Më 21 nëntor 2024, Shqipëria u bë një nga vendet e para nga Ballkani Perëndimor që iu bashkua Zonës Unike të Pagesave në Euro(SEPA), një hap thelbësor drejt integrimit të plotë financiar me Bashkimin Europian (BE). Ky anëtarësim përfaqëson një transformim të rëndësishëm për sistemin bankar dhe të pagesave në Shqipëri, duke ofruar përfitime të mëdha për individët dhe bizneset në lidhje me uljen e kostove të transaksioneve ndërkufitare dhe përmirësimin e efikasitetit financiar.
Çfarë është SEPA? Një historik i shkurtër
SEPA (Single Euro Payments Area), ose Zona e Unike e Pagesave në Euro, është një sistem që operon në vendet e Bashkimit Europian që prej vitit 2008. Qëllimi i krijimit të kësaj zone të përbashkët pagesash ka qenë lehtësimi i transaksioneve monetare jo-kesh në vendet e Bashkimit Europian, duke hequr dallimet që mund të ekzistonin midis shteteve anëtare. Ky sistem ka bërë të mundur që transfertat financiare midis shteteve të jenë po kaq të lehta sa ato brenda një shteti të vetëm.
Përveç lehtësimit të transaksioneve bankare, SEPA ka pasuruar dhe procesin e krijimit të një monedhe të përbashkët, EURO, e cila u miratua në Traktatin e Maastricht në vitin 1992, dhe filloi të përdorej si monedhë zyrtare nga vitit 2002.
Në vitin 2016, SEPA përfshiu edhe disa shtete që nuk janë pjesë e Bashkimit Europian, por që kanë marrëveshje të veçanta me të, ose janë kandidatë për t'u bërë pjesë e tij. Kështu, SEPA tani përfshin 38 shtete anëtare, përfshirë të gjitha vendet e BE-së dhe disa vende jo-anëtare si Zvicra, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, dhe së fundi, Shqipëria dhe Mali i Zi.
Përmes SEPA, transaksionet ndërkufitare brenda zonës tarifohen njësoj si ato të brendshme, duke eliminuar tarifat shtesë dhe duke reduktuar kohën e përpunimit të pagesave në euro.
Single Euro Payment Area (SEPA) është një sistem i përbashkët pagesash që synon të harmonizojë dhe thjeshtojë transaksionet monetare në euro brenda vendeve pjesëmarrëse. Ky mekanizëm ofron një infrastrukturë të standardizuar për transferimet e fondeve, duke eliminuar dallimet mes sistemeve kombëtare dhe duke rritur efikasitetin e transaksioneve ndërkufitare. Anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA përfaqëson një hap kyç në rrugën drejt integrimit të saj në Bashkimin Europian. Kjo përfshirje sjell përfitime të shumta, si ulja e tarifave të transfertave, përmirësimi i shpejtësisë së përpunimit të pagesave dhe rritja e transparencës financiare. Në këtë artikull shqyrtohet ndikimi ekonomik i anëtarësimit të Shqipërisë në SEPA, tipologjia e transaksioneve të mundësuara, si dhe përfitimet dhe sfidat e këtij procesi. Në fund, vlerësohet rëndësia e tij për ekonominë shqiptare dhe perspektivat e mëtejshme të integrimit financiar në Europë. Anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt integrimit të saj në Bashkimin Europian dhe sjell përfitime të konsiderueshme për individët dhe bizneset. Ky artikull gjithashtu analizon ndikimin e këtij anëtarësimi, përfitimet e tij dhe sfidat e mundshme.
Rëndësia e Anëtarësimit të Shqipërisë në SEPA
Zgjerimi i SEPA për të përfshirë vende jashtë BE-së u formalizua në vitin 2016, duke zgjeruar përfitimet e sistemit të pagesave me euro për anëtarët jo-BE që janë kandidatë për anëtarësim në BE ose që kanë marrëveshje bilaterale me BE. Përfshirja e Shqipërisë si një nga vendet e para nga Ballkani Perëndimor shënon një moment historik të rëndësishëm për Shqipërinë dhe për rajonin në përgjithësi. Anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA përfaqëson një moment kyç në integrimin e saj në sistemin financiar europian. Kjo iniciativë është një hap i rëndësishëm për harmonizimin e infrastrukturës bankare shqiptare me atë të Bashkimit Europian, duke mundësuar përpunimin e pagesave në mënyrë më të shpejtë, të sigurt dhe me kosto më të ulët.
Përfitimet kryesore të këtij anëtarësimi përfshijnë harmonizimin e rregulloreve dhe sistemet e pagesave sipas kornizave ligjore dhe teknike të BE-së, duke e bërë më të lehtë integrimin e mëtejshëm në tregun europian. Lehtësimi i transaksioneve ndërkufitare është një tjetër përfitim i rëndësishëm, pasi bizneset dhe individët përfitojnë nga një sistem pagesash i unifikuar, duke eliminuar vonesat dhe kostot shtesë për transfertat ndërkombëtare. Gjithashtu, anëtarësimi sjell uljen e tarifave bankare, ku transferimet me euro kryhen me tarifa të reduktuara, duke përmirësuar aksesin në shërbime financiare më efikase. Standardizimi i metodave të pagesave rrit gjithashtu transparencën dhe sigurinë, duke e bërë sistemin më të sigurt dhe duke zvogëluar rreziqet e mashtrimit financiar. Ky anëtarësim sjell përparësi të dukshme jo vetëm për sistemin bankar shqiptar, por edhe për bizneset dhe konsumatorët, duke e bërë Shqipërinë më tërheqëse për investitorët e huaj dhe duke lehtësuar operacionet tregtare me vendet e tjera të BE-së. SEPA synon të krijojë një treg të unifikuar pagesash, duke lehtësuar transaksionet ndërkufitare dhe ulur kostot e tyre.
Tipologjia e Transaksioneve SEPA
SEPA mundëson disa lloje kryesore të transaksioneve, të cilat kanë një ndikim të rëndësishëm në sistemin e pagesave dhe tregtinë ndërkufitare:
SEPA Credit Transfer (SCT) – Transferime standarde të kredive brenda një dite pune. Për shembull, një kompani shqiptare që importon pajisje nga Gjermania mund të bëjë pagesën e faturës brenda ditës, duke shmangur kostot e mëdha të bankave tradicionale dhe kohën e gjatë të përpunimit të transfertave ndërkombëtare.
SEPA Core Direct Debit Transfer – Debitime Direkte SEPA Transferime të menjëhershme brenda pak sekondash. Një punonjës shqiptar që jeton në Francë dhe dërgon para familjes në Shqipëri mund ta bëjë këtë në kohë reale, pa vonesa dhe me tarifa të ulëta krahasuar me shërbimet tradicionale të transfertave.
SEPA Direct Debit (SDD) – (SEPA Credit Transfer): Pagesa të përsëritura automatike. Për shembull, një klient shqiptar që përdor shërbime streaming ose abonime të ndryshme, si internet ose sigurime shëndetësore në një vend të BE-së, mund të bëjë pagesat mujore pa pasur nevojë për ndërhyrje manuale çdo herë.
SEPA B2B Direct Debit – Debitime Direkte SEPA B2B Shërbim i dedikuar për bizneset. Një kompani shqiptare që furnizon produkte për një partner gjerman mund të vendosë pagesa automatike për çdo porosi të dërguar, duke shmangur vonesat dhe garantuar një fluks të qëndrueshëm të pagesave.
Duke lehtësuar këto lloje pagesash, SEPA jo vetëm që redukton kostot për individët dhe bizneset, por gjithashtu rrit besimin e investitorëve të huaj në tregun shqiptar. Për shembull, kompanitë e huaja që operojnë në Shqipëri mund të menaxhojnë likuiditetin më lehtë, duke mos u ndikuar nga kufizimet tradicionale të transfertave ndërkombëtare. Kjo krijon një mjedis më tërheqës për investime dhe rrit qarkullimin ekonomik të vendit. Për shembull, një kompani shqiptare që importon pajisje nga Gjermania mund të bëjë pagesën e faturës brenda ditës, pa tarifa shtesë apo vonesa bankare.
Për të kryer pagesa nëpërmjet SEPA, duhet të plotësohen dy kushte kryesore:
Dërguesi dhe pranuesi i transferimit duhet të jenë nga vendet anëtare të SEPA.
Transaksioni duhet të kryhet me monedhën Euro.
SEPA lehtëson mbi 20 bilion transaksione në vit, duke ofruar një mënyrë më të shpejtë dhe më ekonomike për transferimin e fondeve ndërkufitare.
Ndikimi Ekonomik dhe Përfitimet për Shqipërinë
Më 21 nëntor 2024, Shqipëria u bë anëtare zyrtarisht e SEPA-s, duke e pozicionuar atë si një pjesë integrale e ekosistemit financiar europian. Udhëtimi drejt anëtarësimit në SEPA filloi në vitin 2021, kur Banka e Shqipërisë u bashkua në projektin rajonal që synonte modernizimin e sistemeve të pagesave në Ballkanin Perëndimor.Ky integrim ka reduktuar ndjeshëm kostot e transfertave, ka përmirësuar transparencën financiare dhe ka rritur konkurrencën mes institucioneve bankare, duke sjellë përfitime të drejtpërdrejta për individët dhe bizneset.
Përmirësimi i Infrastrukturës Bankare dhe Ulja e Tarifave
Që nga viti 2022, Shqipëria ka parë përmirësime të konsiderueshme në sistemin e saj bankar, përfshirë uljen e tarifave për transferimet e brendshme me euro. Komisionet për transaksionet janë reduktuar në 0.15%, me një tarifë minimale prej 6 Euro dhe një tarifë maksimale prej 50 Euro, pavarësisht vlerës së transaksionit. Kjo risi ka pasur disa efekte kryesore. Ajo ka çuar në një rritje të efikasitetit në qarkullimin e fondeve, pasi individët dhe bizneset nuk janë më të detyruar të përdorin tërheqje dhe depozitime cash mes bankave të ndryshme, duke zvogëluar kohën e procesimit dhe rrezikun e humbjeve financiare. Po ashtu, ka sjellë kursime të ndjeshme për bizneset dhe konsumatorët. Për shembull, një kompani eksportuese shqiptare që dërgon pagesa të shpeshta në BE, më parë paguante tarifa të larta bankare, ndërsa tani arrin të kursejë mijëra euro çdo vit. Për më tepër, ky proces ka mundësuar një integrim të shpejtë të institucioneve financiare. Procesi i harmonizimit të bankave shqiptare me sistemin SEPA pritet të përfundojë brenda muajit prill 2025, duke ofruar një qasje më të unifikuar për të gjithë përdoruesit e sistemit.
Reduktimi i Tarifave të Transaksioneve Ndërkufitare
Para anëtarësimit në SEPA, transaksionet ndërkufitare në Shqipëri ishin të ndikuara nga tarifa të larta dhe kohë të gjata për përpunimin. Dërguesi dhe përfituesi i fondeve ishin të detyruar të paguanin tarifa të ndryshme, duke e bërë sistemin më pak efikas dhe më të shtrenjtë. Me hyrjen e Shqipërisë në SEPA, tarifat për transfertat ndërkufitare janë barazuar me ato për transfertat e brendshme. Kjo ka sjellë kursime të konsiderueshme për individët dhe bizneset. Për shembull, një individ që dërgon 100,000 EUR nga Shqipëria në Gjermani me metodën Spot, para anëtarësimit paguante një komision prej 150 EUR, ndërsa tani ky komision është ulur në më pak se 50 EUR, duke kursyer 100 EUR për çdo transfertë. Po ashtu, një biznes që bën pagesa mujore prej 10,000 EUR për furnizime nga Italia, tani kursen rreth 1,200 EUR në vit vetëm nga tarifat më të ulëta të transfertave.
Ndikimi në Ekonominë Shqiptare
Edhe pse nuk ekzistojnë statistika të sakta për të gjitha kursimet vjetore, vlerësohet se ulja e tarifave të transaksioneve ka sjellë kursime prej rreth 37 milionë Euro për individët dhe bizneset shqiptare vetëm në vitin 2023. Kjo ulje e kostove të operacioneve financiare ka ndikuar në përmirësimin e klimës së biznesit, pasi investitorët e huaj janë më të prirur të bashkëpunojnë me kompani shqiptare për shkak të procedurave financiare më të lehta dhe më pak të kushtueshme. Po ashtu, ka nxitur rritjen e konsumit të brendshëm, duke u mundësuar individëve më shumë akses në shërbime dhe produkte ndërkombëtare, pa pasur shqetësime për tarifat e larta të pagesave. Për më tepër, kjo ulje ka rritur imazhin e Shqipërisë si një qendër financiare rajonale, pasi me standardizimin e pagesave, Shqipëria mund të tërheqë më shumë institucione financiare që kërkojnë një treg të integruar dhe efikas për operacionet e tyre. Kështu, anëtarësimi në SEPA jo vetëm që ka përmirësuar infrastrukturën bankare dhe lehtësuar qarkullimin e fondeve, por gjithashtu ka ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e ekonomisë kombëtare, duke ulur kostot, rritur sigurinë e transaksioneve dhe lehtësuar lidhjet tregtare me vendet e BE-së.
Përfshirja e Shqipërisë në SEPA rrit gjithashtu besueshmërinë e sistemit të saj bankar në nivel ndërkombëtar. Bankat Shqiptare do të operojnë sipas standarteve të njëjta si Bankat Europiane, gjë që do të forcojë stabilitetin financiar dhe do të inkurajojë investime të huaja në sektorin bankar dhe atë të teknologjisë financiare (fintech). Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, Investimet e Huaja Direkte (IHD) në Shqipëri në vitin 2023 arritën në 1.3 miliardë euro, ku një pjesë e madhe e tyre vjen nga vendet e BE-së. Me integrimin në SEPA, Shqipëria mund të tërheqë edhe më shumë investime në sektorë strategjikë si industria prodhuese, teknologjia dhe shërbimet financiare.
Sfidat dhe Përshtatja e Shqipërisë me SEPA
Integrimi i Shqipërisë në SEPA paraqet një mundësi të madhe për zhvillimin ekonomik, por gjithashtu shoqërohet me disa sfida të rëndësishme që kërkojnë adresim strategjik. Banka Botërore vlerëson se integrimi i Ballkanit Perëndimor në SEPA do të rezultojë në kursime prej gjysmë miliard euro në tarifat e transaksioneve brenda shteteve anëtare të BE-së. Për Shqipërinë, këto kursime përfaqësojnë një përfitim ekonomik të rëndësishëm, veçanërisht për bizneset të angazhuara në tregtinë me vendet e BE-së.
Pavarësisht përfitimeve të SEPA, një nga sfidat kryesore për Shqipërinë mbetet përshtatja e plotë e infrastrukturës bankare dhe teknologjike. Bankat shqiptare duhet të modernizojnë platformat e tyre të pagesave për të përmbushur standardet e SEPA, duke përfshirë automatizimin e proceseve të transfertave dhe zbatimin e sigurisë së përmirësuar kibernetike.
Në disa banka shqiptare, përpunimi i transfertave ndërkombëtare ende kërkon ndërhyrje manuale dhe është i ngadaltë krahasuar me standardet e vendeve të BE-së. Implementimi i plotë i SEPA do të kërkojë investime në softuerë më të avancuar dhe trajnimin e stafit bankar për të ofruar shërbime më të shpejta dhe më efikase.
Një tjetër sfidë është përafrimi i plotë i legjislacionit shqiptar me rregulloret e BE-së për pagesat dhe mbikëqyrjen financiare. Shqipëria duhet të miratojë dhe zbatojë plotësisht rregullat e SEPA për mbrojtjen e të dhënave financiare, luftën kundër pastrimit të parave dhe transparencën e transaksioneve.Në disa raste, procedurat e verifikimit të transfertave në Shqipëri janë më të gjata sesa në vendet e BE-së, duke penguar përpunimin e shpejtë të pagesave. Harmonizimi me SEPA do të kërkojë që bankat dhe institucionet financiare të përshpejtojnë proceset e tyre duke ruajtur sigurinë dhe pajtueshmërinë ligjore.
Ndërsa SEPA sjell përfitime të rëndësishme, shumë biznese dhe konsumatorë shqiptarë nuk janë ende të familjarizuar me këtë sistem të ri pagesash. Përshtatja kërkon edukim financiar dhe mbështetje teknike për të siguruar që bizneset dhe individët të përfitojnë maksimalisht nga lehtësirat e SEPA. Një biznes i vogël që eksporton mallra në Itali mund të vazhdojë të përdorë metodat tradicionale të pagesave me tarifa të larta, pa qenë në dijeni se një transfertë SEPA do të ishte më e shpejtë dhe më e lirë. Fushatat ndërgjegjësuese dhe asistenca nga institucionet bankare mund të ndihmojnë në informimin dhe adaptimin gradual të përdoruesve në këtë sistem.
Për më tepër, anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA përmirëson lehtësinë e tregtisë ndërkufitare, ul nevojën për llogari bankare të shumta në vende të ndryshme dhe rrit atraktivitetin e Shqipërisë si destinacion investimi. Ai nxjerr në pah bashkëpunimin më të ngushtë B2B midis Shqipërisë dhe shteteve anëtare të BE-së, duke rritur transparencën financiare dhe përshpejtuar kohën e përpunimit të transaksioneve. Ky anëtarësim jo vetëm që i përshtat Shqipërisë standardet e BE-së, por gjithashtu forcon pozitën e saj në sistemin financiar global.
Përfundim
Anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA është një hap i rëndësishëm dhe strategjik në drejtim të integrimit të plotë të vendit në ekonominë europiane. Ky proces i siguron Shqipërisë mundësinë për t'u lidhur ngushtësisht me sistemin financiar dhe tregjet ndërkombëtare, duke ofruar përfitime të shumta për ekonominë dhe qytetarët. Anëtarësimi në SEPA do të mundësojë realizimin e pagesave ndërkufitare më të shpejta, më të sigurta dhe më efikase, duke zvogëluar ndjeshëm kostot dhe vonesat për individët dhe bizneset që operojnë me partnerë ndërkombëtarë. Në përmbledhje, anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA është një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit financiar dhe përforcimit të pozicionit të saj në tregun ndërkombëtar. Ky proces do të sjellë përfitime konkrete dhe të prekshme për ekonominë, bizneset dhe qytetarët shqiptarë, duke përmirësuar shërbimet financiare dhe mundësitë për zhvillim ekonomik.
Delilah Dafina & Erda Dervishi, prill 2025
*Delilah Dafina është një profesioniste me një formim të gjerë akademik dhe një përvojë të gjatë në menaxhimin dhe koordinimin e projekteve zhvillimore. Me një edukim të hershëm të orientuar drejt gjuhëve të huaja—anglisht dhe frëngjisht—si dhe një thellim në letërsi, histori dhe civilizimin amerikan dhe britanik, ajo ka ndërtuar një bazë të fortë analitike dhe komunikimi, të cilën e ka aplikuar me sukses në karrierën e saj profesionale. Me mbi 10 vite përvojë në koordinimin e projekteve zhvillimore në fushën e statistikave, ajo ka zhvilluar aftësi të shkëlqyera në analizën e të dhënave, planifikimin strategjik dhe implementimin e politikave publike. Si eksperte ekonomike-ligjore në sektorin e energjisë, ajo kontribuon në hartimin dhe zbatimin e strategjive rregullatore dhe ligjore, duke u fokusuar në përafrimin e legjislacionit me standardet ndërkombëtare. Aktualisht, ajo është duke ndjekur studimet e saj Master Shkencor në të Drejtën Europiane të Krahasuar në Universitetin La Sapienza në Romë, ku po thellon ekspertizën e saj në sistemet juridike të BE-së dhe ndikimin e tyre në sektorët ekonomikë dhe energjetikë.
*Erda Dervishi ka një karrierë të shquar dhe të gjatë në sektorin bankar, me më shumë se 8 vite përvojë, dhe aktualisht mban pozitat e Menaxheres së Marrëdhënieve me Korporatat në Bankën Kombëtare Tregtare (BKT), Dega Durrës. Në këtë rol, ajo ka zhvilluar një ekspertizë të thelluar në ofrimin e zgjidhjeve bankare për klientët korporativë, duke siguruar që bizneset të kenë akses në shërbime dhe produkte financiare të përshtatura për nevojat e tyre specifike. Ajo ka luajtur një rol të rëndësishëm në ndihmën e klientëve për të menaxhuar financat e tyre në një mjedis ekonomik që ndryshon shpejt, veçanërisht në kontekstin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikave financiare globale. Për më tepër, Erda është angazhuar në një formim akademik të avancuar, duke ndjekur një Master Shkencor (MSc) në La Sapienza në të Drejtën Evropiane dhe të Krahasuar. Ky formim e pajis me një perspektivë të gjerë dhe ndërdisiplinore, duke i mundësuar të adresojë çështje komplekse që lidhen me financat dhe ligjin në një mjedis ndërkombëtar.
Referenca
Banka e Shqipërisë. (2023). Raporti për Sistemet e Pagesave Kombëtare dhe Ndërkombëtare https://www.bankofalbania.org/rc/doc/RV_2023_shqip_82_93_28002.pdf
European Payments Council (EPC). (2024). SEPA Payment Statistics https://www.europeanpaymentscouncil.eu/what-we-do/be-involved/sepa-payment-statistics
EUR-Lex. (2021). Rregullorja 2021/1230 – Kuadri Ligjor për Anëtarësimin në SEPA https://eur-lex.europa.eu/eli/reg/2021/1230/oj/eng
Këshilli Evropian i Pagesave. (2024). Njoftim për anëtarësimin e Shqipërisë në SEPA https://www.europeanpaymentscouncil.eu
Banka Botërore. (2023). Sistemi i transfertave kombëtare në Euro dhe ndikimi në ekonominë shqiptare https://dosja.al/ekonomi/bsh-sistemi-i-transfertave-kombetare-ne-euro-u-kurseu-individeve-dhe-biz-i364720
European Western Balkans. (2024). Will any other Western Balkans country join SEPA? https://europeanwesternbalkans.com
Regulation 2015/751 - EN - EUR-Lex. (2015) https://eur-lex.europa.eu/eli/reg/2015/751/oj/eng
https://albanianpost.com/anetaresimi-ne-sepa-hap-i-rendesishem-ne-rrugetimin-drejt-be-se