Analizë sasiore e kriterit ekonomik në vendet e Ballkanit Perëndimor me status kandidat

Analizë sasiore e kriterit ekonomik në vendet e Ballkanit Perëndimor me status kandidat

Aktualisht, 4 vende nga Ballkani Perëndimor gëzojnë statusin e vendit kandidat për në BE, duke e pasur këtë një prioritet strategjik dhe duke u përpjekur për të plotësuar Kriteret e Kopenhagenit përgjatë fazës negociatore. Performanca e këtyre vendeve në ndërmarrjen e reformave dhe politikave për të transformuar ekonomitë kombëtare, në terma të tregut dhe konkurrueshmërisë (kriteri ekonomik) vlerësohet çdo vit në raportet e progresit që përgatit Komisioni Europian (KE). Ky artikull ka për qëllim të vlerësojë performancën ekonomike të vendeve kandidate nëpërmjet një qasjeje sasiore, bazuar në analizë krahasuese të treguesve të pranuar ndërkombëtarisht. Edhe pse duket se aktualisht nuk ka diferenca të mëdha mes vendeve kandidate dhe as ndryshime të mëdha në kohë në nivel ekonomie të veçantë, kjo qasje tenton të hedhë dritë në perspektivën e proceseve integruese transformuese, dinamikave dhe karakteristikave individuale të vendeve të rajonit.

 

Hyrje

 

Në fushën e studimeve mbi integrimin në BE, ekziston një diskutim mbi peshën relative të faktorëve politikë dhe ekonomikë në nxitjen ose pengimin e integrimit (Wallace, 2005). Duket se edhe pse kriteri ekonomik është mjaft i rëndësishëm, ai është më pak “i ndjeshëm” krahasuar me kriterin politik. Sipas përcaktimit në kriter, "ekonomia e tregut" është në vetvete një term shumë i gjerë. Për më tepër, BE duke vlerësuar reformat ekonomike bazuar në qasjen e tyre afatgjatë për sigurimin e qëndrueshmërisë, do të ndikojë procesin e përmbushjes së kritereve ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe pse ky është një proces jo i lehtë. (Sigma, 2007).

 

Qeverisja ekonomike është një kredencial i rëndësishëm për procesin e zgjerimit. Thënë këtë, duhet të theksohet se është pikërisht Komisioni Europian institucioni, i cili monitoron të gjithë procesin që lidhet me programin e reformave ekonomike, ashtu sikurse edhe me vlerësimin e përputhshmërisë së tyre me kriteret ekonomike për anëtarësim. Secili vend kandidat përgatit, çdo vit, një Program të Reformës Ekonomike (PRE), i cili përcakton: 1. një kornizë afatmesme të politikës makro-fiskale dhe 2. një axhendë të reformave strukturore që synon të sigurojë konkurrencën dhe rritjen gjithëpërfshirëse.


PRE-të janë baza për udhëzimet e politikave specifike sipas vendit, të miratuara bashkërisht nga BE dhe Ballkani Perëndimor (KE, 2019).

 

Sipas Komitetit Europian Ekonomik dhe Social (EESC 2018) në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor sektori privat mbetet i pazhvilluar krahasuar me ekonomitë e tjera të vogla të prekura nga tranzicioni. Kjo ndodh, pasi këto ekonomi mbizotërohen nga një prani e lartë e shtetit në tregje, kanë nivel të lartë të korrupsionit, kanë  mungesa të kornizës institucionale, kanë mungesa të standardeve dhe së fundmi kanë qasje të ulët në financa dhe në tregje (Serbos, 2008).  Megjithëse tregjet lokale janë plotësisht të hapura, liberalizimi i plotë i tyre mbetet ende i penguar nga mungesa e konkurrencës së kompanive vendase (Gordana dhe Nikola, 2013). Në përgjithësi, analizohet se  përfitimet e sektorit privat nga ekonomitë e shkallës që rezultojnë nga integrimi në BE për këto vende të BP do të varen kryesisht nga tre shtylla kryesore, siç janë: aksesi në financa, një forcë e kualifikuar punëtore, si dhe orientimi drejt inovacionit (Simoneti et al., 1996).

 

Raportet për vendet kandidate nga BP theksojnë se ato duhet të rrisin ekonomitë kombëtare duke synuar përshpejtimin e konvergjencës së kërkuar me unionin (KE, 2020). Proceset e integrimit për Ballkanin Perëndimor kanë të bëjnë me axhendën transformuese të këtyre vendeve në ekonomi të tregut, ekonomi funksionale dhe ekonomi të afta për t'u integruar plotësisht, duke siguruar stimuj dhe potenciale për punësim dhe sipërmarrje, duke përmirësuar klimën e biznesit dhe investimeve, sundimin e ligjit, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe zbatimin e politikave për luftimin e korrupsionit (Budak dhe Rajh, 2013).

 

Analiza

 

Duke qenë se një analizë sasiore përqendrohet në rezultatet numerike që secili vend arrin në lidhje me treguesit dhe indekset e matura në disa raporte ndërkombëtare të vlerësimit, vendet kandidate për në BE nga Ballkani Perëndimor kanë treguar që kanë performancën e mëposhtme sipas treguesve të zgjedhur, në përpjekjet e tyre për të përmbushur kriteret ekonomike të BE-së.

 

Sipas Bertelsmann Transformation Index (BTI), vendet me status kandidat për anëtarësim në BE nga BP kanë performuar në mënyrë të ngjashme lidhur me rezultatin e tyre të përgjithshëm të statusit ekonomik. Shqipëria mbetet mbrapa krahasuar me vendet e tjera, për shkak të luhatjeve  të shpeshta, por gjithsesi me ndryshime të vogla, krahasuar me vetën në kohë. Maqedonia e Veriut shfaqet si performuesja më e mirë, duke demonstruar gjithashtu një përmirësim të dukshëm, sidomos në vitet e fundit. Kjo nuk vlen për dy vendet e tjera të marra në analizë, pasi Serbia ashtu sikurse edhe Mali i Zi kanë shfaqur shenja regresi. Pavarësisht kësaj, të gjitha vendet e BP kanë shfaqur në kohë një performancë relativisht pozitive (duke u vlerësuar me rreth 8 nga 10 = maksimumi), për sa i përket organizimit të tregut, pasi ato kanë performuar dhe janë vlerësuar maksimalisht mirë në njërin nga dy nën-treguesit, konkretisht atë të liberalizimit të tregtisë së jashtme (10 nga 10 = maksimumi). Si Shqipëria, ashtu edhe Maqedonia e Veriut vlerësohen maksimalisht në përpjekjet e tyre për të liberalizuar tregtinë e jashtme. Edhe Mali i Zi ka bërë një përparim të rëndësishëm, ndërkohë që Serbia, duke filluar nga viti 2016 e ka përkeqësuar performancën e saj.  Sa u përket politikave të konkurrencës, evidentohen diferenca të vogla midis vendeve kandidate të marra në analizë. Edhe pse vlerësimi i përgjithshëm mund të konsiderohet “pozitiv” (rreth 8 nga 10 = maksimumi) për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, theksohet se Serbia mbetet vendi i vetëm me një përkeqësim aktual dhe me luhatje të konsiderueshme gjatë gjithë kohës.


Grafik 1: Shtyllat kryesore të indekseve të transformimit ekonomik

Burimi: Paraqitje e autorit bazuar në të dhënat e raporteve të BTI


Sipas të njëjtit raport, vendet kandidate shfaqen me një performancë të mirë dhe të krahasueshme për sa i përket treguesit të stabilitetit Monetar-Fiskal. Duhet theksuar se edhe pse Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë treguar një stabilitet më të lartë se sa vendet e tjera në kohë, të gjitha vendet kane shfaqur regres dhe luhatje të shumta në vitet e fundit. Gjithsesi, krahasuar me këtë tregues, në dy treguesit e tjerë - atë të performancës ekonomike dhe qëndrueshmërisë, vendet tregojnë një performancë më pak të mirë. Ekzistojnë ndryshime të vogla në performancën ekonomike të vendeve dhe secili vend individual tregon progres të ngadaltë me kalimin e kohës. Maqedonia e Veriut dhe Serbia tregojnë një ecuri më të qëndrueshme ekonomike, ndërsa Shqipëria dhe Mali i Zi kanë përjetuar një përkeqësim të dukshëm që nga viti 2014, ndjekur nga një stanjacion. Indeksi i qëndrueshmërisë është më i ulëti për të gjitha vendet, pasi përfshin performancën e secilit vend për sa i përket arsimit, kërkim-zhvillimit dhe mjedisit. Serbia ka treguar se është performuesja më e mirë, ndërkohë që Shqipëria mund të konsiderohet si më e keqja. Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi shfaqen me një performancë të krahasueshme, me luhatje të vogla në hapësirën kohore të marrë në analizë.


Grafik 2: Shtyllat kryesore të indekseve të transformimit ekonomik 

Burimi: Paraqitje e autorit bazuar në të dhënat e raporteve të BTI


Sipas World Economic Forum (WEF) vihet re se, në përgjithësi, të gjitha vendet mbeten prapa për sa i përket aftësisë së tyre për inovacion, krahasuar me performancën e tyre të përgjithshme në treguesit e tjerë. Ndërkohë që Serbia dhe Shqipëria vlerësohen të jenë respektivisht performuesja më e mirë dhe më e keqe për nga aftësia për inovacion përgjatë gjithë periudhës, Mali i Zi ka treguar progresin më të madh në kohë.Treguesi i dytë më pak i vlerësuar për këto vende të rajonit është ai i madhësisë së tregut.Serbia është përsëri performuesja më e mirë, krahasur me vendet e tjera ashtu sikurse krahasuar edhe me veten në hapësirën kohore të marrë në analizë. Mali i Zi mbetet prapa vendeve të tjera, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut shfaqin shenja të lehta progresi në vitet e fundit.Lidhur me treguesit e tjerë të rëndësishëm, Maqedonia e Veriut mbetet e fundit sa i përket aftësive të fuqisë punëtore dhe tregut të punës si rezultat, por edhe për sa i përket tregut të produkteve, ndonëse më pak. Në vija të përgjithshme, vendet kanë treguar një performancë të ngjashme me njëra-tjetrën dhe në kohë, përsa u përket stabilitetit të tyre makroekonomik dhe dinamikave të sektorit privat.


Grafik 3: Shtyllat kryesore të indekseve të konkurrueshmërisë globale


Burimi: Paraqitje e autorit bazuar në të dhënat e raporteve të BTI

Përfundime

Bazuar në analizën e paraqitur dhe duke iu referuar gjithnjë përmbushjes së kritereve ekonomike, të gjitha vendet kandidate të BE nga Ballkani Perëndimor tregojnë se kanë avancuar në zhvillimin e një ekonomie tregu funksionale dhe në përgatitjen për të përballuar presionet konkurruese dhe forcat e tregut në BE, duke qenë kështu në përputhje me gjetjet kryesore të raporteve të KE për këto vende gjatë këtyre viteve.

Metoda sasiore e përdorur në analizën e paraqitur, provon se vendet e rajonit kanë punuar relativisht mirë për sa i përket liberalizimit të tregtisë së jashtme dhe tregtisë përtej kufijve, por ato ende mbeten relativisht prapa për sa i përket madhësisë së tregut dhe politikës së konkurrencës.

Për më tepër, avancimi i mëtejshëm, veçanërisht në lidhje me një ekonomi gjithëpërfshirëse dhe të gjelbër, një stabilitet më të lartë makroekonomik, politika të përshtatshme të tregut të punës, politika specifike për zhvillimin e aftësive që adresojnë hendekët dhe nevojat, një nxitje të aftësisë për inovacion, do të mbështesë këto vende në përmirësimin e performancës së tyre të përgjithshme ekonomike, duke zhvilluar ekonomi të qëndrueshme, duke lehtësuar kështu procesin e integrimit në BE, sipas secilit vend individual.  

Në përgjithësi duke iu referuar kritereve ekonomike dhe pavarësisht metodës sasiore të përdorur, nuk evidentohen ndryshime të rëndësishme midis vendeve dhe mbi të gjitha nuk ka ndryshime të mëdha (progresiste apo regresiste) me kalimin e kohës në nivelin e secilit vend në veçanti. Megjithatë në fund të kësaj analize, mbetet për tu theksuar se një analizë gjithëpërfshirëse dhe krahasuese me të dhëna historike dhe përshkruese në bazë vendi mbetet thelbësore për të mbështetur këto rezultate.


Elena Polo, maj 2021

*Elena Polo është Asistent-Lektore me kohë të plotë në Institutin e Studimeve Europiane, Universiteti i Tiranës. Paralelisht me një formim akademik për rreth 10 vjet, ajo po ndjek studimet në FE për një doktoraturë në Ekonomiks duke u përqëndruar në politikat makroekonomike në nivelin kombëtar dhe nivel BE. Ajo është gjithashtu e angazhuar në sektorin e shoqërisë civile, duke udhëhequr dhe koordinuar projekte kërkimore për një Think Tank.


Referencat:

Bertelsmann Stiftung, (2020), BTI Index Report for East-Central and South-East Europe;

Budak J., and Rajh E., (2013), Corruption as an obstacle for doing business in the Western Balkans: A business sector perspective, International Small Business Journal 0(0) 1–18, Reprints and permissions: sagepub.co.uk/journals, DOI: 10.1177/0266242613498882;

European Commission, (2019), Progress towards Meeting the Economic Criteria for EU Accession, Institutional Paper 109, July 2019, The EU Commission’s 2019 Assessments;

European Commission, (2020), Communication from the Commission to the European Parliament, the Council, the European Economic and Social Committee and the Committee of the Regions, Communication on EU enlargement policy;

Gordana D., and Nikola M., (2013), EU enlargement policy framework for the Western Balkans: six "c" principles and the new negotiating rules;

Serbos S., (2008), European Integration and South-Eastern Europe: prospects and challenges for the WB, UNISCI Discussion Papers, Nº 18 (October 2008), ISSN 1696-2206 95;

Sigma (2007), - “A joint initiative of the OECD and the EU, principally financed by the EU enlargement of the EU: An analysis of the negotiations for countries of the WB”, Sigma Paper No. 37;

Simoneti M., Rojec M., and Rems M., (1996), Slovenia: Enterprise sector restructuring and EU accession;

Wallace, H. (2005), “Enlarging the European Union: reflections on the challenge of analysis”, in, Schimmelfennig, F/Sedelmeier, U. (eds), The Politics of European Union Enlargement. Theoretical approaches, 287 – 294, London;

World Economic Forum, (2020), “Global Competitiveness Index” Report.  




371Ndjekës
5616Ndjekës
1935Ndjekës
21Abonues
Ambassade_Niva2_Engelsk
PA_logo