Masat ligjore për parandalimin e korrupsionit për zyrtarët e administratës publike: Rasti i Shqipërisë

Masat ligjore për parandalimin e korrupsionit për zyrtarët e administratës publike: Rasti i Shqipërisë

Korrupsioni manifestohet jo vetëm në administratën publike, njëkohësisht shfaqet dhe në sektorin privat, sistemin gjyqësor, sistemin politik e sektorin terciar.

Për rrjedhojë, legjislacioni penal i ka dedikuar një sërë dispozitash, të klasifikuara si krime, duke parashikuar penalizimet përkatëse.

Ligji njeh dy forma kryesore të korrupsionit: Korrupsioni aktiv[1]- Premtimi, ofrimi ose dhënia, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, e një avantazhi të padrejtë për një zyrtar publik ose privat, vendas ose të huaj, për vete ose për dikë tjetër, në mënyrë që ai të kryejë ose të mos kryejë një veprim që lidhet me detyrën apo funksionin e tij, ose në shkelje të detyrës apo funksionit të tij. Korrupsioni pasiv[2]- Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose në mënyrë të tërthortë, nga zyrtari publik ose privat, vendas ose i huaj, për vete ose për persona të tjerë, i çdo lloj përfitimi a avantazhi të parregullt apo i një oferte a premtimi të tillë, në mënyrë që ai të kryejë ose të mos kryejë një veprim që lidhet me detyrën apo me funksionin e tij, ose në shkelje të detyrës apo të funksionit të tij.

Lufta kundër korrupsionit është një ndër prioritetet kyçe të Bashkimit Europian për vendet si Shqipëria të cilat synojnë aderimin në familjen europiane. Për këtë shteti shqiptar është angazhuar duke marrë masa ligjore për parandalimin e korrupsionit, duke synuar forcimin e besimit të qytetarëve tek institucionet publike, nëpërmjet reformave, aplikimit të masave ndërshkuese duke nxitur zbatimin e legjislacionit dhe aktiviteteve ndërgjegjësuese.


1. Korrupsioni në administratën publike

Aktualisht ekzistojnë dy koncepte lidhur me administratën, atë publike dhe shtetërore, për të cilën kemi dy trajtime ligjore të ndryshme. Koncepti i administratës shtetërore është më i gjerë, ky i fundit përfshin dhe administratën publike, nënpunësit e së cilës, janë pjesë e shërbimit civil dhe i nënshtrohen ligjit nr. 152/2013 “Për nënpunësin civil” i ndryshuar.

Administrata shtetërore është aparati organizativ dhe profesional, që i shërben interesit publik me paanësi, duke zbatuar legjislacionin në fuqi, duke kryer shërbimet publike dhe duke hartuar e zbatuar politikat e përgjithshme shtetërore[3].

Korrupsioni në administratën publike rregullohet nëpërmjet dispozitave të parashikuara si vepra penale, në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, por jo vetëm, njëkohësisht dhe në kuadër të përafrimit të legjislacionit ratifikimin në sistemin e brendshëm ligjor të një sërë konventash ndërkombëtare, të cilat do të trajtohen në vijim.


1.1 “Nënpunësi Publik” në legjislacionin ndërkombëtar dhe atë shqiptar

Në bazë të nenit 2 të “Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit”, nënpunës publik është çdo person që mban një post legjislativ, ekzekutiv, administrativ ose gjyqësor, çdo person tjetër që ushtron një funksion publik apo çdo person tjetër të përcaktuar si "nëpunës publik" në ligjin e brendshëm të shtetit palë.

Sakaq në legjislacionin shqiptar, gjejmë përkufizimin e “nënpunësit publik”, në nenin 4 të ligjit nr. 152/2013 “Për shërbimin civil” i ndryshuar, duke e përcaktuar atë si personin që kryen funksionin për ushtrimin e autoritetit administrativ, publik, merr pjesë në formulimin dhe zbatimin e politikave, monitorimin e zbatimit të rregullave dhe procedurave administrative për zbatimin e tyre.


1.2 Parandalimi i korrupsionit në administratën publike, baza ligjore

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, si ligji më i lartë i vendit në paragrafin e dytë të nenit 15 të saj sanksionon se: “Organet e pushtetit publik, në përmbushje të detyrave të tyre, duhet të respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe të kontribuojnë në realizimin e tyre”.

Për identifikimin dhe ndërshkimin ligjor, të veprave penale të kryera nga nënpunës, titullar, të administratës, të zgjedhur, funksionar publik apo atyre të drejtësisë si dhe magjistratë në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, janë sanksionuar një sërë dispozitash në të cilat parashikohen veprimet apo mosveprimet e kryera, qëllimi, elementi i fajit dhe ndërshkimi ligjor. Këta elementë vijnë të ndërlidhur me njëri-tjetrin në mënyrë kumulative.

Disa nga dispozitat e sanksionuara në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë dhe që hasen më shumë në akuzat e ngritura ndaj nënpunësve, por jo vetëm, janë: Korrupsioni aktiv/pasiv, Vjedhja duke shpërdoruar detyrën, Ushtrimi i ndikimit të paligjshmërisë, Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, Falsifikimi i dokumenteve, etj.


2. Rekrutimi në administratën publike

Një ndër shtyllat kryesore për një demokraci funksionale është ekzistenca e administratës publike e pavarur nga faktorët e jashtëm, qofshin ato politikë ose jo. Ndikimi i faktorëve të jashtëm në rekrutimin e burimeve njerëzore krijon një impakt negativ në paanshmëri dhe cilësinë e ofrimit të shërbimeve publike, prandaj është e domosdoshme ekzistenca e mekanizmave ligjorë për të shmangur këto të fundit.

Legjislacioni ynë i brendshëm, ofron një sërë mekanizmash ligjor, të cilat synojnë të krijojnë habitatin e duhur për rekrutimin e nënpunësve në administratën publike, duke rritur transparencën, por dhe autonominë e aparateve administrative që ndjekin procedurën.

Në përcaktim të nenit 5 të ligjit nr. 152/2013 “Për nënpunësin civil” i ndryshuar: “Administrimi i shërbimit civil udhëhiqet nga ligji dhe bazohet në parimin e shanseve të barabarta, mosdiskriminimit, meritës, transparencës, profesionalizmit dhe paanësisë politike, si dhe garanton qëndrueshmërinë në detyrë të nënpunësit civil dhe vazhdimësinë e shërbimit civil.

Në vijim të këtij parimi, ekziston një procedurë, e cila aplikohet si për kandidatët për lëvizje paralele ashtu sikundër dhe ata për pranim në shërbimin civil, në të cilin Departamenti i Administratës Publike, pyet kandidatët, gjatë intervistës së strukturuar me gojë, nëse dëshirojnë që intervista t’i nënshtrohet procedurës së regjistrimit. Sigurisht kjo është një shprehje e lirë e vullnetit të kandidatit, por për të shmangur dyshimet mbi transparencën e procedurës, rekomandojmë që kjo procedurë të jetë e njëjtë për të gjithë kandidatët, duke ju nënshtruar  regjistrimit. Për të sjellë më afër rekomandimin, e përcjellim me një shembull, nëse kandidati i shpallur jo fitues, ka kontestime lidhur me vlerësimin e procedurës së intervistimit, ligji i njeh të drejtën e ankimit. Pas shterimit të rrugës administrative e më pas atë gjyqësore për mënyrën e vlerësimit të tij dhe kandidatit fitues, do duhet të përdoret në cilësinë e provës, regjistrimi i intervistimit, i cili në mungesë të njërit prej kandidatëve do të bënte të vështirë vlerësimin e transparencës së procedurës dhe rrjedhimisht dhënien e drejtësisë.

Për nënpunësit civil që kandidojnë për lëvizje paralele është përcaktuar vlerësimi i përvojës profesionale, kualifikimeve, trajnimeve, 40 pikë nga 60 që ne sugjerojmë. Kjo për shkak se, në optikën tonë, nënpunësit civil janë individë të trajnuar për të cilët shteti shqiptar ka investuar në mjete monetare, kohë, burime njerëzore për të sjellë veprimatrinë e tyre sa më afër standarteve europiane, por edhe për t’i ardhur në ndihmë veprimtarisë së tyre. Gjithashtu edhe nënpunësit civil janë nënpunës të cilët kanë investuar për administratën publike, në formim të vazhdueshëm. Vlerësimi i përvojës së tyre profesionale, në 40 pikë dhe vlerësimi i procedures së intervistimit në 60 pikë, e konsiderojmë si jo në sinkron me investimet e kryera.

Ligji nr. 152/2013 “Për nënpunësin civil”, ka parashikuar Departamentin e Administratës Publike, ku ndër të tjera mbikëqyr zbatimin e legjislacionit të shërbimit civil në institucionet e administratës shtetërore dhe në procedurat e rekrutimit.

Njëkohësisht, parashikohet një tjetër strukturë e tillë si Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, si një person juridik, i pavarur, i cili është përgjegjës për mbikëqyrjen e ligjshmërisë në administrimin e shërbimit civil. Për të shmangur ndikimin e politikës në procedurat e rekrutimit në shërbimin civil të nënpunësve civil të kategorisë së lartë drejtuese, sugjerojmë, fuqizimin e mëtejshëm të kompetencave të Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, duke deleguar një përfaqësues të këtij të fundit në procedurat administrative, për të verifikuar zbatueshmërinë e ligjit, por njëkohësisht për të shmangur ndikimet e jashtme.

Në vitin 2021, për rritjen e eficencës në luftën kundër korrupsionit në administratën publike, u krijua Rrjeti i Koordinatorëve kundër Korrupsionit, i cili organizohet dhe funksionon në bazë të Vendimit nr. 618, datë 20.10.2021, të Këshillit të Ministrave “Për krijimin, organizimin e funksionimin e Rrjetit të Koordinatorëve kundër Korrupsionit” i ndryshuar, me kompetenca të kontrollit dhe hetimit administrativ në 44 institucione në nivel qendror, si dhe në çdo drejtori vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, në Drejtoritë Rajonale të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, në Drejtoritë Rajonale të Arsimit Parauniversitar dhe spitalet rajonale[4].

Është hartuar dhe implementuar Plani Kombëtar i Veprimit 2023-2025 për zbatimin e Partneritetit të Qeverisjes së Hapur, i cili synon të zhvillojë angazhime të reja në fusha të tilla si:

·       Antikorrupsioni dhe pronarët përfitues;

·       Aksesi në drejtësi;

·       Transformimi digjital dhe inovacioni;

·       Transparenca fiskale;

·       Shërbimet publike;

·       Gjithëpërfshirja;

·       E drejta në informim, konsultim dhe ndikim rregullator;

·       Parlamenti i hapur.

Në kuadër të materializimit të politikave antikorrupsion dhe jo vetëm në administratën publike, në vitin 2024, u krijua Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.


3. Parandalimi i konfliktit të interesit gjatë dhe pas përfundimit të detyrës

Konflikti i interesit është gjendja e konflikit ndërmjet detyrës publike dhe interesave privatë të një zyrtari, në të cilën ai ka interesa privatë, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, që ndikojnë, mund të ndikojnë ose duket sikur ndikojnë në kryerjen në mënyrë të padrejtë të detyrave dhe përgjegjësive të tij publike. Një element i rëndësishëm në parandalimin e korrupsionit për zyrtarët e administratës publike është parandalimi i konfliktit të interesave në ushtrimin e funksionit publik[5]. Ligji parashikon se konflikti i interesit dallon për nga efekti i interesave në vendimmarrje: konflikt faktik i interesit (neni 4/a), konflikti në dukje i interesit (neni 4/b), konflikti i mundshëm i interesit (neni 4/c), si dhe nga dinamika e efekteve: konflikti rast për rast (neni 4/ç), konflikti i vazhdueshëm (neni 4/d).

Për sa më sipër, legjislacioni shqiptar ofron dy ligje specifike në luftën për parandalimin e konfliktit të interesit, Ligji nr. 9049, datë 10.04.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nënpunëve publikë” dhe Ligji nr. 9367, datë 07.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”.

Kompetencat e eprorëve ose të institucioneve eprore për trajtimin dhe zgjidhjen e konfliktit të interesave dhe procedurat për ushtrimin e këtyre kompetencave përcaktohen nga: Kodi i Procedurës Civile dhe Kodi i Procedurës Penale për proceset gjyqësore civile dhe procedimet penale; Kodi i Procedurës Administrative për të gjitha institucionet publike që i nënshtrohen këtij Kodi; Ligje të veçanta që rregullojnë veprimtarinë e institucioneve publike ose të drejtat dhe detyrimet e kategorive të ndryshme të zyrtarëve; Kushtetuta, kur konflikti lidhet me një zyrtar që është anëtar i një organi kushtetues.

Konventa e Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit, mbi parandalimin e konfliktit të interesit pas përfundimit të detyrës, në nenin 12, pika e ka sanksionuar parandalimin e konfliktit të interesit, duke vendosur kufizime në kohë, pas largimit të nënpunësit publik, nëse këto aktivitete ose ky punësim lidhet direkt me funksionet e ushtruara ose mbikëqyrur nga ata nënpunës publik gjatë kohës së shërbimit.

Sakaq, rregullimi ynë i brendshëm ligjor, më konkretisht Ligji nr. 9131, datë 08.09.2003 “Për rregullat e etikës në administratën publike”, ka parashikuar ndalimin e përfaqësimit në konfliktet me administratën publike për një periudhë kohore dy vjeçare, pas largimit nga detyra, për veprimtarinë që ai ka kryer[6].


Përfundime dhe rekomandime

Një ndër shtyllat e rëndësishme të funksionimit të një shteti demokratik është dhe ekzistenca e një administrate publike, e cila ashtu sikundër parashikohet në ligj, të udhëhiqet me parimin e shanseve të barabarta, mosdiskriminimit, transparencës, profesionalizmit dhe paanësisë politike. Aplikimi i këtyre parimeve lidhet me rëndësinë e administratës publike, jo vetëm si ofruese e shërbimeve në drejtim të qytetarëve, por si zbatuese e drejtpërdrejtë e politikave të qeverisë.

Reforma në administratën publike është një proces thelbësor dhe i vazhdueshëm, e cila është sintezë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në këtë kontekst me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 319, datë 15.04.2015, u miratua “Strategjia Ndërsektoriale e Reformës në Administratën Publike 2015-2020[7]”, e cila mbështetet në katër shtylla prioritare: i) Politikbërja dhe cilësia e legjislacionit, ii) Organizimi dhe funksionimi i administratës publike, iii) Shërbimi civil: menaxhimi i burimeve njerëzore dhe iv) Procedurat administrative dhe mbikëqyrja.

Në lidhje me masat ligjore për parandalimin e korrupsionit për zyrtarët e administratës publike, aktualisht është Strategjia Ndërsektoriale kundër Korrupsionit 2024-2030, i cili synon jetësimin e një vizioni nëpërmjet një strukture të bazuar në tre qëllime politikash: Parandalim, Ndëshkim[8], Ndërgjegjësim.

Sakaq, përpos plotësimit të bazës ligjore aktuale dhe jo vetëm, lidhur me parandalimin e korrupsionit në administratën publike, në vitin 2021 është ngritur Rrjeti i Koordinatorëve Kundër Korrupsionit. Në vitin 2024 u krijua Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.

Problematika të tjera të cilat ne i konstatojmë dhe sugjerojmë në përshtatjen e mëtejshme të ligjit janë si më poshtë vijon:


- Për të shmangur diskriminimin, si dhe për të nxitur shanset e barabarta e transparencën, qoftë në procedurën e pranimit në shërbimin civil, apo në lëvizjen paralele, në zhvilimin e testimit me gojë, procedura e regjistrimit të intervistës të jetë e unifikuar për të gjithë kandidatët e pozicionit respektiv dhe jo opsionale.

- Lidhur me mënyrën e vlerësimit të kandidatëve për lëvizje paralele, propozojmë dhënien e një hapësire më të madhe, pra më konkretisht nga 40 pikë vlerësimi për përvojën trajnimet, kualifikimet dhe vlerësimin e fundit nga eprori, të jetë 60 pikë. Ky qëndrim lidhet me faktin se mungesa e njohurisë së një ligji të caktuar të një nënpunësi që punon në një sektor të ndryshëm nga ai që kandidon, nuk e bën atë më pak profesionist për pozicionin, veçanarisht nëse do t’i referoheshim pozicioneve që kërkojnë specialist të shkencave ekzakte. Ligjet ndryshojnë në bazë të ndryshimeve shoqërore dhe dhënie e një hapësire të tillë, do të nxiste më shumë vlerësimin e profesionistëve në shërbimin civil

- Krijimi i mundësive për prioritet, pa cënuar parimin e shanseve të barabarta të nënpunësve që synojnë lëvizje paralele, kjo për të shmangur mbingarkesën në organikat e institucioneve që mbulohen nga shërbimi civil.


- Për të nxitur më tej profesionalizmin dhe paanësinë politike, propozojmë përshtatjen e ligjit, lidhur me nënpunësit civil të kategorisë së lartë drejtuese, të kategorisë së mesme drejuese dhe të ulët drejtuese, të jetë më transparente. Përvoja profesionale e kandidatëve për pozicionin e kërkuar të jetë e publikuar dhe në faqen zyrtare të Departamentit të Administratës Publike. 


- Fuqizimi i mëtejshëm i kompetencave të Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, duke deleguar një përfaqësues të tyre, për të verifikuar zbatimin e ligjit në procedurat e rekrutimit në shërbimin civil apo lëvizjes paralele, veçanarisht për pozicione të cilat mund preken nga paanësia politike, të tilla si nënpunësit civil të kategorisë së lartë drejtuese.


- Vlerësimi i performancës së nënpunësve civilë, duhet të jetë jo vetëm objektiv, i vendosur nga titullarët pa indikator matës, por i bashkëshoqëruar me politika nxitëse të nënpunësve, të tilla si shpërblime në bazë të performancës më të mirë, apo kompesime me ditë pushimi.


- Për të nxitur më tej profesionalizmin në shërbimin civil, si një ndër parimet e ligjit nr. 152/2013 “Për nënpunësin civil” i ndryshuar, sanksionimi i ofrimit të lirshmërisë së nënpunësve civil, të cilët synojnë rritjen profesionale, duke ndjekur studimet e nivelit të tretë, për tituj të tjerë shkencorë, duke krijuar një ekuilibër ndërmjet mbarëvatjes nominale të punës dhe studimeve. Nënpunësit civil të cilët ndjekin ciklin e tretë të studimeve, duhet të gëzojnë të drejtën e një orari më fleksibël për nevoja studimi, leje për ndjekien e konferencave apo trajnimeve në ndihmë të ciklit të tretë të studimeve pa cënuar lejen vjetore të nënpunësit civil.


-Ofrimi i mundësive efektive nga Departamenti i Administratës Publike, si menaxhuese e RQP (Regjistri Qendror i Personelit) e të dhënave profesionale të nënpunësve, të cilët janë të mbikualifikuar për pozicionin në të cilin ushtrojnë detyrat funksionale dhe orientimi i tyre në pozicione të barazvlefshme me formimin e tyre profesional. Për shembull, për pozicionet për të cilat kërkohet programi “Bachelor” dhe nënpunësi civil disponon gradën Doktor Shkencash, t’i ofrohet mundësia e pozicionimit në organikë, në bazë të kualifikimit.

 

Ph.d. Candidate Shezeina Rama & MSc. Valiana Rama, dhjetor 2024

*Shezeina  Rama prej shtatë vitesh është pjesë e administratës publike, fillimisht si përmbaruese gjyqësore në Zyrën Përmbarimore Shtetërore Durrës, më pas si juriste në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe  si rrjedhojë e thirrjes së dytë për punësimin e studentëve të ekselencës në institucionet e administratës, pjesë e administratës tatimore. Gjithashtu nga viti 2021 është angazhuar si lektore e jashtme pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Durrës. Gëzon titullin “avokat”. Ka studiuar për Drejtësi në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës dhe në vitin 2016 ka përfunduar me rezultate të shkëlqyera ciklin e dytë të studimeve Master i Shkencave në të Drejtë Private në po të njëjtin universitet. Ajo ka marrë pjesë në shumë trajnime nga organizata të karakterit lokal dhe ndërkombëtar, lidhur me fushën e së drejtës dhe jo vetëm, Shezeina ka qenë pjesë e shkollës verore  organizuar nga Universiteti Likoping në Suedi mbi qeverisjen digjitale për një administratë publike inovative dhe demokratike. Gjithashtu ka thelluar studimet në ciklin e tretë, në Universititetin “Aleksandër Moisiu” Durrës dhe Univeristetin “Tor Vergata” Romë, aktualisht ka përfunduar vitin e parë të ciklit të tretë të studimeve. Është bashkëautore në punimin shkencor, ‘The impact of political instability in attracting foreign investment (Case of Albania).”

 

*Valiana Rama prej katër vitesh është pjesë e administratës publike, si rrjedhojë e thirrjes së dytë për punësimin e studentëve të sapodiplomuar të ekselencës në institucionet e administratës. Fillimisht ka mbajtur pozicionin e Specialistit në Sektorin e Monitorimit dhe Inspektimit të Zonave Bregdetare dhe Veprimtarive Turistike në Agjencinë Rajonale të Bregdetit Durrës. Prej vitit 2020 mban pozicionin e Specialistit në Sektorin e Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse në Agjencinë Rajonale të Bregdetit Durrës. Gëzon titullin “avokat” dhe ka studiuar për drejtësi në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës. Në vitin 2019 ka përfunduar me rezultate të shkëlqyera ciklin e dytë të studimeve Master i Shkencave në të Drejtë Private në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës. Ajo ka marrë pjesë në shumë trajnime nga organizata të karakterit lokal dhe ndërkombëtar, lidhur me fushën e së drejtës, nga ku është certifikuar për pjesëmarrjen. Ka qenë gjithashtu pjesë e shkollës verore  organizuar nga Universiteti Likoping në Suedi mbi qeverisjen digjitale për një administratë publike inovative dhe demokratike.

 

Referenca

Draft Strategjia Ndërsektoriale kundër Korrupsionit 2024-2030.

Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, i ndryshuar.

Konventa e Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit.

Konventa Penale për Korrupsionin.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

Ligji nr. 152/2013 “Për nënpunësin civil” i ndryshuar.

Ligji nr. 8635 datë 06.07.2000 “Për ratifikimin e Konventës Civile për Korrupsionin”

Ligji nr. 9367 datë 07.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”.

Ligji nr. 9049 datë 10.04.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nënpunëve publikë”.

Ligji nr. 9131 datë 08.03.2003 “Për rregullat e etikës në administratën publike”.

Rrjeti i Koordinatorëve kundër Korrupsionit.

Strategjia Ndërsektoriale e Reformës në Administratën Publike 2015-2020.

 

                                                                                                                                  



[1] Neni 244 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë

[2] Neni 259 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë

[3] Neni 2/1 i ligjit nr. 90/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore

[4]Rrjeti i Koordinatorëve kundër Korrupsionit

[5]Ligji nr. 9367 datë 07.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” i ndryshuar

[6]Neni 17 i Ligjit nr. 9131, datë 08.03.2003 “Për rregullat e etikës në administratën publike

[7] Strategjia Ndërsektoriale e Reformës në Administratën Publike 2015-2020

[8] Draft Strategjia Ndërsektoriale kundër Korrupsionit 2024-2030

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk