Brezi i varur: gjysma e të rinjve europianë jetojnë me prindërit

Brezi i varur: gjysma e të rinjve europianë jetojnë me prindërit

Një prej studimeve më të plota sociale të 28 vendeve europiane tregon se përqindja e personave të moshës 18-30 vjeç të cilët jetojnë ende me prindërit, është rritur në 48% ose 36,7 milionë njerëz, së bashku me nivelet e privimit dhe papunësisë që u rritën gjatë këtyre viteve të krizës ekonomike. Arsyet pse të rinjtë po zgjasin jetesën e tyre me prindërit ose po i rikthehen jetës me ta janë nga më të ndryshmet. Shkaku përse të rinjtë bëjnë këtë zgjedhje nuk ka të bëjë aq shumë me nivelet e papunësisë, se sa me ndryshimet e qëndrueshme në jetën e të rinjve, si rritja e kredive studentore dhe martesat e vonuara. Të dhënat tregojnë se pak vende janë imune dhe se fenomeni nuk është i veçantë për vendet mesdhetare të ngarkuara me borxh.

Në Itali, gati katër të pestat (79%) e të rinjve jetonë me prindërit. Në Francë kishte një rritje prej 12,5% të këtij numri, që përbën dhe rritjen më të madhe në studim. Vende të goditura rëndë nga kriza, si Greqia dhe Italia patën rritje më të vogla të këtij numri, por këto vende kishin tashmë një numër më të madh të rinjsh që jetonin me familjen, përpara se të fillonte kriza, për shkak të traditës e kulturës së këtyre vendeve për vazhdimësi të jetës në familje. 15% e të rinjve në vendet e OECD-së, ose 40 milionë të rinj, janë të pa angazhuar (NEET) - jo të punësuar, në edukim apo trajnim - me Italinë dhe Greqinë në krye të listës, menjëherë pas Turqisë. Megjithatë, Gjermania, Holanda, Irlanda dhe Britania e Madhe patën ulje të këtij numri - në Britani, kjo shifër ka rënë nga 30% në 26%. Ndërkohë, vende të tjera, veçanërisht vendet nordike si Finlanda e Danimarka, karakterizohen nga një numër i vogël i të rinjve që jetojnë me prindërit dhe të rinjtë kanë më shumë mundësi për të jetuar të pavarur e më vete.

Situata e të rinjve ka ndryshuar me të vërtetë rrënjësisht. Dhe kjo është tërësisht e ndryshme nga situata e prindërve dhe gjyshërve të tyre. Nuk është vetëm bota e punës që ka ndryshuar, por shoqëria po ndryshon, kështu që tranzicionet po bëhen gjithnjë e më të paparashikueshme; njerëzit nuk kanë një punë të siguruar ose nuk jetojnë në një vend pune në periudhë afatgjatë.

Të dhënat nënvizojnë gjendjen e vështirë të "Gjeneratës Y" - të cilët janë të arsimuar më mirë se paraardhësit e tyre, por megjithatë janë të dënuar me një perspektivë më të turbullt se brezi i prindërve të tyre. Të jetosh i lumtur me fëmijët dhe prindërit në një familje me shumë breza është një mit. Familjet me shumë gjenerata kanë një nivel shumë të ulët të kënaqësisë nga jeta dhe një nivel shumë të lartë të privimit dhe perceptimit të përjashtiit social. Njësitë familjare në të cilën jetojnë tri breza nën një çati kanë më shumë gjasa të përjetojnë privim serioz; rregullime të tilla të jetesës mund të jenë të pavullnetshme dhe mund të jenë rezultat i krizës ekonomike. Nëse je 30 vjeç dhe ende jeton me prindërit, e për më tepër ke krjuar dhe familjen tënde, e vështirëson shumë fillimin e një jete të pavarur. Në vendet anëtare të OECD-së është rritur në mënyrë të konsiderueshme mosha mesatare e martesës. Në fillim të viteve 1990, kjo moshë ka qenë 24,9 për femrat dhe 27,4 për meshkujt. Deri në vitin 2014, kjo mesatare u rrit nga 28 vjeç në 31 për femrat dhe nga 31 vjeç në 34 për meshkujt. Tendencat për t’u martuar në një moshë më të madhe dallojnë mes vendeve të ndryshme. Ky dallim thekson tranzicionin drejt formimit të partneriteteve afatgjata: bashëjetesa po bëhet standardi i ri i partneritetit. Martesat në moshë më të madhe shoqërohen me rënie të normave të martesës dhe stabilizimin e normave të divorcit. Normat e divorcit ndryshojnë po ashtu nga shteti në shtet. Midis vitit 1990 dhe 2014, normat e divorcit u rritën në 21 vende anëtare të OECD-së, por u ulën në 14 të tjera.

Fenomeni në rritje i madhorëve të cilët vazhdojnë të jenë të mbërthyer në dhomat e tyre të fëmijërisë, ka ngritur shqetësime rreth numrit të lindjeve dhe demografikës në një kontinent në plakje. Prirja për varësinë nga prindërit nuk mund të shpjegohet vetëm nga rritja e numrit të të rinjve që studiojnë në një periudhë të mëvonshme të jetës së tyre, pasi janë gjetur edhe miliona 25 deri 29 vjeçarë të tjerë që jetojnë me mamanë dhe babanë. Për femrat e moshës 25-29 vjeç, kjo shifër u rrit me pesë pikë në 26%, ndërsa përqindja për meshkujt është rritur me tre pikë në 34%. Edhe në mes të atyre që kanë një punë, shifra e përgjithshme u ngrit me një pikë në 34%.

Analiza ka treguar se sa nën presion ndihet brezi i ri – ata me shumë gjasa e shohin veten si të varfër, edhe kur kanë disa vite karrierë, gjë që është historikisht e pazakontë. Nuk janë vetëm ata që sapo kanë dalë nga shkolla apo universiteti të cilët po hasin vështirësi për të patur një jetë të pavarur, por edhe ata në të 30-at. Këto rezultate tregojnë se shtresa klasore dhe background-i i gjithsecilit po bëhen gjithnjë e më tepër faktor për suksesin në jetë. Ata të cilët vijnë nga familje të shtresave sociale më të larta i përballojnë më mirë presionet. Historia e vërtetë këtu nuk ka të bëjë vetëm me brezat; ka të bëjë me ndërveprimin e pasurisë dhe të klasës sociale, duke lënë pas disa të rinj.

Rinia e Europës ndodhet ende në mes të stuhisë, pavarësisht rimëkëmbjes. Shumë prej tyre janë ende të papunë, ose nëse janë të punësuar, vazhdimësia e kësaj është e paqartë dhe shpesh pa sigurinë e mbrojtjes sociale. Në kohën kur të rinjtë duhet të bëhen madhorë autonomë e të ecin vetë në jetë, ata janë të detyruar të vazhdojnë të jetojnë në shtëpi me prindërit për një kohë më të gjatë se më parë, e kjo tashmë po kthehet në normë në shumë vende ku fenomeni nuk praktikohej më përpara. Pa punë dhe pa siguruar të ardhurat, të rinjtë mund të shtyjnë moshën tradicionale të arritjes së madhorisë. Perspektivat e dobëta ekonomike mund të ndikojnë në shëndet, pjellori, krim, madje edhe në "kohezionin social." Një përfundim tjetër është se të rinjtë janë më të ndjeshëm ndaj ekonomisë së keqe dhe ndaj vështirësive në karrierë. Problemi nuk është vetëm papunësia në vetvete, por fakti se të rinjtë nuk janë të përgatitur të përballen me të, falë rënies së normës së martesës dhe rritjes së borxhit. Por ç’do të ndodhë kur tregu i punës të rimëkëmbet? Kreditë studentore nuk do të zhduken dhe për shumë kohë, ndaj prindërve do t’u duhet të mbajnë një shtrat shtesë, për çdo rast.
                                                                                                                  Stafi i EuroSpeak, nëntor 2016

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk