Mësimet e nxjerra nga fatkeqësitë natyrore në Europë – politikat për mjedisin dhe klimën, dhe problematikat për menaxhimin e tyre

Mësimet e nxjerra nga fatkeqësitë natyrore në Europë – politikat për mjedisin dhe klimën, dhe problematikat për menaxhimin e tyre

Fatkeqësitë natyrore kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë një ndër sfidat kryesore me të cilën po përballet planeti ynë. Kohët e fundit është vërejtur një rritje e intesitetit dhe forcës me të cilën po shfaqen fatkeqësitë natyrore, kjo dhe për pasojë e ndryshimeve klimaterike.

E rëndësishme është që të përkufizohet fatkeqësia natyrore me qëllim që të dallohet nga format e ndryshme të fenomeneve natyrore. Fatkeqësia natyrore mund të përkufizohet si një ngjarje ekstreme, e shkaktuar nga një fenomen natyror që ka ndikim negativ në jetën e njerëzve, e cila përfshin përmbytjet, stuhitë, tërmetet, zjarret dhe tsunamet apo si rrëshqitja e dheut. Nëse nuk ka ndikim në dimensionin social, ekonomik dhe mjedisor si dhe në nivel lokal, kombëtar apo ndërkombëtar nuk mund të konsiderohet një ngjarje e tillë. (Glade & Alexander, 2013)

Pasojat që shkaktojnë ngjarje të tilla kërkojnë një menaxhim dhe potencial gjithëpërfshirës nga aktorët përgjegjës, në mënyrë të atillë që të minimizohen efektet negative që shkaktohen në jetesën e popullsisë. Kjo gjë realizohet në sajë të hartimit, implementimit, monitorimit efektiv të politikave, strategjive mjedisore dhe klimatike. Roli i këtyre politikave konsiston në ofrimin e hapave që duhen të ndërmerren si identifikimi i fatkeqësive natyrore potenciale, mjetet e parandalimit, planet e menaxhimit dhe periudha post ndodhjes së fatkeqësisë me qëllim minimizimin e pasojave. Analizimi i politikave të tilla kanë një rëndësi të madhe për shoqërinë sepse ndikimi  i tyre është i drejtpërdrejtë në garantimin e një të ardhmeje të qëndrueshme për brezat e ardhshëm.

 

 Kuadri politik për mjedisin dhe klimën në BE

Ndër vite Bashkimi Europian ka implementuar korniza dhe udhëzime lidhur me menaxhimin dhe zbutjen e efekteve të ndryshimeve klimaterike. Konkretisht neni 11-191-193 në Traktatin e BE-së parashtrojnë bazën ligjore lidhur me politikën mjedisore të BE-së. Origjina e politikës mjedisore së BE-së daton që në vitin 1972, e cila theksonte vëmendjen ndaj çështjeve të mjedisit përpos zhvillimit ekonomik. Me kalimin e viteve nga hartimet dhe rishikimet e traktateve si Akti Unik Europian, Traktati i Mastrihtit, Traktati i Amsterdamit dhe Traktati i Lisbonës, forcuan angazhimin e BE-së për mbrojtjen e mjedisit dhe integrimin në politika të ndryshme. Fazat që kanë kaluar politikat mjedisore në BE janë: (European Parliament, 2023)

a)     Programi i Veprimit të Komuniteteve Europiane për Mjedisin (1973-1976)

b)    Programi i Veprimit të Komunitetit Europian për Mjedisin (1977-1981)

c)     Programi i Veprimit të Komuniteteve Europiane për Mjedisin (1982-1986)

d)    Programi i Katërt i Veprimit Mjedisor i EEC (1987-1992)

e)    Programi komunitar i politikave dhe veprimit në lidhje me mjedisin dhe zhvillimin e qëndrueshëm (1993-2000)

f)     Programi i Gjashtë Komunitar i Veprimit për Mjedisin (2002-2012)

g)    Programi i Shtatë i Veprimit për Mjedisin (2014-2020)

h)    Programi i Tetë i Veprimit për Mjedisin deri në vitin 2030

Kuadri ligjor i BE-së ka dhe ‘Ligjin për Klimën’ i ndërlidhur me Marrëveshjen e Gjelbër Europiane. Synimi i ligjit është i ndërlidhur me programin e tetë ku kërkohet një  angazhim ndaj vizionit të shtatë të EAP-it 2050: “Ne duam të sigurojmë mirëqenie për të gjithë, duke qëndruar brenda kufijve planetarë”.(European Commission, 2021) Programi synon aplikimin e një ekonomie neutrale ndaj klimës, rritjes së kapaciteteve adoptuese ndaj ndryshimeve klimaterike, ndotje zero dhe reduktimi i emetimeve neto të gazeve serrë të paktën 55% deri në 2030. Gjithashtu synon realizimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Axhendës 2030. (European Council, 2023)

Përpos kuadrit politik dhe ligjor, BE-ja përdor mjete dhe mekanizma të posaçme për t’iu përgjigjur fatkeqësive natyrore në kohë, të cilat janë:

Ø  Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të Bashkimit (UCPM), i cili synon forcimin e bashkëpunimit për mbrojtjen civile mes 27 vende të BE-së dhe 8 shteteve të tjera pjesëmarrëse (Islanda, Norvegjia, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Turqia, Bosnja dhe Hercegovina dhe së fundmi Shqipëria). Qëllimi i bashkëpunimit konsiston në shkëmbimin e rregullt të informacionit mbi rreziqet që mund të shkaktohen nga fatkeqësitë natyrore.  (European Commission, 2022) Në momentin kur emergjenca kapërcen aftësitë reaguese të një vendi anëtar, por dhe më gjerë, mund të kërkojë ndihmë në saj të mekanizmit për ndërhyrje operacionale. Që nga fillimi i tij në 2001, UCPM-ja i është përgjigjur mbi 700 kërkesave për ndihmë brenda dhe jashtë BE-së. (European Commission, 2022).

Shqipëria u anëtarësua me të drejta të plota në sistemin e BE-së për menaxhimin e rrezikut nga fatkeqësitë, duke filluar që nga data 18 Nëntor 2022. Si anëtare e këtij mekanizmi, Shqipëria jo vetëm që do të përfitojë nga mbështetja, por gjithashtu do të jetë në gjendje të ofrojë ndihmë për vendet e prekura nga fatkeqësitë. (WeBalkans, 2022) Konkretisht, Shqipëria tregoi solidaritet të menjëhershëm për të ndihmuar Greqinë në luftën e saj kundër zjarreve këtë verë. Në kontekst të UCPM-se, Shqipëria mobilizoi 58 oficerë dhe 10 automjetë të Forcave të Armatosura dhe strukturave të mbrojtjes civile dhe njësitë zjarrfikëse në dy pikat kufitare në Kapshticë dhe Kakavijë. Ky hap tregon gatishmërinë dhe përgatitjen e Shqipërisë për të ofruar ndihmë humanitare dhe operacionale në kuadër të mekanizmave rajonalë dhe europianë për reagim në emergjenca natyrore. (Nen, 2023)

Ø  Rezerva e Ndihmës Emergjente (EAR), është krijuar për të financuar operacionet humanitare dhe civile gjatë ngjarjeve të paparashikuara. (Flexibility and special instruments, 2021)

Ø  Fondi i Solidaritetit të Bashkimit Europian (EUSF), konsiston në objektivin e ofrimit të ndihmës financiare për shtetet anëtare dhe atyre që janë në negocim për anëtarësim në rastet e fatkeqësive natyrore me pasoja të rënda. (Kramina, 2022)

Ø  Rezerva e Re e Solidaritetit dhe Ndihmës Emergjente (SEAR), është një plan buxhetor afatgjatë i bashkimit të EUSF dhe EAR në një rezervë të re.

Si përmbledhje, BE-ja ka pasur një përkushtim të qëndrueshëm ndër vite për hartimin e kuadrit ligjor dhe politik lidhur me menaxhimin e ndryshimeve klimaterike, por që mbetet për t’u analizuar se sa efektive janë në implementimin dhe reduktimin e pasojave të ngjarjeve të paparashikueshme.

 

Konteksti aktual i fatkeqësive natyrore në Europë

Fatkeqësitë natyrore kanë qenë kryefjala e Europës në këtë sezon veror duke u kthyer në një kërcënim serioz për jetën e shumë qytetarëve. Sipas ekspertëve të motit fenomeni El Nino ka ndikuar në ndryshimet klimaterike, ku me rritjen e temperaturave në ujërat e oqeaneve mbi normat normale ndikon motin duke sjellë ngjarje ekstreme të saj. (Wybrew, 2023) Fatkeqësi natyrore që goditën Europën këtë verë ishin përmbytjet e shumta në Europën Qendrore si dhe zjarret që përfshinë kryesisht Europën Perëndimore dhe Mesdheun, që u ndihmuan nga rritja e temperaturave ku vetëm këtë vit janë djegur mbi 460.000 hektarë pyje. (EEA, 2023)

Nën presionin e këtyre ngjarjeve Komisioni Europian u përball me një krizë financiare duke dalë në thirrje urgjente për rritjen e fondeve për të menaxhuar katastrofat natyrore të nxitura nga ndryshimet klimaterike. Kjo pasi ndihmat emergjente ishin përdorur për fatkeqësitë natyrore të vitit 2021-2022 ku krizat emergjente e gjetën BE-në të papërgatitur. Kjo situatë shërbeu si një ‘këmbanë zgjimi’ ku duhej aplikuar menjëherë një qasje më e gjerë lidhur me konceptimin dhe menaxhimin e ndryshimeve klimaterike. Kjo si pasojë e dëmeve të parikuperueshme të përmbytjeve në Slloveni apo zjarreve në Greqi, si dhe temperaturate larta në Spanjë, ku në të treja vendet shkatërruan turizmin dhe prodhimtarinë bujqësore.

Sipas një interviste të Komisionerit Europian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarcic, qendra e reagimit të emergjencave të BE-së ishte thirrur 12 herë vetëm në muajin Korrik dhe Gusht 2023 për menaxhimin e këtyre fatkeqësive. Ai shprehu se është një buxhet vjetor me një vlere prej 1.2 miliardë euro, por që në vijimësi të viteve 2024-2027 parashikohet që të shtohet 2.5 miliardë euro shtesë. Mbetet për t’u parë rritja e të ardhurave, pasi qeveritë kanë interes që secili të sigurojë më shumë para në këto situata. Komisioneri tha se roli i mekanizmi të mbrojtjes qytetare të BE-së, sistemi europian i reagimit ndaj fatkeqësive është në gatishmëri të plotë operacionale, por mund të ndodhë që në raste të caktuara mund të mos jetë në gjendje të menaxhojë për shkak të burimeve të pakta financiare. (Abnett, 2023)

Konteksti aktual tregon se KE-ja e ka bërë të qartë pozicionin e saj duke paralajmëruar nevojën që BE-ja duhet të aplikojë një qasje më elastike ndaj krizave që shkaktohen nga ndryshimet klimaterike dhe sfidën financiare për të parandaluar dhe menaxhuar situatat që ndodhin. Vetëm në këto dy muaj verë nga fatkeqësitë natyrore ka pasur pasoja fatale me humbje jetë njerëzish, dëme mjedisore, shkatërrim të infrastrukturës dhe dëme ekonomike. Situata e krijuar është një alarm për ndikimin që kanë ndryshimet klimaterike dhe thekson urgjencën për ndërmarrjen e veprimeve të koordinuara për të parandaluar katastrofa të tjera natyrore, jo vetëm në nivel rajonal, por dhe më tej.

 

Përfundime dhe rekomandime

Të gjitha fatkeqësitë natyrore të ndodhura këtë verë nxorën në pah se BE-ja dhe shtetet në veçanti janë ende të papërgatitura edhe pse vit pas viti është bërë evidente që ndryshimet klimaterike janë kthyer në një kërcënim serioz. Valët e nxehta, zjarret dhe përmbytjet e shpeshta janë një element tregues që theksojnë nevojën që të ndërmerren masa drejt politikave të qëndrueshmërisë. Duhet të vazhdohet të përshtatemi dhe të ndërmerren veprime që zvogëlojnë emetimet e gazeve, rritjen e ndërgjegjësimit të shoqërisë dhe të theksohet se ndryshimet klimaterike janë një kërcënim i secilit prej nesh. (EEA, 2023)

Mësimet e nxjerra nga fatkeqësitë natyrore në Europë lidhur me politikat për mjedisin dhe klimën, dhe problematikat për menaxhimin e tyre janë:

Ø  Së pari, rritja e ndërgjegjësimit të shoqërisë për ndryshimet klimaterike.

Kjo mund të realizohet në saj të hartimit të një strategjie, e cila mund të përfshijë disa linja si:

-  Edukimi i shoqërisë duke i orientuar drejt qasjes sa më miqësore me mjedisin, përfshirja e kurrikulave që zhvillojnë mendimin pro-mjedisit apo përfshirja në aktivitete për përmirësimin e mjedisit si mbjellja e pemëve;

- Dhënia më shumë hapësirë për shoqëritë civile, organizatat dhe aktorët e ndryshëm që promovojnë tematikat mjedisore.

-  Të gjitha këto kërkojnë një angazhim të vazhdueshëm dhe të koordinuar mes aktorëve lokalë, qendrorë dhe në nivel të BE-së që të arrihen veprime konkrete për zbutjen e efekteve të ndryshimeve klimaterike.

 

Ø  Së dyti, përforcimi i politikave kombëtare të përshtatjes ndaj ndryshimeve klimaterike të shteteve anëtare të BE-së. Të gjitha shtetet anëtare të BE-së identifikojnë rreziqet potenciale që mund të shkaktojnë ndryshimet klimaterike dhe në bazë të tyre hartojnë strategjitë lidhur me menaxhimin, sektorët që mund të preken si bujqësia, shëndetësia, turizmi etj. Fillimi i këtyre hapave nga niveli kombëtar është i rëndësishëm për të siguruar një përgjigje te koordinuar dhe efektive në nivelin e Bashkimit Europian.

Ø  Së treti, aplikimi i ekonomisë së gjelbër në saj të përdorimit të burimeve të rinovueshme, teknologjisë së pastër dhe prodhim-konsumimi të jetë më miqësor ndaj mjedisit. BE-ja që të arrijë një ekonomi të gjelbër është e rëndësishme që të përforcojë legjislacionin duke vendosur standarde më të larta për transportin dhe industrinë dhe fusha të tjera kyçe të ekonomisë. Gjithashtu një hap tjetër mund të jetë dhe ndërtimi i qëndrueshëm dhe miqësor me mjedisin, shtimi i hapësirave të gjelbërta dhe blu, ofrimin e lehtësirave financiare për aktorët që do të aplikojnë, zhvillojnë dhe do të përdorin teknologjinë e pastër. Të gjitha këto hapa kërkojnë që jo vetëm BE-ja, por dhe aktorë të tjerë si shoqëria, qeveritë, bizneset dhe shkencëtarët të bashkëpunojnë së bashku. Mënyra më e mirë është aplikimi fillimisht i një strategjie afatgjate dhe konkrete në veprime.

Ø  Së fundi, është e rëndësishme krijimi i një instrumenti të ri fleksibël për të mbuluar fatkeqësitë natyrore për shkak dhe të natyrës së paparashikueshme të tyre. Instrumenti në fjalë konsiston që në saj të përdorimit të teknologjisë bëhet matja e intensitetit të fatkeqësisë, që mund të ndodhë dhe përllogaritja e kostove që mund të shkaktojë dhe në bazë të ndërtimit të skenarëve e të merren masat paraprake që të ulet niveli i rrezikshmërisë.

Në përmbyllje, nga analiza e parashtruar kuptohet se menaxhimi i fatkeqësive natyrore në Europë është në një pikë kritike, e cila kërkon shumë veprime konkrete të koordinuara dhe jo vetëm hartim politikash.

 

Kristina Lata, dhjetor 2023

*Kristina Lata ka përfunduar studimet e larta në degën “Shkenca Politike” dhe studimet master si ekselente në programin “Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci” në Universitetin “Aleksandër Moisu”, Durrës. Gjithashtu zotëron dhe një diplomë master profesional në degën “Logjistikë dhe Siguri Detare” në të njëjtin universitet. Ajo gjithashtu ka marrë pjesë në shkolla verore, trajnime dhe aktivitete të cilat lidhen më së shumti me kërkimin shkencor në fushën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Kristina është autore dhe bashkëautore e disa artikujve[1][2], propozimeve[3][4] dhe projekteve akademike[5] të realizuara për konferenca dhe panele të ndryshme politikëbërës

 

 

 

4.     Referenca

 

Abnett, K. (2023, September 12). EU’s disaster response fund at limit as climate crises mount. Gjetur në Reuters : https://www.reuters.com/world/europe/eus-disaster-response-fund-limit-climate-crises-mount-2023-09-12/

EEA. (2023, September 18). Extreme weather: floods, droughts and heatwaves. Gjetur në European Environment Agency: https://www.eea.europa.eu/en/topics/in-depth/extreme-weather-floods-droughts-and-heatwaves

EEA. (2023, June 13). What could the summer bring? Is extreme weather the new normal? Gjetur në The European Environment Agency: https://www.eea.europa.eu/en/newsroom/news/what-could-the-summer-bring

European Commission. (2021). European Climate Law. Gjetur në Climate Action : https://climate.ec.europa.eu/eu-action/european-climate-law_en

European Commission. (2022). EU Civil Protection Mechanism. Gjetur në European Civil Protection and Humanitarian Aid Operations : https://civil-protection-humanitarian-aid.ec.europa.eu/what/civil-protection/eu-civil-protection-mechanism_en

European Commission. (2022). EU Civil Protection Mechanism. Gjetur November 16, 2023, nga EU Civil Protection Mechanism: https://civil-protection-humanitarian-aid.ec.europa.eu/what/civil-protection/eu-civil-protection-mechanism_en

European Council. (2023, February 7). Climate change: what the EU is doing. Gjetur në Europa.eu : https://www.consilium.europa.eu/en/policies/climate-change/

European Parliament. (2023, March 31). Environment policy: general principles and basic framework. Gjetur në Fact Sheets on the European Union: https://www.europarl.europa.eu/factsheets/en/sheet/71/environment-policy-general-principles-and-basic-framework

Flexibility and special instruments. (2021). Gjetur në European Commission : https://commission.europa.eu/strategy-and-policy/eu-budget/long-term-eu-budget/2021-2027/spending/flexibility-and-special-instruments_en

Glade, T., & Alexander, D. E. (2013). Classification of Natural Disasters. Springer EBooks, 78-82. Gjetur në https://doi.org/10.1007/978-1-4020-4399-4_61

Kramina, I. (2022). An overview of the EU Solidarity Fund - 2002-2022. Gjetur në Europa.eu: https://cohesiondata.ec.europa.eu/stories/s/An-overview-of-the-EU-Solidarity-Fund-2002-2022/qpif-qzyn/

Nen, S. (2023, August 24). Euronews Albania. Gjetur November 16, 2023, nga Euronews Albania reports from Greece, Albanian team fighting flames: https://euronews.al/en/euronews-albania-reports-from-greece-albanian-team-fighting-flames/

WeBalkans. (2022, November 18). EU Projects in the Western Balkans. Gjetur November 16, 2023, nga Albania Joins the EU Civil Protection Mechanism: https://webalkans.eu/en/news/albania-joins-the-eu-civil-protection-mechanism/.

Wybrew, A. (2023, August 8). Extreme weather brings raging fires and torrential rain to Europe. Gjetur në Euronews: https://www.euronews.com/green/2023/08/08/torrential-rain-flash-floods-and-raging-wildfires-europes-extreme-summer



[1]  Bashkëautore në studimin “Progresi i Shqipërisë në Përmbushjen e Objektivit 7 në kuadër të Axhendës 2030” Aksesi: http://dx.doi.org/10.13140/RG.2.2.10938.16323 

[2] Bashkëautore në studimin: “The democracy and developments in Albania during the 2016-2021 time period, an analysis on the results of Objective 16 of Agenda 2030”. Aksesi në http://genclerle360.cbu.edu.tr/wp-content/uploads/Full-Text.pdf

[3] http://debate.scidevcenter.org/wp-content/uploads/2023/07/DIASPORA-DHE-RINIA.pdf

[4] http://debate.scidevcenter.org/wp-content/uploads/2022/07/Akt.7-Rivitalizimi-trashegimia-industriale.pdf

[5]“Nato dhe lufta në Ukrainë”. Aksesi: https://cleanscore.al/wp-content/uploads/2022/06/KPK3-Punimet-Finaliste-Web.pdf  , faqe 187.

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk