Marrëveshja e Gjelbër - një betejë e fituar ndaj një lufte aktuale?

Marrëveshja e Gjelbër - një betejë e fituar ndaj një lufte aktuale?


***

“Një Bashkim Europian që përpiqet për më shumë”- ishte një nga frazat më goditëse të fjalimit hapës të Presidentes aktuale të Komisionit Europian, Von der Leyen. Fill pas tij Von der Leyen mori vëmendje me programin e saj drejt një Europe të shëndetshme. Ishte pikërisht ky moment i cili passolli më vonë finalizimin e projektit më të rëndësishëm, atë të Green Deal – Marrëveshjes së Gjelbër. Ashtu siç vetë presidentja e BE është shprehur, në 100 ditët e para të qeverisjes së saj arriti të miratonte Marrëveshjen e Gjelbër si edhe të investonte më shumë për Ligjin Europian të Klimës.

Por çfarë është Marrëveshja e Gjelbër dhe pse pikërisht tani? Për ata që mendojnë se mund të jetë diçka, do duhet ta kthejnë mbrapsht… pasi kjo marrëveshje është shumëçka! E prezantuar më 11 Dhjetor 2019, kjo marrëveshje është pjesë integrale e Strategjisë së Komisionit Europian për të zbatuar Axhendën 2030 të Kombeve të Bashkuara si edhe implementimin e zhvillimit të qëndrueshëm brenda Bashkimit Europian. Kjo marrëveshje do të jetë nismëtare dhe orientuese ndaj shumë nismave që do të ndërmerren në kuadër të funksionimit të saj.

Por pse pikërisht tani? Jo më kot në njoftimin e Komisionit Europian për prezantimin e kësaj marrëveshjeje, pjesa hyrëse i dedikohet urgjencës dhe ndryshimeve klimatike globale që shtëpia jonë e vetme, planeti tokë ka hasur vitet e fundit. Siç janë ngrohja globale, zhdukja e miliona specieve të ndryshme çdo vit, shkrirja e akujve si edhe shumë fenomene të tjera që po sjellin shkatërrimin e tokës dhe ekosistemeve të saj.

Prandaj si “luftë” ndaj këtyre sfidave BE-ja ka menduar ti përgjigjet me anë të disa fronteve kryesore. Më e përfolura është ulja në 50 – 55% të emetimeve të gazrave serë deri në vitin 2030 si dhe zvogëlimit të tyre në nivelin 0 deri në vitin 2050, duke e shndërruar kështu Europën si kontinentin e parë klimatik të qëndrueshëm në botë. Shtylla të tjera që BE-ja synon të përmirësojë me anë të implementimit të kësaj marrëveshjeje janë nga energjia tek konsumimi i ushqimit, nga prodhimi në transport dhe ndërtim si aspekte esenciale për një të ardhme të gjelbër dhe një ekonomi të qëndrueshme.

Por çfarë strategjie po ndjek BE për të arritur objektivat e kësaj marrëveshjeje? Duke spikatur sektorët thelbësorë që kanë një impakt jo të pakët në mjedis, janë hartuar politikat përkatëse, me objektivat dhe investimet konkrete që duhen kryer. Aktualisht janë publikuar 4 plane me strategjitë e tyre të drejtuar në sektorë të ndryshëm, siç vijojnë:

 

1-   Plani Europian i Investimeve për Marrëveshjen e Gjelbër dhe Mekanizmi i Tranzicionit (publikuar më 14 Janar 2020);

Ky plan përcakton qartësisht sesi do të investohet në arritjen e objektivave përkatëse. Investimi kërkon bashkëpunimin e sektorit publik dhe atij privat, të strukturave të BE me atë të shteteve anëtare. Ashtu siç edhe Komisioni ka deklaruar, BE gjithashtu do të ketë primar në investimin dhe mbështetjen financiare apo teknike për të ndihmuar qytetarët, bizneset dhe rajonet që do të preken më së shumti nga ndryshimet që do të realizohen nga zbatimi i Marrëveshjes së Gjelbër. Ndërkohë që investimi që do të kryhet nga ana e sektorit privat nuk është detajuar ende. Përsa i përket Mekanizmit të Tranzicionit, nëpërmjet tij do të mundësohet që për periudhën 2021-2027 BE-ja të investojë në vlerën minimumi 100 miliardë € për sektorët dhe rajonet më të prekura.

 

2-   Propozimi për një ligj europian të klimës për të siguruar një Europë me klimë të qëndrueshme deri në vitin 2050.

Ky propozim deri në 27 maj 2020 po kalon në fazën e konsultimit publik në, biznese, shkolla, si edhe shoqëri civile. Mbart një synim me një rëndësi themelore të Marrëveshjes së Gjelbër dhe thekson gjithashtu që lufta ndaj shkatërrimit të vazhdueshëm të planetit tokë është një luftë globale dhe nuk mund të fitohet vetëm me anë të kësaj marrëveshjeje, por duhet të kthehet si një hap pozitiv drejt bashkëpunimit global duke arritur rezultatet e dëshiruara dhe të planifikuara nga BE.

 

3-   Miratimi i Strategjisë Industriale Europiane (10 mars 2020);

Industria është gjithnjë në lëvizje me ritme dinamike dhe ecën paralelisht herë pas here me ndryshimet teknologjike. Prandaj kjo strategji ka shënuar rëndësinë e saj në mbështetjen ndaj bizneseve të vogla dhe të mesme dhe transformimin tërësor të këtij sektori në 3 drejtime, atë dixhital ku i lejon asaj të jetë proaktive me ndryshimet e reja dhe inovative; e gjelbër duke promovuar mbrojtjen e burimeve prodhuese si edhe; konkurruese për produktet e europiane në përputhje me standardet globale.

 

4-   Propozimi i një Plani Veprimi Ekonomik me fokus në burimet e qëndrueshme.

Ky plan veprimi ka në përbërje të tij një sërë propozimesh praktike për problemet reale që planeti has. Sipas një studimi të fundit të Eurobarometrit i publikuar në mars 2020, sasia në rritje e mbeturinave është ndër 3 shqetësimet kryesore mjedisore për qytetarët. Të intervistuarit konsideruan se më së shumti, mënyra efektive për të trajtuar problemet mjedisore janë duke ndryshuar mënyrën se si ne vetë konsumojmë dhe se si prodhojmë. Prandaj, rëndësia e kësaj marrëveshjeje merr një tjetër dimension përgjegjësie. Përgjegjësi kjo, e deleguar tek ne qytetarët, që në mënyrën tonë të jetesës mund të kontribuojmë sado pak në arritjen e objektivave dhe në krijimin e një mjedisi sa më të shëndetshëm për ne dhe pasardhësit tanë. Kush më shumë sesa ne hasim dita-ditës problemet me trafikun, ndotjen, plastikën në rrugë, dete e lumenj dhe të gjithë jemi dëshmitarë të të gjitha këtyre ndryshimeve dhe krimeve që po ndodhin përpara syve tanë. Dikush duke reaguar, dikush duke postuar meme nga më të ndryshme për Greta Thunberg apo dikush duke u treguar indiferent.

Vlen për tu përmendur fakti që janë në proces për tu prezantuar edhe dy strategji të tjera ajo e “Farm to fork” që prek sistemin e prodhimit dhe konsumit të ushqimeve dhe Strategjia 2030 e Biodiversitetit të BE-së për mbrojtjen e burimeve. Të shtyra për shkak të situatës së shkaktuar nga Covid-19.

Aktualisht të prekur nga kjo situatë pandemie botërore, të gjendur përpara një lufte dhe krize të shkaktuar nga Covid-19, panorama e Marrëveshjes së Gjelbër mori tjetër ngjyrë. Në këto momente fokus i BE-së dhe Shteteve Anëtare kalimi i kësaj situate dhe menaxhimi i saj në sa më pak humbje. Si pasojë, viti 2020, si një vit që pritej të sillte risi në kuadër të Marrëveshjes së Gjelbër mund të mos arrijë objektivat e saj duke i shtyrë ato në një afat të mëvonshëm. Edhe përse në fakt impakti që Covid-19 ka pasur mbi mjedisin ka qenë pozitiv duke ulur numrin e gazeve serë të çliruar në ajër, duke eleminuar trafikun masiv, tymrat nga pezullimet e disa ndërmarrjeve si edhe të tjera. Kjo është evidentuar dhe provuar nga studime, fotografë ku vihet re dukshëm qartësia dhe pastërtia e shumë qyteteve që më parë ishin të rrethuar nga smogu dhe ndotja e ajrit. Të gjendur përballë kësaj situate shtetet si Gjermania, Franca dhe të tjerë kanë pohuar se nevoja për të jetuar në një Europë më të pastër dhe të gjelbër mbas tejkalimit të Covid-19 duket më urgjente se kurrë.

Siç mund të pritej në fakt kjo iniciativë nuk ka pak që ka marrë kritikat e saj të para. Një nga kritikat shprehet që plani është shumë ambicioz për një BE që ka në përmbajtje të saj shtete me një ekonomi në nivele jo të qëndrueshme, kryesisht në shtetet e Europës Lindore, që nuk mund dhe nuk janë gati të përballojnë hapat që duhen ndërmarrë në këtë drejtim. Por ky shqetësim e ka një zgjidhje nga BE, e cila ka deklaruar që këto vende të Europës Lindore do të trajtohen me ndihmë financiare nga BE-ja duke qenë se ekonomia e tyre është e varur në pjesën më të madhe të saj nga përdorimi i karbonit. Gjithashtu në aspektin financiar shumë kanë diskutuar koston, si një nismë që rëndon në buxhetin e BE-së, i cili e ka tashmë një vrimë ekzistuese nga fenomeni BREXIT dhe si rrjedhojë do ta ketë të vështirë arritjen dhe mbledhjen e financave sipas kushteve dhe afateve të parashikuara.

Patjetër që ne duhet të jemi të vetëdijshëm që kjo marrëveshje është në ditët e saj të para të jetës dhe nuk ka mbushur akoma 1 vit që nga publikimi i saj. Prandaj, pritet të sjellë në të ardhmen akoma më shumë risi dhe të lulëzojë në rezultatet që planifikohet të sjellë. Njerëzit thonë që koha i ndryshon gjërat, por në fakt jemi ne vetë që duhet ti ndryshojmë ato! Prandaj deri atëherë kjo është një ambicie që duhet të kthehet në synim për të gjithë ne. Duke kujtuar gjithmonë faktin që aktorë kryesorë të saj në çdo moment janë dhe qytetarët.

Haxhire Vezi, qershor 2020

*Haxhire Vezi ka përfunduar me sukses studimet e saj në Fakultetin e Drejtësisë, Universitetin e Tiranës. Aktualisht ajo po ndjek studimet në profilin Master i Shkencave në të “Drejtë Penale”, pranë këtij fakulteti. Ka një sërë eksperiencash dhe trajnimesh të ndryshme në politikat e Bashkimit Europian brenda dhe jashtë vendit. Disa nga fushat e interesit të saj janë politikat publike, kuadri ligjor dhe politikat e Bashkimit Europian si dhe të drejtat e njeriut.

 

 

***

Referencat:

https://ec.europa.eu/info/sites/info/files/european-green-deal-communication_en.pdf

https://ec.europa.eu/info/strategy/priorities-2019-2024/european-green-deal_en

https://ec.europa.eu/clima/policies/eu-climate-action/law_en

https://ec.europa.eu/commission/presscorner/detail/en/ip_20_17

https://ec.europa.eu/commfrontoffice/publicopinion/index.cfm/survey/getSurveydetail/instruments/special/surveyky/2257

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk