Liria e shprehjes dhe gjuha e urrejtjes

Liria e shprehjes dhe gjuha e urrejtjes

Kur doktrina flet për të drejta natyrore, ka folur në fakt për ato të drejta/liri të cilat duhet të gëzohen të parat me qëllim përmbushjen e të drejtave të tjera. Në këtë sens, të drejta të tilla si ajo e jetës apo liria e shprehjes, konsiderohen si të drejta vetjake.

Vetë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë si dokumenti ligjor themeltar i shtetit, në nenin 22, paragraf 1 garanton në nivelin më të lartë të mundshëm të drejtën që ka gjithkush për të shprehur në mënyrë të lirë mendimin e tij. Për nga rëndësia, kjo e drejtë renditet menjëherë pas të drejtës së jetës duke qenë se në mungesë të gëzimit të saj, individi nuk mundet dot të ushtrojë një shumësi të drejtash të tjera. Megjithatë, pavarësisht faktit se kjo e drejtë është themelore nuk do të thotë se hapësira për ushtrimin e saj do të jetë e pakufishme. Gjatë ushtrimit të lirisë së shprehjes së mendimit, në situata të caktuara, në përmbajtje të saj mund të cenohen individë apo grupe duke bërë që nga një e drejtë e një individi, kjo e fundit të kthehet në një burim dëmtimi për të drejtat e individëve të tjerë. Me qëllim shmangien apo edhe reduktimin e rasteve të tilla, nevojitet shpesh që kufijtë e shtrirjes së kësaj të drejte të tkurren nga ligjvënësi. 


Megjithatë, para se të trajtohen këto raste abuzimesh me lirinë e shprehjes, duhet t’u japim përgjigje disa pyetjeve: Çfarë duhet të kuptojmë me liri shprehjeje dhe deri ku shtrihen kufijtë e saj? Çfarë është gjuha e urrejtjes? Cilët janë elementët përbërës dhe karakteristikat e saj? Çfarë mjetesh përdoren me qëllim identifikimin e gjuhës së urrejtjes? Cilat janë pasojat negative që vijnë prej saj?

Dokumentet ligjorë ndërkombëtarë, historikisht kanë dhënë disa lloj përkufizimesh mbi kuptimin dhe përmbajtjen e lirisë së shprehjes. Kështu, referuar nenit 19 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut: ”Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mendimit dhe të shprehjes; kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit pa ndërhyrje, si dhe lirinë e kërkimit, marrjes dhe njoftimit të informacionit dhe ideve me çfarëdo mjeti qoftë, pa marrë parasysh kufijtë.”[1] Nga përkufizimi që i jep kjo deklaratë, liria e shprehjes përfshihet në vazhdën e lirive dhe të drejtave politike. Sipas këtij parashikimi, është detyrë e vetë shteteve që t’u garantojnë individëve mundësinë për t’u shprehur lirisht. Në këtë kuadër, individit nuk duhet t’i sigurohet vetëm liria për të shprehur opinion, por po aq edhe liria për të marrë dhe shkëmbyer informacion përmes mjeteve të komunikimit. Kjo e drejtë nuk është absolute pavarësisht se e drejta e mendimit është e tillë. Ajo kufizohet në ato raste kur nga ushtrimi i saj, prapavijnë cenime në të drejtat e tjera të individëve apo cenohet interesi publik, pa bërë dallim mes të drejtave që mund të cenohen apo llojit të interesit publik. Natyrisht që kufizimi i saj në secilin rast duhet të jetë proporcional dhe mbi baza të arsyetura.

Një tjetër dokument që shpjegon lirinë e shprehjes dhe elementët e saj,është Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, i cili parashikon se: “1. Askush nuk mund te procedohet për shkak të mendimeve të veta 2. Secili ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë, pavarësisht kufijve, e nënkupton lirinë e kërkimit, marrjes dhe përhapjes së informatave dhe ideve të të gjitha llojeve gojarisht, me shkrim, të shtypur ose në formë artistike, ose në çdo mënyrë tjetër të zgjedhur prej tij. 3. Realizimi i lirive, të parashikuara në pikën 2 të këtij neni,i përfshin detyrat dhe përgjegjësitë e veçanta. Rrjedhimisht me këtë, ai mund t’u nënshtrohet kufizimeve të caktuara të cilat duhet të përcaktohen në mënyrë eksplicite me ligj dhe të jenë të domosdoshme:a) Për respektimin e tё drejtave ose tё reputacionit tё tё tjerëve; (b) Për mbrojtjen e sigurisë së shtetit, tё rendit publik, tё shëndetit dhe tё moralit publik.”[2] Nga interpretimi i këtij neni, kuptojmë se ky pakt e shtrin edhe më tepër se deklarata fushëzbatimin dhe kuptimin e lirisë së shprehjes duke garantuar fillimisht mbrojtje ligjore për të drejtën që kanë individët për të menduar dhe krijuar opinione (si një nevojë e lindur duke parë zhvillimet e regjimeve ekstremiste  në vendet europiane pas Luftës së Dytë Botërore) të pandikuara dhe të pakufizuara nga asnjë lloj shkaku. Së dyti, jep garanci ligjore që individët këto opinione të kenë mundësinë t’i shprehin në mënyrë të lirë, pa qenë nën presionin apo kufizimin e asnjëlloj shkaku të jashtëm. Si elementë të saj  parashikohen: mundësia për të kërkuar informacion qoftë nga autoritetet publike, qoftë përmes kërkimit individual, për të marrë dhe shkëmbyer informacion lirisht, duke përfshirë të gjitha mjetet e komunikimit të cilat po aq individi mund t’i zgjedhë lirisht. Megjithatë, sikurse edhe deklarata, pakti parashikon kufijtë e zbatimit të kësaj lirie, duke kërkuar që të kalohet ai që quhet test “proporcionaliteti” kur liria e shprehjes kufizohet, që do të thotë se fillimisht kufizimi duhet bërë me ligj, duke sjellë këtu në vëmendje se ligji do të kuptojë ligjin e nxjerrë nga Kuvendi (aplikuar në kushtet e sistemit politik shqiptar), të bëhet me qëllim mbrojtjen e një të drejtë/lirie të dikujt tjetër apo për të mbrojtur interesin publik (konceptin e gjerë të tij) dhe në secilin rast  duhet të kufizohet në mënyrë proporcionale me cenimin e sjellë duke marrë në konsideratë këtu dhe domosdoshmërinë e një kufizimi të tillë. 

Parashikime të ngjashme janë bërë edhe nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut.[3]Në kuadrin ligjor të Bashkimit Europian gjejmë parashikime deri diku të ngjashme me ato të Këshillit të Europës.[4]

Nga ana tjetër një këndvështrim për parashikimin e kësaj lirie gjendet në Amendamentin e Parë të Kushtetutës së SHBA: “Kongresi nuk do të nxjerrë asnjë ligj që ndalon respektimin e fesë ose ndalon ushtrimin e lirë të saj; ose ndalon lirinë e fjalës ose të shtypit; ose të drejtën e njerëzve për t'u mbledhur në mënyrë paqësore dhe për t'i kërkuar qeverisë për një korrigjim të akteve.” Ky amendament ndalon çdo lloj kufizimi që mund t’i bëhet lirisë së shprehjes pa baza të arsyeshme nga ana e Kongresit, edhe pse e konsideron këtë liri si ngushtësisht të lidhur me liri të tjera si ajo e ushtrimit të fesë dhe shtypit, megjithatë kjo bërthamë lidhjesh duhet parë në kontekstin historik të SHBA. 

Jo rrallë, tërësia e gëzimit të kësaj të drejte në mënyrë të lirë çon që një grup apo qoftë dhe individë sporadikë të ngrenë pretendime, opinione apo edhe argumente mbi diferencat mes vetë qenieve njerëzore. Teoria e superioritetit të racave, gjinive, besimeve fetare etj., fillon dhe bëhet më e gjallë se kurrë dhe grupet e diferencuara si superiore dhe inferiore kthehen në qendër të fushë betejës së opinioneve duke mbjellë atë që quhet gjuhë urrejtjeje. Gjuha e urrejtjes nënkupton manifestim të urrejtjes ndaj një grupi të caktuar. Ajo përdoret që të ofendohet një person për shkak të përkatësisë racore, etnike, fetare/të besimit ose një grupi tjetër të cilit i takon ai person. Gjuha e tillë në përgjithësi tenton ta gjykojë ose ta denigrojë individin ose grupin, ose të manifestojë mllef, urrejtje, dhunë ose përbuzje ndaj tyre. Ajo përmban parashikime për inferioritetin e anëtarëve të grupit në fjalë dhe gjykon, përçmon dhe është përplot me urrejtje. Në të vërtetë, të gjitha deklaratat me natyre raciste, ksenofobike, homofobike dhe të tjera, që kanë të bëjnë me shprehje sulmuese të identitetit, mund t’i përmbledhim me nocionin gjuhë e urrejtjes.[5]  Dokumentet ndërkombëtarë janë ata që japin një përkufizim  të plotë të gjuhës së urrejtjes: “një nocion i cili i përfshin të gjitha format e të shprehurit me të cilat përhapet, nxitet, promovohet ose arsyetohet urrejtja racore, ksenofobia, antisemitizmi ose forma të tjera të urrejtjes, të bazuara mbi mostolerancë, përfshirë edhe: mostolerancën e shprehur në formë të nacionalizmit dhe etnocentrizmit agresiv, diskriminimin dhe armiqësinë ndaj minoriteteve, migrantëve dhe personave me origjinë imigrante”.[6] Po ashtu GJEDNJ në gjykimet e saj e ka përkufizuar gjuhën e urrejtjes si gjuhë që i përfshin të gjitha format e të shprehurit të cilat përhapin, nxisin, promovojnë ose arsyetojnë urrejtje të bazuar mbi mostolerancë.[7] 

Nga këto përkufizime mund të kuptojmë disa nga elementët përbërës të gjuhës së urrejtjes dhe karakteristikat e saj. Kështu, gjuha e urrejtjes ka si qëllim kryesor përhapjen e urrejtjes kundrejt një target grupi të caktuar, gjë kjo që realizohet përmes shprehjeve të tilla me qëllim nxitjen, mbështetjen dhe fuqizimin e urrejtjes ndaj një grupi të caktuar. Së dyti, element dallues i saj është përmbajtja e shprehjes, e cila nënkupton se për të provuar nëse gjendemi para gjuhës së urrejtjes apo jo duhet të shohim përmbajtjen e shprehjeve drejtuar individëve pjesë e grupit, rrethanat e saj dhe kontekstin. Së treti, gjuha e urrejtjes ka një qëllim final, një rezultat që pritet ta arrijë, kështu përmes saj synohet të mbillet diferencim, inferioritet, paqëndrueshmëri, të prishet rendi apo siguria publike. Së fundmi, gjuha e urrejtjes drejtohet në ato cilësi të individit/ grupit të cilat janë të pandryshueshme, të qenësishme për identitetin e tij dhe përmes sulmit të tyre, sulmon individin pjesë të grupit të diferencuar pikërisht prej kësaj karakteristike. Këto karakteristika mund të jenë qoftë të dukshme, qoftë të padukshme, por kjo përbën pak rëndësi, pasi mund të drejtohet ndaj secilës prej tyre qofshin këto cilësi gjinore, fetare, raciale, sociale apo ekonomike. 

Në këto kushte, individët pjesë e grupit “viktimë” të gjuhës së urrejtjes, gjenden komplet të pambrojtur dhe pikërisht në këtë moment lind e drejta e legjislatorit për kufizim të lirisë së shprehjes. Megjithatë, ajo që shpesh qëndron enigmë lidhet me mjetet për të identifikuar gjuhën e urrejtjes dhe edhe më pak flitet për pasojat e saj jo vetëm ndaj grupeve po edhe ndaj shoqërisë. Me qëllim kryesisht parandalimin dhe jo vetëm, studiuesit përdorin disa metoda/strategji për identifikimin e gjuhës së urrejtjes të tilla si: indikatorët e qëllimit, përmbajtjes dhe pasojave. Të parët synojnë të përcaktojnë sa më objektivisht nëse gjuha e urrejtjes ka për qëllim të fyejë, nxisë dhunë, përçmojë ose në mënyrë tjetër të përbuzë një grup të caktuar njerëzish. Të dytët synojnë të kuptojnë dhe zbërthejnë kontekstin e shprehjeve, situatën, rrethanat kohore dhe vendore si edhe ato sociale. Ndërsa të tretët synojnë të analizojnë efektet negative me qëllim parandalimin e ngjarjeve të ardhshme. Në këto të fundit shpesh ekspertët bëjnë diferencimin mes dëmit individual dhe atij shoqëror, duke i kategorizuar pasojat në personale dhe shoqërore. Nga njëra anë gjuha e urrejtjes  shkakton dëm emocional tek individët, i diferencon dhe në një farë mënyrë i izolon këta individë nga pjesa tjetër, duke sjellë kështu dhe dëme sociale edhe ekonomike për ta, shpesh edhe problem të mirëqenies fizike dhe mendore. Në kuptimin makro, i heq mundësinë shoqërisë që të përfitojë në mënyrë aktive dhe të vazhdueshme nga kontributi i grupeve viktimë duke penguar zhvillimin social, kulturor, arsimin, ekonominë etj. 

Si përfundim, mund të themi se shohim dy mundësi që i qëndrojnë përballë në mënyrë paralele njëra-tjetrës: nga njëra anë e drejat për t’u shprehur lirisht, për të komunikuar në mënyrë të lirë opinione, mendime, vlerësime, qëndrime dhe nga ana tjetër një kufi i padukshëm që kur e kalon e para, kthehet në gjuhë urrejtje. Liria e shprehjes si e drejtë themelore përfshin mundësinë për të dhënë e për të marrë informacione përmes çdo lloj mjeti komuikimi, por asesi nuk është absolute, pasi ekziston mundësia e kufizimit të saj në raste dhe sipas mënyrave të caktuara nga ligji (me qëllim mbrojtjen e të drejtave të një të treti apo të interesit publik). Ndërkohë që nga ana tjetër shohim një anë negative të kësaj të drejte, mundësinë e abuzimit me të nga një individ apo një grup individësh, me qëllim vendosjen e bazave të superioritetit të një grupi kundejt tjetrit, për të nxitur konflikt apo urrejtje ndaj tyre, pikërisht gjuhën e urrejtjes. E dallueshme nga elementë të tillë të gjendur në përmbajtje, që synojnë të finalizojnë në mbjelljen e urrejtjes mes grupeve shoqërore. Pavarësisht masave të marra qoftë nga na ligjore, qoftë përmes politikave sociale me synime sensibilizuse, gjuha e urrejtes vazhdon të mbetet një problem madhor dhe një nga ato tematika që prekin pareshtur individë, ndaj të cilave përgjegjesia për reagim është sa individuale aq edhe kolektive. 


Laura Skenderas, gusht 2023

Laura Skenderas ka përfunduar arsimin e lartë për Drejtësi dhe më pas Masterin e Shkencave në të Drejtën Penale pranë Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Ajo ka kryer praktikën profesionale pranë në Dictum Consulting Korçë dhe aktualisht po ndjek shkollën Kombëtare të Avokatisë. Laura ka marrë pjesë në trajnime të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare që lidhen me të drejtat e njeriut dhe teknikat e veçanta të hetimit dhe mbledhjes se informacionit në luftën kundër krimit të organizuar. Ajo flet frengjisht, anglisht dhe italisht.

 

Referencat:

[1]Konventa Evropiane për të drejtat e Njeriut, Neni 10.

[2] Karta e të drejtave Themelore të BE, Neni 11 “Liria e shprehjes dhe informimit

[3] Neni 19, Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, 1966 

[4]Deklarata Universale mbi të Drejtat e Njeriut, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, 1948 

[5]https://www.osce.org/files/f/documents/0/1/116609.pdf

[6]Rekomandimi nr. R (97) 20 të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës pë “gjuhën e urrejtjes” http://www.coe.int/t/dghl/standardsetting/media/doc/cm/rec%281997%29020&expmem_EN.asp

[7] Erbakan v. Turkey (Application no.59405/00), Judgment 6 July 2006, § 56






1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk