Integrimi i të huajve në Shqipëri – sfidat dhe mangësitë

Integrimi i të huajve në Shqipëri – sfidat dhe mangësitë

 

***

Por Shqipëria është edhe vend pritës, edhe pse numrat e të huajve në Shqipëri janë relativisht të vogla në krahasim me të emigrantëve, përsëri ato mbeten fakt. Sipas INSTAT në 2019 numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri rezultoi 13 507 banorë, ku 55% e tyre janë në Shqipëri për arsye punësimi. Pjesa më e madhe e të huajve janë nga Italia, ndjekur nga Turqia e Kosova, ndërkohë që të huajt nga Europa përbëjnë 66.4% të gjithë totalit (INSTAT, 2020). Teksa parashikohet që në të ardhmen këto numra do të vazhdojnë të rriten, sipas INSTAT nga 2009 në 2019 numri i të huajve me leje qëndrimi në vendin tonë është dyfishuar, Shqipërisë do ti duhet të fokusojë politikat dhe aksionet e saj dhe ndaj imigracionit, ku fokus kryesor duhet të ketë ndaj politikave të integrimit të të huajve në vendin tonë. Ky është gjithashtu dhe një kusht e detyrim për tu realizuar edhe në kuadër të procesit të integrimit europian.

Në këtë kuadër u zhvillua dhe edicioni i pestë i MIPEX – Indeksi i Politikave të Integrimit të Migrantëve, zbatuar nga Migration Policy Group dhe CIDOB me fokus periudhën 2014-2019 dhe analizimin e këtyre politikave në 52 vende të botës, duke përfshirë të gjitha vendet e BE dhe tre vende nga Ballkani Perëndimor – Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Indeksi është një mjet i nevojshëm për të vlerësuar dhe krahasuar se çfarë janë duke bërë qeveritë e këtyre vendeve për të mundësuar dhe promovuar integrimin e migrantëve në shoqëri. Kjo realizohet duke analizuar ligjet, vendimet, strategjitë dhe politikat e miratuara. Më konkretisht fushat që MIPEX merr ne shqyrtim janë tetë: tregu i punës; arsimimi; bashkimi familjar; përfshirja politike; qëndrimi i përhershëm; dhënia e shtetësisë; anti-diskriminimi dhe shëndetësia. Duke vlerësuar vetëm ligjet, strategjitë, vendimet e miratuara ky indeks arrin të vendos pikë për secilën nga fushat dhe të japë një panoramë të situatës së integrimit të të huajve në vendet e shqyrtuara- 52 në total. Vendet europiane që përfshihen në dhjetëshen më të mirë – pra ato vende që ofrojnë një integrim gjithëpërfshirës të të huajve janë: Suedia(86), Finlanda(85), Portugalia(81), Belgjika(69), dhe Irlanda(64) (MIPEX2020).

Nga 100 pikë maksimumi, Shqipëria për vitin 2019 është vlerësuar me 43 pikë. Ajo ka të njëjtin vlerësim si Hungaria dhe Turqia, ndërkohë që shtete si Greqia, Bullgaria, Polonia, Sllovakia, Qipro, Lituania, Letonia apo Kroacia vlerësohen më dobët se Shqipëria. Ajo ka një performancë më pozitive në fushat e dhënies së shtetësisë dhe në politikat për bashkim familjar të vlerësuara si deri diku favorizuese. Në Shqipëri të huajt kanë të drejtë të aplikojnë për bashkim familjar menjëherë nëse ata plotësojnë kriteret ekonomike, që nënkupton që duhet të kenë burime të mjaftueshme financiare për veten dhe familjen, pra që të mos të mos kërkojnë asistencë nga shteti, dhe të përmbushin ato të një strehimi të përshtatshëm që plotëson kriteret e sigurisë dhe higjienës. Gjithsesi ata kanë pengesa për bashkimin me disa tipologji familjarësh, si për shembull me gjyshërit apo me fëmijët e aplikantit/es kur ata kanë kaluar moshën 30 vjeçare (Ligji 108/2013 i ndryshuar). Sa i përket marrjes së shtetësisë është e ditur që ky proces është i thjeshtë duke e renditur Shqipërinë në 10 vendet me politikat më liberale sa i përket marrjes së shtetësisë, nga 52 të tilla.

Politikat për qëndrim të përhershëm, të tregut të punës dhe ato të anti-diskriminimit vlerësohen si gjysmë favorizuese, ku ekzistojnë një sërë masash por ka dhe mungesa dhe boshllëqe në disa aspekte të tjerë në këto fusha. Për politikat e qëndrimit të përhershëm vlerësohet si pengesë periudha e qëndrimit në Shqipëri para se i huaji të ketë të drejtë të aplikojë për leje qëndrimi, që është minimumi 5 vite. Sa i përket politikave të tregut të punës është evidentuar që mungojnë programet dhe trajnimet e synuara për të huajt në mënyrë që integrimi i tyre në tregun e punës të jetë sa më i lehtë. Dhe në lidhje me politikat e anti-diskriminimit edhe pse ekziston një ligj i mirë dhe një autoritet posaçërisht për luftën kundër diskriminimit siç është Komisioneri për anti-Diskriminimin, ligji nuk e parashikon saktësisht mbrojtjen nga diskriminimi për shkak të kombësisë apo shtetësisë, duke u ndalur vetëm te etnia, feja dhe raca.

Ndërkohë që problematikat më të mëdha hasen në fushat e shëndetësisë; edukimit dhe përfshirjes politike. Edukimi vlerësohet si deri diku jo favorizues, ku problematikat më të mëdha janë sidomos te qasja e të huajve në arsimin e lartë dhe te mungesa e mbështetjes që u bëhet shkollave për të qenë të hapura të përfshijnë fëmijë të huaj. Shëndetësia dhe pjesëmarrja politike janë dy politikat ku vlerësimi është negativ për Shqipërinë: të vlerësuara si jo favorizuese për të huajt që jetojnë e punojnë në Shqipëri. Sistemi shëndetësor shqiptar ka mjaft problematika, dhe shpeshherë qasja në këtë sistem bëhet e vështirë edhe për vet qytetarët shqiptarë, në këtë rrjedhë qasja për migrantët në Shqipëri bëhet edhe më shumë e vështirë. Shqipëria renditet e treta nga fundi i listës me 52 shtete, sa i përket sistemit shëndetësor dhe mundësive që u ofrohen të huajve. Edhe pse të huajt në varësi të disa kushteve që lidhen me sigurimet mund të kenë akses në shëndetësi mungon plotësisht informacioni dhe suporti për ti ndihmuar ata që të kenë mundësi të përfitojnë nga shërbimet në këtë sistem. Sa i përket përfshirjes në politikë, të huajt nuk kanë të drejtë të votojnë në zgjedhjet lokale, edhe pse ata kanë të drejtë të përfshihen në organizime apo parti politike. Gjithashtu mungojnë politikat dhe strategjitë për ti informuar ata për mundësitë politike që vendi ynë ofron.

Integrimi i të huajve në Serbi dhe Maqedoni e Veriut – krahasimi me Shqipërinë

Përveç Shqipërisë, dy vende të tjera të Ballkanit Perëndimor të marra në shqyrtim nga MIPEX janë edhe Serbia me Maqedoninë e Veriut. Më shumë ngjashmëri Shqipëria ka me Maqedoninë e Veriut, ndërsa Serbia paraqitet më mirë në këtë vlerësim edhe pse të tre vendet shfaqin problematika dhe performanca të ndryshme. Kështu Maqedonia e Veriut vlerësohet me 42 pikë, ndërkohë që Serbia me 50 pikë (kjo është dhe mesatarja e MIPEX52). Gjithashtu në krahasimin e pikëve në pesë vite, Shqipëria është rritur vetëm më një pikë, nga 42 në 2014, në 43 pikë në 2019. Maqedonia e Veriut nuk ka bërë fare progres, ndërsa Serbia është rritur me 5 pikë. Serbia paraqitet më mirë te Arsimi dhe Tregu i Punës; ndërkohë që të tre vendet kanë pothuaj të njëjtët performancë sa i përket Bashkimit Familjar e vlerësuar si politikë deri diku favorizuese dhe politikat e Shëndetësisë, vlerësuar si deri diku jo favorizuese për Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe jo favorizuese për Shqipërinë. Ndërkohë sa i përket politikave të Anti-Diskriminimit, ndryshe nga Shqipëria që renditet shumë mbrapa tyre Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë performancën më të mirë të vlerësuar pozitivisht si vende politikat e të cilëve janë favorizuese për të huajt. Shqipëria performancë më të mirë se këto dy vende ka në politikat e Qasjes ndaj Shtetësisë, ku Serbia dhe Maqedonia e Veriut kane një performancë shumë të dobët e vlerësuar si jo favorizuese; dhe te Pjesëmarrja Politike, që në krahasim me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut Shqipëria gjendet pak më mirë por për te tre vendet vlerësimi është që politikat janë jo favorizuese apo deri diku jo favorizuese.

Nëse këto politika do ti përfshinim në tre kategori madhore ato do të ndaheshin në: të drejta bazike ku përfshihen politikat që lidhen me të drejtat e punës dhe anti-diskriminimi; mundësi të barabarta ku mund të përfshihen politikat që lidhen me arsimin, shëndetësinë dhe pjesëmarrja në politikë dhe e ardhme e sigurt ku përfshihen politikat e shtetësisë, qëndrimit të përhershëm dhe bashkimit familjar. Të tre shtetet kanë një performancë më të dobët sa i përket kategorisë së mundësive të barabarta ku Maqedonia e Veriut ka vetëm 18 pikë, Shqipëria 23 dhe Serbia 33, çka nënkupton që këto politika janë jo favorizuese për të huajt. Performancë më të mirë Shqipëria e ka te kategoria e ardhme e sigurt, ndërkohë që Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë performancë më të mirë të kategoria që lidhet me të drejtat bazike. Kjo qasje ku mundësitë e barabarta janë më pak të favorizuese se dy kategoritë e tjera është cilësuar si qasja: Barazi në letër dhe duket që është politika që dominon sot në të tre vendet e Ballkanit Perëndimor sa i përket procesit të integrimit të të huajve.

Përfundime

Këto të dhëna na ndihmojnë të kuptojmë situatën aktuale imigrantëve në Shqipëri, por dhe në Ballkanin Perëndimor, të cilët përballen më shumë me kufizime dhe pengesa se sa mundësi sa i përket integrimit të tyre shoqëror-ekonomik dhe politik. Ngjashëm si dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor fushat më shumë problematike për të huajt janë sistemi shëndetësor dhe ai arsimor si dhe pjesëmarrja politike. Vendi pra ofron më pak mundësi dhe të drejta bazike për imigrantët. Politikat mungojnë ose dhe kur ato janë nuk synojnë të huajt në vend, dhe kjo është një qasje që duhet të ndryshojë për të bërë të mundur që në të ardhmen Shqipëria të jetë një vend (mik)pritës për cilido që zgjedh të punojë, studiojë apo të jetojë në vendin tonë.

Nirvana Deliu, Stafi i EuroSpeak, janar 2021

*EMA ka qenë organizata partnere për MIPEX në Shqipëri, ku Nirvana është angazhuar si hulumtuese për indeksin e integrimit të migrantëve për Shqipërinë.

Referenca:

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk