E drejta për informim pubik dhe qasja në dokumentat zyrtare - Transparenca, kufizimet dhe roli i shoqërisë

E drejta për informim pubik dhe qasja në dokumentat zyrtare - Transparenca, kufizimet dhe roli i shoqërisë

Informimi i publikut për të drejtat e tyre mbi informim dhe transparencën, kufizimet dhe rolin e shoqërisë civile mbi dokumentat zyrtare është pikënisja nga duhet të fillojë zbatimi i kësaj të drejte. Konkretisht, kjo e drejtë klasifikohet si të drejta dytësore duke u renditur tek të drejtat sociale, ekonomike dhe politike, të cilat Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë i mbron dhe i garanton për qytetarët e saj. Në këtë artikull do të përpiqemi të japin një panoramë më konkrete të situatës ku ndodhet zbatimi i kësaj të drejtë, si dhe efektet e drejtpërdrejta që sjell moszatimi i saj nga institucionet në  jetën e qytetarëve, ku shpesh ata gjenden përballë kërkesave me përgjigje të shkurtra, ose pa përgjigje fare.

Ligji nr.119/2014 “Për të drejtën për informimit” i ndryshuar ka si objekt dhe qëllim kryesor rregullim e të drejtës së njohjes me informacionin që prodhohet ose mbahet nga autoritet publike, duke parashikuar rregulla që kanë për qëllim garantimin e njohjes së publikut me informacion  në kuadër të ushtrimit të të drejtave dhe lirive të individit, po ashtu edhe nxitjen e integritetit, të transparencës dhe përgjegjshmërisë së autoriteteve publike. Pavarësisht parashikimeve të mësipërme, objektivave të vënë dhe qëllimeve të caktuara në letër realiteti flet ndryshe. 

Për të garantuar zbatimin e këtij ligji, nga të gjitha institucionet si ato të nivelit vendor, qendror dhe të pavarura lindi nevoja e krijimit të një insitucioni që do të monitoronte dhe merrte masa administrative konkrete për të gjitha rastet e moszbatimit të këtij ligji. Aktualisht, të ngarkuar me këto detyra kemi Komisionerin Për të Drejtën për Informim dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Duke qënë se janë një numër i madh institucionesh shtetërore, me fusha veprimtarie nga më të ndryshmet, Komisioneri ka arritur të krijojë një model standart të Programit të Transparencës, ku risi tashmë pjesë e qasjes për Transparencë janë përfshirë edhe Këshillat Bashkiakë të 61 bashkive, me një model standart sipas funksioneve që luajnë këshillat bashkiakë.

Në përditshmëri njërëzit e thjeshtë e justifikojnë qasjen e vogël që ata kanë në dokumentat zyrtare ose veprimtarinë ekonomike të institucioneve me shprehjen që “punët e shtetit janë të shtetit”, por në fakt po t`i referohemi teorisë së Kontratës Shoqërorë të Xhon Loku-t, shteti u krijua si rezultat i heqjes dorë nga disa të drejta të qytetarëve, për të mbrojtur disa të drejta më të rëndësishme, në emër të rendit dhe sigurisë shoqërore. E thënë ndryshe shteti duhet të raportojë dhe të jetë i qartë e konciz me qytetarët sesi po shkojnë “punët e shtetit”.

Qytetarët e Bashkimit Europian i kushtojnë një vëmendje të veçantë të gjitha veprimtarive institucionale që ndërmerren nga qeveritë e tyre, duke pasur një nivel llogaridhënie shumë të lartë nga ana institucionet kundrejt qytarëve të tyre. Asnjë veprimtari nuk ndërmerret pa pasur dakortësinë e qytetarevë të cilët janë subjekti përfitues, ose që preket nga këto reforma. Kjo shpjegon dhe faktin se sa i  mirëinformuar është çdo qytetar (nga bujku tek biznesmeni), pasi ata njohin të drejtat që kanë karshi të gjitha detyrimeve që lindin si shtetas të atij vendi.Kjo rrit niveli e besimit në shtetin dhe institucionet e tyre. Por nëse e paralelizojmë me situatën në vendin tonë, e kuptojmë shumë qartë se jemi larg llogaridhënies së institucioneve. 

Mos informimi i publikut nuk është vetëm një mungesë në kulturën  juridike apo financiare, por shkakton një humbje të drejtash, kjo humbje mund të sjellë në mënyre direkte ose indirekte dhe  kosto monetare. Shpesh në rrethin tonë familjar ndeshim argumentin që për shumë të drejta që ata i gëzojnë shprehen që: “nuk e dija, kur paska ndryshuar, sikur të më kishin thënë më herët”. Situata është më e rënduar në rastin e  emigrantëve, të cilët kalojnë ditët e pushimeve dyerve të zyrave gjendjes civile, bashkive apo edhe ministrive, për të kryer disa procedura që për një zyrtar janë të thjeshta, por për qytetarin kthehen në luks nëse arrijnë t`i marrin ose rregullojnë dokumentat të cilat ju nevojiten.  

Situatat e pasqyruara ndikojnë thellësisht në mënyrën sesi qyteraët shohin dhe besojnë në institucionet e ndryshme si ato vendore dhe qendrore. Lidhja e ngushtë mes transparencës dhe llogaridhënies përcakton mënyrën sesi shteti në tërësi funksionon, sa më e lartaë transparenca (në rastin ideal) aq më e lartë dhe llogaridhënia e zgjedhurve të pushtetit vendor dhe qendror, dhe në rastin më të keq e anasjellta sa më e ulët transparenca, aq më pak praktikohet llogaridhënia e cila si efekt sjell dhe do të sjellë vetëm uljen e besueshmërisë së të zgjedhurve, të zyrtarëve dhe të vetë shtetit.

Llogaridhënia si parim ka për qëllim të sigurojë që zyrtarët publikë të jenë të përgjegjshëm, duke parandaluar abuzimet dhe granatuar që vendimet e tyre të jenë në përputhje me vlerat dhe ligjet e shoqërisë, duke ndikuar në rritjen e besimit të qyteraëve në institucionet e tyre.

Është e rëndësishme të kuptojmë se llogaridhënia dhe transparenca nuk janë çështje që duhet të jenë në plan të dytë, nesë duam që të drejtat tona të dëgjohen dhe kuptohen , të cilat këto më vonë reflektohen në politika të duhura. Por nëse e paralelizojmë me situatën në vendin tonë, e kuptojmë shumë qartë se jemi larg llogaridhënies së institucioneve. Rastet më të fundit të publikuara në media tregojnë një panoramë të frikshme sesi paratë që gjenerohen nga të  ardhurat tona si taksapagues, keqpërdoren  në investime dhe projekte që nuk sjellin asnjë përfitim për ne si qytetarë, por më rëndues është fakti që në ardhmen e afërt do të përkthehen në një kosto ekonomike e pashmagshme  për buxhetet tona familjare.

Pavarësisht të drejtës për tu pajisur me informacion,  Ligji për të Drejtën e Informimit parashikon se e drejta e informimit mund edhe të kufizohet në rast se është e domosdoshme, proporcionale dhe nëse dhënia e informacionit dëmton interesat e mëposhtëm: 

a) E Drejta për Një Jetë Private: Kufizimet janë të justifikuara kur dhënia e informacionit dëmton të drejtat e jetës private të individëve. Për shembull, informacioni personal i një personi mund të mbrohet për të ruajtur privatësinë e tyre. 

b) Sekreti Tregtar: Kur dhënia e informacionit mund të dëmtojë interesat e biznesit, përfshirë sekretin tregtar, ligji mund të kufizojë të drejtën e informimit për të mbrojtur këto interesa. 

c) Të Drejta e Autorit: Kufizimet janë të nevojshme për të mbrojtur të drejtat e autorit mbi krijimtarinë e tyre. Ky aspekt lidhet me mbrojtjen e pronës intelektuale dhe mund të përfshijë rregulla për shfrytëzimin e kësaj informacioni nga të tjerët.

 ç) Patentat: Kufizimet janë të nevojshme për të mbrojtur të drejtat e pronës industriale, përfshirë patentat. Informacioni i lidhur me inovacionet dhe teknologjitë e reja mund të mbrohet për të inkurajuar zhvillimin dhe investimet në këto fusha.

 Me "proporcionalitetit" si parim nënkupton se këto kufizime janë të përmbajtura dhe të përdoret vetëm në masën kur është e domosdoshme për të mbrojtur këto interesa. Ligji për të drejtën e informimit përcakton një balancë midis nevojave të qytetarëve për informacion dhe mbrojtjes së interesave ligjore të tjera.

 Po kështu e drejta e informimit kufizohet në rast se është e domosdoshme, proporcionale dhe nëse dhënia e informacionit shkakton një dëm të qartë dhe të rëndë ndaj interesave të mëposhtëm: 

a) sigurinë kombëtare, sipas përkufizimit të bërë nga legjislacioni për informacionin e klasifikuar; 

b) parandalimin, hetimin dhe ndjekjen e veprave penale; 

c) mbarëvajtjen e hetimit administrativ në kuadër të një procedimi disiplinor; 

ç) mbarëvajtjen e procedurave të inspektimit dhe auditimit të autoriteteve publike; 

d) formulimin e politikave monetare dhe fiskale të shtetit; 

dh) barazinë e palëve në një proces gjyqësor dhe mbarëvajtjen e procesit gjyqësor; 

e) këshillimin dhe diskutimin paraprak brenda ose midis autoriteteve publike për zhvillimin e politikave publike; 

ë) mbarëvajtjen e marrëdhënieve ndërkombëtare ose ndërqeveritare. 

Nga parashikimet e mësipërme, ligji shprehet qartë se autoritetet publike kanë detyrimin që nëse kufizimi prek vetëm një pjesë të informacionit të kërkuar, të argumentojë qartë pjesët e dokumentacionit përkatës të refuzuar dhe për pjesën tjetër nuk ka të drejtë t`i refuzojë informacionin  kërkuesit. Në të gjitha rastet ku autoriteti publik, nën siluetën e parashikimeve të mësipërme refuzon të japë informacionin e kërkuar, pa argumentimin e duhur ligjor, i jep automatikisht të drejtën kërkuesit t`i drejtohet Komisionerit  Për të Drejtën për Informim dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si dhe të ndjekë dhe rrugët gjyqësore në gjykatat kompetente për çështjet administrative. Por sa efektive është kjo qasje për një qytetar të thjeshtë?

Në vendin tonë shumë qytetarë rolin e shoqërisë civile e lidhin me organizata e shoqërisë civile, por në fakt janë dy koncepte të ndryshme. Shoqëria civile përbën të gjithë spektrin e qyteraëve, komuniteve dhe organizatave etj., të cilët janë pjesë e mjedisit shoqëror. Ndërsa Organizata e Shoqërisë Civile janë subjekte të cilët në veprimtarinë e tyre kanë si subjekt të përkrahin dhe t`i japin një qasje më të madhe problemeve të ndryshme që kanë individët, komunitet e ndryshme, në mënyrë që këto probleme të gjejnë një zgjidhje nga institucionet të cilave iu adresohen.

Vitet e fundit vihet re një ndërgjegjësim i shtuar në fushën e të drejtës për informim, ku nuk mungojnë rastet e denoncimeve kundrejt institucioneve që nuk tregohen korrektë dhe në shumicën e rasteve janë ndërmarrë dhe  masa ndëshkuese për personat përgjegjës. Po ashtu ka dhe nisma pozitive, siq është ajo e konsultimit publik ose e dëgjesave publike në lidhje me propozimet në hartimin e akteve dhe ndjekjen e politikave të ndryshme si ato në nivel qendror dhe vendor. 

Është e rëndesishme të kuptojmë se një shoqëri civile aktive nuk krijohet vetëm nga detyrimet që kemi për të përmbushur detyrimet  e kuadrit ligjor për të realizuar me sukses procesin e anëtarësimit në Be, duhet të rrënjoset në kulturën tonë si popull, së të kërkosh lloari, transparencë, të jesh i informuar janë themelet për një qeverisje sa më demokratike. Krijimi i kësaj kulture llogarikërkuese do kohën e saj që të krijohet, pasi jo çdo plagë arrin të mbyllet me ndryshimin e sistemeve. Nuk duhet të harrojmë se jemi një shoqëri që kemi kaluar një nga diktaturat më të egra në Europë dhe sigurisht kjo të vazhdojë të lërë pasojat e saj në sjelljet tona, por asnjëherë kjo nuk do të na shërbejë për të justifikuar mosinteresin tonë në çështje sensitive që prekin mirqënien tonë sociale, ekonomike dhe politike.


                                                                                                      Ornela Lleshi, maj 2026

*Msc. Ornela Lleshi ka mbaruar studimet në vitin 2021, nivelin Master Shkencor në Drejtë Publike, pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Prej afro 6 vitesh është pjesë e administratës publike, ku në fillim ka ushtruar detyrën e juristes në Administratën e Prefektit të Qarkut Lezhë. Më pas, për të vazhduar karrierën në institucion më qendror, në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, si specialist ligjor. Gjithmonë në punën e saj është interesuar mbi mundësitë e funsionimit të shtetit dhe administratës në mënyrë sa më të afërt me jetën e qytetarëve.


Bibliografia


ALTAX. (2025, October). Transparency and access to information in Albania: Challenges and the need for Action . ALTAX.

Av. Matlija, Dorian,  Irena Dule & Av. Brunilda Qershori (Mars, 2024). Ndryshimet ligjore për të drejtën e informimit -Shumë zhurmë për asgjë? Res Publica. https://www.respublica.org.al/wp-content/uploads/2024/04/E-drejta-e-informimit-2023_Web.pdf  

Bino, Blerjana, Redion Qirjazi & Alban Dafa (2020). Pjesëmarrja e Shoqërisë Civile në Vendimmarrje në Shqipëri. Tirana : Fondacionin Westminister për Demokraci.

GRECO (Group of States against Corruption. (2025). FIFTH EVALUATION ROUND reventing corruption and promoting integrity incentral governments (top executive functions) and law enforcement agencies SECOND COMPLIANCE REPORT ALBANIA. Strasbourg, 17-19 March 2025): Public GrecoRC5(2025)5.

Instituti për Drejtësi dhe Ndërmjetësim . (2021). E drejta për informim “Çdo person gëzon të drejtën e njohjes me informacionin publik,. Tirana: Partnerët për Shqipërinë për Drejtësinë dhe Zhvillim.

Qendra e Botimeve Zyrtare . (n.d.). Retrieved from "Ligji për të Drejtën e Informimit", i ndryshuar : Permalink ELI: http://qbz.gov.al/eli/ligj/2014/09/18/119

Xhaho, A. (2024). TRANSPARENCA DHE AKSESI NË INFORMACION PUBLIK. Tiranë: Peace Volunteering Network.


                                                                                                                                   





1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues
European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk