Dossier për Kapitullin 23: Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore

Dossier për Kapitullin 23: Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore

Ky dosier sjell një përmbledhje të zhvillimeve dhe ngjarjeve kryesore në kuadër të Kapitullit 23 të Acquis së BE në Shqipëri që prek fusha si:gjyqësorin, anti-korrupsionin dhe të drejtat themelore.

***

DATA HISTORIKE DHE ZHVILLIMET KRYESORE:

9 nëntor 2010 – Komisioni Europian paraqet Opinionin mbi Aplikimin e Shqipërisë për Anëtarësim në BE ku përcakton 12 prioritete kyçe që duhen të adresohen nga Shqipëria në mënyrë që të matet progresi i saj drejt BE-së

24 mars 2015 - u zhvillua "Takimi i Dialogut të Nivelit të Lartë" mes Shqipërisë dhe BE, ku Komisioneri i BE për Zgjerimin (Johannes Hahn) bëri me dije vendosjen e 5 prioriteteve kryesore si kusht për hapjen e negociatave ku disa prej kushteve përfshihen në Kapitullin 23 si: reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut

21 korrik 2016  - Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi ndryshimet kushtetuese të cilat përbëjnë dispozitat kryesore për reformën në drejtësi

18 janar 2017 - Autoritetet shqiptare i paraqitën  KE-së kërkesën për ardhjen e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) si organ mbikëqyrës  për procesin e vetingut (rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve)

07 prill 2018 – Publikohet Raporti 2018 për Shqipërinë nga Komisioni Europian dhe rekomandimi i tij për Këshillin për hapjen e negociatave 

24 mars 2020 – Këshilli Europian miraton hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe vendosjen e 15  kushteve

27-28 shtator 2018- Zhvillohet takimi shpjegues për kapitullin 23 në kuadër të procesit pre-screening, ku delegacioni shqiptar u njoh me aktet ligjore dhe politikat kryesore të Bashkimit Europian lidhur me të drejtat e njeriut dhe me parametrat themelorë të një sistemi gjyqësor efektiv 

 

KAPITULLI 23: GJYQËSORI DHE TË DREJTAT THEMELORE

Objektivat e Kapitullit 23 kanë një rëndësi të veçantë përsa i përket procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Fushat që përfshihen lidhen ngushtë me gjyqësorin dhe të drejtat themelore. Zbatimi i Acquis për këtë kapitull kërkon kapacitete të mirëorganizuara dhe të përkushtuara për të rritur cilësinë e shërbimeve dhe arritjen e standardeve të vendosura nga BE. Pas njohjes me kërkesat bazë të paraqitura nga Komisioni Europian për Kapitullin 23, Shqipërisë i kërkohet të raportojë shkallën e harmonizimit dhe zbatimit të legjislacionit të saj me Acquis si dhe strategjitë e ardhshme në lidhje me këtë proces.

 

PROGRESI I SHQIPERISË PËR KAPITULLIN 23 - PROCESI SCREENING

Për të mos humbur kohë pas rekomandimit për hapjen e negociatave, komisioneri i atëhershëm europian për zgjerimin, Hahn propozoi që Shqipëria të fillonte me procesin screening i cili normalisht nis pas hapjes së negociatave. Ky proces shërben për të shqyrtuar në mënyrë analitike legjislacionin vendas dhe për ta krahasuar me atë europian duke nxjerrë në pah nevojat për harmonizim dhe adoptim të ligjeve. Më 27-28 Shtator 2018, në kuadër të procesit (pre)-screening Shqipëria mori pjesë në takimin shpjegues të shqyrtimit mbi legjislacionin e BE për Kapitullin 23 "Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore". Pjesë e delegacionit shqiptar ishin përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Ministria e Jashtme, Kuvendi i Shqipërisë, Ministria e Brendshme etj.

Çështjet të cilat u diskutuan gjatë këtij takimi në lidhje me kapitullin 23 ishin: Gjyqësori- Parametrat thelbësorë për efikasitetin e sistemit të drejtësisë; politikat anti-korrupsion duke përfshirë instrumentet e BE-së dhe ato ndërkombëtare; të drejtat themelore të njeriut, masat kundër racizmit dhe ksenofobisë, të drejtat e fëmijëve,  barazia gjinore dhe dhuna ndaj grave, të drejtat procedurale të viktimave, të drejtat e personave me aftësi të  kufizuar, etj.

Institucioni përgjegjës për këtë kapitull është Ministria e Drejtësisë në Shqipëri por mbështetet dhe nga Ministria e Brendshme; Këshilli i Lartë i Drejtësisë; Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor;  Gjykata Kushtetuese;  Gjykata e Lartë; Konferenca Gjyqësore Kombëtare; Prokuroria; Avokati i Popullit; Shkolla e Magjistraturës; Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve; Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës; Komisioneri për të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale;  Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

 

PRIORITETET E NXJERRA NGA KOMISIONI QË PERFSHIHEN NË KAPITULLIN 23

Ministria e Drejtësisë, është në cilësinë e institucionit lider për prioritetin 2 “Sistemi Gjyqësor”, prioritetin 3 “Lufta kundër korrupsionit”, si dhe institucion kontribues për prioritetin 5 “Mbrojtja e të drejtave të njeriut”.

PRIORITETI 2 - Sistemi gjyqësor –Reforma në drejtësi do të kalojë nëpër tre faza strategjike, ku faza aktuale ofron bazën ligjore dhe institucionale, faza tjetër (2021-2025) do të mbulojë konsolidimin ligjor dhe institucional, dhe një fazë përfundimtare duke filluar nga viti 2026 do të mbulojë zgjerimin dhe zhvillimin e shërbimeve të ofruara sipas standardeve më të mira europiane. Vendi ynë është inkurajuar të vazhdojë me zbatimin e Strategjisë Ndërsektorale për Reformën në Drejtësi, në kuadër të forcimit të shtetit ligjor duke marrë masa konkrete për të promovuar një gjyqësor të paanshëm, të pavarur, transparent, llogaridhënës dhe efektiv. Udhëzohet të hartojë një plan gjurmueshmërie mbi inspektimet gjyqësore, gjykimet dhe masat disiplinore dhe një tjetër mbi ankesat.  Regjistrimi  i seancave gjyqësore duhet  të shtrihet në të gjitha gjykatat, dhe botimi i vendimeve duhet të sigurohet në zbatim të plotë të legjislacionit mbi mbrojtjen e të dhënave personale. Gjithashtu kërkohet që Ligji për Profesionin e Avokatit të zbatohet në mënyrë rigoroze, të sigurojë punën në mënyrë efektive të komitetit disiplinor dhe të rrisë llogaridhënien e avokatëve.

PRIORITETI 3 - Politikat Kundër Korrupsionit- Lufta kundër korrupsionit është një ndër pesë politikat të cilat vendi ynë këshillohet t’i ndjekë me përparësi në procesin e integrimit europian të vendit. Shqipëria duhet të vazhdojë në zhvillimin e një plani gjurmueshmërie të hetimeve, gjykimeve dhe dënimeve në çështjet e korrupsionit në të gjitha nivelet, përfshirë dhe çështje me profil të lartë. Autoritetet duhet të vazhdojnë me ekzaminimin e funksionimit të kuadrit të përgjithshëm ligjor duke përfshirë dhe politikat eficiente për parandalimin dhe goditjen e korrupsionit dhe pasi kushtet për Konferencën e Parë Ndërqeveritare janë përmbushur. Qasja duhet të jetë parandaluese, ndëshkuese dhe ndërgjegjësuese. Numri i hetimeve në vazhdim mbetet i lartë, deri më sot, dënimet përfundimtare në rastet që përfshijnë zyrtarë të nivelit të lartë mbeten të kufizuara. Organet e themeluara të specializuara anti-korrupsion (SPAK dhe Gjykatat Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) pritet të forcojnë ndjeshëm kapacitetin e përgjithshëm për të hetuar dhe ndjekur penalisht korrupsionin.

PRIORITETI 5 - Të Drejtat e Njeriut – Shqipëria ka bërë përpjekje për të përmbushur detyrimet në lidhje me krijimin e kuadrit ligjor për respektimin e të drejtave themelore. Megjithatë objektivat për të arritur standardet europiane kërkojnë më shumë përkushtim. Për këtë arsye, Ministria e Drejtësisë së Shqipërisë e ka si pjesë të strategjisë së saj krijimin e një sistemi dedikuar drejtësisë për të mitur, duke përfshirë legjislacionin përkatës dhe për të përmirësuar bashkëpunimin  ndërmjet policisë, oficerëve gjyqësorë/prokurorëve, gjykatësve, dhe kujdestarëve, si dhe procedurat e drejtësisë miqësore për fëmijët edhe për fëmijët e viktimave, dëshmitarët apo palët e interesuara në krime dhe procedurat administrative. Vend për progres ka dhe për sa i përket respektimit të të drejtave të minoriteteve dhe regjistrimit të pronave.

 

DOKUMENTET NGA BE NË KUADËR TË KAPITULLIT 23

Raporti 2020 i Komisionit Europian për Shqipërinë - Komisioni konfirmoi se bazat e rekomandimit të tij të vitit 2019 për të hapur negociatat për pranim me Shqipërinë mbeten të vlefshme. Pavarësisht sfidave të trajtimit të tërmetit dhe covid-19, autoritetet shqiptare kanë ruajtur një angazhim politik konstant dhe të fortë për qëllimin strategjik të vendit për integrimin europian. Për sa u përket kritereve politike, mjedisi politik në Shqipëri vazhdoi të shënjohej nga një polarizim intensiv. Sistemi gjyqësor në Shqipëri ka një lloj niveli përgatitjeje/është i përgatitur në mënyrë të moderuar. Zbatimi i një reforme gjithëpërfshirëse dhe të plotë të drejtësisë ka vijuar në mënyrë konsistente, duke çuar në përgjithësi në progres të mirë. Shqipëria ka një lloj niveli përgatitjeje sa i takon luftës kundër korrupsionit. Gjatë periudhës raportuese është bërë progres i mirë. Autoritetet shqiptare kanë forcuar kapacitetet operacionale, koordinuese dhe monitoruese në luftën kundër korrupsionit, duke përmbushur kështu kushtin për KNQ-në e parë. Shqipëria do të duhet të vazhdojë përpjekjet e saj në lidhje me përgatitjet e përgjithshme për miratimin dhe zbatimin e acquis-it të BE-së.

 

Strategjia e Zgjerimit 2020: Përmirësimi i procesit të pranimit - Një perspektivë e besueshme e BE për Ballkanin Perëndimor - Ky Komunikim përmban propozime konkrete të Komisionit për forcimin e procesit të anëtarësimit. Ato kanë si qëllim kryesor rritjen e besueshmërisë midis dy palëve. Ndryshimet e propozuara mund të vendosen brenda kornizave ekzistuese të negociatave duke siguruar mundësi të barabarta në rajon. Një nga objektivat kryesore të  Bashkimit Europian në lidhje me Ballkanin Perëndimor është përgatitja e tyre për të plotësuar të gjithë kërkesat e anëtarësimit. Kjo do të thotë sigurimi i mbështetjes për një regjim demokratik dhe përafrimi me vlerat europiane. Komunikimi strategjik do të jetë një nga instrumentet kryesore për avancimin e procesit të anëtarësimit. Angazhimi politik publik i institucioneve shtetërore të vendeve që duan të anëtarësohen në BE do të vlerësohet në raportet vjetore. Që procesi i anëtarësimit të arrijë potencialin e plotë duhet të mbështetet në besim dhe devotshmëri të dyanshme.

 

Përfundimet e Këshillit për Zgjerimin dhe Procesi i Stabilizim Asociimit - Shqipëria dhe Republika e Maqedonisë së Veriut 25 mars 2020  - Procesi i Stabilizim Asociimit (PSA) është kuadri themelor i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe BE-së. Ky proces synon të kontribuojë në stabilitetin politik dhe ekonomik të rajonit. Si një qasje e re e BE-së ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor procesi i Stabilizimit Asociimit u lançua në vitin 1999, ku për herë të parë, ajo përfshinte perspektivën Europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), dialogu politik midis Shqipërisë dhe BE-së mbahet në kuadër të strukturës së Këshillit të Stabilizim-Asociimit (KSA) dhe strukturave të tjera të përbashkëta.  Pasi shqyrtoi raportin e progresit të Komisionit të 2 Marsit 2020 mbi përparimin e bërë nga Republika e Shqipërisë, Këshilli raportoi se vendi ka demonstruar vendosmërinë e tij për të përparuar axhendën e reformave të BE dhe ka dhënë rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme duke vendosur të hapë negociatat e pranimit me Shqipërinë. Para konferencës së parë ndërqeveritare, Shqipëria duhet të miratojë reformën zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE / ODHIR duke siguruar transparencën e financimit të partive politike dhe fushatave elektorale, zbatimin e vazhdueshëm të reformës gjyqësore, funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, duke marrë parasysh ekspertizën përkatëse ndërkombëtare.

 

Raporti i progresit i Komisionit Europian për Shqipërinë  dhe Maqedoninë e Veriut 2020 - Në prill 2018, Komisioni Europian rekomandoi hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë  e Veriut.  Këshilli nënvizoi se vlerësimi i progresit duhet të jetë pjesë e raportit vjetor të Komisionit dhe të përfshijë rezultatet e mëtejshme. Raporti i publikuar në 2 mars 2020 nxjerr në pah progresin e bërë në zbatimin e reformës në drejtësi, vetingun për gjyqtarët dhe prokurorët, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe luftën kundër lëndëve narkotike. Rezultatet e arritura deri tani u konsideruan inkurajuese dhe vërtetuan angazhimin e fortë të Shqipërisë  për të  arritur standardet e kërkuara në çdo fushë.

 

Metodologjia e re e Zgjerimit të Bashkimit Europian - Komisioni Europian prezantoi metodologjinë e re të zgjerimit për Ballkanin Perëndimor që synon ta bëjë procesin e zgjerimit më të besueshëm, me udhëheqje më të fortë politike, dinamik dhe më të parashikueshëm. Në këtë mënyrë, BE do të jetë më vigjilentë në rrugën që shtetet e Ballkanit Perëndimor ndjekin por në të njëjtën kohë do të lërë hapësirë që procesi të udhëhiqet nga vetë institucionet e këtyre shteteve. Metodologjia inkurajon marrjen e reformave të reja duke pasur si fokus kryesor shtetin ligjor, demokratizimin e institucioneve, reformat në administratë dhe reformat ekonomike. Nëse realizimi i objektivave dështon mund të ndodhë revokimi i bisedimeve që mund të çojë deri në pezullim të tyre. Anëtarësimi në BE është një proces që kërkon dhe mbështet reformat dhe ndryshimet politike në vendet që aspirojnë të hynë dhe të marrin përsipër përgjegjësi si vende anëtare. Kjo do të thotë se të dyja palët duhet të jenë të afta të udhëheqin dhe të përmbushin pritshmëritë në publik për çështje thelbësore. Organizmi i kapitujve në grupe tematike do ta bëjë procesin e negociatave më dinamik dhe më të fokusuar në sektorët bazë të dialogut politik. Këto ndarje i referohen qeverisjes së mirë, konkurrencës ekonomike dhe tregut. Komisioni do të përdorë paketën e zgjerimit për të kontrolluar përputhshmërinë e kandidatëve me Acquis dhe do të ofrojë udhëzime më specifike për sa i përket kryerjes së reformave dhe pritshmërive.

 

DOKUMENTET E MIRATUARA NGA SHTETI SHQIPTAR NË KUADËR TË KAPITULLIT 23

Plani Kombëtar për Integrimin Europian 2019 – 2021 (PKIE) - përfshin masat afatmesme dhe afatgjata, që shtrihen deri në vitin 2022, në mënyrë që Shqipëria të arrijë përafrimin e plotë ligjor të legjislacionit kombëtar me Acquis të BE dhe të harmonizojë të gjithë sektorët me standardet e përcaktuara në kapitujt e Acquis. PKIE rishikohet çdo vit dhe vlerëson progresin e arritur, jo vetëm në shkallën e përafrimit, por edhe në zbatimin e legjislacionit të përafërt.

Strategjia e Drejtësisë për të Mitur 2018 – 2021 - Qëllimi i Strategjisë së Drejtësisë për të Miturit 2018–2021 është promovimi dhe mbrojtja më efektive e të drejtave dhe nevojave në proceset gjyqësore dhe alternativat ndaj këtyre procedurave, për të miturit në konflikt me ligjin, viktima, dëshmitarë të veprave penale, të miturit nën moshë për t’u ndjekur penalisht dhe të miturit pjesëmarrës në proceset gjyqësore, kryesisht atyre penale, nëpërmjet zbatimit të standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare të të drejtave të fëmijëve. Strategjia përmban një qasje ndërdisiplinore, që do të integrohet me të gjitha dokumentet e tjera ekzistuese kombëtare, e shoqëruar me aktivitete konkrete.

Strategjia Ndërsektorale në fushën e të drejtave të pronësisë 2012 – 2020 - Kjo strategji kombëtare adreson problemet e shumëfishta dhe të identifikojë mënyrat për të balancuar titujt kontradiktorë mbi pronën në një mënyrë të drejtë. Parimet që udhëheqin strategjinë janë të dimensionit kushtetues dhe lidhen me interesin publik, shpërblimin e drejtë, parimin e drejtësisë, parimin e proporcionalitetit dhe të shtetit social duke u bazuar jo vetëm në shtjellimin e vendimeve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, por edhe nga jurisprudenca, tashmë e pasur e Gjykatës Kushtetuese. Gjithashtu, strategjia merr në konsideratë edhe parimet e sigurisë juridike dhe të qartësisë së legjislacionit si premisa thelbësore të forcimit të të drejtave themelore paralelisht me zhvillimin e vendit dhe tërheqjen e investimeve të huaja.

Strategjia Ndërsektorale e Drejtësisë 2017-2020 dhe Planit të saj të Veprimit - Këshilli i Ministrave me vendimin nr. 773, datë 2.11.2016, ka miratuar Strategjinë Ndërsektorale të Drejtësisë dhe Planin e saj të Veprimit. Misioni i kësaj strategjie është zbatimi i suksesshëm i reformave në sektorin e drejtësisë për të siguruar një sistem gjyqësor efektiv, efikas, të pavarur dhe transparent në përputhje me praktikat më të mira europiane.

Strategjia Ndërsektorale kundër Korrupsionit 2020 - Qëllimet madhore të politikës së Strategjisë Ndërsektorale kundër Korrupsionit janë parandalimi, ndëshkimi dhe ndërgjegjësimi rreth korrupsionit. Këto qëllime janë afatgjata dhe shtrihen përgjatë kohës së zbatimit të strategjisë dhe planit të veprimit.

Strategjia për Edukimin Ligjor të Publikut 2019-2023 - SELP është dokumenti i parë strategjik i miratuar në Shqipëri me fokus të veçantë edukimin ligjor të qytetarëve. Ky dokument është rezultat i një procesi gjithëpërfshirës hartimi dhe konsultimi. Njohuritë mbi ligjin dhe edukimi ligjor i qytetarëve luajnë një rol thelbësor në çdo shoqëri demokratike, ku sjellja, veprimet dhe marrëdhëniet mes tyre disiplinohen nga norma e rregulla ligjore.

 

 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk