“Mini-Shengeni” i Ballkanit Perëndimor: pritshmëritë dhe aktorët kryesorë

“Mini-Shengeni” i Ballkanit Perëndimor: pritshmëritë dhe aktorët kryesorë

Nuk mund të cilësohet as si një nismë e re për shtetet e Ballkanit Perëndimor pasi në vitin 2006, Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, nënshkruan Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore (CEFTA) për eleminimin e detyrimeve doganore dhe pengesave të tjera për tregtinë e ndërsjellë, por as nuk mund të kritikohet për dëshirën e mirë të shteteve për bashkëpunime të reja në kuadër të krijimit të lehtësirave për qytetarët e tyre dhe mbajtjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Në fillim të tetorit të vitit 2019, në Novi Sad, udhëheqësit nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan një iniciativë të quajtur "Mini-Shengen". Ata ftuan B&H, Kosovën dhe Malin e Zi për të qenë pjesë e kësaj iniciative dhe për të nënshkruar një marrëveshje në të mirë të tyre. Ashtu siç u deklarua edhe në intervistat për shtyp të krerëve të shteteve, plani i “mini-Shengenit” nuk është një bashkim politik, për të formuar kështu një Jugosllavi të re, por do të jetë një përfitim ekonomik dhe jo vetëm, për qytetarët dhe bizneset, të cilët do të kenë mundësinë të qarkullojnë më lehtësisht përtej kufijve ekzistues.

“Mini-Shengen” është një iniciativë e cila do të përqendrohet në forcimin e bashkëpunimit, njohjen e standardeve dhe marrjen e "masave" të buta për të hequr pengesat doganore dhe për ti dhënë prioritet lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit, midis shteteve nënshkruese ngjashëm me katër Liritë e Tregut të BE. Megjithatë këto objektiva janë tashmë pjesë e axhendës së Komisionit Europian për vendet që aspirojnë të jenë pjesë e Bashkimit Europian dhe si nënshkrues të CEFTA, shtetet e Ballkanit Perëndimor janë përfituese të disa prej këtyre lirive.

Marrëveshja do ti jap mundësi shteteve të reduktojnë pikat e shumta të kontrollit kufitar, duke i lejuar qytetarët të udhëtojnë vetëm me letërnjoftimin e tyre ID, duke eleminuar kështu përdorimin e pasaportës; do të njohin lejet e punës dhe kualifikimet profesionale dhe do të eleminojnë kërkesat për viza për vizitorë e huaj në rajon. Marrëveshja e “Mini-Shengenit” pritet të hyjë në fuqi në vitin 2021 për shtetet që do ta nënshkruajnë atë.

Në takimin e parë të zhvilluar në Novi Sad, morën pjesë krerët e shteteve të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, të cilët deklaruan se marrëveshja dhe bashkëpunimi i shteteve për krijimin e “Mini-Shengenit” të Ballkanit Perëndimor do të jetë i hapur edhe për Bosnjen, Kosovën dhe Malin e zi.

Në takimin e dytë më 9 nëntor, iu bashkuan edhe B&H me Malin e Zi, të ftuar në Ohër nga Kryeministri Zaev, në të cilën palët diskutuan vazhdimësinë e kësaj marrëveshjeje dhe bashkëpunimin midis fqinjëve. Kosova nuk mori pjesë.

Më 21 dhjetor krerët e shteteve u takuan në Tiranë dhe Durrës, në vazhdimësi të bisedimeve në kuadër të kësaj marrëveshje, ku pjesëmarrës ishin Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe për herë të parë pjesë e takimit u bë edhe presidenti i shtetit të Malit të Zi. Bosnja dhe Kosova nuk morën pjesë. Takimi i radhës pritet të zhvillohet në Beograd në fund të janarit ose fillim të shkurtit të vitit të ardhshëm 2020.

Sipas EPIK Institute, rezultatet nga Samiti i Tiranës treguan se shtetet diskutuan prioritetet dhe të ardhmen e marrëdhënieve, që do të vijnë nga kjo marrëveshje, duke e vënë fokusin te:

a. Emergjencat Civile, ku pritet që në janar të 2020 të nënshkruhet marrëveshja mbi një strukturë rajonale për t’ju përgjigjur emergjencave civile, kjo pas tërmetit të fuqishëm që ndodhi në Durrës më 26 nëntor.

b. Lëvizja e lirë e mallrave, ku u diskutua dhe parashikua lëvizja e lirë e mallrave brenda vitit 2020, takim i autoriteteve doganore për të shqyrtuar aspektin teknik të zbatimit të lëvizjes së lirë të mallrave, thirrje që CEFTA të marrë vendim sa më të shpejtë për lehtësimin e tregtisë së fruta-perimeve dhe rritja  zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të CEFTA-s.

c. Lëvizja e njerëzve dhe shërbimeve, ku pritet që marrëveshja të jetë prioritet i takimit në janar të 2020 dhe palët të bien dakord për të nënshkruar një marrëveshje për njohjen e shërbimeve të besueshme dhe certifikatave elektronike.

d. Lëvizja e lirë e kapitalit, ku parashikohet një mbledhje në shkurt të vitit 2020 për investimet në sektorët e energjisë dhe të mjedisit, si dhe zhvillimi i një sistemi te pavarur dixhital për të vlerësuar progresin e arritur.

e. E ardhmja dhe zgjerimi, ku u diskutua vendimi që do të marrë Këshilli Europian mbi hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe përfshirja e Ballkanit Perëndimor në Konferencën për të Ardhmen e Europës.

f. Procesi i Berlinit, ku palët u shprehën të kënaqur qe Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria do të jenë drejtuesit e saj për Samitin e radhës në 2020.

Përkrahësit e marrëveshjes

Iniciatorët e kësaj nisme Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë mjaft entuziaste për këtë bashkëpunim pasi parashikojnë përfitime për qytetarët e tyre dhe marrëdhënie më të mira me fqinjët. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, duke qenë se në tetor të këtij viti BE ua mbylli “derën në fytyrë” duke mos u hapur negociatat për integrimin në BE, janë të gatshëm të bashkëpunojnë midis tyre për marrëveshjen në fjalë.

Majda Ruge, bashkëpunëtore në Institutin e Politikës së Jashtme në Shkollën Universitare të Studimeve Ndërkombëtare të Avancuara (SAIS) në Universitetin John Hopkins, shprehet se kjo lloj iniciative në dukje një ‘mini-shengen’, në thelb nuk është krijimi i një zone të ngjashme me atë të Shengenit ekzistues, që i eleminon kontrollet kufitare por është iniciativë për të lehtësuar qarkullimin e mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit, duke i bërë kalimet më pak të vështira dhe duke harxhuar më pak kohë. Për  këtë arsye për të përdorimi i termit ‘Shengen’ çon në ngatërresë pasi nuk duken të jenë e njëjta gjë.

Majda Ruge u shpreh gjithashtu se parashikohen përfitime të rëndësishme ekonomike nga bashkëpunimi i ngushtë i shteteve dhe marrëdhënie më të mira midis tyre, pasi pengesat e vazhdueshme ndërkufitare kanë sjellë dhe do të sjellin bllokimin e investimeve të huaja, ndaj ka ardhur momenti i një bashkëpunimi të ri më efikas.

Drejtuesit e Bashkimit Europian ende nuk e kanë komentuar planin e Ballkanit Perëndimor, ndërsa Zëvendës Ndihmësi i Sekretari të Shtetit i SHBA dhe Përfaqësuesi Special i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer e ka mbështetur këtë iniciativë, dhe kritikon Këshillin Europian për dështimin e arritjes së konsensusit për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërisë.

 

Kritikët e marrëveshjes

Kritikët mendojnë se cilado qofshin përfitimet nga kjo marrëveshje, ekzistojnë ende pengesa në bashkëpunimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ky arsyetim vjen nga statusi aktual i Kosovës dhe 1.8 milion qytetarëve të saj, të cilët e kanë deklaruar se nuk do të jenë pjesë e këtij bashkëpunimi, pasi as Beogradi dhe as Sarajeva nuk e njohin pavarësinë e Prishtinës dhe nuk kanë shkëmbime diplomatike midis tyre.

Kritikët gjithashtu mendojnë se kjo lloj marrëveshjeje do të jetë eficiente dhe do të ketë rezultat vetëm atëherë kur të ketë përkrahje nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të firmoset nga të gjashta shtetet. Megjithatë deri më tani kjo duket e pamundur për shkak të deklaratave të bëra pas takimit në Ohër të përfaqësuesve të shteteve, në të cilin, ashtu siç ishte parashikuar Kosova, edhe pse në shtrirje gjeografike ndodhet në zemrën e Ballkanit, nuk mori pjesë në takim.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në deklaratën e tij u shpreh se kjo marrëveshje është e pakuptimtë në momentin që Kosova nuk njihet si shtet nga shtete që do ta nënshkruajnë atë dhe kështu nuk do të jetë pjesë e saj. Nga ana tjetër ministrja e ekonomisë së Malit të Zi, Dragica Sekulic u shpreh në intervistat e dhëna se nisma e bashkimit 'mini-Shengen' për shtetet e Ballkanit të propozuar nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia do të ishte një humbje kohe dhe energjie pasi vendi i saj tashmë i ka të hapura kufijtë dhe i ka lehtësuar barrierat tregtare me fqinjët e saj. Ajo tha se Mali i Zi është një anëtar i CEFTA, Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore, një iniciativë rajonale për vendet e Ballkanit Perëndimor që garanton qarkullimin e lirë të mallrave e të njerëzve.

Me pritjen e nënshkrimit të kësaj marrëveshje lindin pyetje që kërkojnë përgjigje, që do të ndikojnë në marrëdhëniet e shteteve në arenën ndërkombëtare.

Si dhe kur do të jetë reagimi i Bashkimit Europian për këtë marrëveshje?

Si do të vazhdojë marrëdhënia e Shqipërisë me Kosovën, sidomos marrëdhënia politike, e cila me replikat e vazhdueshme që kanë bërë krerët e shteteve, ka treguar se diçka është “thyer” midis tyre, aq me pak tani në këtë moment kur një qeveri e re dhe një kryeministër i ri po udhëheq Kosovën?

Duket qartë që “mini-Shengeni” është një marrëveshje ende e diskutueshme. Pritshmëritë nga iniciativa janë të mëdha, por në këtë rast është më mirë të priten rezultatet e takimit dhe propozimet e shteteve, të cilat mbrojnë interesat e qytetarëve të tyre sepse dihet që këto interesa janë të ndryshme nga një shtet në tjetrin dhe gjetja e një gjuhe të përbashkët është sfida më e madhe në finalizimin e marrëveshjeve.

Stafi i Eurospeak, dhjetor 2019

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk