Problemet e shëndetit mendor, pandemia e Covid-19 dhe nevoja urgjente për investim

 Problemet e shëndetit mendor, pandemia e Covid-19 dhe nevoja urgjente për investim

***

Covid-19 ka ndikuar në mënyrë direkte: në shëndetin mendor të stafit mjekësor që gjendet në vijën e parë të luftës dhe që përballet me mbingarkimin e sistemit shëndetësor, në shëndetin mendor të individëve që tashmë janë rikuperuar nga virusi, të familjarëve të tyre, por ndikim edhe më të madh të atyre që humbën njerëzit e dashur në luftën me virusin e janë në procesin e zisë. Në anën tjetër pandemia ka ndikuar në mënyrë indirekte, duke sjelle fillimisht probleme ekonomike të cilat si pasojë kanë efekt në shëndetin mendor. Të gjithë këto janë stresorë madhorë që kontribuojnë në rritjen e riskut ndaj zhvillimit të sëmundjeve mendore. Sigurisht, pas katastrofave si tërmeti, tsunami, uragani, apo edhe pandemia, jo të gjithë njerëzit shfaqin simptoma të sëmundjeve mendore. Faktorët e riskut ndryshojnë në bazë të profesionit, statusit martesor, moshës, gjinisë, dhe pranisë së hershme të çrregullimeve të tjera psikiatrike. Më poshte do të analizohen disa nga çrregullimet e shëndetit mendor, mënyrat dhe arsyet pse pandemia e sars-cov-2 mund të ketë ndikim të thellë.

Çrregullimet e shëndetit mendor dhe Covid-19

Që nga fillimi i pandemisë u rritën çrregullimet e ankthit. Kjo mund të shihet tek profesionistet e kujdesit mjekësor të cilët jane më të ekspozuar ndaj virusit. “A jam mbrojtur mjaftueshëm sot në punë? A janë këto simptoma të virusit?” Por, çrregullimet mund të shihen edhe tek pacientët që po luftojnë me virusin: “A do të shërohem? A do të përkeqësohem? Edhe sa do të zgjasë?” Ankthi mund të shihet madje edhe tek të sheruarit: “A do të infektohem sërish?”. Sigurisht ankth ndjen dhe pjesa tjeter e njerëzve që po përpiqet të mbrohet: ”A jam mbartës i virusit? A janë këto simptoma të sars-cov-2 apo të një gripi normal?” Në këtë grup sëmundjesh përfshihet edhe çrregullimi i panikut, fobitë dhe çrregullimi obsesivo-kompulsiv, të cilat mund të shënojnë një rritje në prevalencë. Çrregullimi obsesiv kompulsiv përkufizohet si të pasurit mendime të vazhdueshme, përsëritëse, e iracionale. Ndaj, larja e shpeshtë e duarve, kujdesi maksimal ndaj higjienës, mbajtja e maskës në ambiente të hapura e të mbyllura, përdorimi i shpeshtë i dezinfektantëve, dhe të gjithë sjelljet e integruara në jetët tona dhe që përbëjnë normalitetin për shkak të pandemisë, mund të ekstremizohen nisur nga dëshira e mirë e mbrojtjes së vetes nga virusi dhe mund të kthehen në çrregullim obsesiv kompulsiv.

Çrregullimi post traumatik (PTSD) është përjetimi i përsëritur i detajeve negative të një eventi traumatik, pra mund të përkufizohet si sëmundje e shëndetit mendor e shkaktuar nga një event jashtë eksperiencës normale njerëzore (Belrose, C., Duffaud, A. M., Dutheil, F., Trichereau, J., & Trousselard, M., 2019). Pas epidemisë së SARS, kur u morën në studim të shëruarit nga ky virus, rezultoi se një e katërta e tyre shfaqnin çrregullim postraumatik (I. W. C., Chu, C. M., Pan, P. C., Yiu, M. G. C., Ho, S. C., & Chan, V. L., 2010). Edhe për Sars-cov-2, studiues të ndryshëm në Kinë, shtetin e parë të goditur nga pandemia, kanë gjetur prezencë të konsiderueshme simptomash çrregullimi post traumatik. Ndërkohë që në një studim në Itali, në kulmin e pandemisë, më shumë se një e treta e të anketuarve raportonin simptoma të rënda çrregullimi post traumatik (di Crosta, A., Palumbo, R., Marchetti, D., Ceccato, I., la Malva, P., Maiella, R., Cipi, M., Roma, P., Mammarella, N., Verrocchio, M. C., & di Domenico, A., 2020).

Ndër masat e menjëhershme që u mor në përballimin e Sars-cov-2 ishte karantina, distancimi social, dhe shtetrrethimi. Sigurisht, karantina si masë e distancimit fizik me qëllim uljen e infektimit, ka pasur efektet e saj psikologjike tek individët të cilët mund të jenë ndjerë të izoluar, të vetmuar e mund të kenë shfaqur edhe simptoma depresioni. Ndërkohë, të infektuarit me virus dhe të shtruar në spital kanë pasur mungesë të kontaktit me familjarët dhe janë shërbyer nga stafi mjekësor i mbuluar me kostume që i kujtojnë filmat fantashkence. Thënë ndryshe, izolim ne shtëpi, vetmi në shtëpi, vetmi në spitale, vetmi në çastet e fundit të jetës.

Me shumë rëndësi është procesi i zisë për ata që humbën njerëzit e dashur nga lufta me virusin. Proces shumë i vështirë që konsiston në përshtatjen me realitetin e ri, për të cilin duhet mbështetja nga rrethi shoqëror e cila në kohë pandemie ka rezultuar disi më e vështirë të ofrohet për shkak të distancimit social të detyrueshëm.

Së fundmi, është shumë e rëndësishme që në ekuacionin e shëndetit mendor të llogaritet edhe një fenomen i dhimbshëm si vetëvrasja. Tashmë në vendin tonë, janë regjistruar disa raste vetëvrasjeje të individëve të sëmurë me këtë virus. Një situatë kaq e tensionuar mund të bëhet shtysë si për stafin mjekësor që është i tejngarkuar, si për të sëmurët, po ashtu edhe për pjesën tjetër të popullsisë.

Strategjitë e minimizimit të riskut të shfaqjes së problemeve mendore

Tashmë është detyra e të gjithëve të minimizojmë riskun e problemeve mendore. Çfarë mund të bëjë individi?

Për të minimizuar riskun e shfaqjes së problemeve mendore, si individë ne mund të vazhdojmë ti gjendemi pranë njëri tjetrit nëpërmjet teknologjisë, duke rritur komunikimin virtual me njerëzit e dashur, duke u siguruar që ata janë mirë dhe duke u gjendur pranë. Koha e pandemisë është koha kur individi më shumë se kurrë, ka nevojë të shohë por edhe të kryejë akte solidariteti. Të gjitha këto ndihmojnë në uljen e ndjesisë së vetmisë, lehtësimin e izolimit i cili merr formën e distancimit fizik më shumë se distancim social dhe si pasojë ulen stresorët që ndikonin në minimizimin e faktorëve të riskut shkaktarë të çrregullimeve mendore.

Çfarë mund të bëjnë institucionet publike dhe jopublike?

Së pari autoritetet shtetërore dhe ndërkombëtare duhet ti ofrojnë publikut informacion të saktë, të ulin tensionet, dhe mbi të gjitha të mos përhapin panik. Dhënia e informacioneve të kundërta me njëra-tjetrën apo e informacioneve të pavërteta krijojnë konfuzion në publik. Konfuzioni, paqartësia mund të shkaktojnë panik në popullsi, sepse individët nuk dinë si të reagojnë ndaj kësaj situate. Sa më i saktë e i qartë informacioni, sa më e informuar popullsia, aq më shumë ulet risku i përhapjes së panikut dhe zhvillimin e çrregullimeve mendore.

Së dyti, individit duhet t’i sigurohen nevojat bazike të jetës, që sipas Abraham Maslow përfshin nevojat themelore fiziologjike (frymëmarrja, ushqimi, uji, strehimi, gjumi, veshmbathja). Në këtë kohë është shtuar edhe një nevojë tjetër: aksesi internetit sepse individëve u duhen mënyra të reja komunikimi, për të mos thyer rregullat e distancimit fizik. Kështu institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare mund të suportojnë individët e familjet e varfra dhe më të cënueshme duke i ndihmuar në sigurimin e nevojave bazë si strehimi, ushqimet e shportës, e kujdesi mjekësor. Gjithashtu duhet të implementohen instrumente financiare mbështetëse si psh ndihma ekonomike. Në këtë mënyrë individi mund të fokusohet jo në mbijetesë, por mundohet të jetojë jetën sa më afër normales-para pandemisë. Megjithë këto mbështetje, individit i largohen stresorët dhe i jepet mbrojtja financiare, duke minimizuar në këtë mënyrë riskun e zhvillimit të sëmundjeve mendore.

Politikat e shëndetit mendor në Bashkimin Europian dhe Shqipëri

Me anë të instrumenteve të ndryshme financiare, Bashkimi Europian ka asistuar Ballkanin në luftën kundër Covid-19 duke siguruar pajisje shëndetësore, mjete mbrojtëse, teste por edhe likuiditet në mënyrë që të ulej impakti shoqëror dhe ekonomik i pandemisë(Bieber, F., Prelec, T., Djolai, M., Emini, D., Marović, J., Majstorović, S., & Holzner, M., 2020).

OBSH në analizën e vitit 2015 pohonte se “8% e familjeve kryejnë shpenzime shëndetësore varfëruese” (Tomini F, Tomini S.,2020). Ndaj shihet si domosdoshmëri investimi në përmirësimin e shëndetit mendor të popullsisë duke mundësuar parandalimin e sëmundjeve mendore (uljen e stresorëve, forcimin e mbrojtjes financiare), duke mundësuar zbutjen e efektit të pandemisë në ekonomi.

Nëse synojmë mirëqënie atëherë duhet të veprohet sot për të parandaluar skenarë edhe më dramatikë. Nesër mund të përballemi me rritje eksponenciale vetëvrasjesh apo të numrit të individëve që shfaqin sëmundje mendore. Hapi kryesor për këtë është hartimi i politikave mbështetëse apo reformave në lidhje me shëndetin mendor; duhet të hartohen politika sociale sic kanë bërë Bullgaria, Polonia, Mbretëria e Bashkuar. Sugjerohet t’i kushtohet rëndësi koordinimit shëndetesor, e të hartohen plane kombëtare shëndetësore siç kanë bërë Franca, Italia, Letonia dhe Hollanda. Si shembuj konkret mund te përfshihen qasja e lire ne transportin publik nga punëtoret shëndetësorë; përdorimi i biçikletave falas; ofrimi i linjave te ndihmës ku ofrohet mbështetja psikologjike nga profesioniste te trajnuar, ose referimi në shërbime shtese; objektet dhe shkollat e kujdesit për fëmijë kanë mbetur të hapura për të siguruar kujdesin për fëmijët e punonjësve shëndetësorë ose lejimi i qendrimit në shtëpi nëse nuk ka një shërbim të tillë nga shteti.

Duke marrë shembull nga këto shtete, edhe në Shqipëri duhet të kërkohet rritja e numrit të stafit mjekësor, psikologëve, dhe të sigurohen shkëmbime eksperiencash mes profesionistëve në BE dhe Shqipëri, qoftë nëpërmjet trajnimeve por edhe nëpërmjet workshopeve të ndryshme.

Megjithatë është vënë re që mungojnë politikat e qarta të shëndetit mendor nga të gjitha shtetet. Duket qartazi që jemi fokusuar në mbijetesë, në luftën me virusin dhe akoma duket sikur politikëbërësve nuk u ka trokitur problemi i shëndetit mendor në dyert e tyre. Pavarësisht kësaj, politikat e shëndetit mendor duhet të formësohen sa më shpejt të jetë e mundur.

Një Europë e rimëkëmbur nga pandemia do të krijohet vetëm nga një Europë me individë rezilientë (të qendrueshëm) dhe mënyra sesi do të arrihet kjo është duke investuar në shëndetin mendor për përmirësimin e shëndetit, cilësisë së jetës, me synim reduktimin e sjelljeve me risk shëndetësor të lartë (konsumi i lartë i alkolit, duhanpirja, kequshqyerja), me synim reduktimin e numrit të vetëvrasjeve, me synim edukimin e fëmijëve dhe adoleshentëve mbi shëndetin mendor, dhe së fundi me synim përmirësimin e shëndetit fizik dhe jetëgjatësisë (European Framework for Action on Mental Health and Wellbeing,2016).

Përfundime

Është e kuptueshme që gjatë kësaj krize janë adresuar fillimisht nevojat imediate për përballimin e emergjencës. Por shumë shpejt po vjen edhe një dallgë tjetër, kësaj here jo me individë që vuajnë nga virusi, por me individë që shfaqin simptoma të sëmundjeve mendore. Është tunduese të lihet në hije, sidomos nëse merret parasysh një histori e gjatë e një shoqërie ku individët që vuajnë nga problemet mendore i përjashton, i stigmatizon, dhe i damkos në vend që ti ofronte suport dhe mundësi të mblidheshin bashkë, të ndanin eksperienca e të ndihmonin njëri-tjetrin.

Politikëbërësit duhet të marrin në konsideratë kostot e kripura të shëndetit mendor, frikën nga stigmatizimi, apo edhe besimin fals se me kalimin e kohës simptomat e çrregullimeve do të veniten. Kjo kohë, kërkon një përgatitje urgjente të një strategjie gjithëpërfshirëse për shëndetin mendor.

Rekomandime                                   

Pandemia e Covid-19 rrit faktorët e riskut në zhvillimin e sëmundjeve mendore dhe në përkeqësimin e agravimin e sëmundjeve tek ata që tashmë vuanin nga këto sëmundje. Nëse target mbetet mirëqënia e këtyre personave dhe përmirësimi i cilësisë së jetës së tyre atëherë duhet të monitorohen me kujdes nevojat psikosociale të profesionistëve të shëndetit mjekësor, të pacientëve dhe publikut gjatë luftës me sars-cov-2. Duhet ndërhyrë në uljen e diskriminimit, në suportimin e rimëkëmbjes. Ata që diagnostikohen me sëmundje mendore të trajtohen me respekt e dinjitet si çdo person tjetër dhe të mos diskriminohen kur kërkojnë të jenë pjesë e shoqërisë, apo kur kërkojnë të integrohen në shoqëri.

Studime të ndryshme kanë sugjeruar disa udhëzime rreth shëndetit mendor dhe mbështetjes psikosociale gjatë situatave emergjente, duke përfshirë integrimin e niveleve të ndryshme të intervenimit si një kundërpërgjigje ndaj epidemive (Orrù, G., Ciacchini, R., & Conversano, C., 2020). Në këto udhëzime përfshihet promovimi i të drejtave të njeriut dhe barazia; përdorimi i qasjeve të pjesëmarrjes; vazhdimi i ndërtimit mbi burimet, mundësitë, dhe aftësitë ekzistuese; si dhe punimi me sisteme integruese të mbështetjes. Një pike që mund të ceket është implementimi i intervenimeve të bazuara në mindfulness (meditim i drejtpërdrejtë) për shkak se mund të shërbejnë si një platformë për përforcim të burimeve, zvogëlim te stresit, si dhe parandalimin e rezultateve psikopatologjike afatgjata në grupe vulnerable, përfshirë këtu profesionistët mandil bardhë, pacientë psikiatrik dhe kujdestarët e tyre, personat e moshuar, dhe pacientët me sëmundje kronike (Li, G., Yuan, H., & Zhang, W., 2016), (Di Giuseppe, M., Gemignani, A., & Conversano, C., 2020).

Shërbimet e shëndetit mendor duhet të zhvillojnë dhe vlerësojnë: mënyrat më efektive të kujdesit për personat vulnerabël, të ofrojnë strategji psiko-arsimore rreth stresit, traumës, vetëvrasjes, dhunës familjare, si dhe trajnime për stafin për të mbështetur mënyra të reja të punës. Po ashtu, zhvillimi i platformave mbështetëse multidisiplinare mund të jetë e dobishme për zvogëlimin e stresit si shkak i keqinformimit dhe ofrimit të strategjive për zgjidhjen e problemeve për të përballuar pandeminë. Në një mënyre kjo do t’ua mundësonte njerëzve të rrisnin reziliencën e tyre duke ju mësuar mënyra të reja për përballimin e pandemisë në mënyrë efektive.

Është thelbësore që të forcohet telemjekësia dhe ta mbështesim me anë të qeverisjes dhe fondeve të duhura. Kjo do ta lehtësonte situatën e monitorimit të vazhdueshëm për shëndetit mendor pas-pandemisë. Duke i pajisur profesionistet e shëndetit mendor me pajisje të përshtatshme dhe duke iu ofruar trajnime të nevojshme, atëherë do të mundësohej një mbështetje e fuqishme kundër një valë të mundshme të shëndetit mendor pas pandemisë. Prandaj, është shumë me rëndësi që sa më parë të merren hapat e duhur në lidhje me shëndetin mendor gjatë dhe pas pandemisë. Pandemia e Covid-19 do të përfundojë një ditë, por duhet të jetë e qartë që koha më e mirë për të investuar është tani, më vonë mund të jetë shumë vonë.

Anisa Tahiri, janar 2021

*Anisa Tahiri ka përfunduar studimet e larta në degën e Psikologjisë, duke u diplomuar e para e Fakultetit të Shkencave Sociale në Istanbul Sehir University, Stamboll, Turqi. Anisa zotëron gjithashtu edhe Bachelor në Menaxhim e Tregti Ndërkombëtare. Në vitin 2014 iu akordua çmimi 'Arritje me Meritë' si Studente e Ekselencës. Ajo ka bashkëpunuar me profesorë në projekte të ndryshme kerkimore në fushat e Psikologjise Sociale, Neuroshkencës, dhe Psikologjisë Konjitive. Anisa flet rrjedhshëm Anglisht, Frengjisht dhe Turqisht.

Referenca:

Belrose, C., Duffaud, A. M., Dutheil, F., Trichereau, J., & Trousselard, M. (2019). Challenges associated with the civilian reintegration of soldiers with chronic PTSD: A new approach integrating psychological resources and values in action reappropriation. Frontiers in Psychiatry. https://doi.org/10.3389/fpsyt.2018.00737

Mak, I. W. C., Chu, C. M., Pan, P. C., Yiu, M. G. C., Ho, S. C., & Chan, V. L. (2010). Risk factors for chronic post-traumatic stress disorder (PTSD) in SARS survivors. General Hospital Psychiatry. https://doi.org/10.1016/j.genhosppsych.2010.07.007

di Crosta, A., Palumbo, R., Marchetti, D., Ceccato, I., la Malva, P., Maiella, R., Cipi, M., Roma, P., Mammarella, N., Verrocchio, M. C., & di Domenico, A. (2020). Individual Differences, Economic Stability, and Fear of Contagion as Risk Factors for PTSD Symptoms in the COVID-19 Emergency. Frontiers in Psychology. https://doi.org/10.3389/fpsyg.2020.567367

Bieber, F., Prelec, T., Djolai, M., Emini, D., Marović, J., Majstorović, S., ... & Holzner, M. (2020). The Western Balkans in Times of the Global Pandemic. Balkans in Europe Policy Advisory Group, 1-37.

Tomini F, Tomini S. (2020). A mund t’i përballojnë shqiptarët pagesat për kujdesin shëndetësor? Dëshmi të reja për mbrojtjen financiare në Shqipëri. Përmbledhje. Kopenhagë: Zyra Rajonale e OBSH-së për Evropën. Licenca: CCBY-NC-SA 3.0 IGO.

European Framework for Action on Mental Health and Wellbeing: EU joint action on mental health and well-being. (2016).

Orrù, G., Ciacchini, R., & Conversano, C. (2020). Psychological intervention measures during the COVID-19 pandemic. Clinical Neuropsychiatry: Journal of Treatment Evaluation, 17, 76–79.

Li, G., Yuan, H., & Zhang, W. (2016). The effects of mindfulness-based stress reduction for family caregivers: Systematic review. Archives of Psychiatric Nursing, 30, 292–299. https://doi.org/10.1016/j.apnu.2015.08.014

Di Giuseppe, M., Gemignani, A., & Conversano, C. (2020). Psychological resources against the traumatic experience of COVID-19. Clinical Neuropsychiatry: Journal of Treatment Evaluation, 17, 85–87.

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk