Ruajtja e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor kërkon vëmendjen e plotë të BE-së

Ruajtja e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor kërkon vëmendjen e plotë të BE-së


Perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Europian ka ofruar për pothuajse dy dekada një nxitje për reforma në Ballkanin Perëndimor. Por zgjerimi ka zbritur në mënyrë dramatike në listën e prioriteteve të BE-së, ndërkohë që BE-ja po përballet me një numër të konsiderueshëm sfidash të brendshme dhe të jashtme, në një kontekst të ndryshueshëm gjeopolitik dhe nevojës për të ndryshuar rrënjësisht vetveten, tanimë si BE-27.
Përkeqësimi i marrëdhënieve BE-Rusi është reflektuar edhe në dinamikën e Ballkanit Perëndimor. Në tërësi, vrulli i zgjerimit dhe treguesit pozitivë mungojnë, përveçse disa arritjeve dhe zhvillimeve në procesin individual të anëtarësimit të shteteve.

E pranishme në të gjithë Europën, përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor, Lëvizja Europiane punon në mënyrë aktive për një Europë të integruar dhe demokratike. Shembujt nga zgjerimet e fundit konfirmojnë se procesi i hyrjes në BE ka pasur një ndikim të madh në procesin e reformave dhe zhvillimin ekonomik në shtetet respektive. Në vendet e Ballkanit Perëndimor, perspektiva e hyrjes në BE ka qenë synimi kryesor që demokracitë e brishta të vazhdonin procesin e reformave, demokratizimin dhe vendosjen e shtetit të së drejtës. Kjo gjithashtu nënkupton se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bëhen anëtare të BE-së, vetëm pasi të përmbushin kriteret e zgjerimit, bazuar në parimet e individualitetit dhe meritës. Thelbësore në transformimin e tyre është pranimi i vlerave europiane – paqja, demokracia, pluralizmi, shteti i së drejtës, të drejtat e njeriut – fatkeqësisht të vëna në dyshim për zbatimin e tyre edhe në Europë, gjë që rrezikon pikë së pari besueshmërinë e saj.

Lëvizja Europiane ndan shqetësimin rreth situatës delikate në Ballkanin Perëndimor. Ekziston një rrezik real që në kontekstin gjeopolitik rajoni të përfshihet në një luftë për pushtet dhe se keqpërdorimi i ndasive historike të ndezë konflikte të reja. Ekziston edhe një përgjegjësi e veçantë për liderët e rajonit për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, si një parakusht për prosperitet dhe zhvillim demokratik. Këto nuk janë vetëm fjalë boshe, pasi Ballkani e di shumë mire që kjo është e vetmja alternativë në dobi për të gjithë qytetarët. Takimet rajonale dhe dialogu për çështjet akoma të kontestuara duhet të jetë më i shpeshtë, konstruktiv dhe gjithëpërfshirës.

BE duhet ti japë vëmendjen e plotë zhvillimeve në rajon, të mbështesë demokracinë dhe zhvillimin ekonomik dhe të bëjë thirrje për kujdes e maturi nga ana e partnerëve të saj të Ballkanit Perëndimor. Në të njëjtën kohë BE ka nevojë të përfshijë zgjerimin në reflektimet strategjike të së ardhmes së përbashkët europiane, si dhe të ri-vlerësojë dhe përmirësojë instrumentet që disponon, përfshirë këtu edhe mbështetjen për organizatat e shoqërisë civile në ngritjen e kapaciteteve, për një proces të suksesshëm të zgjerimit bazuar në parimet e përshkruara më sipër. BE-ja duhet të angazhohet në mënyrë individuale me secilin vend për të parë se çfarë ajo mund të ofrojë në drejtim të pajtimit dhe mbështetjes, duke përdorur aty ku është e mundur si mjet nxitës edhe një perspektivë më të besueshme të zgjerimit.

Është shumë e rëndësishme që si aktorët hierarkikë, ashtu edhe ata të decentralizuar të punojnë drejt sigurimit të një hapësire të sigurt demokratike, ku qytetarët mund të diskutojnë lirisht, vendimet demokratike të merren nga institucione funksionale, dhe të zbatohen nga një qeveri e përgjegjshme.
                                                                                                              Lëvizja Europiane Ndërkombëtare
                                                                                                                       Lëvizja Europiane në Serbi                                                                                                                    Lëvizja Europiane në Shqipëri                                                                     Lëvizja Europiane në Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë                                                                                                                  Lëvizja Europiane në Mal të Zi                                                                                                   Lëvizja Europiane në Bosnje & Hercegovina



1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk