Instrumentet ligjore që mbrojnë të Drejtat e Njeriut në botë e Europë

Instrumentet ligjore që mbrojnë të Drejtat e Njeriut në botë e Europë

Megjithëse Deklarata përfshin një gamë të gjerë të të drejtave politike, civile, sociale, kulturore dhe ekonomike, ajo nuk konsiderohet si një dokument detyrues, por ka shërbyer si pikënisje për më shumë se 60 instrumente të të drejtave të njeriut të cilat së bashku përbëjnë një standard ndërkombëtar të tyre. Sot, pëlqimi i dhënë nga të gjitha Shteteve Anëtare të Kombeve të Bashkuara për të drejtat themelore të njeriut të përcaktuara në Deklaratë, mundësonn që këto të drejta të theksohen më shumë dhe të marrin më shumë rëndësi.

Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut shpall të drejtat e patjetërsueshme, të cilat i takojnë çdo qenieje njerëzore, pavarësisht racës, ngjyrës, fesë, seksit, gjuhës, mendimit politik ose tjetër, origjinës kombëtare ose shoqërore, pronës, lindjes etj. Deklarata është dokumenti më i përkthyer në botë e cila është mundësuar në më shumë se 500 gjuhë.

Mbrojtja e të drejtave të njeriut në Europë?

Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut është hartuar në 1950 në kuadër të Këshillit të Europës, më 4 nëntor 1950 dhe ka hyrë në fuqi më 3 shtator 1953. Vendi ynë është pranuar zyrtarisht në Këshillin e Europës më 13 korrik 1996, me këtë rast është nënshkruar edhe Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut. Ratifikimi i kësaj Konvente nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë është bërë më 31 korrik 1996. Kjo konventë ndërkombëtare ka fokus mbrojtjen e të drejtat e njeriut dhe liritë politike në Europë.
Për hartimin e kësaj konvente është marrë si bazë Deklarata Universale të të Drejtave të Njeriut. Gjatë hartimit të kësaj konvente Këshilli i Europës ka patur si qëllim të realizojë një bashkim më të ngushtë të shteteve të tij anëtare dhe mënyra më e mirë për të arritur këtë është mbrojtja dhe zhvillimi i të drejtave të njeriut dhe i lirive themelore.
Shtetet Europiane si shtete të së drejtës me ideale, tradita politike e lirie të ngjashme morën masa për zbatimin e përbashkët të disa prej të drejtave të shpallura në Deklaratën Universale.
Çdo vend ratifikues i Konventës Europiane të së Drejtave të Njeriut i ka dhënë asaj një vlerë të caktuar në rendin juridik kombëtar, kjo ndikuar dhe nga zgjedhja që ka bërë ligjbërësi në kushtetutat respektive të vendeve anëtare.
Për sa i përket Shqipërisë edhe pse Kushtetuta jonë është hartuar kronologjikisht pas ratifikimit të Konventës, jo vetëm që ka marrë parimet e konventës si bazë, por e ka vendosur si një etalon matës së nivelit të mbrojtjes së të drejtave të Njeriut në rendin kushtetues shqiptar. KEDNJ gëzon status të privilegjuar në rendin kushtetues shqiptar kundrejt të gjitha marrëveshjeve të tjera, kjo ndikuar dhe nga dispozitat e nenit 17 të Kushtetutës.

Po në BE?

Në BE është Karta e të Drejtave Themelore që bashkon të drejtat themelore të gjithë personave të cilët jetojnë në Bashkimin Europian. Karta synon të sjellë qëndrueshmëri dhe qartësi të të drejtave të përcaktuara në periudha e mënyra të ndryshme në shtetet e ndryshme anëtare të BE-së. Kjo kartë rregullon fushën e të drejtave të njeriut në territorin e BE ndryshe nga Deklarata Universale e të Drejtave të njeriut e cila nuk ka një rajon gjeografik ose politik të caktuar.

Karta përcakton të drejta civile, politike, ekonomike dhe sociale bazuar në të drejtat dhe liritë themelore të njohura nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, traditat kushtetuese të shteteve anëtare të BE-së, Karta Sociale e Këshillit të Europës, Karta Komunitare e të Drejtave Themelore Sociale të Punëtorëve, dhe konventat e tjera ndërkombëtare, në të cilat BE-ja ose Shtetet e saj Anëtare janë palë. Karta u bë juridikisht e detyrueshme për Shtetet Anëtare të BE-së kur Traktati i Lisbonës hyri në fuqi në dhjetor 2009.

Por BE ka punuar dhe punon vazhdimisht për mbrojtjen të drejtave të njeriut dhe fuqizimin e instrumenteve në mbrojtje të tyre.

Së fundmi, një ditë para ditës botërore për të Drejtat e Njeriut, Bashkimi Europian e më konkretisht ministrat e jashtëm të BE nisën punimet për të mundësuar një mënyrë për të sanksionuar personat të cilët kryejnë shkelje të të drejtave të njeriut. Sipas Politico.eu ky ligj që BE parashikon është e ngjashme me Magnitsky Akt që kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas këtij akti, krijohet një regjim botëror sanksionesh për të gjithë ata që shkelin të drejtat e njeriut kudo në botë. Këto sanksione mund të variojnë si ndalime të hyrjes së këtyre personave në BE apo refuzime të vizave, bllokime të aseteve ekonomike apo llogarive bankare etj. SHBA e vendosi këtë akt për të sanksionuar zyrtarë rusë që akuzoheshin për shkelje të të drejtave të njeriut dhe vrasjen e një financieri taksash i quajtur Magnitsky, por ajo që nga 2012 kur ky akt u miratua në ligj e ka përdorur atë jo vetëm për shkelës të të drejtave nga Rusia por nga e gjithë bota.

Dhe pse është vetëm fillimi, kjo nismë është mbështetur nga përfaqësues të vendeve të BE-së dhe institucioneve kryesore. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme Josep Borrell i përshkroi të drejtat e njeriut si një prioritet për vendet europiane dhe mandatin e tij, duke theksuar që një nismë e tillë rithekson rolin e BE-së si udhëheqës botëror për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Vendimi për ta bërë të ndëshkueshme këtë shkelje erdhi unanimisht nga të gjitha shtetet anëtare të BE.

Diskutime ka pasur edhe për emërtimin e një nisme të tillë ligjore, ku Parlamenti Europian ka kërkuar që ajo të mbetet “EU Magnistrky Act”, në mënyrë simbolike, por disa përfaqësues janë shprehur që një emër i tillë mund të tejçojë mesazhin negativ që kjo nismë do të jetë vetëm kundër përfaqësuesve rusë. U theksua gjithashtu si e rëndësishme se një akt i tillë do të nënkuptojë që sanksionet do të theksojnë përgjegjësinë individuale dhe jo atë kombëtare, dhe vendosja e sanksioneve për në person nuk do të nënkuptojë që po sanksionon dhe vendin që ai përfaqëson.

Ajo çka vlerësohet si pozitive është që BE po tregon ‘muskujt’ e saj për sa i përket mbrojtjes së të drejtave të njeriut jo vetëm brenda zonës së vet gjeografike po kudo në botë, shkruan ndër të tjera Politico.eu.

Stafi i EuroSpeak, dhjetor 2019

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk