Pakti Europian i propozuar për Azilin dhe Migracionin: a do të ofrojë zgjidhje për sfidat aktuale apo do të nxjerrë në pah problematika të reja?

Pakti Europian i propozuar për Azilin dhe Migracionin: a do të ofrojë zgjidhje për sfidat aktuale apo do të nxjerrë në pah problematika të reja?

***

Për Von der Leyen pakti i propozuar “është një zgjidhje europiane dhe një përpjekje për të menaxhuar migracionin së bashku, duke ekuilibruar solidaritetin dhe përgjegjësinë”, ndërkohë sipas Komisionerit që promovon mënyrën europiane të të jetuarit, Margaritis Schinas ky pakt erdhi pasi: “Moria tregoi... që ka ardhur koha për një politikë të përbashkët të migrimit”. Për komisioneren e çështjeve të brendshme, Ylva Johansson ky set propozimesh do të mbrojë në thelb të drejtën për të kërkuar azil. (Komisioni Europian, 2020). Me premtimin “Jo më Moria” (duke marrë shkas nga tragjedia e kampit Moria në Lesbos, i cili u dogj dhe la shumë azilkërkues, 12 500 gjithsej që ndodheshin, aty pa strehë dhe vendqëndrim) ky pakt nuk është mirëpritur nga të gjithë, madje organizata që merren me mbështetjen e refugjatëve dhe migrantëve kanë pasur kritika ndaj këtij pakti.

Përse ishte i nevojshëm një Pakt i tillë dhe çfarë risish dhe ndryshimesh do të sjellë ai?

Në Bashkimin Europian me një popullsi prej 448 milion banorësh, 21 milion prej tyre nuk janë shtetas të Bashkimit Europian. Ndërkohë që në fund të 2019 janë numëruar 26 milion refugjatë në të gjithë botën, vetëm 10% e tyre janë në BE, të cilët përbëjnë vetëm 0.6% të gjithë popullsisë së Bashkimit Europian, situatë shumë e ndryshme nga ajo që paraqitet në Turqi (4.3%), Liban (13.4%), apo Jordani (6.4%) ( UNHCR, 2020). Pavarësisht shifrave relativisht të ulëta, 'kriza e refugjatëve' tregoi që sistemi i menaxhimit të azilkërkimit nuk ishte funksional, e mbi të gjitha mungoi solidariteti mes vendeve anëtare; mungoi një përgjigje e unifikuar europiane; dhe në shumë raste e në shumë vende u harrua e u injorua respektimi i të drejtave themelore. Kriza filloi në 2015, një vit më vonë u kërkua një reformim i menaxhimit të azilit nga Komisioni Europian në 2016, por pa arritur në një miratim; pakti i ri vjen pas 4 vitesh, ku dhe fluksi i migrantëve në BE ka pësuar ulje. Nëse në 2015 ka pasur rreth 1.8 milion persona që kanë hyrë në mënyrë të parregullt në BE, në 2019 janë numëruar 630 mijë kërkesa për azil për herë të parë. ( Faqja zyrtare e Bashkimit Europian, 2020). Ky pakt mund të vlerësohet se vjen në këtë kohë si pasojë e problematikave të shfaqura gjatë këtyre viteve, vjen si përgjigje për të parandaluar kriza si ajo e Morias por edhe si reflektim për mësimet e nxjerra nga gabimet e bëra në të shkuarën.

I cilësuar si dokumenti që do të përcaktojë qasjen e re të Komisionit ndaj migracionit, ky pakt ka në fokus masat që duhen ndërmarrë për një menaxhim sa më efektiv të këtij fenomeni mjaft kompleks. Në këtë kuadër ndryshime legjislative dhe propozime të reja parashikohen të përmbledhura në 9 paketa si: 1) propozimi për një Rregullore të re për Shengenin; 2) rishikim i Rregullores për Procedurat e Azilit; 3) rishikim i Rregullore EURODAC; 4) një rregullore e re për Menaxhimin e Migracionit dhe Azilit që do të zëvendësojë Rregulloren e famshme e aq shumë të diskutuar e kritikuar të Dublinit; 5) një rregullore e re për Krizat dhe Forcat Madhore; 6) do të rekomandohet një plan paraprak për të qenë të përgatitur ndaj situatave të krizave; 7) një rekomandim i ri mbi rishpërndarjen e migrantëve; 8) një rekomandim i ri do të propozohet për përdorimin e anijeve private për operacionet e kërkim- shpëtimit dhe gjithashtu 9) një udhëzues për direktivën e atyre që ndihmojnë dhe asistojnë në aktivitetet humanitare, në mënyrë që të mbrohen nga ndëshkimet dhe penalitetet, me qëllim shmangien e rasteve ku anije dhe persona janë dënuar për shkak të shpëtimit të jetëve në det me pretekstin që po asistojnë në ‘trafikim dhe kontrabandë të qenieve njerëzore’.

Si parashikohet që ky Pakt të përmirësojë menaxhimin e procedurave të azilit dhe migrimit?

Sipas faqes zyrtare të Komisionit Europian (2020) kjo do të realizohet duke vendosur procedura të reja të integruara që do të kryhen që në kufi me qëllim marrjen e vendimeve më thjesht dhe më shpejt. Procedurat që do të përfshihen që në kufi janë: shqyrtimi i kritereve për të hyrë bazuar në kontrolle të shëndetit, identitetit dhe sigurisë (BBC, 2020); aty do të kryhet procedura e azilit, si dhe procedura e kthimit të menjëhershëm në rastet kur kjo është e zbatueshme. Pakti gjithashtu do të përshpejtojë procesin e negociatave për një reformim të sistemit të azilit, një propozim ky i Komisionit i bërë që në 2016, po që për shkak të mosdakordësimit mes shteteve anëtare nuk është arritur ende. Një sistem i përbashkët kthimesh për të gjithë BE-në, shihet si një mënyrë e mirë dhe eficente për të përmirësuar procedurat e kthimit dhe do të përfshijë gjithashtu dhe masat e financimit të kthimit. Një tjetër masë është krijimi i Agjencisë së BE për Azilin dhe ky propozim i bërë nga Komisioni në reformën e 2016, me qëllim mbështetjen dhe monitorimin e sistemit të azilit.

Ndërkohë nga propozimet e Komisionit për reformën e 2016 nuk do të përshihet vetëm rregullorja e Dublinit e zëvendësuar më propozimin për një Rregullore të re të Menaxhimit të Migracioni dhe Azilit. Kjo rregullore e re do të prezantojë mekanizmin e solidaritetit me qëllimin që ‘barra’ të mos bjeri vetëm në disa vende të BE-së, siç ka ndodhur deri tani më Italinë apo Greqinë si vendet e para të prekura nga azilkërkuesit; por që të gjitha vendet anëtare të kontribuojnë duke u solidarizuar. Për këtë do të përdoret parimi ‘solidaritet me anë të rishpërndarjes’ që me fjalë të tjera do të nënkuptojë ose marrje të azilkërkuesve në vendet e tyre, ose skemat e financimit të kthimit, ku një shtet anëtar do të mbështes kthimin e atyre personave me qëndrim të parregullt që ndodhen në një shtet tjetër anëtar. Parashikohet gjithashtu që shtetet anëtare që do të solidarizohen te financimi i kthimeve, do të kenë mundësi të përzgjedhin cilat kombësi preferojnë të mbështesin si dhe në rast se procedura e kthimit ka kaluar 8 muaj, ai person duhet të transferohet në territorin e vendit që po bën të mundur kthimin.

Të tjera kontribute që mund të bëhen bazuar në këtë parim janë edhe ngritja e kapaciteteve për azilin, mbështetje teknike mes vendeve anëtare apo bashkëpunim më i thellë me vendet e treta që mund të jenë si vende tranzit ashtu edhe vende origjine. Çdo shtet anëtar parashikohet të përfitoj ndihmë financiare nga vetë buxheti i BE për këtë proces.

Skema e financimit të kthimeve do të vihet në zbatim vetëm në raste kur një Shtet Anëtar bën kërkesë pasi sistemi i tij i menaxhimit të azilit rrezikon kolapsin, apo situata e azilkërkuesve në këtë vend është problematike dhe e papërballueshme. Pas vlerësimit që bëhet nga Komisioni Europian, bëhet thirrje për vendet e tjera anëtare që të kontribuojnë ose me pranim të azilkërkuesve në këto vende ose me sponsorizim të kthimit të atyre azilkërkuesve që kërkesa nuk u pranohet. Në fund është Komisioni ai që vendos se cila duhet të jetë ndihma që çdo shtet anëtar do të ofrojë në varësi të planeve dhe kapaciteteve që ato ofrojnë.

Reagime dhe qëndrime: Jo të gjithë janë aq entuziastë sa Komisioni Europian

Pakti është mbështetur dhe shtyrë fort nga Gjermania, si vendi që mban dhe presidencën aktuale të Këshillit të BE dhe rolin e veçantë që kancelarja Angela Merkel, ka luajtur në gjithë menaxhimin e krizës. Gjithashtu Franca e mbështeti paktin duke kërkuar që çdo shtet anëtar të bëjë pjesën e tij dhe të kontribuojë.(EUobserver, 2020). Ndërkohë aktorë e vende të tjera kanë pasur hezitim dhe kritika ndaj tij.

Komiteti i Lirive Civile ishte i pari nga komitetet e Parlamentit Europian që zhvilloi një debat për këtë propozim të Komisionit. Pyetja e tyre kryesore ishte: “Si do të zbatohet ky pakt në terren?” dhe a do të bëjë të mundur ky pakt që fatkeqësi njerëzore si ajo e kampit të refugjatëve Moria të mos përsëriten? Edhe pse është deklaruar që pakti i ri e heq Rregulloren e Dublinit dhe e zëvendëson atë me rregulloren e re të Menaxhimit të Migracionit dhe Azilit, për disa nga eurodeputetët është për të ardhur keq që pavarësisht kësaj, rregulli aq i famshëm i rregullores: që shteti i parë ku azilkërkuesi shkel është dhe shteti përzgjedhës për kërkesën për azil nuk është hequr dhe vazhdon të jetë në fuqi. Të tjera shqetësime lidhen me respektimin e të drejtave të refugjatëve, për luftën kundër trafikimit, dhe si do të procedohet nëse shtetet do të zgjidhnin masivisht opsionin e sponsorizimit të largimit të atyre që nuk kanë të drejtë qëndrimi se sa të pranojnë të marrin azilkërkues në vendin e tyre.

Organizatat humanitare që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut gjithashtu janë shprehur jo pozitivisht ndaj këtij plani, sipas BBC, organizata Save the Children akuzon BE që dështoi të mësonte nga gabimet e saj, ndërkohë që Amnesty International vlerëson që pakti në fakt do të ndihmojë në ngritjen e mureve më të larta dhe të gardheve më të forta, duke harruar kështu palën më të prekur: njerëzit që po vuajnë nëpër kampet e refugjatëve. Një peticion online është publikuar gjithashtu nga organizata Walk of Shame EU, i firmosur deri tani nga më shumë se 500 000 persona (Change.org, 2020) dhe i mbështetur nga më shumë se 450 organizata, përfaqësues të Parlamentit Europian, politikanë europianë apo lëvizje në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Sipas këtyre organizatave edhe pse po hiqet dorë nga ideja e kuotave të detyrueshme në emër të solidaritetit, kjo do ta keqësoj situatën pasi mund të lehtësojë kthimin e migrantëve që kanë hyrë në mënyrë të parregullt duke u rrezikuar atyre lirinë dhe jetën, ndërkohë që shtetet gjithashtu rrezikojnë mos të solidarizohen duke e lënë barrën e mbajtjes së refugjatëve te vendet që po e mbajnë atë edhe sot, si Greqia, Italia apo Spanja.

Kundërshti ka pasur nga disa vene të BE-së, për arsye të tjera në fakt, dhe jo aq nga meraku për të drejtat e refugjatëve dhe personave të ndodhur në kamp, sesa për interesat e tyre të ngushta kombëtare. Kështu vendet anëtare si Hungaria, Polonia apo Çekia, vende që shpeshherë janë kritikuar për masat dhe politikat anti-migrim, që janë gjendur dhe në shkelje nga Gjykata Europiane e Drejtësisë ndaj të drejtave të njeriut dhe të drejtës për azil gjatë gjithë viteve të krizës. Sipas Hungarisë “kufijtë e jashtëm të BE dhe zona Shengen duhet të qëndrojnë të pandryshuar”. Sipas përfaqësuesve të qeverisë hungareze, ky pakt thjesht ka ndryshuar emrin po qëllimi mbetet i njëjtë ai i kuotave, procedurë aq shumë e kundërshtuar jo vetëm nga Hungaria por edhe Polonia e Çekia (Euronews, 2020).

Pakti i propozuar i Komisionit duhet tashmë të diskutohet e votohet në Parlamentin Europian e më pas në Këshillin Europian. Për Komisionin bazuar në urgjencën e rëndësinë e kësaj çështje, këto institucione por edhe vendimmarrësit e vendeve anëtare duhet të përshpejtojnë e të arrijnë sa më shpejt në marrëveshje për miratimin e rregulloreve të propozuara nga Pakti, në mënyrë që të realizohet ajo që kërkohet nga Komisioni Europian: një menaxhim i unifikuar i azilit dhe migrimit, duke mos harruar solidaritetin dhe përgjegjësinë. Teksa pakti është përpjekur të dëgjojë kritikat e vendeve anëtare për përcaktimin e përgjegjësive dhe lehtësimit të barrës, duhet që një element thelbësor nuk duhet të harrohet në gjithë këtë proces: ai i respektimit të të drejtave themelore të njeriut, vlerë kjo në të cilën BE proklamon që është krijuar.

Nirvana Deliu, Stafi i EuroSpeak, tetor 2020

Referenca:

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk