Vizioni për BE-në: Përballja mes Macron dhe Karrenbauer

Vizioni për BE-në: Përballja mes Macron dhe Karrenbauer


Deklarata e Macron është fokusuar te europskepticizmi i qytetarëve europianë dhe ka vënë theksin te një “rilindje europiane”. Ai ka deklaruar se është përballur shpesh me qytetarët që e pyesin: “Ku është Europa? Çfarë po bën Europa?”. Nga ana tjetër Annegret Kramp-Karrenbauer, kryetarja e Partisë Demo-Kristiane në Gjermani i është përgjigjur deklaratave të liderit francez Macron duke e përkrahur në disa pika dhe kundërshtuar në disa të tjera.

Vizioni i Emmanual Macron për një ‘Rilindje Europiane’

Sipas tij nacionalistët gabohen kur pretendojnë të mbrojnë identitetin e tyre duke u larguar apo distancuar nga Europa, sepse është qytetërimi europian ai që i bashkon, i çliron dhe i mbron. Gjithashtu ai u shpreh se edhe ata që nuk duan të ndryshojnë asgjë gabohen, sepse mohojnë frikën që ekziston midis kombeve europiane dhe dyshimet që kërcënojnë demokracitë e këtyre vendeve. Sipas the Guardian, Macron deklaroi se ka ardhur koha për një “rilindje europiane”, duke u bazuar në tre synime ambicioze siç janë liria, mbrojtja dhe përparimi.

Macron propozoi që të krijohet një Agjenci Europiane për Mbrojtjen e Demokracisë, e cila do të ofrojë ekspertë europianë për secilin shtet anëtar për të mbrojtur procesin zgjedhor kundër sulmeve kibernetike dhe manipulimeve. Ajo madje do të kontrollojë dhe ndalojë financimin e huaj të partive politike dhe do të hartojë rregulla që ndalojnë “gjuhën e urrejtjes dhe të dhunës në internet”. Gjithashtu ai propozoi një Polici të Përbashkët Kufitare europiane dhe një Zyrë Europiane për Azil, detyrime për kontroll më të rreptë, solidaritet europian të cilat do të jenë nën autoritetin e Këshillit Europian për Sigurinë e Brendshme, ku parashikon që pjesë e këtij Këshilli të jetë dhe Mbretëria e Bashkuar shkruan Deutsche Welle.

Sipas Financial Times ai tha se është i nevojshëm reformimi i zonës Shengen, ku ai sugjeron kontrolle më të rrepta në kufijtë e jashtëm të BE dhe një politikë të përbashkët të azilit. Për më tepër, ai sugjeroi një "mburojë sociale" për të gjithë punëtorët europianë me vendosjen e një page minimale europiane. Ai parashikon dhe krijimin e një Konference për Europën, ku parashikohet të jenë pjesëmarrës të gjitha shtetet dhe qytetarët europianë dhe të propozojnë ndryshime të thella në sistemin politik të bllokut dhe të nxisin shtetasit europianë të mos mbështesin partitë nacionaliste ekstremiste.

Macron u shpreh se Mbretëria e Bashkuar do të gjente përsëri vendin e saj në Europë pas Brexit dhe se duhet një traktat i ri europian i mbrojtjes dhe sigurisë për të përcaktuar detyrimet e shteteve anëtare të BE në koordinim me NATO-n. Menjëherë pas publikimit të letrës së Macron, mbështetje për qëndrimet e presidentit të Francës, kanë shprehur kryeministri i Finlandës, Juha Sipila dhe kryeministri i Belgjikës, Charles Michel.

Deklarata e Annegret Kramp-Karrenbauer: Shtete të fuqishme nënkuptojnë një Europë të fuqishme

Nga ana tjetër Annegret Kramp-Karrenbauer (AKK), kryetarja e partisë demokristiane në Gjermani i është kundërpërgjigjur menjëherë në median e shkruar deklaratave të liderit francez Macron për një “rilindje europiane”. Ajo bie dakord me presidentin francez për migracionin, por hedh poshtë idenë e pagës minimale të BE-së.

Ajo dha një përgjigje ndaj thirrjeve të Presidentit francez Emmanuel Macron për një Europë më të fortë, duke marrë parasysh pikat kryesore të vizionit të tij dhe duke përcaktuar axhendën e partisë së saj për reformën europiane. Sipas Financial Times, ajo ka deklaruar se zgjidhja nuk qëndron te transferimi i më shumë pushteteve të qeverive kombëtare te institucionet europiane apo ndërkombëtare.

Kramp-Karrenbauer përqafoi disa nga propozimet e tij, veçanërisht reformën e Shengenit, sugjerimet mbi sistemin e azilit të BE-së dhe emigracionit. Ajo tha se Macron kishte të drejtë që nevojiteshin masa urgjente për të përballuar sfidat me të cilat po përballet sot Europa, veçanërisht dhe në arenën ndërkombëtare dhe gjeopolitike siç është fuqizimi i Kinës dhe i Rusisë. Për më tepër ajo vazhdoi duke thënë së europianët duan një BE të fortë që mund t’i bëj ballë sfidave si migracioni, ndryshimet klimatike, terrorizmi dhe konfliktet ndërkombëtare. Për të forcuar rolin gjeopolitik të BE, siç shkruan Deutsche Welle, ajo sugjeron që BE të ketë një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurisë së OKB, si dhe sugjeron ngjashëm si Macron krijimin e një Këshilli Europian për Sigurinë duke përfshirë dhe Mbretërinë e Bashkuar për ndërmarrjen e politikave të jashtme dhe të sigurisë.

Liderja gjermane e CDU-së deklaroi se integrimi i imigrantëve paraqiste një sfidë kryesore për Europën, veçanërisht pasi disa forma të Islamit ishin "të papajtueshme me idetë europiane për një shoqëri të lirë". Për këtë arsye, ajo u shpreh se Europa duhet të ngrejë institucione akademike për të trajnuar imamët e vet dhe mësuesit e islamit për traditat europiane të lirisë dhe tolerancës.

Këto dy deklarata vijnë në një moment shumë delikat për Europën, ku Euroskepticizmi është rritur ndjeshëm. Në thelb, të dy këta udhëheqës europianë synojnë përmirësimin e unionit dhe rritjen e besimit të qytetarëve europianë sërish te BE. Ata bien dakord për sa i përket çështjes së ruajtjes së kufijve, forcimit të Zonës Shengen apo çështjeve të tjera që lidhen me ekonominë.

Por, qasja e Macron fokusohet më së shumti të delegimi i kompetencave të shteteve anëtare te institucionet e BE-së. Ai beson se BE në këtë mënyrë do të forcohet, duke mos i lënë shumë liri në vendimmarrje shteteve anëtare. AKK ka një qëndrim tjetër, ajo beson se në Europë ka më shumë nevojë që të fuqizohen shtetet anëtare vetë dhe të mos ketë centralizim shumë të madh të pushtetit. Ajo mendon se centralizimi i pushtetit në institucionet e BE ka sjell kriza dhe mos-besueshmëri te qytetarët. Sipas saj duke u fuqizuar shtetet, rrjedhimisht do të fuqizohet edhe Bashkimi Europian.
                                                                                                                         Stafi i Eurospeak, mars 2019

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk