Miroslav Lajčák

Miroslav Lajčák

Një aktor i rëndësishëm në politikën sllovake por edhe më gjerë është pa dyshim Ministri i Jashtëm sllovak dhe njëkohësisht zëvendës Kryeministri, Miroslav Lajčák. Me një karrierë të pasur dhe eksperiencë në institucionet e BE-së me fokus kryesor Ballkanin, sigurinë e brendshme dhe të jashtme të BE-së dhe së fundmi i shpallur dhe si kandidat për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Miroslav Lajčák është profili i përzgjedhur për muajin korrik.

Roli i tij në plotësimin e prioriteteve të Presidencës Sllovake duke forcuar identitetin europian, qasja pro integrimit të Ballkanit në BE dhe qëndrimi kundër largimit të Britanisë janë disa nga tiparet që e karakterizojnë Lajčák si politikan, diplomat dhe aktor të rëndësishëm në arenën europiane dhe më gjerë. Nga ana tjetër kandidimi në krye të OKB-së do të thotë shumë jo vetëm për fuqinë dhe pushtetin që do i jepte vendit të tij dhe shtytjes së madhe të karrierës profesionale, por edhe për vetë Europën sidomos atë Qendrore dhe Lindore. 

Miroslav Lajčák i lindur më 20 mars 1963 në qytetin Poprad në Sllovaki, ka një karrierë të gjatë si diplomat dhe përfaqësues jo vetëm i vendit të tij por edhe i BE-së. I diplomuar për Drejtësi në Universitetin Comenius në Bratislavë, ai vazhdoi studimet në Qendrën Europiane për Studimet e Sigurisë në Gjermani. Deri në rënien e regjimit komunist në Çekosllovaki ai ishte një anëtar i Partisë Komuniste dhe iu bashkua Ministrisë së Jashtme Çekosllovake në vitin 1988, ndërsa në vitet 1991-1993, u caktua si ambasador në Moskë, vend ku ka zhvilluar edhe studimet e tij doktorale për marrëdhënie ndërkombëtare. Pasi shërbeu si shef i kabinetit të kryeministrit të Sllovakisë  Jozef Moravčík për një vit, më 1994 caktohet ambasador në Japoni dhe gjatë viteve 2001-2005, Lajčák ka qëndruar në Beograd si Ambasadori i Sllovakisë në Serbi, Shqipëri dhe Maqedoni, si dhe ka qenë mbikëqyrësi i referendumit të pavarësisë malazeze në vitin 2006.  Në 30 qershor 2007 Lajčák u bë Përfaqësuesi i Lartë i Bosnjë-Hercegovinës në BE, post që e mbajti deri në mars të vitit 2009. Në 26 janar 2009, ai u bë Ministri i Jashtëm i Sllovakisë në kabinetin e kryeministrit Robert Fico deri në korrik 2010 dhe në dhjetor 2010 u caktua si Drejtor Menaxhues i Ballkanit Perëndimor për Rusinë në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm Europian, deri në prill të vitit 2012. 

Tani mban postin e Ministrit të Jashtëm dhe njëkohësisht të zëv/kryeministrit sllovak, dhe pas marrjes së presidencës se Këshillit të BE-së nga Sllovakia, ai është një nga figurat kryesore për realizimin e prioriteteve. Së bashku me Kryeministrin e vendit Robert Fico, prezantuan prioritetet sllovake gjatë mandatit 6 mujor në krye të Këshillit të BE-së. Sipas Euractiv Miroslav Lajčák, pati si qëllim kryesor gjatë prezantimit të theksonte faktin që Bratislava nuk ka asnjë qëllim të dalë kundër platformës europiane për të promovuar axhendën e saj kombëtare, pasi vendi i tij është totalisht i angazhuar në dhe për BE-në. “Ne jemi në Europë, aty ku duam të jemi, dhe jemi mirënjohës për këtë. Gjithashtu e kuptojmë që me Presidencën ka ardhur koha që ne t’i japim Europës”. 

Sa i përket prioriteteve të Presidencës Sllovake ato mund të përmblidhen në katër shtylla madhore: 1. Një Europë më e fortë ekonomikisht, 2. Zhvillimi optimal i tregut të përbashkët, 3. Politikë e balancuar për azilin dhe migrimin, dhe 4. BE si një aktor global. Sipas një interviste të dhënë për World Policy Journal, Lajčák e ka vlerësuar marrjen e presidencës nga Sllovakia si një arritje për vendin dhe një element i rëndësishëm për të kompletuar integrimin e Sllovakisë në BE. Gjithashtu ai e vlerëson atë si një mundësi të artë për tu dhënë prova shteteve të tjera europiane, institucioneve dhe qytetarëve që Sllovakia është gati që të udhëheqë dhe të çojë përpara BE-në. Ky rol, për Lajčák nuk shërben për të zhvilluar Sllovakinë dhe për të arritur interesat e saj kombëtare, por do të shërbejë që Sllovakia të ketë një rol pozitiv si menaxhere, ndërmjetëse dhe mediatore në realizimin me sukses të proceseve brenda BE-së, dhe do të jetë zëri dhe fytyra e BE-së, duke i treguar botës që Sllovakia beson te projekti europian. 

Por një element surprizë gjatë deklaratave nga përfaqësuesit sllovakë është ideja për  një zhvillim të metodës ndërqeveritare brenda BE-së, dhe Lajčák është shfaqur si një nga mbështetësit e kësaj teorie, duke synuar më shumë pushtet për qeveritë e vendeve anëtare brenda BE-së gjatë proceseve vendimmarrëse. Lajčák e argumenton këtë ide me faktin që qytetarët europianë nuk jetojnë në institucionet europiane, por në shtetet e tyre përkatëse. Edhe pse ideja e Lajčák është që shtetet të kenë timonin drejtues, ai nuk dëshiron një konkurrencë mes institucioneve të BE-së. Por nga ana tjetër ai e shikon numrin e madh të institucioneve të BE-së si një aspekt që ndikon negativisht në lidhjen e drejtpërdrejtë që qytetarët duhet të kenë me Unionin. ”Politikat duhen ndërtuar nga shtetet anëtare, ndërkohë që roli i institucioneve si Komisioni është që t’i zbatojnë ato dhe të garantojnë që nuk ka konflikte mes vendimeve politike”. Sa i përket Presidencës së Këshillit të BE-së, ministri i jashtëm deklaron se është Traktati i Lisbonës që vendos postet e presidentit të Këshillit dhe Përfaqësuesit të lartë të Punëve të Jashtme, duke minimizuar rolin e presidencave me rotacion, duke çekuilibruar raportin mes tre institucioneve dhe duke fuqizuar Komisionin Europian në kurriz të Këshillit. Ky qëndrim për një fuqizim të qeverisjes ndërqeveritare vjen pak si surprizë edhe për analistët e ndryshëm politikë, të cilët argumentojnë se Sllovakia si një shtet i vogël gjithmonë ka advokuar për institucione më të forta të BE-së. 

“Besoj plotësisht te Bashkimi Europian dhe projekti Europian, pasi jam dëshmitar i ndryshimeve të mëdha që ka pësuar vendi im, por edhe jeta ime”. Kjo është një nga deklaratat e Ministrit të Jashtëm sllovak, Miroslav Lajčák në një takim të organizuar nga German Marshall Fund. Si një mbështetësi i flaktë i BE-së, vlerave dhe mesazheve që përcjell për të gjitha vendet e Europës, Lajčák ka qenë një nga kundërshtarët e Brexit. Sipas The Guardian në një konferencë në Bratislavë ai është shprehur se do të mbështeste çdo veprim që do të ndalonte Brexit, edhe pse duke respektuar vendimin e popullit britanik, shprehu keqardhje për situatën e krijuar. Sipas tij, një BE me Mbretërinë e Bashkuar është një BE më e mirë”. 

 

Për ministrin e jashtëm sllovak Europa duhet të vazhdojë me projektin e integrimit edhe pas daljes së Britanisë nga BE. Gjithashtu ai theksoi që duhet të ketë disa ndryshime thelbësore brenda BE-së  për përballimin e situatave si: komunikimi më i mirë dhe direkt me qytetarët, ekonomia dhe qasje më e detajuar ndaj Greqisë dhe së ardhmes së Eurozonës. Me këtë ai thekson faktin që BE ka akoma shumë sfida për të zgjidhur  dhe Brexit ishte vetëm një nga ato.

Migrimi është një tjetër sfidë e papritur dhe dinamike që e ka mbërthyer Europën dhe po përcakton politikat e saj si të brendshme ashtu edhe të jashtme. Migrimi për Lajčák, si një nga prioritetet e Presidencës sllovake duhet vlerësuar edhe nga pikëpamja filozofike pasi shumë pyetje janë ngritur për solidaritetin, sigurinë, tolerancën apo multikulturalizmin. Kjo ka sjellë nga ana tjetër një fragmentarizim dhe ndarje të politikës, që për Lajčák është një shqetësim mjaft i madh. “Kjo na bën vulnerabël si jashtë, ashtu edhe brenda”. Sllovakia do ta adresojë këtë çështje në një perspektivë pozitive, fakti që Europa po testohet nuk do të thotë që ajo ka dështuar.

Për intervistën dhënë në World Policy Journal çfarë është e rëndësishme të kuptohet sipas ministrit të jashtëm sllovak, është që kriza e migrantëve është një sfidë mjaft e madhe dhe nuk mund të zgjidhet individualisht, por shtetet duhet të bashkojnë forcat për të siguruar një zgjidhje sa më gjithëpërfshirëse, komplekse dhe të qëndrueshme. Kur vjen puna te kriza e emigrantëve, problemi nuk ndalon në kufijtë kombëtarë, ai nuk është një problem vetëm i një shteti. Kjo është një sfidë që duhet përballuar së bashku, ku zëri i të gjithëve duhet dëgjuar, ku solidariteti dhe veprimet konkrete të BE-së si një e tërë janë të nevojshme për t’i zgjidhur ato.  Për këtë arsye Lajčák njihet si një nga aktorët që ka kërkuar zgjidhje pan-europiane të krizës së migrimit. Mungesa e një zgjidhjeje të tillë, argumenton ai, mund të çojë vendet e BE-së të marrin vendime individuale duke përfshirë edhe mbylljen e kufijve apo ngritjen e mureve dhe kjo do të ketë efekte negative jo vetëm për BE-në por edhe për vendet jo të BE-së, si ato të Ballkanit që mund të vuajnë pasoja nga veprime te tilla.  

Sipas Lajčák, Sllovakia që në fillim ka luajtur një rol gjithëpërfshirës duke kërkuar fokusin jo vetëm në aspekte urgjente si kriza humanitare, por edhe në dimensione të tjera më afatgjata si mbrojtja e kufijve, regjistrimi i saktë i migrantëve, dhe zgjidhja e problemeve që lidhen me origjinën e migrimit. Sllovakia ka luajtur rolin e saj dhe si moto ka pasur solidaritetin dhe përgjegjësinë që shkojnë krah për krah, nga njëra anë duhen plotësuar detyrimet  që vijnë nga rregulloret si Schengeni apo Dublini, nga ana tjetër duhet të kontribuohet për një zgjidhje të përbashkët europiane. Kjo vihet re qartë edhe në faktin që qeveria sllovake ka kundërshtuar çdo ide që sugjeron mbylljen e Schengenit apo krijimin e një mini-Schengeni etj. Për Lajčák problemi nuk është Schengeni por fakti që duhen respektuar rregullat, dhe duhet rritur bashkëpunimi për të ofruar siguri më të madhe sidomos kur bëhet fjalë për kontrabandën apo fenomenin e trafikimit. Për këtë, shteti sllovak ka bërë thirrje për vendosjen e kontrolleve më të forta dhe të rregullta në kufijtë tokësorë dhe detarë dhe kontrolle më të detajuara të personave që futen në BE, që sipas Lajčák janë të nevojshme edhe pse mund të vlerësohen në kundërshtim me moralin dhe vlerat e BE-së dhe Schengenit. 

Ballkani ka qenë gjithmonë në vëmendjen e Miroslav Lajčák duke qenë që gjatë karrierës së tij ai ka qenë përfaqësues i BE-së në shtete si Bosnja & Hercegovina, përfaqësues i BE-së gjatë referendumit të pavarësisë në Mal të Zi apo edhe ambasador i Sllovakisë në Serbi. Për Lajčák, një element me rëndësi është edhe anëtarësimi i Rumanisë dhe Bullgarisë në Schengen, që sipas tij është vonuar shumë edhe pse duket se këto dy shtete i kanë plotësuar tanimë kriteret. Ai nuk e fsheh kënaqësinë e tij nëse ky anëtarësim do të realizohej gjatë presidencës sllovake, për më tepër ai argumenton se me krizën në ngritje të emigrantëve ky është një veprim mëse i nevojshëm. 

Edhe integrimi i mëtejshëm i vendeve të Ballkanit Perëndimor është një element i rëndësishëm për ministrin e jashtëm, përsëri për Lajčák procesi i integrimit duhet të vazhdojë përpara pasi nuk ka alternativë tjetër. Në një intervistë për Western Balkans Journal ai është shprehur se pritet që Ballkani Perëndimor të arrijë suksesin në këtë proces, dhe Sllovakia ka qenë dhe vazhdon të jetë mbështetëse e politikave të zgjerimit për BE-në dhe kjo duket edhe në programin që ka pasqyruar për presidencën, duke e kthyer në një prioritet. “Shpresojmë, që gjatë mandatit tonë në krye të Këshillit vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia të arrijnë hapa konkrete dhe progres të dukshëm”. Ai garanton që roli i Sllovakisë do të jetë ai i një ndërmjetësi të pavarur dhe të paanshëm. Ai thekson që edhe pse çdo vend është në faza të ndryshme të procesit të integrimit, kjo nuk ka pse t’i pengojë ata për të punuar dhe për tu angazhuar për të arritur qëllimin e tyre final, duke eliminuar dyshimet dhe duke kaluar në fazat e tjera të procesit të pranimit.  

Për Lajčák, ky proces ka si element thelbësor besueshmërinë që shteti aspirant apo kandidat duhet të japë në përmbushjen e kritereve, dhe vetëm atëherë BE merr vendimin për të ecur një hap me tej. Ai nga ana tjetër sugjeron që Sllovakia të merret si një shembull i mirë i suksesit të zgjerimit dhe se si ky proces funksionon, duke dëshmuar rezultatet pozitive që ka një aksion i qartë dhe perspektiva europiane duke mbështetur vendin aspirant në realizimin e reformave. Kështu që Sllovakia, duhet të merret si një model inkurajues për vendet e Ballkanit Perëndimor, që me vullnet dhe përpjekje edhe ata mund t’ia dalin. Sllovakia ka si detyrë komunikimin aktiv dhe të drejtpërdrejtë me vendet e Ballkanit duke i cilësuar ata partnerë me shpresën dhe synimin që në fund të mandatit të tyre rezultate te dukshme të jenë arritur në këtë drejtim. 

Për më tepër ky vit duket se është i suksesshëm për Sllovakinë dhe Miroslav Lajčák, pasi Sllovakia shpalli zyrtarisht më 27 maj 2016 Lajčák si kandidatin zyrtar për  përzgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB në 2016. Kandidatura e Lajčák si kreu i OKB shihet si pozitive nga mjaft ekspertë. Gjatë 70 viteve të fundit, OKB-ja ka luajtur një rol të rëndësishëm në parandalimin e konflikteve globale dhe ka kryer një punë kyçe në mbarë botën në shërbim të njerëzimit, por për fat të keq kanë dalë sfida të reja dhe kërcënime ndaj paqes dhe sigurisë përtej kufijve kombëtarë. Në deklaratat e Lajčák vihet re se prioritetet e OKB-së sipas tij duhet të përfshijnë sfidat e pandemive, ndryshimeve klimaterike, emigrimin, sigurinë kibernetike, terrorizmin dhe krimin e organizuar. Ministri sllovak i sheh Kombet e Bashkuara si një mundësi për një botë më të mirë, një botë më të hapur, në të cilën kombet, popujt, fetë, kulturat dhe historitë e ndryshme mund të jetojnë së bashku në paqe. Sipas tij, Kombet e Bashkuara mbeten të pozicionuara në mënyrë strategjike për të siguruar një udhëheqje dhe përgjigje efektive të shumanshme. Vihet re se prioriteti i tij kryesor , që nëse do të zgjidhej, do të ishte forcimi i OKB-së, pasi është investimi më i mirë për të arritur dëshirën universale për paqe, zhvillim, barazi dhe drejtësi në botë. 

Çdo vend, i madh apo i vogël, në veri, apo jug, pa dalje në det, ose ishull ka një rol dhe përgjegjësi të rëndësishme individuale për të qenë pjesë e ndryshimit. Ministri deklaron se Sllovakia ka besim të fortë në Kombet e Bashkuara dhe mbetet e gatshme të mbajë përgjegjësinë dhe angazhimin e saj. Në të njëjtën kohë, mjedisi i sigurisë globale nuk ka qenë aq dinamik dhe i pasigurt si sot. Numri i luftërave të mëdha civile është pothuajse trefishuar, numri i personave të vdekur nga luftërat është në nivelet më të larta, ndërsa fakti më shqetësues është numri në rritje i viktimave civile, duke përfshirë gratë dhe fëmijët. 

Një efekt dytësor i kësaj është një rritje dramatike e numrit të refugjatëve. Banka Botërore vlerëson se afërsisht një e pesta e popullsisë së botës është e prekur nga një formë e dhunës ose pasigurisë. Numri i përgjithshëm i personave të zhvendosur me dhunë nga lufta, konflikti dhe persekutimi u rrit në rreth 60 milionë në fund të vitit 2014. Lajčák vë në dukje se jemi të ballafaquar çdo ditë me imazhe të tmerrshme në lajme ose direkt në rrugët, sheshet dhe portet e transportit. Zhvendosja e detyruar është bërë fatkeqësisht një taktikë e qëllimshme dhe e përhapur, që do të thotë se zhvendosja nuk është vetëm një problem humanitar afat-shkurtër.

Ministri përshkruan krizën aktuale të migrimit si një nga sfidat më komplekse me të cilat ballafaqohen sot OKB-ja dhe bota. Ai shprehet se duhet ofruar ndihma për ata në nevojë dhe për të parandaluar tragjedi të tjera që përfshijnë refugjatët. Që kjo të ndodhë, është e nevojshme një veprim sistematik dhe gjithëpërfshirës bashkëpunimi të ngushtë të vendeve të origjinës dhe të destinacionit të emigrimit. Duhen adresuar shkaqet kryesore të migracionit, konflikteve, jo-tolerancës, dhunës, varfërisë dhe mungesës së kushteve për jetë normale.

Duke iu drejtuar ndryshimeve klimaterike, Lajčák vë në dukje thatësirat ekstreme, shkrirjen e akujve polar, ndryshimet thelbësore në modelet klimaterike afatgjata dhe rritjen e nivelit të oqeaneve. Ai thekson se Sllovakia është e angazhuar për miratimin në konferencën e klimës të OKB-së në dhjetor të një marrëveshjeje të drejtë të klimës globale që do të përshpejtojë në uljen e ndotjes atmosferike.

Lajčák mbetet i motivuar dhe një figurë e rëndësishme politike, duke tejkaluar interesat kombëtare dhe duke u kthyer në një përfaqësues të BE-së, mbështetës i vlerave europiane dhe besimplotë në projektin europian. E teksa vendi i tij është futur në një moment të rëndësishëm angazhimi dhe veprimi, ai po synon nivele më të larta të përfaqësimit dhe kontributit të tij si politikan, diplomat, udhëheqës dhe mendimtar.

                                                                                                                    Stafi i EuroSpeak, korrik 2016

 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk