Nëntor 2019: Jean-Claude Juncker - një jetë dedikuar Europës

Nëntor 2019: Jean-Claude Juncker - një jetë dedikuar Europës

 

Kush është Jean-Claude Juncker ?

Jean-Claude Juncker lindi më 9 dhjetor 1954 në komunën Redange, të Luksemburgut, në vendin e dytë më të vogël anëtar të BE. Lufta e Dytë Botërore dhe pasojat e saj shkatërrimtare, ku babai i tij ishte i detyruar të shërbente në ushtrinë gjermane gjatë asaj kohe pati ndikim në formimin e tij dhe besimet dhe aspiratat për një Europë të paqtë dhe të bashkuar.

Gjatë rinisë së tij, Juncker pati mundësi të studionte në tre shtete të ndryshme: kreu shkollimin fillor në Luksemburg dhe më pas arsimin e mesëm në Belgjikë. Menjëherë, pas kësaj, ai u bë pjesë e Universitetit të Strasburgut në Francë, në programin e drejtësisë, një nga degët më të vështira në Europë, nga ku edhe fitoi masterin për drejtësi në 1979. Kjo është dhe arsyeja pse ai është një poliglot i mirëfilltë i cili flet dhe njeh mjaft mire gjuhën native luksemburgase, gjuhën gjermane, franceze dhe atë angleze. Në moshën 25 vjeçare ai u martua me gruan e tij Christiane Frising. Çifti nuk pati fëmijë, duke e bërë Junckerin t`i përkushtohej politikës dhe t’i kushtonte mjaft kohë dhe energji karrierës së tij si politikan.

 

Rrugë e gjatë kushtuar Europës

Një vit pas diplomimit, Juncker u betua në Këshillin e Avokatëve të Luksemburgut, edhe pse, ai kurrë nuk pati mundësi të praktikonte profesionin e tij si avokat, duke qenë se u përfshi në politikë në moshë shumë të hershme. Në vend që të bashkohej me një firmë juridike, ai i vuri njohuritë e tij në shërbim të Partisë së Krishterë Socialo-Popullore (CSV / PSC) të Luksemburgut, një parti me ideologji kristiano-demokratike. Pas kontributit të tij si anëtar i kësaj partie, në moshën 28 vjeçare, ai u emërua Sekretar i Shtetit për Punësim dhe Siguri Sociale, duke asistuar ministrin e fushës në organizimin dhe ndarjen e detyrave. Kjo eksperiencë për të do të rezultonte shumë e rëndësishme, duke qenë se nga aty ai mori formimin e parë profesional nëkarrierën e tij të gjatë politike.

Më vonë Juncker, fitoi zgjedhjet në Dhomën e Deputetëve në 1984 dhe u emërua menjëherë në Kabinetin e Kryeministrit Zhak Santer si Ministër i Punës. Në gjysmën e dytë të vitit 1985, Luksemburgu mbajti zgjedhjet për presidencën e radhës së Komunitetit Europian (Bashkimi i sotëm Europian), duke lejuar Juncker të ishte kryetar i Këshillit të Çështjeve Sociale dhe atij të Buxhetit. Ky moment shënohet edhe si momenti ku shfaqen bindjet e tij pro-Europiane, për një Europë që mund të garantojë paqe të vazhdueshme.

Nuk duhet lënë pa përmendur zgjedhja e tij në Parlamenti Europian, në vitin 1989, zgjedhje kjo, e cila solli zhvillime të reja në Bashkimin Europian. Ai kryesoi Komitetin e Çështjeve Ekonomike dhe Financiare (ECOFIN), gjatë presidencës së Luksemburgut të vitit 1991 të Këshillit të Komunitetit Europian, duke u kthyer në një nga arkitektët kryesor të Traktatit të Mastrihtit. Juncker ishte përgjegjës për klauzolat mbi Bashkimin Ekonomik dhe Monetar, proces i cili përfundimisht do të krijonte Euro-n dhe më vonë do të krijonte Eurogrupin. Ai jo vetëm dha kontributin e tij në formulimin e Traktatik të Mastrihtit por gjithashtu ishte një nga nënshkruesit e këtij traktati në 1992.

Në vitin 2005 ai u përzgjodh President i Eurogrupit dhe mandati tij zgjati deri në vitin 2009, duke u emëruar dy herë. Me hyrjen në fuqi të Traktatit të Lisbonës, Juncker u riemërua për të tretën herë si presidenti i Eurogrupit edhe për dy vite e gjysmë. Ai u tërhoq më 21 Janar 2013 duke u pasuar nga Ministri Holandez i Financave Jeroen Dijsselbloem.

Ai do të cilësohej shpeshherë si "Zoti Euro" pas punoi fort dhe e mbështeti monedhën e përbashkët europiane dhe bashkimin monetar europian. Juncker pati rol të rëndësishëm dhe në menaxhimin e krizës financiare të BE-së. Ai dhe stafi i tij ishte i aftë të negocionte dhe mbikëqyrte paketat e shpëtimit për vendet që përballeshin me falimentimin gjatë krizës financiare që filloi në 2008 siGreqia, Irlanda, Portugalia, Spanja dhe Qipro.

 

A ka qenë Junckeri gjithmonë në anën e mirë të historisë?

Si një nga figurat më komplekse të politikës europiane, nuk mund të lemë pa përmendur skandalet në të cilat ai u përfshi dhe qëndrimet kontradiktore që ka mbajtur gjatë karrierës së tij politike.

Një ndër dështimet e Juncker do të mbetet qëndrimi që mbajti gjatë qeverisjes së tij në Luksemburg, qëndrim ky që solli rrëzimin e kësaj qeverisje, pasi u zbulua se Shërbimi Sekret i Luksemburgut po përgjonte në mënyrë të jashtëligjshme figura të përfshira në politikën e vendit. Edhe pse Shërbimi Sekret i raportonte vazhdimisht Junckerit, as ai vetë nuk shpëtoi dot duke u bërë pjesë e përgjimeve, raporton The New Federalist . Gjithsesi kjo nuk e ndaloi atë të kandidonte sërish në zgjedhjet e ardhshme duke marrë më shumë vota se rivalët e tjerë. Sidoqoftë, ai nuk arriti të vinte sërish në pushtet për shkak të koalicionit socialist-liberal të kundërshtarëve të tij politikë. Polemika dhe probleme u krijuan edhe kur ai nuk i deklaroi sektorit financiar, privilegjet ekonomike të tij në Parlamentin e Luksemburgut, të cilat përfaqësonin të paktën ¼ e ekonomisë së tij.

Presidenti i Komisionit është përmendur në mënyrë të përsëritur për sjelljen e tij të çuditshme, për personalitetin dhe ecjen e tij të paqëndrueshme. Përshëndetjet e tij në samite dhe evente të tjera ndërkombëtare kanë tërhequr vëmendjen e mediave të shumta, sidomos në rastet kur ai ka puthur në mënyrë të papërshtatshme drejtuesit politikë dhe u ka shkundur flokët ose dhe ka goditur me shuplakë udhëheqësit e vendeve anëtare, duke u bërë titulli kryesore i artikujve dhe gazetave në të gjithë botën. Nuk mund të mos përmendet përshëndetja që Juncker i bën kryeministrit hungarez Viktor Orban, i njohur për qëndrimet e tij konservatore kundër migrantëve dhe mediave të lira. Në samitin e BE në Riga, në 2015 Juncker e përshëndet atë duke e quajtur “zoti diktator”. Në po të njëjtin samit ai ‘qorton’ dhe kryeministrin e asaj kohe grek, për faktin që nuk vesh asnjëherë kravatë raporton The Guardians. Në shumë raste ai është penguar ose i është dashur të mbahet nga personat e tjerë që e shoqëronin si> ishte dhe rasti ën Samitin e Natos në vitin 2018, por gjithmonë ka fajësuar sëmundjet, ngërçet ose dhimbjet e kockave, duke mohuar plotësisht të paturit probleme me alkoolin. Ai gjithashtu është shprehur në një intervistë me Politico, se nuk i ndjek mediat sociale, vetëm për të shmangur komentet negative që e quajnë atë të dehur ose të korruptuar.

 

Çfarë ka bërë Juncker për BE?

Megjithatë, edhe pse Junkcer kishte një karakter të paqëndrueshëm nuk mund të mohohet kontributi i tij. Ai për 30 vite i është dedikuar Europës duke shërbyer në poste tepër të rëndësishme si: Kryetar i Komitetit të Çështjeve Ekonomike dhe Buxhetit, një nga arkitektët kryesorë të Traktatit të Mastrihtit, President për 8 vjet i Eurogrupit dhe duke e mbyllur karrierën me postin e Presidentit të Komisionit Europian për 5 vite (2014-2019).

Eksperiencat e mëparshme të tij si Kryeministër dhe Ministër të Financave në Luksemburg, e bënë atë një ekspert dhe lider të politikë-bërjes në Europë. Puna e tij u dallua që në ECOFIN (Mbledhjen e ministrave të financave të shteteve anëtare të BE) ku ai ishte një nga krijuesit kryesorë të EMU (Bashkimit Ekonomik dhe Monetar) dhe Paktit të Zhvillimit dhe Stabilitetit. Juncker pati mundësi të merrte pjesë në proceset legjislative të 4 traktateve më të rëndësishme të BE, veçanërisht Traktatin e Mastrihtit si dhe në Traktatin Kushtetues, edhe pse ky i fundit nuk hyri asnjëherë në fuqi. Ai ka marrë pjesë në pothuajse 600 takime në rang europian: 147 mbledhje të Këshillit Europian, 167 mbledhje të Komiteti për Çështjet Ekonomike, 164 takime të Eurogroup dhe 21 samite europiane.

Gjatë udhëheqjes së Presidencës së Komisionit nën sloganin “Më të mëdhenj dhe më ambiciozë në gjëra të mëdha dhe më të vegjël dhe modestë në gjëra të vogla” - Junckeri e përktheu punën e tij në 10 politika specifike, nga ku mund të përmendim:1) rritjen e investimeve dhe krijimin e vendeve të punës, 2) heqjen e barrierave dixhitale në tregun e përbashkët, 3) krijimin e politikave të qëndrueshme në lidhje me krizën klimatike, 4) zhvillimin e mëtejshëm të tregut të brendshëm, 5) bashkimin më të thellë ekonomik dhe monetar, 6) politika të hapura për të zhvilluar tregti përtej Europës, 7) rritje e bashkëpunimit mes strukturave në fushat e drejtësisë dhe sigurisë, 8) përballimi me sukses i krizës së migracionit, 9) fuqizimi i rolit të Europës në botë dhe 10) bërje e BE më transparente dhe demokratike sipas faqes zyrtare të Komisionit Europian.

Duke përmendur përkushtimin e tij për ta bërë BE sa më të fortë dhe të fuqishme në rang global, nuk mund të lemë pa përmendur fjalimin e tij më të bujshëm në Gjendjen e Unionit, në vitin 2015, ku ai foli pa doreza për të ardhmen e Bashkimit Europian dhe sfidat që ajo po përballej për momentin: “Bashkimi ynë Europian nuk është në një gjendje të mirë. Nuk ka mjaftueshëm Europë në këtë Bashkim Europian, ashtu siç nuk ka as bashkim në këtë BE.” Duke pasur parasysh kontekstin e kohës, me krizën e Greqisë dhe atë të refugjatëve të zbarkuar në Itali, Greqi dhe Hungari, Europa nuk ishte në gjendjen më të mirë të saj.

Junckeri shfrytëzoi këtë moment për t`u bërë thirrje shteteve anëtare të ishin më bashkëpunuese dhe më kontribuese, për të vënë në zbatim planin e tij me 10 politikat e lartpërmendura, që do ta bënin Bashkimin Europian më të fortë dhe siç Junckeri e përmendi në fjalimin e tij të asaj kohe: “Bota do të ishte më mirë, nëse ne do të ishim më mirë. Unë i di dobësitë e Europës, por di gjithashtu që bota do të jetë akoma më e dobët, nëse BE s`do të vazhdojë të ekzistojë.”

 

Largimi nga BE: letra dhe reagimet e aktorëve të tjerë pas largimit

Sipas raportit të publikuar së fundmi mbi punën e Presidentit Juncker gjatë karrierës së tij si President i Komisionit, Komisioni Europian është shprehur mirënjohës ndaj kontributit të Presidentit Juncker në këto 5 vite duke shtuar se në momentin që ai mori detyrën, pesë vjet më parë, Europa ishte e dobësuar dhe në një krizë të rëndë ekonomike dhe sociale. Ishte mbështetja e qytetarëve ajo çfarë i dha Junckerit të drejtën ta mendonte veten e tij si “shansin e fundit” për të krijuar dhe risjellë besimin në BE, ashtu siç e ka përmendur gjatë fushatës së tij për President dhe pas marrjes së mandatit. Presidenti Juncker krijoj atë lloj komisioni politi i cili do t’i kushtonte vëmendje të madhe shqetësimeve të njerëzve dhe do tu ofronte atyre zgjidhje.

Raporti i Komisionit Europian tregon mbi arritjet e tij gjatë pesë viteve duke përmendur kështu investimet e shumta në BE, të cilat u rikthyen në nivelet që ishin përpara krizës dhe vazhdojnë të rriten në mënyrë të qëndrueshme. Sigurisht që nuk është lënë pa përmendur edhe Plani i Juncker, i vënë në zbatim në vitin 2014, i cili do të nxiste 439.4 miliardë shtesë investime në të gjithë BE-në. Ky plan ka luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen e vendeve të punës dhe punësimit në të gjithë Bashkimin Europian pasi më shumë se një milion sipërmarrje dhe biznese të vogla kanë arritur të përfitojnë nga qasja e përmirësuar në financa.

Politikat ekonomike të Planit Juncker sollën 41 marrëveshje të reja tregtare. Gjithashtu mekanizmat mbrojtës për situatat e jashtëzakonshme në BE kanë qenë më aktive që nga viti 2014 e në vazhdim për dhënien e ndihmës urgjente pas katastrofave natyrore siç janë zjarret, përmbytjet, tërmetet apo kriza të kësaj natyre në Europë.

Më shumë se 30 000 të rinj kanë marrë pjesë në projekte të ndryshme në të gjithë Europën. Komisioni propozoi një buxhet prej 1.26 miliardë për forcimin dhe zgjerimin e Trupave të Solidaritetit Europian dhe miratoi një buxhet tjetër afatgjatë për vitet 2021-2027, me qëllim për të ofruar të paktën 350 000 mundësi pune për të rinjtë europianë. Një tjetër arritje e Komisionit ka qenë gjithashtu numri i të rinjve që përfituan nga programi Erasmus, duke e kaluar numrin prej 4 milion nga viti 2014 në vitin 2019 .

Një tjetër plan me rëndësi sipas Komisionit, ka qenë edhe Plani i Investimeve të Jashtme (EIP), i cili u miratua në shtator 2017 për të ndihmuar në rritjen e investimeve për vendet partnere në Afrikë dhe shtete të tjera fqinje. Me një kontribut prej 4.5 miliardë € nga Bashkimi Europian, Plani i Investimeve të Jashtme, do të ketë vazhdimësi në kohë pasi pritet të sjellë deri në 44 miliardë € investime të reja.

Sipas sondazhit të Komisionit, besimi i qytetarëve në politikat e Bashkimit Europian u rrit deri 44%, duke e kaluar besimin që këta qytetarë kishin për qeveritë e tyre kombëtare (34%).

Për punën e kryer nga Juncker në këto pesë vite të presidencës së tij në Komisionin Europian, pati shumë komente pozitive por edhe kritika të forta. Disa kryetar të partive politike, në intervistat e tyre në gazeta të ndryshme, u shprehën mirënjohës ndaj përpjekjeve të Juncker jo vetëm në zgjidhjen e krizës ekonomike dhe çështjes së migrimit por gjithashtu edhe në marrëveshjen me Brexit dhe masat shtrënguese. Ndërsa kritikat adresuar Junkcerit kanë qenë mbi mos marrjen e masave të nevojshme nga Komisioni për çështjen e ndryshimit të klimës dhe ngrohjes globale dhe gjithashtu për çështjet sociale, të cilat nuk ishin përmirësuar sa duhet.

Në fjalimin e tij të fundit Jean-Claude Juncker, i kënaqur për punën dhe kontributin e vet dhe njëkohësisht i mërzitur për ikjen e tij nga Komisioni Eurpoian, u shpreh me këto fjalë “Unë do të ndjek gjithmonë zhvillimet e asaj çfarë është dhe do të mbetet puna më e dashur e jetës sime: Europa. Jam krenar që kam kontribuar sado pak në këtë udhëtim të mrekullueshëm, çfarë na bëri të arrijmë atë çfarë na dukej e pamundur 60 vjet më parë. Dhe jam i sigurt që brezi i ri, ata që njohin një Europë të bashkuar dhe në paqe, do të jenë të suksesshëm në arritjen e asaj çfarë ne na duket e pamundur sot.”

Si përfundim mund të shtojmë se ish-Presidenti Juncker do të mbahet mend gjatë jo vetëm për kontributin që i dha Europës në këto pesë vite të mandatit të tij, por gjithashtu figura e tij në disa raste e paqëndrueshme dhe herë të tjera serioze dhe e palëkundur janë shembulli ideal për të na treguar se gabimet njerëzore janë të shpeshta edhe në politikë, madje ndonjëherë bëhen të pranueshme. Në fund të fundit ka rëndësi puna e gjatë dhe ambicia e pastër e Juncker, të cilat treguan se ai ishte pjesë e historisë së Bashkimit Europian dhe do të mbetet i tillë.

Stafi i Eurospeak, nëntor 2019

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk