Samiti i Klimës në New York: Aktorët dhe faktorët e ndryshimeve klimatike

Samiti i Klimës në New York: Aktorët dhe faktorët e ndryshimeve klimatike

Falë Marrëveshjes së Parisit, një marrëveshje ndërkombëtare në kuadër të Konventës së OKB për Ndryshimet Klimatike, e firmosur nga 174 shtete dhe BE më 1 prill 2016, ekziston një kornizë ligjore ku shtetet mund të mbështeten në hartimin dhe zbatimin e projekteve dhe veprimeve konkrete që mund të ndërmerren për të parandaluar ndryshimet klimatike dhe për të zhbërë pasojat e saj. Por marrëveshja në vetvete nuk ka asnjë vlerë pa ndërmarrjen e veprimeve konkrete. Ndaj çdo vit OKB mbledh liderët e gjithë shteteve anëtare për të diskutuar mbi vazhdimësinë e planeve afatgjata për të përmbushur objektivat e kësaj marrëveshjeje.

Çfarë ndodhi në samitin e klimës në Nju Jork?
Më 23 shtator 2019, Sekretari i Përgjithshëm i OKB Antonio Guterres u bëri thirrje të gjithë udhëheqësve ndërkombëtarë për të marrë pjesë në samitin e këtij viti në Nju Jork për ndryshimet klimatike, duke i ftuar ata të paraqesin plane konkrete dhe realiste, të mundshme për t'u zbatuar, duke shprehur kontributin e tyre kombëtar në kuadër të synimit për të ulur emetimin e gazrave serrë deri në 45% për dekadën e ardhshme dhe për të ndaluar plotësisht prodhimin e tyre deri më 2050.
Në mbledhjen e përvitshme ku merrnin pjesë më shumë se 70 shtete, ishte dhe 16 vjeçarja Greta Thunberg, aktivistja suedeze, e cila ka inicuar një lëvizje ndërkombëtare të të rinjve për t'i shtyrë liderat e vendeve të tyre në marrjen e nismave për të parandaluar efektet e ndryshimeve klimatike. Në takimin e këtij viti, ishte ajo e cila hapi ceremoninë duke mbajtur fjalimin përshëndetës, një pozicion ky që gjithmonë i është rezervuar presidentit të SHBA. Vendimi i Donald Trump për të mos marrë pjesë ishte thjesht një reflektim i politikave të deritanishme të udhëheqjes së tij duke zhvlerësuar rolin e SHBA në promovimin e politikave eficente për mbrojtjen e mjedisit dhe klimës në glob.
Gjatë fjalimit të saj në mbledhje, Thunberg nënvizoi rreziqet e mosveprimit ndaj ndryshimeve klimatike. Ajo iu drejtua liderëve në emër të brezave të rinj: "Ju jeni duke na zhgënjyer. Por të rinjtë janë duke e kuptuar tradhëtinë tuaj...Ne nuk do ju lemë t'ja hidhni paq... Bota po zgjohet. Dhe ndryshimi po vjen, edhe pse ju nuk e dëshironi." Mes lotëve dhe emocioneve ajo tregoi se si mungesa e veprimeve të atyre personave që ishin ulur përballë saj nënkuptonte që të rinjtë si ajo të sakrifikonin të ardhmen e tyre: "Kjo është e gabuar. Unë nuk duhet të jem këtu. Duhet të isha në anën tjetër të oqeanit, duke studiuar në shkollë". Fjalimi i saj ishte shumë prekës dhe tejet emocional duke shkaktuar një sërë reagimesh online mes politikanëve.
Presidenti francez Emmanuel Macron ishte ndër ata që pranuan me vetëdije se nuk ishin duke dhënë maksimumin e tyre për të luftuar krizën klimatike. I bindur se njerëzit ishin të lodhur nga fjalimet dhe duke u përpjekur të ishte më optimist, me fjalimin e tij ai i ftoi të gjithë njerëzit të kishin kurajo. Thirrja e tij për të guxuar dhe luftuar për paqen në botë dhe për të marrë përgjegjësinë e veprimeve të tyre, u mireprit nga të gjithë pjesëmarrësit.
Në rradhën e fjalimeve të kryetarëve ishte dhe ai i Donald Tusk, Presidentit të Këshillit Europian i cili u shpreh se ishte i bindur se BE do të ishte kontinenti i parë climate-neutral. Ai tha se : "Shumica e shteteve të BE kanë përqafuar marrjen e nismave për të arritur objektivat klimatike për 2050 dhe është thjesht çështje kohe derisa ta kenë miratur të gjitha shtetet e tjera anëtare. BE e ka arritur targetin e saj për 2020 duke ulur ndjeshëm emetimin e gazeve serrë. Për dekadën që vjen, në vend të synimit të parashikuar me 40%, BE pritet të tejkalojë pritshmëritë e saj në uljen e emetimit të gazrave deri në 45%. Kthimi i objektivave në veprime konkrete është ajo çfarë ka më shumë vlerë dhe kjo është pikërisht ajo çfarë BE po bën", mbylli fjalimin e tij presidenti i Këshillit Europian.

BE dhe nismat e saj për të parandaluar efektet negative klimatike
Ndërkohë BE ka marrë nisma të ndryshme ndër vite për të ulur sado pak efektet negative të ndryshimeve klimatike. Për të kontrolluar ndotjen e ajrit nga mjetet e transportit, BE ka hartuar dhe përmirësuar ligje dhe rregullore që kontrollojnë cilësinë e karburantit dhe ka promovuar përdorimin e motorrave ekologjikë. Mjetet e transportit të sapoprodhuara i nënshtrohen një kontrolli më të madh për të testuar prodhimin e ndotësve të rrezikshëm gjatë përdorimit. Nëpërmjet përmirësimit të cilësisë së ajrit BE parashikon të parandalojë qindra vdekje të parakohshme të shkaktuara çdo vit nga sëmundjet e sistemit kardiovaskular.
Në të njëjtën kohë 2,5 milion ton mbetje prodhohen në BE çdo vit. Shumica e tyre përfundon në det ose oqean. 70% e mbetjeve ujore janë plastikë një-përdorimshme si psh. qeset plastike. Çdo vit BE në total përdor 100 milion qese plastike. Secila prej tyre mund të përdoret jo më shumë se 20 min, por kërkon 400 vite për t'u tretur në tokë. BE syon të përgjysmojë përdorimin e qeseve plastike dhe deri më 2021, plastika një-përdorimshme si pjata, pirun,pipa do të ndalohen përfundimisht në të gjitha dyqanet e shteteve anëtare.
Pasojë tjetër e ndryshimeve klimatike është dhe zhdukja e gjallesave për shkak të ndryshimeve të kushteve të jetesës. Më dukshëm kjo dukuri vihet re në botën nënujore. Gjallesat në këtë habitat kanë një rol shumë të rëndësishëm jetësor për pastrimin dhe ushqimin e brigjeve detare. BE ka caktuar një fond të posaçëm për të mbrojtur këto gjallesa nga ndotja dhe peshkimi. Gjithashtu një sërë habitatesh unike janë ruajtuar në mënyrë për të ndaluar shkatërrimin dhe transformimin e tyre. 1 500 gjallesa shtazore dhe bimore jane nën mbrojtjen e BE. Mes tyre, përfshihen dhe bletët të cilat janë në rrezik të vazhdueshëm zhdukjeje dhe pasojat e kësaj të fundit do të ishin shkatërruese për jetën e njerëzve pasi 76% e prodhimit të ushqimeve në Europë sigurohen nëpërmjet pllenimit të insekteve.


Të gjitha këto aksione mbrojtëse për mjedisin do të jenë pjesë e Marrëveshjes Jeshile Europiane, e cila do të ketë në fokus mjedisin dhe parandalimin e ndryshimeve klimatike. Punimet për hartimin e kësaj marrëveshje janë duke u zhvilluar dhe versioni përfundimtar synon të konkretetizojë mekanizmat e nevojshëm për të implementuar 17 synimet (SDG-Sustainbale Development Goals) e OKB. Megjithëse ka akoma shumë për t'u bërë, BE po tregon një shembull të mirë për t'u ndjekur dhe në rang global.

Stafi i EuroSpeak, shtator 2019

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk