Prokurimi publik dhe procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian

Prokurimi publik dhe procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian

Në kuadrin e Integrimit Europian, Prokurimi publik është pjesë e Kapitullit 5 “Prokurimi Publik” të acquis të BE-së. Ky Kapitull, për shkak të rëndësisë së tij, është pozicionuar në Grupkapitujt e parë “Themeloret”, përkrah kapitujve të tjerë të rëndësishëm si Kapitulli 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”, Kapitulli 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria,  Kapitulli 32 “Kontrolli financiar”, Kapitulli 18 “Statistikat”, si dhe kriteri ekonomik, reforma në administratën publike dhe funksionimi i institucioneve demokratike.

Pavarësisht pozicionimit të tij në këtë Grupkapitull dhe rëndësisë që ka, mbetet pak i ekspozuar dhe pak i përfolur në hapësirën e diskutimeve dhe analizave të cilat i përkasin fushës së integrimit europian. Për këtë arsye, qëllimi i këtij artikulli është shpjegimi i rëndësisë së këtij Kapitulli, përmbajtja e tij, situata aktuale e përgatitjes për vendin tonë, si dhe çfarë pritet të ndodhin së bashku me objektivat afatgjatë të tij.


Përse është i rëndësishëm Kapitulli 5?

Për të kuptuar rëndësinë e këtij Kapitulli, është e nevojshme që fillimisht të kuptohet se çfarë është prokurimi publik. Sipas legjislacionit vendas, prokurimi publik përkufizohet si “blerja e punëve, furnizimit të mallrave ose shërbimeve nëpërmjet një kontrate publike nga ana e një ose më shumë autoriteteve ose enteve kontraktore nga operatorët ekonomikë që zgjidhen nga këto autoritete ose ente kontraktore, pavarësisht nëse punët, furnizimet e mallrave ose shërbimet përdoren ose jo për qëllime publike”.[1]

Në këtë kuptim, prokurimi publik është një instrument i rëndësishëm i menaxhimit të fondeve publike me një ndikim të gjerë në zhvillimin ekonomik të vendit. Në terma sasiorë, ndikimi që ka prokurimi publik në ekonomi mund të matet me peshën që zë në prodhimin e brendshëm bruto (PBB). Më konkretisht, në vitin 2022, prokurimi publik në Shqipëri zinte 9.8% të PBB-së [2] ndërkohë që në BE, zinte 14% të PBB-së.[3] Për këtë arsye, respektimi i parimit të mosdiskriminimit, trajtimit të barabartë, transparencës dhe konkurrencës në prokurimet publike është një detyrim I përcaktuar në legjislacionin vendas[4] për prokurimin publik dhe në atë të BE-së[5].


Përmbajtja e aqcuis së Kapitullit 5 dhe detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit

Acquis e prokurimit publik bazohet në parimet e përgjithshme siç janë mosdiskriminimi, trajtimi i barabartë, transparenca dhe konkurrenca që rrjedhin nga Traktati mbi Funksionimin e Bashkimit Europian (TFEU), Direktiva 2014/24/BE, Direktiva 2014/25/BE, Direktiva 2014/23/BE, Direktiva 2009/81/KE, Direktiva 89/665/KEE dhe 92/13/KEE, dhe nga jurisprudenca e Gjykatës Europiane të Drejtësisë (GJED).

Duke marrë për referencë përmbajtjen e acquis dhe në veçanti fushën e zbatimit të Direktivave të sipërcituara, Kapitulli 5 mund të ndahet në pesë nënfusha:

1. Prokurimet në sektorin klasik;

2. Prokurimet në sektorët utilitarë;

3. Sistemi i shqyrtimit të ankesave;

4.  Koncesionet dhe Partneriteti Publik-Privat;

5. Prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Ndërkohë, detyrimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA)[6] për prokurimin publik parashikohen në Nenin 74 “Kontratat publike”, i cili përcakton se Shqipëria dhe BE do të konsiderojnë hapjen e dhënies së kontratave publike në bazë të mosdiskriminimit dhe reciprocitetit, veçanërisht në kontekstin e Organizatës Botërore të Tregtisë, si një objektiv të dëshirueshëm.

Nga ana tjetër, Neni 70 i MSA-së, përcakton detyrimin e përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë për të përafruar legjislacionin e saj me acquis të BE-së.


Situata e Kapitullit 5 - Arritjet dhe sfidat

Sipas Raportit Screening për Grupkapitujt 1 “Themeloret” dhe Raportit të Komisionit Europian 2023, Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në përafrimin e kuadrit ligjor në fushën e prokurimit publik me acquis e BE-së, veçanërisht sa i takon prokurimeve në sektorin klasik, utilitar dhe sistemin e shqyrtimit të ankesave, duke pasur një nivel të lartë përafrimi. Kuadri ligjor në fushën e prokurimeve u përafrua dhe më tej me acquis e BE-së nëpërmjet ndryshimeve në Ligjin 162/2020[7] të cilat u miratuan në Kuvend në shkurt të 2024, dhe që adresuan disa boshllëqe të identifikuara në raportin screening. Gjithashtu, kuadri ligjor për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë vlerësohet me një nivel të lartë përafrimi. Megjithatë, kuadri ligjor për koncesionet dhe partneritetin publik-privat është pjesërisht i përafruar me acquis.

Një arritje e tillë vjen si rezultat i marrjes së masave të rëndësishme ligjore sikurse është miratimi i Ligjit të ri për Prokurimin Publik në vitin 2020 dhe të akteve nënligjore në zbatim të tij, si dhe miratimi i Ligjit Nr. 36/2020 për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.

Pavarësisht se mbeten disa dispozita të Direktivave të BE-së për t’u përafruar, si dhe një nivel më i lartë përafrueshmërie i ligjit shqiptar për koncesionet dhe partneritetin publik-privat me Direktivën përkatëse të BE, sfida kryesore mbetet përmirësimi i kapaciteteve administrative dhe zbatuese të autoriteteve kontraktore.


Hapat e mëtejshëm dhe objektivat

Në vijim të përmbylljes së procesit screening dhe të publikimit të raportit analitik për Grupkapitullin 1, Kapitulli 5 gjendet përpara hapjes së negociatave e cila do të konstituohet nga Konferenca Ndërqeveritare e radhës (e dyta për Shqipërinë).

Negociatat do të orientohen nga pozicionet negociuese që Shqipëria do të hartojë dhe do të miratojë, të cilat adresojnë rekomandimet dhe boshllëqet e identifikuara nga raporti screening, përfshirë piketat hapëse, nëpërmjet parashikimit të masave politike dhe ligjore, administrative dhe institucionale.

Sa i takon Kapitullit 5, në raportin screening nuk janë të parashikuara piketa hapëse, por megjithatë, nevojitet që boshllëqet e mbetura të adresohen duke përdorur si dokumente orientues jo vetëm pozicionin negociues, por edhe dokumente strategjikë sikurse është Plani Kombëtar për Integrimin Europian dhe Strategjia Kombëtare për Prokurimin Publik.

Në vija të përgjithshme, objektivat kryesorë për Kapitullin 5 janë:

1. Përafrimi i plotë i kuadrit ligjor në fushën e prokurimit publik, të koncesioneve/PPP-ve dhe prokurimeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë me acquis e BE-së;

2. Përmirësimi i mëtejshëm i kapaciteteve administrative me qëllim zbatimit sa më të mirë të legjislacionit të prokurimit publik, koncesioneve/PPP-ve dhe prokurimeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë;

3. Profesionalizimi i funksionit të prokurimit publik;

4. Përmirësimi i vazhdueshëm i sistemit të shqyrtimit të ankesave në fushën e prokurimit publik.

 

Geri Pilaca, qershor 2024

 

*Geri Pilaca është Përgjegjës i Sektorit të Integrimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë në Agjencinë e Prokurimit Publik dhe Lektor me kohë të pjesshme në Departamentin e Shkencave Politike, në Fakultetin e Shkencave Sociale, në Universitetin e Tiranës. Geri mban gradën Doktor Shkencash në “Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare”, Universiteti Epoka, Tiranë, ndërkohë që për studimet Master është diplomuar në “Marrëdhënie Ndërkombëtare”, Corvinus University of Budapest, Budapest. Për shkak të pozicionit të punës pranë Agjencisë së Prokurimit Publik, është angazhuar në mënyrë aktive në procesin e integrimit, dhe më saktësisht në procesin screening. Gjithashtu, fushat e tij të kërkimit lidhen me integrimin europian dhe europianizimin, me në fokus Shqipërinë. Ai është autor i disa publikimeve në revista shkencore ndërkombëtare në fushën e Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

 

 

Referenca

 

Access to public procurement: Public procurement”, European Commission: https://single-market-scoreboard.ec.europa.eu/business-framework-conditions/public-procurement_en


Analiza Vjetore 2022, Agjencia e Prokurimit Publik, fq. 13. https://www.app.gov.al/GetData/DownloadDoc?documentId=83d7547a-e8c9-4458-9321-e6eeef5324e6 

 

Direktiva 2014/24/BE e Parlamentit Europian dhe Këshillit, datë 26 shkurt 2014 “Për prokurimin publik dhe që shfuqizon Direktivën 2004/18/KE”, e ndryshuar. Numri CELEX 32014L0024, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Europian, Seria L, nr.94, datë 28.3.2014, fq.65-242

Ligji 162/2020 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar

 

Ligji nr. 9590, datë 27.07.2006 “Për ratifikimin e “Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komuniteteve Europiane e shteteve të tyre anëtare”

 

Ligji nr. 16/2024 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr. 162/2020 “Për prokurimin publik”



[1] Neni 1, pika 2 e Ligjit 162/2020 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar

[2] Analiza Vjetore 2022, Agjencia e Prokurimit Publik, fq. 13. https://www.app.gov.al/GetData/DownloadDoc?documentId=83d7547a-e8c9-4458-9321-e6eeef5324e6    

[3] “Access to public procurement: Public procurement”, European Commission: https://single-market-scoreboard.ec.europa.eu/business-framework-conditions/public-procurement_en

[4] Neni 3 i Ligjit 162/2020 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar

[5] Direktiva 2014/24/BE e Parlamentit Europian dhe Këshillit, datë 26 shkurt 2014 “Për prokurimin publik dhe që shfuqizon Direktivën 2004/18/KE”, e ndryshuar. Numri CELEX 32014L0024, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Europian, Seria L, nr.94, datë 28.3.2014, fq.65-242

[6] Ligji nr. 9590, datë 27.07.2006 “Për ratifikimin e “Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komuniteteve Europiane e shteteve të tyre anëtare”

[7] Ligji nr. 16/2024 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr. 162/2020 “Për prokurimin publik”

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk