetje vërtetësinë e të ashquajturit solidaritet europian. Shumë shtete anëtare të BE-së vendosën mos të pranonin asnjë refugjat, mospranim që u shoqërua me një forcim të lëvizjeve populiste në Europë, gjë që sfidoi kohezionin e kontinentit. Përveç kësaj, Kancelarja Merkel u duk se u braktis edhe nga shtetet që ishin potencialisht gati për të mirëmenaxhuar krizën. Gjithsesi ndryshe nga shumë shtete të tjera të Europës, Gjermania nën udhëheqjen e Merkel pranoi një numër të madh refugjatësh, me kancelaren që me optimizëm siguronte dhe njëkohësisht ftonte qytetarët gjermanë që sëbashku mund t’ia dilnin në menaxhimin e krizës me frazën e famshme “Wir schaffen das” (Schlott, 2020).


Edhe pse nga kritikët fraza u cilësua si një inkurajim ndaj valëve të tjera të refugjatëve, madje homologu i saj amerikan Donald Trump e cilësoi karrierën e Kancelares të mbaruar për shkak të keqmenaxhimit të krizës së refugjatëve, Merkel gjatë zgjedhjeve të 2017 arriti sërish të rizgjidhej kancelare për një mandat të katërt. Gjithashtu mund të thuhet se kriza e refugjatëve pavarësisht kritikave dhe shkaktimit të rritjes së ekstremit të djathtë në Gjermani, në fund arriti të menaxhohej deri diku pozitivisht nga Merkel, model i cili po shërben si themel për një legjislacion të ri për migrimin në BE (Oltermann, 2020).


Në fund të mandatit të saj të katërt, Merkel duhej të përballej edhe me një krizë të fundit para se ti jepte fund karrierës së saj politike. Gjithsesi ndryshe nga 2015, Pandemia e Covid-19 duket se i forcoi edhe njëherë pozitat e Merkel. Ndryshe nga shumë krerë shtetesh të cilët e përdorën Pandeminë për të forcuar pushtetin e tyre, Merkel i kushtoi më shumë rëndësi qetësimit të popullsisë me daljet e saj publike duke fituar edhe njëherë besimin e qytetarëve (Dempsey, 2020). Edhe pse ndikuar edhe nga qeverisja federale, Kancelarja nuk kishte shumë në dorë në lidhje me menaxhimin e situatës, ajo arriti të koordinonte shumë mirë punën e 16 Bundeslandeve, duke kërkuar masa të barabarta për gjithë vendin dhe duke bashkëpunuar krah për krah me ekspertët e fushës.

 

Kandidatët e rinj për kancelar – kush do ta pasojë Merkelin?

Ndryshe nga herët e tjera ku vëmendja gjatë zgjedhjeve ishte përqendruar në dy profile, një veçanti tjetër e këtyre zgjedhjeve është fakti që janë tre kandidatë të cilët konsiderohen të paktën matematikisht të mundur për tu zgjedhur kancelar. Garës së kandidatëve të dy partive kryesore Armin Laschet i CDU-së dhe Olaf Scholz i SPD-së i është bashkuar edhe kandidatja e të Gjelbërbe, Annalena Barbock. Kandidatët deri tanë janë përballur në tre triele televizive, ku kandidati socialdemokrat ka marrë një rezultat më pozitiv në sondazhe, por rezultati mbetet gjithsesi i ngushtë.


Annalena Baerbock – kandidatja e vetme grua, dhe që në vëmendje ka problematikat sociale

Kandidatja e të Gjelbërve edhe pse nuk ka qenë për një kohë të gjatë pjesë e lidershipit të partisë, ka arritur që brenda pak kohësh të bëhet kryetare e Partisë në një moshë relativisht të re. Baerbock ka studiuar shkenca politike dhe te drejtën publike në Hamburg dhe master për të Drejtën Ndërkombëtare Publike në Londër. Baerbock ka qenë anëtare e të Gjelbërve që nga viti 2005. Nga viti 2008 ajo punoi për grupin parlamentar si konsulente për politikën e jashtme dhe të sigurisë. Që nga 27 janari 2018, ajo ka qenë kryetare e Partisë së bashku me Robert Habeck. Fushat kryesore ku fushata elektorale e Baerbock po përqendrohet janë klima, ekonomia dhe fëmijët. Në fillim të vitit sondazhet për Baerbock dhe të gjelbrit ishin pozitive, ku mbështetja e tyre është dyfishuar krahasuar me zgjedhjet e vitit 2017, por akuzat për plagjiaturë për librin në lidhje me platformën e saj politike ndikuan për një rënie të lehtë në sondazhe (Weber, 2021).

 

Armin Laschet – kandidati i  CDU si zëvendës i drejtpërdrejtë i Merkel

Kandidati i kristian-demokratëve është një politikan me një eksperiencë të gjatë tek CDU-ja. Laschet filloi si një politikan i CDU në këshillin e qytetit Aachen, në 1979. Më vonë ka pasur mandate në Bundestag, Parlamentin Europian dhe Landtag në Düsseldorf. Laschet konsiderohet nga disa kritikë si një Russladversteher, një term nënçmues për njerëzit që mbajnë një qëndrim të butë ndaj Rusisë së Vladimir Putin (Gehrke, 2021). Ai konsiderohet gjithashtu se ka një linjë të butë ndaj Kinës, pasi mbrojtja e industrive eksportuese gjermane ka qenë një nga shqetësimet e tij më të mëdha (Gehrke, 2021). Pavarësisht këtyre kritikave, Laschet i konsideron publikisht SHBA-të si partnerin kryesor të Gjermanisë jashtë BE-së (Gehrke, 2021). Fushat kryesore ku fushata e Laschet është përqendruar janë: mosrritja e taksave, dixhitalizimi, zvogëlimi i burokracisë dhe përzierja e ekologjisë me industrinë. Laschet, i cili në programin e tij elektoral kërkon heqjen e qymyrit deri në vitin 2038, dëshiron t'i japë ekonomisë siguri që prosperiteti gjerman nuk do të ngadalësohet nga mbrojtja e klimës, në mënyrë që të shmangë ngarkesat e tepërta për kompanitë. Njësoj si Baerbock edhe për të ka patur një rënie në sondazhe, ndikuar nga përmbytjet në Nordrhein-Westfalen, ku Laschet është kryeministër. Kritikët pas daljeve publike në zonat e prekura nga përmbytjet e akuzuan për mungesë serioziteti dhe profesionalizmi në lidhje me katastrofën.

 

Olaf Scholz – kandidati socialist që duket se po udhëheq garën

Ministri i financave dhe njëkohësisht zëvendës kancelari Olaf Scholz është aktualisht kandidati që prin sondazhet e fundit edhe pse me një diferencë të ngushtë me Armin Laschet të CDU-së. Sondazhet për ish-kryebashkiakun e qytetit të Hamburgut kanë vazhduar të jenë pozitive edhe pas tre trieleve të mbajtura midis kandidatëve kryesorë. Scholz ka studiuar drejtësi dhe ka shërbyer si kryebashkiaku i qytetit të Hamburgut nga viti 2011 deri në 2018. Gjithashtu ai ka qenë anëtar i parlamentit gjerman për shumë vite. Në vitin 2020 ai u emërua nga SPD si kandidati për kancelar në zgjedhjet e 2021. Si ministër i financave, Scholz është vlerësuar për një punë të suksesshme gjatë pandemisë, për disbursimin e miliarda eurove në fonde emergjente për të ndihmuar ekonominë dhe qytetarët. Pikat kryesore ku është fokusuar fushata e tij elektorale janë: paga minimale prej 12 euro për orë, politikat për mbrojtjen e klimës ku synohet neutraliteti klimatik deri në vitin 2045, dhe pensionet. Scholz ka arritur ta menaxhoj mirë fushatën që nga emërimi i tij nga SPD-ja si kandidat për kancelar duke kryesuar lehtësisht sondazhet gjatë muajve të fundit. Gjithsesi edhe ndaj tij rëndojnë akuza të forta për evazion fiskal gjatë kohës që ai ushtronte detyrën e kryebashkiakut të qytetit të Hamburgut (Breitling, 2021).

 

Sondazhet dhe kombinimet e mundshme për qeverinë e ardhshme

Deri më tani favoriti kryesor për të fituar zgjedhjet duken social-demokratët, gjithsesi diferenca midis tyre dhe kristian-demokratëve nuk është e madhe duke e bërë garën deri të dielën e 26 shtatorit të fortë. Ndërsa pikëpyetja më e madhe për këto zgjedhje mbetet konfigurimi i mundshëm i qeverisë së ardhshme. Gjasat për një koalicion të madh midis CDU-së dhe SPD-së ndryshe nga vitet e kaluara këto zgjedhje duken më të vogla. Kjo si pasoje e përqindjes së afërt të mbështetësve që të dyja partitë kanë, por edhe për shkak të rritjes në sondazhe të të Gjelbërve, të cilët do të jenë pjesë e çfarëdo koalicioni qeveritar. Si në skenarin ku SPD del parti e parë, apo edhe në skenarin ku CDU del e para, sëbashku me të Gjelbërtit, për një koalicion qeverisës do të mjaftonte edhe përfshirja e liberalëve të FDP-së në koalicion për të formuar qeverinë, të cilët në sondazhe gëzojnë gati 12% mbështetje.


Por një tjetër konfigurim interesant të cilin matematika e lejon, është një koalicion i majtë midis SPD, të Gjelbërve dhe partisë e Majta, e cila ka afro 6% mbështetje në sondazhe. Ky koalicion shikohet gjithsesi me skepticizëm nga BE por edhe nga aleatët si Amerika, pasi partia E Majta konsiderohet një parti komuniste antisistem nga kritikët dhe përveç të tjerave pikëpamjet e tyre për politikën e jashtme, sipas kritikëve bihen ndesh me interesin kombëtar gjerman. Një konfigurim i tillë është konsideruar edhe nga kancelarja Merkel si i rrezikshëm për interesat e politikës së jashtme gjermane. Deri tani kandidati i social demokratëve nuk e ka mbyllur derën për një koalicion të mundshëm me të Majtët.

 

Mbrojtja e Status-Quos dhe Postmerkelizmi

Gjatë viteve të Merkelit, e rëndësishme në lidhje me politikat e BE-së ishte mbajtja e BE-së së bashkuar. Si fuqia qendrore e Europës, Gjermania gjithmonë ka punuar për moderim dhe pajtim. Duke pasur parasysh forcat e shumta centrifugale që kanë forcuar aktorët nacionalistë dhe euroskeptikë në të gjithë botën, përparësia kryesore e Gjermanisë ka qenë konsolidimi dhe ruajtja e asaj çfarë ishte arritur (Buras et al. 2021). Kjo u bë veçanërisht e qartë pas Brexit e Donald Trump në Shtetet e Bashkuara.


Synimi kryesor i  Merkelit ishte parandalimi i shembjes së shtyllave kryesore politike të BE-së dhe forcimi si një mbrojtje kundër erozionit të rendit liberal ndërkombëtar (Buras et al, 2021). Edhe pse presidenti Emmanuel Macron propozoi një reformim për BE-në, Merkel nuk shtyu përpara propozimet ambicioze të reformës. Në vend të kësaj, ajo avokoi hapa të parashikueshëm për të menaxhuar sfidat e shumta me të cilat BE është përballur në dekadën e fundit, në mënyrë që të ruhej status-quo (Buras et al, 2021). Qytetarët e BE-së duket se favorizojnë qasjen e Merkelit ndaj asaj të Macron. Në përgjigje të pyetjes hipotetike të ECFR-së për kë do të votonin si ‘president i BE’ nëse Merkel dhe Macron do të ishin të vetmit kandidatë, shumica në Holandë, Spanjë dhe Portugali thanë se ata do të zgjidhnin kancelaren gjermane - siç bëri shumica në të gjitha vendet e tjera të anketuara (përfshirë Francën). Të marra së bashku, 41%e të gjithë të anketuarve do të votonin për Merkel, krahasuar me vetëm 14% për Macron (Posaner, 2021).



Gjermanisë gjithsesi do t’i duhet të mbajë përgjegjësi të reja në epokën post-Merkel. Gjermania post-Merkel do të duhet të rindërtojë strategjinë e saj të politikës së jashtme dhe europiane dhe të shkojë përtej Merkelizmit (Buras et al, 2021). Epoka e Merkelit është shënuar nga nevoja për ta mbajtur BE -në së bashku nën një presion të fortë të brendshëm dhe të jashtëm. Kancelarja gjermane ishte e suksesshme në ruajtjen e status quo-s për të cilin fitoi një vlerësim në të gjithë Europën, por tani është koha për një kurs të ri nga ai apo ajo që do të mbajë postin e kancelarit të ardhshëm gjerman.

 

Agri Hysenj, Stafi i Eurospeak, shtator 2021

 

REFERENCAT

·       Breitling, A. (12.09.2021) Affären des SPD-Kanzlerkandidaten: Skandal im Scholzbezirk TAZ.de https://taz.de/Affaeren-des-SPD-Kanzlerkandidaten/!5799725/

·       Buras, P. and Puglierin, J. (14.09.2021) Beyond Merkelism: What Europeans expect of post-election Germany

·       Dempsey, J. (12.05.2020)  How the Coronavirus Revived Angela Merkel       Carnegieeurope.eu https://carnegieeurope.eu/strategiceurope/81763

·       Gehrke, L. (16.01.2021) 5 things to know about German CDU chief Armin Laschet   Politico.eu https://www.politico.eu/article/5-things-to-know-about-german-cdu-chief-armin-laschet/                                                                                                                                                           

·       Oltermann, P (30.08.2020) How Angela Merkel’s great migrant gamble paid off   The Guardian. https://www.theguardian.com/world/2020/aug/30/angela-merkel-great-migrant-gamble-paid-off

·       Posaner, J. (14.09.2021) Europeans would back Merkel over Macron as ‘EU president,’ says survey Politico.eu https://www.politico.eu/article/europeans-would-back-angela-merkel-over-emmanuel-macron-as-eu-president-survey/

·       Schlott, R. (17.7.2020) "Wir schaffen das!". Vom Entstehen und Nachleben eines Topos. Bundeszentrale für politische Bildung.

·       Weber, S (08.07.2021) Mindestens 29 „Copy & Paste“-Funde im Buch von Baerbock

Der Tagesspiegel. https://www.tagesspiegel.de/politik/plagiatsjaeger-stefan-weber-mindestens-29-copy-und-paste-funde-im-buch-von-baerbock/27393574.html

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk