Prirjet transatlantike 2013

Prirjet transatlantike 2013

 

Marrëdhëniet transatlantike dhe këndvështrimet globale: Skepticizëm i lartë ndaj rolit të Kinës dhe Rusisë vs interes ekonomik në rritje për vendet aziatike në tërësi
Për vitin 2013, të dy palët e komunitetit transatlantik (SHBA dhe Europë) e mbështetën lidershipin e fortë amerikan dhe europian në çështjet botërore. Më shumë se 55% e europianëve thanë se ishte e dëshirueshme një udhëheqje më e fortë e SHBA-ve në çështjet botërore. Megjithatë, këndvështrimet e europianëve për udhëheqjen e SHBA-ve variojnë: në shtete si Polonia mbështetja për SHBA-në në opinionin publik u rrit me 7%, ndërsa në shtete si Spanja opinioni pozitiv për këtë aktor botëror pësoi ulje me 10%. Nga ana tjetër, 57% e amerikanëve (6% më pak se vjet) u shprehën se ishte e dëshirueshme një udhëheqje e fortë e Bashkimit Europian. Brenda BE-së, mbështetja për të si aktor global u rrit në Mbretërinë e Bashkuar me 5%, por u ul në Spanjë me 11% dhe Francë 8%.

Një shumicë amerikanësh prej 46% si dhe 65% e europianëve vlerësojnë udhëheqjen ruse globale si të padëshirueshme. Të pyetur për herë të parë mbi udhëheqjen globale kineze, 47% e amerikanëve, dhe 65% e europianëve u shprehen negativisht dhe shtuan se Kina paraqet një kërcënim ekonomik për komunitetin transatlantik. Pyetjes nëse “shtete si Kina, Japonia, dhe Korea e Jugut janë shtete më me interes kombëtar për Amerikën sesa Europa”, përgjigjet ishin të baraspeshuara. Konkretisht, 45% e amerikanëve shohin vendet aziatike me interes më të lartë për vendin e tyre dhe 44% shohin me interes të lartë për SHBA-në shtetet europiane. Ndërkohë që dy e treta e europianëve konsiderojnë me interes më të lartë kombëtar SHBA-në se Azisë. Anketuesit u shprehën optimistë për potencialin ekonomik bashkëpunues të shteteve si India, Brazili dhe Indonezia. Mbështetje më entuziaste lidhur me këto vende rezulton në Holandë (73%), po ashtu në Spanjë, Gjermani dhe Suedi.

Kriza ekonomike dhe tregtia
Shumica dërrmuese e europianëve (65%) dhe e amerikanëve (75%) vazhdojnë të raportojnë se ndihen personalisht të prekur nga kriza ekonomike. Shifrat pësuan rritje në Francë dhe Poloni me 12%. Vetëm 25% e amerikanëve dhe 15% e europianëve u shprehën seë sistemi ekonomik funksiononte ndershmërisht për të gjithë. Në Itali dhe Portugali sistemi perceptohet si i pandershëm në masë thuajse plebishitare (93%).

Shumica e qytetarëve në Europë dëshiron të rriten shpenzimet për mirëqenien, shkencën, teknologjinë dhe edukimin, transportin dhe infrastrukturën. Ndërkohë shumica e amerikanëve preferojnë të ruajnë stabël shpenzimet në transport dhe infrastrukturë por t’i rritis në shkencë, teknologji dhe edukim. Gjysma e të anketuarve amerikanë aprovuan politikat e jashtme të Barak Obamës, por nuk aprovuan menaxhimin e ekonomisë. Shumica e amerikanëve shprehen se janë prekur personalisht nga kriza ekonomike. Në të njëjtën kohë, një shumicë po aq domethënëse favorizonte shkurtimin e shpenzimeve. Ndërkohë që shtetet anëtare të BE-së mbeten mbështetëse të unionit si një i tërë, të anketuarit europianë shpalosën një besim në rënie për qeverisjen ekonomike europiane. Konkretisht, 64% e europianëve u shprehën se nuk e aprovojnë menaxhimin e politikave ekonomike të qeverive përkatëse. Në përgjigjet e tyre, europianët kanë reflektuar se kancelaria gjermane Angela Merkel ka bërë një punë më të mirë në përballimin e krizës ekonomike sesa BE. Një shumicë në rritje në Europë e kundërshton kontrollin e BE-së mbi politikat ekonomike dhe buxhetore të shteteve anëtare, ndërkohë që të anketuarit shprehën ndjesi negative në rritje mbi rolin që ka luajtur euro-ja. Vetëm në Gjermani, Rumani dhe Sllovaki qytetarët besojnë se euro ka vlejtur pozitivisht për ekonomitë e tyre. Përsa i përket marrëdhënieve tregtare, 56% e të anketuarve në BE dhe 49% e të anketuarve në SHBA u përgjigjën se rritja e tregtisë transatlantike dhe investimeve do të ndihmojë ekonomitë të rriten.

Siguria transatlantike
NATO perceptohet si thelbësore për 58% të të anketuarve europianë dhe 55% të amerikanëve, pasi është një aleancë e shteteve demokratike që duhet të veprojnë së bashku. Minoriteti i të anketuarve që nuk e konsideronin më NATO-n si esenciale për sigurinë, u shpreh se shteti i tyre duhet të ketë aftësinë t’i marrë vetë vendimet e veta ushtarake. Po ashtu 32% e amerikanëve u shprehën se Europa duhet të kujdeset vetë për sigurinë e saj.

NATO do të mbyllë misionin në Afganistan në vitin 2014, por disa trupa mund të qëndrojnë për të trajnuar ushtrinë kombëtare afgane dhe forcat policore. Të pyetur nëse e aprovonin këtë kontribut nga vendi i tyre, 54% e amerikanëve dhe 53% e europianëve u shprehën se po. Të pyetur nëse aprovonin që avionë të telekomanduar të përdoren për vrasjen e armiqve të dyshuar në vende si Afganistani dhe Pakistani, 71% e amerikanëve aprovuan, ndërkohë që 53% e europianëve nuk pranuan. Në lidhje me shpenzimet ushtarake, 38% e europianëve kërkonin të ulnin shpenzimet, ndërkohë që 26% e amerikanëve e dëshironin këtë. Për sa i përket rebelimeve në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore, një shumicë prej 58% nga Europa dhe 47% nga SHBA mbështesnin demokracinë dhe stabilitetin. Pyetur për dëshirën e ndërhyrjeve në Siri, shumica në BE dhe SHBA u shprehen se vendet e tyre duhet të qëndronin plotësisht larg konfliktit në Siri. Për çështjen e ndalimit të Iranit në sigurimin e armëve bërthamore, 29% e amerikanëve dhe 32% e europianëve preferonin vendosjen e sanksioneve ekonomike. Të pyetur për herë të parë në lidhje me armët bërthamore të Koresë së Veriut, qytetarët dhanë përgjigje të krahasueshme me çështjen e ndalimit të armëve bërthamore në Iran.

Lëvizshmëria, imigracioni dhe integrimi
A është imigracioni një problem apo një mundësi? 44% e europianëve e shohin imigracionin ne vendin e tyre më shumë si një problem, ndërsa 41% e tyre si një mundësi. Ndërkohë që 47% e amerikanëve e shohin si problem, dhe 46% si mundësi. Një shumicë prej 73% në SHBA dhe 69% në Europë ranë dakot se nuk ishin të shqetësuar për imigrimin e ligjshëm. Ndërkohë u evidentua se pothuajse të gjithë anketuesit e mbivlerësonin përqindjen e imigrantëve në vendet e tyre. Shumica në SHBA dhe Europë pohojnë se imigrantët e gjeneratës së re ishin integruar, ndërkohë që pritshmëritë për gjeneratat e tjera ishin më pozitive. Të dyja palët ishin të pakënaqura me menaxhimin e politikave të imigracionit nga ana e qeverive të tyre. Rreth dy të tretat e amerikanëve dhe europianëve bien dakord se “imigrantët ndihmojnë në mbushjen e vendeve të punës ku ka mungesë punëtorësh”. Të pyetur nëse imigrantët janë kërcënim për kulturën e tyre kombëtare, 69% e europianëve dhe 64% e amerikane e mohuan një gjë të tillë.

Stafi i EuroSpeak, tetor 2013

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk