Angela Merkel, Njeriu i Vitit

Angela Merkel, Njeriu i Vitit


Dhe pse e lindur në Hamburg, qytet i Gjermanisë Perëndimore babai i saj pastor do ta merrte familjen në Berlinin Lindor në vitin 1975 duke u bërë shkak që Angela ta kalonte rininë e saj në anën lindore të murit, duke përjetuar mungesën e lirisë dhe kufizime të tjera dhe duke u ndjerë e pafuqishme të realizonte ëndrrën e saj për të shkuar në Kaliforni. Jeta e saj në Gjermaninë Lindore ndikoi shumë në personalitetin e saj, si një vajzë e urtë, që mundohej të shmangte aktivitetin fizik dhe radhët e para, duke kalitur njëkohësisht më së miri durimin dhe qetësinë. E martuar dy herë, ajo mbajti nga martesa e parë 5-vjeçare mbiemrin e bashkëshortit Merkel, duke mos e ndryshuar atë edhe pas martesës me bashkëshortin e saj aktual Joachim Sauer. Mënyra e jetesës e udhëheqëses gjermanes nuk ndryshon shumë nga ajo e qytetarëve të saj, karakterizuar nga thjeshtësia, ajo sot jeton në një apartament jo më shumë se 120 metra katror në një lagje të Berlinit, i pëlqen të bëjë pazarin vet dhe veshjet e saj janë të thjeshta dhe përgjithësisht me të njëjtat ngjyra. E diplomuar në fizikë dhe me një doktoraturë në kiminë kuantike askush nuk do ta parashikonte dot që ajo sot do të bëhej modeli i politikanes së suksesshme, të aftë për të gjetur dhe ofruar zgjidhje, që po krijon një precedent të ri të politikanes femër jo vetëm me aksionet e saj politike, por edhe në artikulim, qasje dhe imazh.

Fillesat e angazhimit të saj në politikë, nisin menjëherë pas rënies së Murit të Berlinit në vitin 1989, duke upërfshirë në radhët e Partisë konservatore gjermane, Bashkimi Demokratik i Krishterë (CDU), kur ajo ishte 35 vjeçe. Në zgjedhjet e para të lira të vitit 1990 ajo u emërua si zëv/zëdhënëse shtypi, por problemi me theksin e saj “provincial” e vuri në qendër të shakave dhe ironive. Por kjo nuk e ndaloi atë që të marrë postin e saj të parë si Ministre e Grave dhe Rinisë, në qeverinë e parë të Gjermanisë së Bashkuar kryesuar nga CDU e më vonë të emërohet Ministre e Mjedisit, Mbrojtjes së Natyrës dhe Sigurisë Bërthamore. Arsyeja për këtë është sepse Merkel ‘prapa kuintave’ bënte dallimin në krahasim me kolegët e tjerë dhe arriti të merrte mbështetjen e figurave kryesore që kishin bërë historinë në partinë konservatore CDU. 

Ish-kryeministri i Gjermanisë, Lothar De Maiziere ishte një nga ata që kishte një vlerësim mjaft pozitiv ndaj Merkel, duke e admiruar për saktësinë, aftësitë fantastike analitike dhe vëmendjen ndaj çdo detaji. “Ajo do të sillte materialet kryesore ndërkombëtare të gjitha të shënuara me shprehje: ‘Kjo është pjesa më e rëndësishme’ ose ‘Duhet të lexosh këtë’ dhe kishte gjithmonë të drejtë”- shprehet ai. Por ajo kishte dhe mbështetës të tjerë të fuqishëm në parti, siç ishte vetë kryetari i asaj kohe të CDU-së, Helmut Kohl i cili e thërriste Angelan ‘vajza ime’. Dhe këtë mbështetje Angela nuk do e harronte kurrë, madje ajo e tregoi besnikërinë e saj ndaj kryetarit, kur Kohli kryeministër në vitin 1998 u akuzua për një skandal të madh financiar. Pas kësaj ngjarjeje, dy vite më vonë nën gjurmët e mentorit të saj Merkel bëhet kryetare e CDU-së, si femra e parë kryetare e partisë dhe në 2005 i udhëheq ata drejt fitores dhe krijimit të qeverisë së re gjermane. Merkel solli ndryshimin në parti, ku ndryshe nga paraardhësit e saj arriti fuqinë dhe pushtetin brenda partisë, siç kishte bërë Adenauer një herë e një kohë.
merk2

Aftësia dhe sukseset e saj u vunë re që në fillimet e karrierës si Ministre e Mjedisit, ku ishte mikpritëse e Konferencës për Klimën në Berlin që pati si përfundim madhor premtimin për herë të parë të zvogëlimit të nivelit të emetimeve të gazit dhe efektit serë. Por Merkel si kryeministre ndryshoi Gjermaninë, duke e kthyer nga ‘vendin e sëmurë’ të BE-së në parajsën europiane. Merita më e madhe e Merkel si fillim dallohet tek fakti që Gjermania nuk u prek nga kriza financiare e 2008. Ndërkohë që Europa vuante dhe shumë vende kërkonin ndihmë, Gjermania po shihte një lulëzim të saj ekonomik, kjo për arsyen e paketave të stimulimit që Merkel propozoi dhe uljen e orëve të punës për punëtorët, duke u ndihmuar nga qeveria për të mbajtur të njëjtin nivel pagash, normat e ulëta të interesit të bondeve dhe roli i fuqishëm si eksportues i Gjermanisë. Risi dhe reforma solli edhe për politikat sociale, ku në 2007 prezantoi Përfitimin Prindëror në mbështetje të çifteve me fëmijë, duke pasur si qëllim lehtësimin e barrës financiare dhe rritjen e numrit të lindjeve në Gjermani. Sipas kësaj skeme prindërit mund të marrin pushim 14 muaj pas lindjes së fëmijës, më mundësinë për t’i alternuar me njëri-tjetrin dhe gjatë kësaj periudhe ata përfitojnë 67% të pagës së tyre.

Një tjetër politikë sociale e suksesshme e ndjekur nga Merkel ishte vendosja e pagës minimale ( 1 orë paguhet me 8.50 € ) më 1 Janar 2015, që ndihmon në uljen e pabarazisë së pagave dhe asaj shoqërore. Gjithashtu Merkel hoqi detyrimin ushtarak në vitin 2011 dhe uli numrin e ushtarëve deri në 170 mijë duke kthyer në një ushtri profesioniste. Nga ana tjetër ajo reformoi sektorin e energjisë gjermane duke mbyllur 8 nga 17 reaktorët bërthamorë në Gjermani me qëllim që të kalohet në përdorimin e burimeve energjetike alternative duke e kthyer Gjermaninë në një lider botëror mbi reformat mbi energjinë dhe përpjekjet për të zgjidhur ngrohjen globale. Sot ajo konsiderohet ‘Mami’ nga gjermanët por edhe më gjerë jo vetëm për periudhën e gjatë që ka si kryeministre, por edhe për shkak të mënyrës se si ajo është kujdesur për zhvillimin e vendit, arritjet dhe stabilitetin ekonomik – social të Gjermanisë, por gjithashtu edhe ndaj politikave të ndërmarra për zgjidhjen e çështjes së emigrantëve dhe mikpritjes së treguar deri më tani.

Në arenën ndërkombëtare kriza greke nxori në pah Merkelin si figurën më të rëndësishme për ofrimin e zgjidhjeve por edhe më të kritikuarën e reflektuar kjo në viktimë të karikaturave, shprehje e pakënaqësisë së qytetarëve të vendeve të Europës Lindore të prekur nga kriza më së shumti. Shumë shpejt asaj iu vendosën epitete si një politikane e ftohtë dhe e pashpirt, edhe pse ishte e vetmja që arriti ta kufizonte më së miri problemin që po përballej jo vetëm Greqia por i gjithë Bashkimi Europian. “Nëse Euro dështon, Europa dështon” – është shprehur ajo duke shpjeguar vetëm me një fjali të gjithë krizën e euros që nuk ishte më vetëm një krizë ekonomike. Masat shtrënguese dhe reformuese të sugjeruara nga Merkel por sidomos qëndrimi i saj i fortë për plotësimin e këtyre masave, pavarësisht pakënaqësive u vlerësua dhe arriti ta dallonte nga liderët e tjerë. Kriza e Euros e përcaktoi atë si udhëheqëse jo vetëm të Gjermanisë por të gjithë Europës, pasi sfida më e madhe e saj është e ardhmja e BE-së, dështimi apo suksesi i këtij projekti.

Figura e saj si një zonjë e hekurt dhe e pashpirt u forcua më shumë edhe pas përgjigjes jo shumë “të ngrohtë dhe miqësore” që i dha gjatë një transmetimi televiziv një vajze nga Palestina që kërkonte të strehohej në Gjermani. “Nëse ne u themi të gjithëve që mund të vinë, ne thjesht nuk mund ta menaxhojmë dot situatën. Ne nuk mund t’ju pranojmë të gjithëve” - u shpreh Merkel teksa përpiqej të ngushëllonte vajzën se shumë veprime politike janë të vështira.
Por njerëzit më të afërt të saj japin një pamje tjetër për Merkelin, atë të një gruaje që ka frikërat dhe dobësitë e saj, që mund të dridhet kur mban fjalime, madje edhe të qajë në raste frustrimi. E fortë, e qetë dhe e qëndrueshme udhëheqësja europiane ka një problem për sa i përket të folurit në publik dhe sidomos lëvizjeve të duarve. Për këtë sot ajo është e famshme për pozicionimin e veçantë të duarve në formë rombi -<>-, që sot njihet edhe si “Rombi i Merkelit” dhe ka shërbyer edhe si një simbol për mbështetësit e saj për të nënkuptuar “se Gjermania është në duar të sigurta”.

vladimir-putin-dog-3Gjithashtu njihet frika e saj e madhe ndaj qenve, që nga disa politikanë “jo-miq të saj” si Vladimir Putin është përdorur në raste takimesh për ta tensionuar apo për ta frikësuar, siç është ai i vitit 2007 në rezidencën e Presidentit të Rusisë në Detin e Zi, i cili lejoi në dhomë edhe qenin e tij të madh Labrador Retriever. Kryeministrja gjermane nuk arriti të mos e ndjente shqetësimin dhe stresin e saj, por përsëri ajo vijoi takimin. Marrëdhëniet Putin-Merkel janë të tensionuara më tej edhe për shkak të krizës në Ukrainë dhe rolit të madh që po luan Merkel. Ajo mund të jetë e vetmja udhëheqëse perëndimore që mund të njohë dhe të kuptojë më së miri mentalitetin rus për shkak të viteve që ka jetuar në pjesën Lindore të Gjermanisë. Për më tepër ajo me Putin mund të komunikojë dhe të diskutojë pa ndihmën e një përkthyesi pasi e njeh rusishten mjaft mirë, si gjuhë të mësuar në shkollë në Gjermaninë Lindore. Gjithsesi ajo është e bindur që të vazhdojë diskutimet dhe bisedat me Putin pa i ushtruar atij presion politik apo ekonomik, duke u kthyer kështu në “zërin e arsyes”.

Në kuadrin si politikane dhe udhëheqëse, kriza e refugjatëve e azilkërkuesve dhe qëndrimi ndaj tyre kanë përshfaqur një tjetër anë të personalitetit të Merkelit politikë, duke vendosur në një situatë të re jo vetëm Gjermaninë por për të gjithë projektin europian. E nxitur gjithmonë nga motoja e saj për një botë pa kufij me individë dhe popuj të lirë dhe më shumë tolerancë ajo pa si të vetmen zgjidhje hapjen e kufijve dhe mikpritjen pa kushte të fatkeqëve që iknin nga lufta, varfëria dhe vdekja. Nuk dihet ende nëse ajo do të kandidojë për të marrë një mandat të katërt, dhe nuk dihet nëse populli dhe partia e saj do ta mbështesë aq sa ka bërë deri tani. E sigurt është që ajo krijoi një mënyrë të re të të bërit politikë, pragmatike, të panxituar, të qëndrueshme dhe pa shumë bujë që është njohur dhe do të vazhdojë të njihet si: ’Merkelizmi’. Për pothuaj një dekadë Merkeli i ofroi Gjermanisë lulëzimin e saj, Europës një udhëheqës ‘de facto’ dhe botës një model lideri në menaxhimin e krizave.

                                                                                                                 Stafi i EuroSpeak, janar 2016

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk