Profil Qershor 2019: Njihuni me disa nga mbështetësit e mbrojtësit e refugjatëve në Europë

Profil Qershor 2019: Njihuni me disa nga mbështetësit e mbrojtësit e refugjatëve në Europë

 

 

Carola Rackete: Simbol i humanizmit

Më 29 qershor 2019 ndodhi ngjarja që solli lakimin e vetëm një emri: Carola Rackete heroina e ujërave mesdhetare. Ajo është kapitenia e anijes “Sea Watch 3”, e cila bëri të mundur shpëtimin në det të hapur të 42 emigrantëve me origjinë afrikane që gjendeshin në kushte të këqija shëndetësore në mes të detit. E ndodhur në situatë emergjente ajo u ankorua në portin detar të Italisë, në Lampedusa pa një leje të autoriteteve italiane dhe menjëherë ata e arrestuan atë në “flagrancë” e duke e akuzuar për veprim të paligjshëm dhe trafikim. Në këtë moment debati u fokusua mes nevojës për të shpëtuar jetët njerëzore dhe ligjeve që duhen respektuar, a ishte Carola një heroinë apo një kriminele?

Por kush është Carola Rackete?

Ajo është 31 vjeç, e lindur në Gjermani, por e rritur në det të hapur. Carola ka mbaruar 3 universitete, në Edge Hill University of Lancashire të Mbretërisë së Bashkuar për shkenca mjedisore, në Jade University për shkencat e aplikuara dhe ka ndjekur kursin e Shkencave Detare dhe Transport Detar ku mori edhe certifikatën për drejtimin e anijeve. Ajo është njohëse e 5 gjuhëve të huaja (frëngjisht, spanjisht, anglisht, rusisht dhe atë mëmë gjermanisht) dhe nuk ka rrjete sociale. Ka guximin për ti bërë ballë dallgëve të detit e angazhuar në organizatën humanitare – Sea Watch por jo vetëm, pasi ajo u përball edhe me dallgë të forta politike. Nga raportimet e shtypit italian, Corriere della Sera, ajo hasi pasoja të rënda ligjore dhe politike, ku ministri i punëve të jashtme italian Salvini, i konsideroi veprimet e saj si “sjellje kriminale” dhe atë një ‘pirate’ dhe ‘shkelëse ligji’ dhe u procedua nga shteti italian me një sërë akuzash. Kjo situatë solli reagimin e shteteve dhe njerëzve anembanë duke ofruar mbështetjen e tyre me mënyra nga më të ndryshmet. Shumë shpejt filloi fushata #FreeCarola ku u nënshkruan dhe shumë peticione online për të bërë të mundur lirimin e saj nga këto akuza.

Ashtu siç edhe ajo vetë tha gjatë arrestimit të saj nuk do të donim të hiqnim apo të shtonim asgjë me tepër– “Jeta ime ka qenë e thjeshtë, kam pasur mundësinë të frekuentoj 3 universitete, jam e bardhë, gjermane, e lindur në një shtet të pasur dhe me pasaportën e duhur. Kur i pashë në atë gjendje ndjeva detyrimin moral : të ndihmoja këdo që nuk kishte kushtet e mia“! Në fund Gjykata italiane vendosi lirimin e saj me datë 2 korrik 2019, që u konsiderua nga shumë persona si ‘fitore e humanizmit’.

Juan Branco: Mbrojtësi më i mirë i padrejtësisë

Kush tjetër më mirë sesa avokatët mund të jenë mbrojtësit më të mirë të të drejtave

dhe lirive të tona. “Heroi” tjetër është avokati Juan Branco, i cili ka paditur Bashkimin Europian në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për Krime kundër Njerëzimit (e njohur si Gjykata e Hagës) për shkak të politikave të ndjekura kundrejt imigrantëve. Juan Branco ka dy shtetësi atë franceze dhe atë spanjolle, është 30 vjeç dhe e ka filluar karrierën e tij duke krijuar një grup kolektiv kundër ligjit Hadopi (ligj francez kundër piraterisë në internet). Që atëherë, ai ka kaluar nëpër botë dhe ka qenë në gjendje të shikojë nga afër pushtetin (me aspektet e tij pozitive dhe negative), si ndihmës i prokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, si ish-këshilltar në Ministrinë e Punëve të Jashtme Franceze, dhe sot si anëtar i ekipit të këshilltarëve ligjorë që ndihmojnë Julian Assange, themeluesin e Wikileaks. Sipas intervistës dhe detajeve që ai ka dhënë për The Associated Press ai shpreh besimin se tek raporti që ai ka përpiluar dhe detajeve që ka treguar do t’i lënë shumë pak rrugëdalje Prokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për të mos-filluar çështjen. Në padinë e tij ai përcakton se përpjekjet e shteteve të BE-së për të “penguar”; ardhjen e emigrantëve nga Libia kanë ndikuar në vrasjen e më shumë se 1,000 njerëz dhe ekspozimin e 40000 të tjerëve në “krime kundër njerëzimit”. Padia është depozituar dhe tani çdo gjë është në dorë të prokurorit nëse do të vendosë të fillojë hetimet për këtë çështje apo jo.!

Miguel Roldan: Zjarrfikësi spanjoll i cili është përballë dënimit me burgim për misionin e shpëtimit të migrantëve

Miguel Roldan është spanjolli i cili rrezikon që të dënohet me burg pasi ka kryer një mision për shpëtimin e refugjatëve. Ai punon si zjarrfikës dhe ka ndihmuar në shpëtimin e mijërave jetëve nga mbytja në Mesdhe. Në qershor të 2017, Miguel së bashku me ekipin e shpëtimit të migrantëve në Detin Mesdhe punuan për 18 orë radhazi për të shpëtuar një anije migrantësh. Një telefonatë paralajmëron Miguel se një anije tjetër po fundoset pranë vendit ku ata po kryenin misionin e shpëtimit. Ata i gjejnë migrantët vetëm 200 metra nga zona ku po kryenin misionin e shpëtimit. Qendra e Kontrollit të Kërkimit dhe Shpëtimit të Romës ia mohon lejen e ekipit për t’i shpëtuar ata. Roldan së bashku me ekipin e tij tashmë ndodhen në ujërat e Libisë dhe pas negocimit me institucionet lokale të Libisë atyre u jepet leja që të kryejnë operacionin e shpëtimit.

“Ne mund të shpëtonim vetëm gjysmën e tyre, shumë njerëz u mbyten” ka thënë Roldan për gazetën El Pais. Shteti Italian për kundërshtimin e autorizimit për të shpëtuar migrantët e ka akuzuar atë për ndihmë në migracionin e paligjshëm dhe bashkëpunim me trafikantët. Nga kjo akuzë Miguel rrezikon deri në 20 vite burg nëse do të dënohet. Ai ishte në Bruksel dhe e ka ndarë historinë e tij me Parlamentin Europian dhe tregoi disa nga skenat që ai ka përjetuar.

“Një nënë po lëvizte nëpër anije duke përsëritur me të madhe: fëmija im, fëmija im. Në ato momente hipa në anijen që ishte gjysmë e zhytur në ujë dhe pashë që foshnja e saj kishte vdekur. Kur bëra me shenjë se foshnja kishte vdekur nëna vështroi me një vështrim dorëzimi dhe trishtimi dhe atë moment nuk do ta harroj kurrë” ka thënë Miguel për Euronews.

“Që nga fillimi i operacionit, ne kemi bashkëpunuar drejtpërdrejt me autoritetet Italiane," ka thënë Sascha Girke, një nga themelueset e Jugend Rettet dhe udhëheqëse e misionit 2017 në të cilin Roldan mori pjesë. Roldan insiston se ai gjithmonë e respekton ligjin dhe priti miratimin e autoriteteve Italiane për të ndërhyrë. Duke u njohur me ato ç’ka Roldan kishte përjetuar, në Bruksel ai gjeti shumë mbështetës.

Njihuni me grupin grek të zhytjes që po shpëtojnë migrantët

Grupi Grek vullnetar i zhytjes shpëton migrantët që vinin në detin e Egjeut. Ata fillimisht u mblodhën prej pasionit si një grup zhytësish për të shijuar eksplorimin e ujërave të Egjeut. Kriza e refugjateve bëri që ata të ndryshonin prioritetet e tyre dhe të ruajnë imigrantët në rrezik për tu mbytur teksa përpiqen të arrijnë brigjet greke, dhe më pas të kalojnë drejt vendeve të tjera të Europës. Kur një varkë me refugjatë afrohet, autoritetet lokale paralajmërojnë zhytësit të cilët deri më tani kanë kryer rreth 180 operacione kërkimi dhe shpëtimi, madje në disa raste edhe kur kushtet atmosferike nuk kanë qenë të favorshme. “Ne jemi të vendosur në anën lindore të ishullit Samos ku refugjatët vijnë nga bregdeti i Turqisë” ka thënë Nikos Tsumakis për Euronews. Pavarësisht se ata janë vullnetarë të papaguar, zhytësit janë në thirrje 24 orë në ditë dhe kanë shpëtuar tashmë 1 800 njerëz dhe kanë gjetur 49 trupa të pajetë. Zhytësi Stelioz Hatziandreou, i cili ka tre vajza ka thënë: “Kur nisemi për të ndihmuar refugjatët, në sytë e tyre shohim shpirtrat e fëmijëve tanë. Është e vështirë por ne do të vazhdojmë.” Të gjithë aktivitetin e tyre ata e ndajnë edhe me të tjerët nëpërmjet rrjeteve sociale dhe faqes web: http://samosdiversclub.gr/.

***

Këta ishin disa nga personat që në një mënyrë apo tjetër ndihmojnë dhe asistojnë ata persona që në kushte tejet të rrezikshme synojnë të arrijnë brigjet e Europës, për një jetë më të sigurt. Ndërkohë që Bashkimi Europian po realizon politika dhe strategji për menaxhimin e kësaj krize, kërkohen më shumë nisma, më shumë angazhim e bashkërendim dhe më shumë masa konkrete dhe që mundësojnë si zgjidhje të menjëhershme të rasteve emergjente, ashtu dhe ofrimi i masave që do të sillni zgjidhje afatgjata të kësaj krize më shumë se 5-vjeçare.

Stafi i EuroSpeak, qershor 2019

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk