Ursula von der Leyen: presidentja e parë femër e Komisionit Europian

Ursula von der Leyen: presidentja e parë femër e Komisionit Europian


Cila është Ursula von der Leyen, dhe si arriti ajo të bëhej Presidente e Komisionit Europian?

Edhe pse gjermane, Ursula von der Leyen ka lindur më 8 tetor të vitit 1958 në Belgjikë. 13 vitet e para të jetës së saj i kaloi në Bruksel. Ajo ishte një nga shtatë fëmijët e familjes së saj, një familje e krishterë që i përmbahej një modeli tradicional të familjeve të Gjermanisë perëndimore. Babai i saj u bë një figurë drejtuese e Unionit Demokratik të Krishterë dhe pikërisht karriera e babait i dha mundësinë asaj që të studionte në mbarë Europën. Nga viti 1964 - 1971 ajo ndoqi shkollën Europiane në Bruksel. Nga viti 1971 – 1976 vazhdoi studimet në Matematikë dhe Shkencat e Natyrës. Më vonë ajo do të studionte Ekonomi në Göttingen dhe Münster nga 1977 deri në 1980. Paralelisht gjatë kësaj periudhe ajo u diplomua në Ekonomi në Londër. Për gazetën “The Guardian” Ursula është shprehur në veçanti për shkollimin në Londër se “Për mua, Londra ishte mishërimi i modernitetit: liria, gëzimi i jetës, duke provuar gjithçka më dha një liri të brendshme që e kam ruajtur deri më sot.” Në Hanover nga 1980 deri në 1987 ajo vazhdoi studimet në Mjekësi. Në moshë 30-vjeçare, për 4 vite deri në 1992 ajo ka punuar si asistent-mjeke në Spitalin e Grave që është pjesë e Shkollës Mjekësore në Hanover. Në vitin 1991 ajo mori gradën Doktor (PHD). Ursula von der Leyen u martua ne vitin 1986, gjatë periudhës që studionte mjekësi me mjekun dhe më vonë drejtorin e një ndërmarrjeje mjekësore, Prof. Dr. Heiko E. von der Leyen. Së bashku ata janë prindër të shtatë fëmijëve, David, Sophie, Donata, binjaket Victoria dhe Johanna, Egmont dhe Gracia.

Karriera e von der Leyen: Nga mjeke në Presidente të Komisionit Europian

Sipas mediave gjermane, Ursula ka plot 29 vite karrierë në politikën gjermane. Tingëllon e çuditshme, por Ursula eksperiencat e saj të para të punës nuk i ka në fushën e politikës por në atë të mjekësisë, pasi ajo ka punuar si ndihmëse-mjeke në një klinikë gjinekologjike në Hanover dhe ku më vonë u diplomua si mjeke gjinekologe në 1991. Më pas mbas lindjeve të binjakeve Johanna dhe Victoria, ajo qëndroi në shtëpi duke u përkujdesur për rritjen e tyre. Ajo ka qenë pjesë e partisë CDU që në 1990 dhe aktivizimi i saj i parë ishte në 1999, duke marrë pjesë në politikat lokale në zonën e Hanoverit. Si nënë e shtatë fëmijëve, ajo ka treguar mjaft mirë se mund t’ja dali të jetë një nënë dhe grua e suksesshme njëkohësisht. Ajo ka mbajtur poste qeveritare të rëndësishme si ministre, ku fillimin e ka pasur në vitin 2003, vit në të cilin ajo u zgjodh si ministre për çështjet sociale, të gruas dhe shëndetit duke e mbajtur si post deri në 2005. Më pas, nga viti 2005 deri në vitin 2009 ka shërbyer si ministre për çështjet familjare dhe ato rinore. Sipas “The local”, në 100 ditët e para të saj në detyrë, ajo arriti të lobonte fort për të krijuar fonde për prindërit që qëndrojnë në shtëpi, kjo e realizuar mbas një “lufte” me ministrin e atëhershëm të financave, Peer Steinbrück, për të marrë financime për masat e propozuara.

Ajo njihet për udhëheqjen e politikave kryesore për kuotat gjinore, për kontributin e saj drejt përmirësimit të pagesave dhe të drejtave të atësisë – si politika që çuan fillimisht në fitimin e një popullariteti të konsiderueshëm. Nga viti 2009 deri në vitin 2013 ishte në krye të Ministrisë e Punës dhe Çështjeve Sociale. Dhe lëvizja e saj e radhës ishte Ministria e Mbrojtjes, duke qenë gruaja e parë në Gjermani në një post të tillë. Gjatë asaj periudhe ajo ka bashkëpunuar mjaft mirë me strukturat e NATO-s dhe gëzon një respekt mjaft të gjerë aty. Siç edhe dihet, ajo dha dorëheqjen nga posti si ministre e mbrojtjes kur u përzgjodh si kandidate për presidente e Komisionit Europian. Ajo është e vetmja ministre e cila ka qenë gjithnjë në krah të Merkelit qëkur ajo mori pushtetin dhe kjo shërbeu si shkak që mediat ta konsideronin atë si pasuesen më të mirë të Merkelit. Një folëse e rrjedhshme e gjuhës angleze dhe frënge, ajo ka arritur të ndërtojë një rrjet të sigurt aleatësh në të gjithë Europën, ku mes tyre është edhe Presidenti francez Emmanuel Macron.

Përzgjedhja e saj si Presidente

Për të zëvendësuar presidentin e Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker 28 qeveritë e vendeve anëtare të Bashkimit Europian pas negociatave të gjata zgjodhën von der Leyen si kandidaten e duhur. Për tu zgjedhur si presidentja e Komisionit Europian, von der Leyen duhet të dilte përpara Parlamentit Europian ku më pas të merrte miratimin e Parlamentit me të paktën gjysmën e votave të euro-parlamentarëve. Zgjedhja e von der Leyen, është diskutuar shumë, pasi Bashkimi Europian nuk ndoqi rregullin e Spitzekandidat (kandidatit udhëheqës). Sipas këtij rregulli, të krijuar në vitin 2014 nga BE, dhe të proklamuar si mjaft të rëndësishëm për një proces sa më demokratik të përzgjedhjes së presidenti/es të Komisionit Europian, çdo grupim politik i Parlamentit Europian, para zgjedhjeve të Parlamentit zgjedh kandidatin e tij udhëheqës, pra Spitzenkandidat. Kandidati/ja për president të Komisionit Europian duhet të zgjidhet nga radhët e forcës politike që do të merrte më shumë vota në zgjedhjet e Parlamentit Europian. Në këtë drejtim, Manfred Weber kandidati kryesor i PPE (grupimi politik me më shumë anëtarë në PE pas zgjedhjeve) ishte përllogaritur që do të ishte kandidati i nominuar nga Këshilli, dhe presidenti i ardhshëm i Komisionit Europian nëse do të ndiqej ky rregull.

Por, Këshilli Europian i habiti të gjithë kur nominoi von der Leyen, një emër që nuk ishte përfolur më parë për një post të tillë. Ky vendim i udhëheqësve të shteteve europiane, është cilësuar si ‘vrasja e Spitzenkandidat’ dhe si kthim mbrapa për demokracinë në BE.

Pavarësisht këtyre diskutimeve dhe debateve, von der Leyen ja doli të zgjidhej si presidentja e Komisionit Europian me 383 vota, vetëm 9 vota më shumë se minimumi prej 374 vota që duheshin, duke u bërë gruaja e parë në krye të këtij institucioni. Vet, Weber e ka mbështetur atë si kandidaturë duke bërë thirrje përpara se të bëhej votimi që të mbështesin Ursula von der Leyen siç citohet nga “Reuters”. Ai u shpreh ndër të tjera: “Tashmë nuk na duhen kundërshtime, por një frymë konstruktive dhe bashkëpunuese”

Por si ishin reagimet për përzgjedhjen e saj?

Reagime pati nga të gjithë forcat politike dhe figurat e larta, por spikatim reagimin e Merkel, i cili ishte patjetër pozitiv pasi vlerësoi Von der Leyen për kontributin që ka dhënë gjatë gjithë kohës që ajo ishte në postet e ministrive të ndryshme gjermane, dhe e quajti atë “një europiane bindëse dhe e përkushtuar”. “Edhe pse ajo u largua nga posti i ministres unë kam fituar një aleat tepër të fortë në Bruksel” - u shpreh Merkel. Të dy “kreret” e CDU (Unionit Kristiano-Demokrat) Karrenbauer dhe Merkel shprehen shumë të kënaqura për zgjedhjen e Ursula von der Leyen si Presidente e Komisionit Europian dhe fakti që është femra e parë në krye të këtij institucioni tregon arritjet e mëdha të saj. Nga ana tjetër Juncker, presidenti në largim i Komisionit nuk ngurroi ta uronte me një postim në Twitter ku u shpreh bindshëm “se ajo do të shkëlqente në këtë post të ri”. Ndër radhët e atyre që e uruan ishte dhe Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk dhe lideri i Belgjikës, Charles Michel me mesazhe të thjeshta, por që në thelb kishin punën e madhe që ata të gjithë së bashku kishin përpara për një Europë më të mirë.

Partitë e Qendrës së djathtë kanë përshëndetur zgjedhjen e Ursula von der Leyen si Presidente e Komisionit Europian, ndërsa kryesisht socialistët dhe të majtët kanë shprehur rezerva për zgjedhjen e saj. Ajo mori vota dhe nga partitë radikale të djathta dhe ato populiste. Liderët e Partisë së Gjelbër kritikuan ashpër mënyrën se si ajo mori vendin e punës dhe se Parlamenti Europian aprovoi dikë që nuk ishte nominuar në mënyrë demokratike. Një pakicë e euro-deputetëve francezë votuan në favor të Presidentes së re (29 nga 74 eurodeputetë) dhe ishin po këta që mirëpritën lajmin e zgjedhjes së Ursula von der Leyen si shefen e Komisionit Europian. Gjithashtu udhëheqësit dhe funksionarët e lartë të shteteve në mbarë botën kanë uruar Ursula von der Leyen në rrjetin social Twitter, ndër ta përfshihen dhe udhëheqësit e shteteve të Ballkanit Perëndimor, që besojnë se von der Leyen do të lobojë për nxitjen dhe përshpejtimin e procesit të integrimit të tyre në BE.

Plani i saj për punën e Komisionit të ardhshëm Europian

“Nëse ne jemi të bashkuar nga brenda, askush nga jashtë, nuk mund të na ndajë !” Ishte kjo një nga shprehjet më të goditura në fjalimin mbajtës të kandidates për Presidencën e Komisionit, Ursula von der Leyen në ditën e votimit të Parlamentit Europian, më 16 korrik 2019. Si fillim, ajo e nisi fjalimin e saj me problematikat që familja europiane po has dhe problemet e punësimit. Ajo cilësoi se do të krijonte një kornizë ligjore në përputhje me çdo treg pune ku çdo individ që punon me kohë të plotë të marrë një pagesë për një jetesë të denjë. Zgjidhjen për këtë çështje e adresonte me zhvillimin e bisedimeve kolektive të sindikatave të punonjësve duke qenë se ato janë më afër problematikave. Gjithashtu përmendi edhe krijimin e një skeme ri-sigurimi europiane për personat e papunë për shkak se vetëm ekzistenca e skemave kombëtare nuk është e mjaftueshme. Në lidhje me papunësinë ajo foli edhe për të drejtat e të rinjve duke ofruar mbështetjen e saj për programet rinore të BE si Erasmus + dhe Youth Guarantee.

Për një Europë me vlera duhet dhe një mekanizëm mbrojtës për to. Respektimi i shtetit ligjor është mbrojtja më e mirë që të drejtat dhe liritë tona të mos shkelen. Ngritja e një mekanizmi plotësues, jo zëvendësues për mbrojtjen e shtetit të së drejtës, do sillte akoma më shumë efektivitet.

Ajo s’mund të rrinte pa përmendur luftën ndaj migrimit të parregullt, krimit të organizuar dhe “ruajtjes” së të drejtës për azil duke propozuar një Pakt të Ri për Migracionin dhe Azilin, që përfshin rifillimin e reformës së Dublinit.

Ajo foli sigurisht edhe mbi çështjen Brexit. Me nota keqardhjeje, por si një diplomate e vërtetë ajo tha qe ishte një vendim qe duhet ta respektonte edhe përse u shpreh pro zgjatjes së mëtejshme të datës së daljes.
Për ti dhënë një shtysë më të madhe demokracisë ajo është e vendosur për të krijuar mundësi që qytetarët europianë të luajnë një rol kryesor dhe aktiv në ndërtimin e së ardhmes së Bashkimit Europian duke përmirësuar sistemin Spitzenkandidat dhe duke mbështetur iniciativën ligjvënëse.

Për një Europë me sfida të shumta ajo thekson se nuk janë njerëzit që i shërbejnë ekonomisë por, është ekonomia që i shërben qytetarëve. Europa duhet të fokusohet në shtyllat kryesore të saj: forcimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME), duke pasur taksa të drejta për çdo lloj biznesi nga fabrikat e tullave deri tek gjigandët e teknologjisë.

Për një Europë sa më të shëndetshme ajo ka si synim uljen e emetimeve të gazrave të dëmshëm me 40% deri në vitin 2030. Ajo do të paraqes një marrëveshje të gjelbër për Europën në 100 ditët e para të saj në detyrë. Ajo planifikon të hartojë dhe ligjin e parë europian për klimën, i cili do ta kthejë objektivin e vitit 2050 në ligj. Por për çdo qëllim ka dhe një kosto dhe këto kosto ajo mendon ti përballojnë nëpërmjet propozimit të një Plani Investimi të Qëndrueshëm të Europës dhe duke kthyer një pjesë të Bankës Europiane të Investimeve në një Bankë për Klimën.

E fundit, por jo nga rëndësia ajo foli për sigurimin e barazisë gjinore. Që nga viti 1958 numri i komisionerëve është 183 Komisionerë dhe nga to vetëm 35 kanë qenë gra, prandaj që nga Kolegji i Komisionit ajo do të nisë realizimin e barazisë gjinore. Ajo gjithashtu kërkon të fus dhunën ndaj gruas në listën e krimeve të Traktatit të BE-së. Ajo theksoi se bashkëpunimi brenda Europës është një nga shtyllat kryesore për të bërë të mundur funksionimin e reformave me qëllim për të arritur më të mirën për bashkësinë europiane. Në lidhje me mbrojtjen ajo u shpreh se BE duhet te mbështes NATON, si themeli i mbrojtës kolektive dhe një formë e mbështetjes do të ishte duke rritur edhe investimet përkundrejt Aleancës Perëndimore. Ajo foli dhe për zgjerimin e Bashkimit Europian. Për Ballkanin Perëndimor ku ndodhet dhe vendi ynë politikat e Ursula von der Leyen duken favorizuese ku ajo u shpreh mbështetëse për përshpejtimin e hapave të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, përfshirë dhe Shqipërinë.

***

Tashmë ajo është gruaja e parë e zgjedhur si presidente e Komisionit Europian dhe ky fakt shihet si krenari nga e gjithë Europa. Presidentja e re, e cila pritet të filloj punën zyrtarisht në nëntor 2019 duket se premton shumë duke e parë nga këndvështrime të ndryshme që nga eksperiencat e saj ndër vite dhe deri tek plani i saj i propozuar. Me një fjalim gjithëpërfshirës për një Europë gjithëpërfshirëse, ajo arriti mjaft mirë ti shkrinte kundërshtimet që ishin krijuar për kandidaturën e saj duke fituar mbështetje. Me një rrugë të gjatë të tejmbushur me sfida shpresojmë që Von der Leyen të mbajë çdo premtim të saj dhe ta mbajë Europën të bashkuar në diversitetin që e karakterizon.


                                                                                                                       Stafi i EuroSpeak, korrik 2019

 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk