Paradoksi i Idesë për një Administratë Profesionale

Paradoksi i Idesë për një Administratë Profesionale


Ajo çka po shohim çdo ditë është alarmuese, një pjesë e madhe e profesionistëve në fusha të ndryshme po e lënë Shqipërinë nga viti në vit. Emigrimi i kapitalit mendor është një fenomen që e kanë hasur të gjitha vendet e Bllokut Lindor pas rënies së komunizmit. Kjo është një karakteristikë që vjen si pasojë e procesit të tranzicionit dhe kalimit nga diktatura socialiste në sistem demokratik. Por fakti që emigrimi i kapitalit mendor dhe i individëve profesionistë e të talentuar është lehtësisht i evidentueshëm, politikat e duhura mund ta frenojnë. Mirëpo pas fenomenit që pësoi Shqipëria pas viteve’90-të me largimin e një pjese të mirë të elitës, situata nuk është stabilizuar ashtu siç pritej por përkundrazi është përkeqësuar ndjeshëm vitet e fundit. Shifrat janë alarmante supozohet që 1/3 e popullsisë të jetë larguar këto vitet e fundit dhe një pjesë e mirë e tyre përbëjnë elitën e vendit. Shqipëria në vend që të eksportojë mallra dhe të mira materiale, eksporton mjekë, dentistë dhe infermierë drejt Gjermanisë, inxhinierë, artistë e muzikantë drejt Kanadasë... Shumë e më shumë profesionistë të kualifikuar, akademikë, sportistë po largohen nga vendi. Të rinjtë e kualifikuar për të cilët është shpenzuar kohë dhe të ardhura, në dorë të të cilëve është e ardhmja e vendit, po largohen duke e vendosur potencialin e tyre në dispozicion të vendeve perëndimore. Kjo është mënyra më e pastër e shpërdorimit të burimeve dhe kapaciteteve njerëzore aq të domosdoshme që një vend mund të bëjë.

Cilët janë shkaqet? Ky artikull nuk ka për qëllim të diskutojë shkaqet në detaje, pasi kjo do të ishte e pamundur për tu bërë këtu. Megjithatë po përmend shkurtimisht më kryesorët. Përgjigja që shumica e qytetareve do ti japin kësaj pyetje është për shkak të ‘varfërisë’. Edhe pse ky është një faktor vendimtar për fenomenin e emigrimit të kapitalit mendor, varfëria në vendin tonë përbën vetëm majën e ajsbergut. Largimi i kapitalit mendor nuk është si emigrimi normal ku emigrohet për të siguruar mbijetesën. Ky fenomen prek më së shumti shtresën e mesme punëtore të shoqërisë, që bazuar në kritere të thjeshta është e mirë integruar në strukturat shoqërore. Pra faktorët janë më të komplikuar dhe rrënjosur thellë në krizat e vazhdueshme ekonomike, politike dhe sociale që ka përjetuar dhe pritet të përjetojë Shqipëria në vitet në vazhdim. Qytetarët janë lodhur tashmë dhe thellësisht të zhgënjyer nga krizat që po shoqërojnë këtë periudhë tranzicioni që duket se nuk do të përfundojë. Ata e shohin vendin e tyre të futur në një rreth vicioz ku kriza pason krizën dhe ngërçi prodhon ngërç. Qytetarët ndjehen të tradhtuar, të tradhtuar nga liderët që kanë zgjedhur. Dhe ajo çka është më e keqja është që ndjehen të ‘tradhtuar nga demokracia’, sepse nuk është ajo që kishin ëndërruar e pritur. Kjo vjen si pasojë se shoqëria shqiptare e papjekur nuk është e aftë të diferencojë dyzimin e liderëve me sistemin demokratik të qeverisjes. Rrjedhimisht krijohet ideja se situata nuk ka për të ndryshuar ose më keq akoma është e pa mundur të ndryshohet. Një situatë e tillë prodhon fenomenin që aktualisht shqetëson çdo qytetar- pesimizmi dhe pasiguria për të ardhmen. Të gjithëve na ndodh që të flasim me miqtë tanë që pavarësisht se mund të jenë të arsimuar dhe me profesione të lakmueshme si jurist, mjek, inxhinier nuk e shohin të ardhmen e tyre në Shqipëri. Midis faktorëve të ndryshëm ajo që njëzëri përmendin është pasiguria e shoqëruar me nota të thella pesimizmi për të ardhmen.

Në këtë kontekst ngrihet pyetja “Çfarë efekti ka sjellë dhe do të sjellë emigrimi i kapitalit mendor në administratën e vendit tonë dhe a ka rëndësi kjo”? Largimi i individëve të talentuar përtej kufijve krijon një deficit në forcën punëtore të vendit. Si pasojë, largimi i kapitalit mendor ka efekte shkatërruese në aspiratën për një administratë profesionale. Mungesa e kushteve të mira në punë, mungesa e një rroge të mirë, mosvlerësimi i punës në vend, detyrimi për tu bërë pjesë e politikës si një mënyrë për të siguruar një punë, korrupsioni, problemet me nepotizmin dhe promovimi në bazë të kritereve jo profesionale janë disa nga shkaqet dhe pasojat të lidhura direkt me emigrimin e kapitalit mendor. Mendoj se largimi i profesionistëve ose injorimi i tyre krijon boshllëqe në administratë. Këto boshllëqe mbushen shpesh me persona që nuk kanë kualifikimin e duhur, me militantë partiak ose nëpërmjet rrjetës së nepotizmit apo kronizmit (që vitet e fundit është përhapur ndjeshëm në qarqe të caktuara) çka vret profesionalizmin e administratës.

Alarmante është jo vetëm largimi i kapitalit mendor përtej kufijve por edhe ai brenda vendit. Ne jemi dëshmitarë që një pjesë e mirë e kapitalit mendor i vendit është përqendruar në kryeqytet, Tiranë. Edhe një fenomen i tillë sjell pasoja të rënda për administratën duke mbipopulluar zona dhe sektorë të caktuar dhe duke krijuar boshllëqe të mëdha në qytetet e tjera të vendit. Kjo shoqërohet me pasojat e përmendura më lart. Gjithsesi ky është një fenomen që kërkon një analizë të gjatë të cilës unë do t’i shmangem këtu.

Vendi në këto momente është pranë marrjes së një kursi që do të jetë historik për të ardhmen e Shqipërisë- ajo e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE. Po nuk mund të kemi negociata për anëtarësim me BE-në pa një administratë profesioniste të aftë për të finalizuar procesin. Kështu që është e domosdoshme që të ndërmerren urgjentisht politika strategjike, afatgjata dhe serioze që do të prodhojnë efekte të pakthyeshme në të ardhmen. Duhet një bashkëpunim ndërinstitucional dhe bashkëpunim i qëndrueshëm midis shtetit dhe shoqërisë civile për të adresuar problemin. Një hap për tu përshëndetur ishte organizimi i Samitit të Diasporës, por vetëm vizitat turistike nuk mjaftojnë. Duhen strategji dhe politika serioze që garantojnë jo vetëm ndalimin e këtij fenomeni por edhe kthimin e atyre që janë larguar nga vendi. Këto strategji duhet të synojnë që personat që punojnë në administratë të ndjehen rehat dhe ta shijojnë punën e tyre sepse vetëm persona të tillë nuk do të duan të largohen nga vendi. Shqipëria po humbet të ardhmen! Humbja e kapitalit mendor është një fenomen shqetësues, i cili dëmton të sotmen duke çuar dëm investimet e bëra deri më tani. Por ajo çka është më e rëndësishme është dëmi që i bën të ardhmes së vendit.

Siç parashtrohet më sipër problemi i emigrimit të kapitalit mendor është një problem kompleks dhe si i tillë kërkon zgjidhje në nivel individual, shoqëror dhe shtetëror për të bërë të mundur gradualisht ndalimin e këtij fenomeni. Për pasojë lipset që të ndërtojmë ura bashkëpunimi midis këtyre strukturave për t’iu përgjigjur me sukses sfidave të së ardhmes që na ofron anëtarësimi në Bashkimin Europian. Dhe çka është më e rëndësishmja, për të përballuar me sukses sfidat me të cilat do të na sjellë dëshira për një Shqipëri më të mirë.
                                                                                                                         Përgatiti: Mandrit Kamolli
                                                                        Artikulli fitues i Konkursit Dritare për të Rinjtë, dhjetor 2016

 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk