Refugjatë, mirësevini!

Refugjatë, mirësevini!

Gjermani, vend i cili pret dhe numrin më të madh të refugjatëve, persona me influencë në shoqërinë e vendit kanë ngritur zërin e tyre në mbështetje të tyre. Regjisori dhe aktori Til Schwegier krahas thirrjeve të vazhdueshme të tij për të treguar humanitet ndaj të ardhurve, ka njoftuar planet për të shndërruar kazermat në Gjermaninë qendrore, në shtëpi për refugjatët. Veç kësaj, të rinjtë në Gjermani janë vazhdimisht inovator me idetë e tyre për t’u ardhur në ndihmë refugjatëve ku së fundmi një çift nga Berlini, kanë realizuar një portal online “Refugjatë Mirësevini” (Willkommen Flüchtlinge), ku refugjatët dhe azil-kërkuesit mund të krijojnë kontakte me persona të tjerë të cilët janë të gatshëm të ndajnë shtëpitë e tyre me ta.

Greqi, vullnetarë vendas në fshatin Kalloni vazhdojnë të ndihmojnë imigrantët që nga 2007. Vullnetarë në brigjet e ishullit Lesbos, bëjnë atë që një mjek do ta quante “ndihma e shpejtë” për imigrantët që zbresin nga anijet, duke i ndihmuar me rroba të thata e nevoja të tjera. Madje një çift turistësh gjerman, anuluan biletën e kthimit për të qëndruar e për të ndihmuar në çdo lloj mënyre imigrantët që zbarkojnë në ishullin grek. Po ashtu në vendin e një kampi të vjetër në këtë ishull, një ekip vullnetarësh kanë krijuar strehim të përkohshëm për rreth 80 emigrantë. E njëjta gjë është bërë edhe nga një pronare greko-australiane e cila prapa restorantit të saj ka ngritur një kamp të improvizuar për 150 refugjatë duke u dhënë tre vakte në ditë e duke përdorur donacionet e turistëve apo vendasve për t’i ndihmuar sadopak ata.

Ndërkohë në Spanjë fondacione si Toka e të gjithëve (Tierra de todos) dhe shoqata si Cardinj kanë ndihmuar më shumë se 3, 536 refugjatë dhe vazhdojnë t’u vijnë në ndihmë nëpërmjet kurseve të ndryshme si dhe nëpërmjet pritjeve në banesa, përshtatur për të rinjtë që kanë nevojë për të qëndruar në një vend, derisa gjendja e tyre të mund të stabilizohet.

Refugjatëve në Francë, përveçse u ofrohet ndihmë nga famullitë ku strehohen dhe ndihmohen me ushqim dhe veshje, nuk mungojnë as vullnetarë të tjerë të cilët përpiqen të japin sadopak nga vetja e tyre për të mundësuar frymën e tolerancës dhe humanizmit për imigrantët “në xhungël”.

Një grup miqsh të rinj britanik nuk kanë hezituar të takojnë e të kontaktojnë personalisht me refugjatët e vendosur në një kamp në zonën Calais. Madje në Britani, nëpërmjet projektit “Biçikleta” (The Bike Project) refugjatëve u jepet mundësia të ndihmojnë në riparimin e biçikletave të vjetra për t’i përvetësuar ato më pas. Një mënyrë e mirë-menduar që përveçse i përfshin në projekt, u mëson atyre se si të kujdesen për biçikletën e tyre “të re”.

Hungari krahas një rrjeti vullnetarësh me më shumë se 2,500 anëtarë në një grup të krijuar në Facebook të quajtur “Migszol” (Solidariteti për Imigrantët), një grup tjetër vullnetarësh entuziastë të quajtur “Ushqim, jo bomba” (Food Not Bombs), gatuajnë dhe shpërndajnë ushqim për familjet e dëshpëruara që enden rrugëve të Budapestit.

E ndërsa në Turqi një çift përdori paratë e dasmës për të ushqyer më shumë se 4 000 refugjatë sirian sikurse dhe në Maqedoni ku familjet në vend, sigurojnë ujë, çaj dhe ushqim për refugjatët, në mbarë Europën përtej politikës po ndihet një solidaritet i paçmueshëm dhe po veprohet praktikisht për të ndihmuar qindra refugjatë që tashmë prej kohësh vijnë në Europë duke shpresuar për një jetë më të mirë.

                                                                                                                                   Storify, gusht 2015

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk