Lajmet e rreme dhe roli i medias në shpërndarjen e informacionit

Lajmet e rreme dhe roli i medias në shpërndarjen e informacionit

Dhe tani, fluksi i vëmendjes së botës është i strukturuar, në një shkallë të gjerë dhe dërrmuese, nga vetëm disa platforma dixhitale: Facebook, Google (i cili posedon YouTube), dhe, në një masë më të vogël, Twitter (Tukefci 2018)”. Kjo e bën botën ku jetojmë sot më sfiduese dhe njëherazi më komplekse.

***

 

Informimi shpeshherë është i përqendruar jo te faktet, por te manipulimi. Ky informacion shpesh vjen i cunguar, i deformuar ose i pasaktë. Filtrat janë të shumëllojshëm dhe kaotikë, por shpeshherë mungojnë totalisht. Në këtë botë vërtet anarkike dhe të fragmentarizuar, roli i medias tradicionale ka ardhur duke u zbehur, ndonëse televizioni dhe radio kanë ende ndikim jo të vogël, kryesisht në vendet në zhvillim apo të pazhvilluara ku dhe penetrimi i internetit është disi më i kufizuar. Analiza e mëposhtme sjell një vështrim të strukturuar mbi efektet e lajmeve të rreme për të vijuar më pas me rolin e medieve në shpërndarjen e informacionit në shekullin që po jetojmë dhe transformimin e medias në epokën digjitale.

 

Lajmet e Rreme

Një studim i janarit 2017 i dy profesorëve amerikanë, Hunt Allcot i Universitetit të New Yorkut dhe Mathew Gentzkow të Stanfordit mbi përdorimin e rrjeteve sociale dhe efektet e shtrirjes së lajmeve të rreme (fake news) në lidhje me ndikimin që patën në zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2016 në SHBA, kishte disa gjetje interesante në lidhje me trendin, por edhe efektin e tyre. Disa nga gjetjet ishin që rrjetet sociale ishin të rëndësishme, por jo jetike për të marrë informacion rreth fushatës. Vetëm 14%e amerikanëve e morën informacionin kryesisht përmes tyre, ndërsa pjesa tjetër është ende nën efektin e rrjeteve televizive, kabllorë etj. Por nga ana tjetër, nuk duhet nënvleftësuar impakti i rrjeteve sociale në krijimin e opinioneve të caktuara. Siç raportoi asokohe rrjeti i njohur Buzzfeed në Nëntor 2016, “lajmet e rreme për zgjedhje krijuan më shumë angazhim në Facebook sesa problematika të zgjedhjeve të raportuara nga 19 media kryesore të kombinuara” (Tukefci 2018).

Nga lajmet e rreme “fake news”, ato që favorizonin presidentin e zgjedhur Trump ishin rreth 30 milionë në “Facebook”, ndërsa znj. Clinton 8 milionë (Allcot & Gentzow 2017). Duhet thënë që një pjesë e mirë e tyre e kishin burimin jashtë Amerikës në fakt, ku vlen të përmendet rasti i adoleshentëve maqedonas, që krijuan dhe shitën dhjetëra faqe të tilla etj. Por, nga ana tjetër këto lajme të rreme luajtën një efekt krejt periferik në rezultatin final, sepse siç shprehen me të drejtë autorët, që të luanin një rol të rëndësishëm duhej që secili prej këtyre lajmeve të kishte aftësinë e 36 reklamave promocionale politike në televizione kombëtare dhe lokale. Gjithashtu, dy autorë amerikanë në një studim të tyrin theksojnë se rreth 25%e rreth 2.2 milionë përdoruesave të Twitter-it shpërndanë lajme të rreme ose me nota të forta paragjykuese përgjatë fushatës (Bovet & Makse 2019).

Në vende të tjera europiane, lajmet e rreme mund të kenë një efekt më të fortë dhe të ndryshojnë ndoshta edhe trajektoren e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, siç është raportuar dhe spekuluar për rastet e Gjermanisë dhe Francës. Në Gjermani për shembull, në fund të 2016-ës, një vajzë 13- vjeçare me origjinë ruse, Lisa F., u raportua sikur ishte grabitur dhe përdhunuar në grup nga një grup refugjatësh nga Lindja e Mesme, duke dëmtuar mjaft politikisht Kancelaren Merkel dhe partinë më të madhe në vend, CDU-në për shkak të politikave të hapjes dhe mikpritjes së refugjatëve të luftës dhe dhënies së azilit politik, që kishin reklamuar dhe mbrojtur me forcë asokohe. Pra, një politikë principale që kishte filluar t’i jepte anti-frytet e saj duke penalizuar mesazh-mbajtësin. Siç u dëshmua më vonë pas një hetimi nga zyra e prokurorisë së Berlinit, vajza kishte shpenzuar rreth 30 orë me disa miq të saj dhe nuk kishte shenja përdhunimi. Por ndërkohë në Rusi propaganda në lidhje me rastin kishte marrë dhenë dhe madje edhe ministri i Jashtëm, Lavrov kishte akuzuar Merkelin dhe qeverinë e saj se kishin “fshehur rastin poshtë qilimit” për efekte të politikës së ditës.

Edhe në Francë përgjatë dekadës së fundit është rritur në mënyrë eksponenciale leximi i rrjeteve sociale dhe blogjeve të së djathtës alternative, siç vetëquhen avokatët e ultra-nacionalizmit, ksenofobizmit dhe që bashkon grupet e ndryshme anti-emigratore, anti-myslimane, lëvizjet identitare etj. Disa i referohen këtij grupimi miks si fachospehere (fascho për fashist). Për shembull, një lajm që qarkulloi rëndom në prag të primareve të Partisë Republikane të qendrës së djathtë në Francë përgjatë fushatës së fundit zgjedhore presidenciale ishte që Alain Juppe, ish-kryeministri i Francës ishte i lidhur me Vëllezërit Myslimanë, një lëvizje kjo radikale me origjinë Egjiptin, por e përhapur në shumicën e vendeve të Lindjes së Mesme. Është vështirë të përllogaritësh dëmin që i solli kjo kandidatit në fjalë, që ndonëse ishte në krye të sondazheve me diferencë, humbi përballë Francois Fillon, që përgjithësisht cilësohej si “underdog”.

Nga ana tjetër, po aq e rrezikshme është propaganda qeveritare, e cila kombinon efektshëm karrotën e reklamës shtetërore (apo si në rastin e Francës, një lloj monopoli të fondeve shtetërore për të mbështetur mediat që është kundërshtuar ashpër nga segmente të shtypit) me llojet e ndryshme të propagandës: që nga propaganda e zezë që falsifikon të vërtetat dhe shet “sapunin për djathë”, te propaganda “gri” që shtrembëron faktet apo tek ajo e “bardhë”, që bën marrëdhëniet me publikun të qeverive përkatëse në raport me elektoratin.

 

Fushëbeteja e informacionit

Sot, miliarda njerëz që klikojnë çdo ditë në internet, nga marrja e informacionit deri te blerjet online, janë me vetëdije apo pa vetëdije “klientë” që u shiten të tretëve kryesisht te 5 kompanitë e mëdha: Microsoft, Apple, Facebook, Amazon dhe Google. Profilet e tyre që përmbajnë mënyrat si dhe për çfarë shpenzojnë, cilat shije kanë dhe ndaj cilave produkteve janë të tërhequr etj., u shiten të tretëve, që janë kompani dhe firma të ndryshme, kryesisht shumë-kombëshe me fuqi financiare dhe tregtare të konsiderueshme. Gjithsesi vihet re një farë ndërgjegjësimi më i madh në nivel botëror pas skandalit që kishte në qendër Cambridge Analytica dhe përdorimit të bazës së të dhënave të përdoruesve të Facebook për të përçuar mesazhe politike të caktuara.

Në fakt nga njëra palë zgjedhje në tjetrën, përdorimi i rrjeteve sociale për të mbartur propagandë të caktuar politike dhe për të përshtatur mesazhin politik në varësi të preferencave të “klientit” të rrjetit, ka qenë gjithmonë dhe më influencues. Ka nisur veçanërisht me Obamën dhe kulminoi me Presidentin Trump por mendohet se do ketë një rol determinues në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA dhe natyrisht në pjesën tjetër të botës që zakonisht influencohet me shpejtësi nga trendet e krijuara në Amerikë. Një shembull i kësaj është sesi firma i360 gradë e vëllezërve Koch, manjatëve të famshëm konservatorë të Las Vegasit, ka vite që ka ndërtuar profilet e mbi 250 milionë amerikanëve për të bërë të mundur që mesazhi specifik dhe i targetuar për secilin prej tyre të ndarë në kategoritë përkatëse të përputhet me kërkesat specifike të partive politike, në rastin konkret të Partisë Republikane, duke u nisur nga afilacioni politik i vëllezërve, të cilët janë sipërmarrës të fuqishëm që njihen si mbështetës të paepur të konservatorizmit. Këto të fundit natyrisht janë të limituara dhe të varura nga lobistë dhe suportues të fuqishëm si vëllezërit në fjalë, pasi nuk kanë as mundësitë financiare dhe as organizative, sidomos për parti të mirëfillta elektorale pa një bazë të gjerë anëtarësimi militant (thjesht regjistrimi formal të anëtarësisë së tyre).

Rrjetet sociale padyshim kanë një rol gjithnjë dhe më influencues në jetët tona të përditshme. Instagram fjala bie po përdoret gjithnjë e më tepër për marketing produktesh dhe promovim biznesesh dhe markash, përfshirë brandin personal që në një botë gjithnjë dhe më të ndërvarur nga fuqia e network-ut për të bërë përpara, është kthyer në imperativ kryesor të jetës sociale dhe ekonomike të gjithsecilit. Apo një studim i kohëve të fundit i cili tregon që me 300 pëlqime (likes), Facebook (nëpërmjet algoritmeve të tij) të njeh më mirë se partneri yt dhe me shumë më pak pëlqime të njeh më mirë sesa familjarët e tjerë, miqtë dhe rrethi i të njohurve.

Rreth 126 milionë njerëz u ekspozuan ndaj lajmeve propagandistike të përhapura nga grupe fejsbuku që mbështeteshin nga Rusia, sikundër ka zbuluar vetë kompania së fundmi. Dje Zuckerberg, në takimin para euro-parlamentarëve kërkoi falje duke u shprehur se nuk kishin bërë mjaftueshëm për të parandaluar që kompania e tij të përdoret nga të tretët për të shkaktuar dëm. Por në ditët e para të Facebook Zuckerberg në një deklaratë të papjekur dhe për të cilën tashmë do të jetë bërë pishman, kur e pyetën se pse njerëzit duhet tí dorëzonin atij informacionin e tyre personal, u përgjigj me sarkazëm “Ata më besojnë—budallenjtë e gjorë” (ang. they trust me - dumb fucks).

Nga ana tjetër, përdorimi gjithnjë e më i gjerë i trolls (i provokuesve të internetit të cilët futen në grupe me qëllime përçarje dhe dizinformimi apo përdorimi i adresave të rreme dhe jo të personalizuara të cilat shpërndajnë “fake news” janë kthyer në mjete të fuqishme propagandistike të përdorura me efikasitet veçanërisht nga rusët për të ndikuar zgjedhjet, sikundër u demonstrua së fundmi nga fushata Brexit në Angli, në Gjermani dhe Spanjë. Ngelet vetëm për t’u parë nëse në fushëbetejën e informacionit (information warfare) do të ketë apo jo viktima në masë apo do të ketë një fushatë ndërgjegjësimi e mpleksur me rregulla të qarta loje. Kjo në mënyrë që manipulimi për llogari të të tretëve, qofshin këta aktorë politikë apo shumëkombësh tregtar dhe financiar mos të bëhet në dëm të qytetarit-konsumator dhe të ruhen premisat bazë të demokracisë dhe të drejtës për zgjedhje të lirë.

 

Roli i medias në shpërndarjen e informacionit

Sot në botë po bëhet gjithnjë e më tepër objekt debati fakti që në gazetari rëndom po haset modeli i "gazetarisë së verdhë" ku përzierja e sensacionit, kronikës së zezë, karikaturave dhe thashethemeve për vipa, po i lë vend përherë e më pak gazetarisë investigative, analizave me thelb dhe shtypit të angazhuar.

Natyrisht ky nuk është një trend i viteve të fundit apo edhe dekadave të fundit. Është një proces i ngadaltë që ka nisur mbi një shekull më parë. Për shembull, ja ç’shkruan Horace White, një nga shtetarët më të vlerësuar të gazetarisë amerikane, në vitin e largët 1904: “Kur hyra në gazetari, shtypi i vendit ishte i pastër, dinjitoz dhe me mendje të kthjelltë. Kishte synime politike, letrare, shkencore, sociale, fetare, reformuese e të tjera si këto. Por të fituarit e parave duke spekulluar me veset dhe marrëzitë e komunitetit, dhe duke shtuar kështu masën e vesit dhe marrëzisë kolektive, ishte përgjithësisht e paimagjinueshme” (Leman 2020).

Sot shtypi po ndryshon më shpejtësi marramendëse. Për shembull, Abramson (2019) në librin e tij të fundit “Tregtarët e së Vërtetës” na tregon se punësimi në redaksitë e gazetave u ul me 45%nga 2008 në 2017 — dhe me 60%nga 1990 në 2016 në SHBA. Qarkullimi i paguar i gazetave ka rënë nga 62.5 milion në vitin 1968 në 34.7 milion në 2016, ndërsa popullsia e vendit ka ardhur duke u rritur me 50%. Vetëm midis 2007 dhe 2016, të ardhurat nga reklamat e gazetave, burimi i tyre i madh i të ardhurave, ranë nga 45.4 miliardë dollarë në 18.3 miliardë dollarë (deri në vitin 2016 Google ishte duke bërë rreth katër herë të ardhurat nga reklamat e gjithë industrisë amerikane të gazetave). Pothuajse 1 800 gazeta, shumica prej tyre javore lokale, janë mbyllur që nga viti 2004. Ky kolaps është veçanërisht domethënëse sepse gazetat ishin tradicionalisht atje ku punonin shumica e gazetarëve amerikanë, dhe ku bëhej raportimi më origjinal.

Nga ana tjetër, ngjashëm si në futboll, ku klube të rëndësishëm europianë janë blerë dhe po vijojnë të blihen nga sheikë arabë (si psh Manchester City apo Paris Saint Germain), edhe në gazetari, manjatë të fuqishëm prej kohësh kanë filluar të bëjnë investime strategjike në media tradicionale të cilat kanë pasur vështirësi ekonomike apo menaxhimi financiar. Për shembull, kompania Washington Post ia shiti gazetën Jeff Bezos në 2013 për çmimin e volitshëm prej 250 milion dollarë, pas vitesh shkurtimesh që gjithsesi nuk arritën t’i rimëkëmbnin financat e saj dhe pasi i kishte shitur publikimin e simotrës së saj, Newsweek, Sidney Harman-it në 2010 për vetëm një dollar. Qarkullimi i Newsweek, dikur më shumë se katër milion, tani është 100 000. Ndërsa e mirënjohura Time Magazine, pas një seri ndryshimesh të pronësisë dhe shumë shkurtimeve, u ble nga Marc Benioff, themeluesi i Salesforce.com, për 190 milion dollarë në 2018. Los Angeles Times u shit në kompaninë Tribune në vitin 2000, dhe në 2018, shumë shkurtime më vonë, te Patrick Soon-Shiong, një investitor i pasur, i cili gjithashtu bleu The San Diego Union-Tribune. CBS kaloi nëpër disa shitblerje dhe tani është rrjeti i lajmeve në vendin e tretë. Ndryshime këto që pasojnë atë të Huffington Post-it në 2011 që u ble nga AOL (kompani që sot nuk ekziston më) për shumën rekord të 315 milionë dollarëve, një shumë e jashtëzakonshme kjo për Ariana Hufingtonin, ish-studenten greke të diplomuar në Cambridge për shkenca politike që kishte ngritur blogun e saj tejet të suksesshëm në një kohë rekord.

Disa media tradicionale janë ringritur bindshëm, si New York Times, që pasi bëri me pagesë faqen e saj online (pas një numri të caktuar artikujsh falas në muaj) duke ndjekur kësisoj shembullin e suksesshëm të Wall Street Journal, The Economist apo Financial Times, sot raporton 3.5 milionë abonues dixhitalë dhe ka përforcuar bindshëm financat e saj. Times, nga llogaria e vet, po zbret shumë pajtimet e tij dixhitale (abonenti mesatar paguan pak më pak se 12 dollarë në muaj), dhe si kompani prodhon marzhe fitimi pak më pak se 10%, krahasuar me gati 40%të Facebook (të ardhurat neto të Times në 2018 ishin 126 milion dollarë, përkundrejt 22 miliardë dollarëve të Facebook). Për shkak të cilësisë dhe shtrirjes së saj, është në një kategori shumë të vogël. Rrjetet sociale si Facebook kanë arritur të krijojnë një gati monopol jo vetëm në filtrimin dhe trafikun e lajmeve duke përzgjedhur dhe të preferuarat sipas marrëveshjeve të biznesit por arrin të prodhojnë dhe vetë lajme apo të përcaktojnë se cilat janë të ligjshme-legale (mainstream) dhe cilat fake (lajme të rreme). Natyrisht gjithë kjo përkthehet në industri shumë-miliardë dollarëshe e cila në një botë përherë e më të ndërlidhur kërkon lajme përherë e më të shpejta.

Megjithatë të tjerë e shohin me disi më tepër optimizëm këtë fenomen. Për shembull, një raport të ri të quajtur “Për gazetarinë amerikane, e ardhmja është më e ndritshme se sa mendoni”, nga Boston Consulting Group, thotë shprehimisht se: “gazetaria ka përfituar nga forma të ndryshme të subvencionit, mbështetjes dhe dashamirësisë” (Leman 2020). Ndoshta është jo rastësore që historikisht Times, Post, dhe Wall Street Journal ishin të kontrolluar dhe operuar nga familje të vetme, me motive dhe misione që shkonin përtej maksimizimit të fitimit. Një gjeneratë e re e miliarderëve, përfshirë Jeff Bezos, Patrick Soon-Shiong dhe Marc Benioff, duket se po hyjnë në një rol të ngjashëm në pronësinë e tyre përkatësisht të Washington Post, Los Angeles Times, dhe revistës Time.

Problemi me patronët e pasur apo oligarkët siç i quajmë këtejpari, është se shpesh kanë synime politike apo financiare që cenojnë pavarësinë editoriale. Axhendat e tyre shpesh private ndonjëherë janë të kithëta me ato të publikut. Ndaj roli rregullator, gjithnjë kur është i vet-rregulluar nga vetë mediat dhe jo i diktuar në formë qeveritare nga qeveria, siç po ngjet në rastin shqiptar, është rruga e domosdoshme për të pasur një media të lirë, informative dhe me mision interesin publik. Sepse media si pushtet i katërt është një garanci shtesë për mos-kapje të pushtetit.

 

Transformimi i medias në epokën dixhitale

Transformimi global i medias po pëson një revolucion si në lloj, ashtu edhe në strukturë. Veçanërisht domethënës është metamorfoza që po pëson shtypi i shkruar përkundër konkurrencës gjithnjë në rritje të botës televizive dhe mbi të gjitha internetit dhe aftësisë së tij divulgative nëpërmjet burimeve të shumëfishta në kohë reale që ofron. Revolucioni me risitë e tij në teknologji, infrastrukturë ka ndikuar jo pak në llojin dhe shpërhapjen e informacionit duke i rritur autonominë dhe vendosur në plan të parë lexuesin i cili tashmë është i lirë të zgjedhë kur dhe si të dojë të lexojë diçka. Madje jo vetëm kaq por nëse dikur të duhej të shkoje te faqja e gazetës apo revistës së preferuar, sot vijnë ato te ti, mundësuar natyrisht nëpërmjet rrjeteve sociale ku ti u bashkangjitesh atyre që të pëlqejnë dhe link-et përkatëse të vijnë sipas preferencave, gjë e cila rregullohet tashmë kollaj falë algoritmeve të fuqishëm dhe përherë dhe më të sofistikuar.

Nga ana tjetër kjo e demokratizon shpërhapjen e informacionit, duke qenë se gjithkush mund të jetë në të njëjtën kohë jo vetëm lexues apo ndjekës pasiv i lajmit, por mund të jetë në të njëjtën kohë edhe krijues apo raportues i lajmit. Gjithkush i pajisur me kamera, mund të fiksoj diçka në kohë reale, ta komentojë, të sintetizojë një lajm dhe ta hedhë me shpejtësi në rrjet. Madje, së fundmi, edhe në Shqipëri, tendenca ka filluar të shihet përherë e më qartë e një ndikimi në rritje të rrjeteve sociale te media mainstream ku kjo e fundit shpesh ndan materialet e hedhura kuturu në faqet personale të blogerëve të spikatur.

Ashtu sikundër Silicon Valley në Kaliforni ka qenë laboratori ku u prodhua industria e dot com-eve dhe revolucioni teknologjik, edhe New Yorku po kthehet me shpejtësi në një tokë pjellore në revolucionin e masmedias online nga faqet e njohur ndërkombëtarisht Huffington Post apo Bussines Insider, deri te ato më specifike për tregun amerikan si The Daily Beast, the Intercepter, ProPublica, Talking Points Memo apo e shumë-diskutuara BuzzFeed. Ky model po përhapet me shpejtësi anembanë globit, ku përherë e më tepër individë të spikatur, apo skuadra të vogla të përbërë nga gazetarë dhe reporterë kanë krijuar media alternative, qofshin të karakterit investigues, sintetizues apo analitikë, apo edhe një përzierje të këtyre kategorive. Në Shqipëri sajte të tillë si BIRN apo deri diku respublica deri pak kohë më parë i përgjigjen këtij profilizimi. Ndërkohë që dhe gazetaria print njëkohësisht po mundohet të sjellë një qasje krejtësisht ndryshe në formatin online për të tërhequr gjithnjë e më tepër lexues, mundësisht të ndryshëm nga tipologjia e lexuesit tradicional që nxiton për të blerë gazetën e mëngjesit. Shembulli kryesor këtu është Balkanweb si faqja shqiptare me më shumë klikime sipas alexa.com por edhe boldnews.al, syri.net, lapsi.al dhe të tjerë.

Transformimi i medias nga printi në median online ka cekur jo vetëm atë tradicionale me gazetat e njohura që lexohen shumëfish sot më tepër në rrjet se të printuara por disa madje kanë guxuar qysh herët për të vendosur abonime me pagesë për artikujt si Wall Street Journal apo Financial Times dhe të tjerat e kanë ndjekur me shpejtësi, ku faqet e New York Times, The Economist etj., të lejojnë të lexosh vetëm një numër të kufizuar artikujsh falas, ndërsa pjesa tjetër vjen e ofruar kundrejt abonimeve me afate të caktuara. Por kjo nuk do të thotë që roli i gazetës apo revistës në print ka përfunduar dhe po kalojmë automatikisht në epokën dixhitale me një kapërcim të vetëm pindarik. Madje dhe pionerët më avantguardë të dixhitalizimit dhe stinës së re të epokës virtuale, nuk kanë guxuar të mendojnë një Rubikon të tillë që do të mundësonte kalimin sakaq nga bota e Gutenbergut në atë të Steve Jobsit dhe Gates në gazetari me një të rënë të lapsit. Më tepër duken si komplementare dhe të detyruara të bashkëjetojnë në një martesë jo-konvencionale e cila për ata që kanë ditur ta kuptojnë dhe parashikojnë trendet në avancë, ka sjellë më të mirën e të dy botëve. Madje kjo i ka fuqizuar gazetat e fuqishme tradicionale si ato të përmendura më sipër, duke u sjellë lexues të dyfishtë: ata të cilët nuk heqin dorë kurrsesi nga aroma e letrës që shfletohet tok me kafenë e mëngjesit dhe ata të cilët preferojnë të marrin përgjatë gjithë ditës lajmin në smartphonet e tyre nga burime të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.

Përsa i përket thelbit të gazetarisë, që është hulumtimi i pavarur i fakteve dhe investigimi i së vërtetës në lidhje me një ngjarje, duhet thënë që prej kohësh ka ndryshuar qoftë në formë, ashtu edhe në strukturë. Umberto Eco në librin e tij të fundit Numri Zero, por edhe në një intervistë dhënë Corriere dela Sera fill më pas, i mëshon për shembull faktit që gazetaria investigative në Itali mori goditje të fortë dhe të parikuperueshme me skandalin Tangentopoli, për shkak se nëse deri atëherë gazetarët e ndiqnin një çështje në vijë paralele me sistemin gjyqësor, pikërisht për shkak të një mosbesimi të fortë ndaj këtij të fundit, pas vënies pas hekurave të një pjese të mirë të funksionarëve të korruptuar të drejtësisë, zunë të flinin mbi dafina. Që do të thotë se nisën t’i merrnin të gatshme raportimet dhe dosjet nga vetë funksionarët e rinj (sikundër marrin gazetarët kasetat gati të montuara nga politikanët këtej nga ne) dhe kjo punë u erdhi për mbarë dhe ranë në kurthet e rehatisë pa marrë mundimin e verifikimit të lajmit, konfirmimit të tij nga tre burime e të tjera kanone të gazetarisë, të cilat përfshihen në deontologjinë e zanatit. E njëjta gjë mund të thuhet për gazetarinë amerikane pas skandalit të Watergate, apo për atë britanike ku një pjesë e mirë e shtypit të shkruar që shitet më tepër është kthyer edhe në tabloide, natyrisht me përjashtime të rëndësishme si The Indipendent dhe The Guardian, të cilat janë etalon i gazetarisë serioze.

Natyrisht kësaj nuk i ka shpëtuar as shtypi shqiptar, ku ndonjëherë në përpjekje për të “peshkuar” lexues, edhe gazeta dhe revista serioze, flirtojnë me elementin rozë, duke u kthyer në gjysmë-tabloide dhe duke tentuar simbioza që synojnë të zgjerojnë maksimalisht gamën e të interesuarve duke iu përshtatur kategorive të ndryshme lexuesish. Në mënyrë të veçantë i kushtohet vëmendje kategorisë së të rinjve, të cilët për hir të së vërtetës lexojnë përherë e më pak apo preferojnë ta marrin lajmin në forma dhe mënyra sensacionale, shpesh larg formave tradicionale, si lajmeve të trajtuara me thellësi apo komente që kërkojnë një background kulturor të caktuar. Gjithsesi, media e shkruar në Shqipëri ka dhënë prova përshtatjeje dhe mbijetese, duke iu përshtatur modeleve simotra gjetkë, edhe në kushtet e një rivaliteti përherë dhe më dinamik me rrjetet sociale, median alternative, blogjet e ndryshme etj, natyrisht pa harruar këtu aspak botën televizive dhe sfidat e saj përherë prezente, veçanërisht në një vend me kaq shumë pluralitet shtypi të shkruar dhe viziv që herë-herë merr forma inflacioniste, ndonëse personazhet janë po ata.

 

Përfundime

Lajmet e rreme po krijojnë gjithnjë e më tepër një terren të pasigurt, një tokë të rrëshqitshme, ku krijimi i opinioneve të qëndrueshme që reflektojnë një fibër morale në shoqëri po kthehet gradualisht në mision të pamundur. Në të njëjtën linjë, informacioni shpesh është dezinformim apo manipulim me dashje i opinionit publik. Ose së paku synon segregacione mes grupeve të ndryshme shoqërore të cilat mund të shfrytëzohen fare mirë nga shtete të huaj armiqësorë, nga politikanë demagogë, nga pronarë mediumesh të fuqishme mediatikë me interesa klienteliste e me radhë. Publiku shihet përherë e më tepër si treg konsumator dhe ku ajo që Xhon Stuart Mill e quante dikur një “marketplace of ideas”, ku idetë do ballafaqoheshin hapur në agorën publike dhe do filtroheshin ato më të emancipuarat duket si ëndrra e një nate vere por aspak e përkueshme me realitetin.

Pa dashur të biem në kurthin e përshkrimit të një realiteti distopik, duhet thënë që patjetër duhet të ketë filtra për të mos lejuar penetrimin e fortë të lajmeve të rreme dhe të ashtuquajturave fakte alternative, bllokim me ligj të trolleve të prodhuara shpesh në territore shtetesh të tjerë dhe një vëmendje të veçantë ndaj shpifjes dhe hedhjes baltë pa limit me qëllim denigrimin e kundërshtarëve politik. Por nga ana tjetër duhet po aq kujdes që mos të biem në kurthin e trajtimit të lajmit si propagandë, të censurimit të opinioneve të lira, të manipulimit të informacionit dhe shtrëngesave të tjera me natyrë ligjore ose jo që i vihen fjalës së lirë. Një e drejtë kjo po aq natyrore sa e drejta e jetës, pronës dhe besimit.

 

Dr. Ilir Kalemaj, tetor 2020 Tiranë

*Dr. Ilir Kalemaj, është pedagog i shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e New York Tirana. Dr. Kalemaj ka një Ph.D nga Universiteti i Evropës Qendrore (CEU). Ekspertiza e tij është kryesisht në fushat e politikës krahasuese & marrëdhënieve ndërkombëtare.

Referencat

 

Abramson, Jill.  Merchants of Truth: The Business of News and the Fight for FactsSimon & SchusterFebruary 5, 2019.

 

Allcott, Hunt and Matthew Gentzkow. Social Media and Fake News in the 2016 Election. Journal of Economic Perspective. Volume 31, Number. Spring 201. Pages 211–236. Marrë nga: https://web.stanford.edu/~gentzkow/research/fakenews.pdf 2017

 

Bovet, Alexandre & Hernan A. Makse. Influence of fake news in Twitter during the 2016 US presidential election. Nature Communications, 10, Art. No. 7. 2019.

Leman, Nicholas. “Can Journalism be Saved?” The New York Review of Books. 27 February 2020.

 

Tukefci, Zeynep. It's the (Democracy-Poisoning) Golden Age of Free Speech. Wired. https://www.wired.com/story/free-speech-issue-tech-turmoil-new-censorship/?CNDID=50121752 16 January 2018

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk