Nga kontrolli kufitar tek tregu europian: Siguria ushqimore si test i integrimit të Shqipërisë në BE

Nga kontrolli kufitar tek tregu europian: Siguria ushqimore si test i integrimit të Shqipërisë në BE

Siguria ushqimore është një nga fushat më pak të diskutuara të procesit të integrimit, megjithëse në tregun europian, kjo konsiderohet jo vetën një çështje e mbrojtjes së konsumatorit, por edhe një kusht themelor për funksionimin e lirë të tregut, konkurrueshmërinë e prodhuesve dhe besimin e qytetarëve tek institucionet publike.

Për Shqipërinë, përafrimi me standardet europiane në sigurinë ushqimore nuk është thjesht një detyrim teknik i negociatave për anëtarësim, por edhe një test të aftësisë së institucioneve për të zbatuar standarde europiane dhe për të garantuar besueshmërinë e produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare. Në këtë kuadër, laboratorët, kontrollet kufitare, sistemet e gjurmueshmërisë dhe mekanizmat e menaxhimit të riskut nuk janë vetëm kërkesa administrative të Kapitullit 12 të acquis communautaire, por edhe element që ndikojnë drejtpërdrejt në konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare.

Në këtë kontekst shtrohet pyetja: sa afër standardeve europiane ndodhet sot sistemi shqiptar i sigurisë ushqimore?

Kërkesat e Bashkimit Europian - Parimi “Farm to Fork” (nga Ferma në Tryezë”)

Siguria ushqimore përfshihet në Kapitullin 12 të acquis-it, në Grup-kapitullin 5 të negociatave të BE-së, i cili mbulon sigurinë ushqimore, politikën veterinare dhe atë fitosanitare. Ky kapitull vlerësohet ndër kapitujt më kompleks të procesit të negociatave, pasi lidhet jo vetëm me harmonizim të legjislacionit, por edhe me ngritje të një sistemi kontrolli funksional.

Modeli europian mbështetet mbi parimin “nga ferma në tryezë” (Farm to Fork), i cili u konsolidua pas krizave ushqimore të viteve 1990 [1], veçanërisht pas krizës së encefalopatisë spongiforme bovine ("sëmundja e lopës së çmendur").

Ky model u formalizua me Rregulloren (EC) Nr. 178/2002 [2], e njohur si “General Food Law”,  e cila vendosi parimet bazë të sigurisë ushqimore në Bashkimin europian. Në qendër të këtij sistemi qëndrojnë katër elemente kryesore: analiza e riskut, gjurmueshmëria, kontrollet zyrtare dhe reagimi i shpejtë ndaj incidenteve ushqimore. Sipas kësaj qasjeje, siguria e një produkti duhet të garantohet në çdo hallkë të zinxhirit ushqimor: nga prodhimi, përpunimi dhe magazinimi, deri tek transporti, tregtimi dhe eksporti.

Në praktikë, Bashkimi europian nuk vlerëson vetëm ekzistencën e ligjeve. Ai vlerëson aftësinë e institucioneve për të identifikuar produktet problematike, për të gjurmuar origjinën e tyre dhe për të ndërhyrë në kohë kur konstatohet një risk për shëndetin publik. Për këtë arsye, vendet kandidate duhet të ndërtojnë jo vetëm kuadrin ligjor, por edhe laboratorë funksionalë, sisteme efektive kontrolli dhe kapacitete profesionale për menaxhimin e riskut.

Raporti i Progresit i Komisionit Europian për vitin 2025 [3] vlerëson se Shqipëria ka arritur një nivel të caktuar përgatitjeje në këtë fushë, por thekson se nevojiten përpjekje të mëtejshme për forcimin e kapaciteteve administrative, laboratorike dhe inspektuese, si dhe për zbatimin efektiv të legjislacionit të harmonizuar.

Kuadri ligjor në Shqipëri dhe sfida e harmonizimit me acquis-in

Në Shqipëri, baza kryesore ligjore për sigurinë ushqimore është Ligji nr. 9863, datë 28.1.2008 “Për ushqimin”, i ndryshuar, i cili përcakton parimet e përgjithshme për sigurinë dhe cilësinë e ushqimit, detyrimet e operatorëve të biznesit ushqimor, etiketimin, nxjerrjen në treg dhe kontrollin zyrtar të ushqimit. Ky ligj ka synuar përafrimin gradual me parimet bazë të modelit europian, veçanërisht në lidhje me përgjegjësinë e operatorëve, kontrollin zyrtar dhe mbrojtjen e konsumatorit.

Megjithatë, harmonizimi ligjor nuk përfundon me miratimin e akteve normative. Në fushën e sigurisë ushqimore, sfida kryesore lidhet me zbatimin praktik të kuadrit ligjor: funksionimin e kontrolleve zyrtare, kapacitetet laboratorike, gjurmueshmërinë e produkteve, koordinimin ndërinstitucional dhe reagimin ndaj riskut. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural evidenton se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) menaxhon laboratorë rajonalë, ndërsa ISUV shërben si institucion reference për analizat për qëllime të kontrollit zyrtar.

Në këtë kuptim, Shqipëria nuk vlerësohet vetëm mbi shkallën e përafrimit formal të legjislacionit me acquis-in, por mbi aftësinë e institucioneve për ta zbatuar atë në të gjithë zinxhirin ushqimor. Kjo është arsyeja pse përmirësimi i kuadrit ligjor duhet të ecë paralelisht me forcimin e inspektimeve, laboratorëve, analizës së riskut dhe sistemeve të gjurmueshmërisë. Pikërisht këtu fillon testi real i integrimit: jo vetëm të kesh ligje të përafruara me BE-në, por të kesh një sistem që garanton në praktikë produkte të sigurta, të kontrolluara dhe të pranueshme në tregun europian.

Pse siguria ushqimore është çështje ekonomike dhe jo vetëm administrative?

Siguria ushqimore shpesh perceptohet si një detyrim rregullator për bizneset ose si një çështje që lidhet ekskluzivisht me mbrojtjen e konsumatorit. Në realitet, ajo është gjithnjë e më shumë një faktor konkurrueshmërie ekonomike.

Të dhënat e tregtisë së jashtme tregojnë se sektori agro-ushqimor ka një rol të rëndësishëm në strukturën eksportuese të Shqipërisë. [4] Gjatë 5 vjeçarit të fundit 2021 - 2025, eksportet agro-ushqimore (kategoria ushqim, pije, duhan) u rritën nga 44.5 miliardë lekë në 55.9 miliardë lekë, ndërsa pesha e tyre ndaj eksporteve totale të vendit u rrit nga 12.1% në 16.2%. Kjo do të thotë se një pjesë gjithnjë e më e madhe e të ardhurave nga eksportet shqiptare varet nga aftësia e sektorit agro-ushqimor për të përmbushur standardet e tregjeve ndërkombëtare.

Në të njëjtën kohë, Bashkimi Europian mbetet tregu kryesor për produktet agro-ushqimore shqiptare. Më shumë se gjysma e këtyre eksporteve orientohen drejt tregut europian, mesatarisht 62.5% në vit për periudhën 2021 - 2025. 

Kjo sugjeron se sektori po diversifikon gradualisht tregjet e eksportit, por standardet europiane vazhdojnë të mbeten referenca kryesore për sigurinë, cilësinë dhe gjurmueshmërinë e produkteve shqiptare. Për pasojë, kapaciteti i institucioneve për të garantuar këto standarde nuk është thjesht një kërkesë e procesit të integrimit, por një kusht ekonomik për ruajtjen dhe zgjerimin e aksesit në tregun kryesor eksportues të vendit.

Shqipëria përballë standardeve europiane: nga kontrollet kufitare te analizat laboratorike dhe masat e autoriteteve shqiptare

Nëse eksportet po rriten dhe sektori agro-ushqimor po fiton peshë në ekonomi, pyetja tjetër është nëse po rritet me të njëjtin ritëm aftësia e institucioneve për të kontrolluar riskun ushqimor.

Një tregues i parë është aktiviteti i kontrolleve kufitare. Gjatë periudhës 2021 - 2025 numri i inspektimeve të kryera në pikat kufitare është rritur nga 73,651 në 86,520, ose me rreth 17.5%. [5] Rritja e numrit të kontrolleve sugjeron një intensifikim të mbikëqyrjes së produkteve ushqimore dhe agro-ushqimore që hyjnë ose dalin nga territori shqiptar. Megjithatë, në modelin europian, siguria ushqimore nuk mbështetet vetëm tek kontrolli dokumentar apo verifikimi fizik i ngarkesave. 

Po aq i rëndësishëm është kontrolli laboratorik dhe identifikimi shkencor i riskut. Në këtë aspekt, të dhënat tregojnë një zhvillim interesant. Përqindja e mostrave me shkelje është rritur nga vetëm 0.8% në vitin 2021 në 4.4% në vitin 2025. Në terma absolutë, numri i mostrave jo-konforme është rritur nga 67 në 328 raste gjatë së njëjtës periudhë.

Në pamje të parë kjo mund të interpretohet si rritje e problematikave në zinxhirin ushqimor. Megjithatë, një interpretim alternativ është se sistemi i kontrollit është bërë më efektiv në identifikimin e produkteve me risk. Në shumë raste, forcimi i kapaciteteve laboratorike dhe përdorimi më i gjerë i analizës së riskut sjellin rritje të rasteve të zbuluara, pikërisht sepse kontrollet bëhen më të targetuara dhe më efikase.

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm lidhet me trajtimin e produkteve të identifikuara me probleme sigurie. Ndërsa numri total i masave administrative ka rënë ndjeshëm pas vitit 2023, rastet e ndërhyrjeve të drejtpërdrejta kanë shënuar rritje. Në vitin 2025 u regjistruan 475 bllokime, 257 asgjësime dhe 52 kthime të ngarkesave në vendin e origjinës, nivelet më të larta të periudhës së analizuar. Kjo tregon një zhvendosje të fokusit nga masat administrative rutinë drejt ndërhyrjeve më të drejtpërdrejta ndaj produkteve që paraqesin risk për shëndetin publik.

Testi europian: çfarë po na tregon RASFF?

Nëse kontrollet kombëtare tregojnë se si funksionon sistemi brenda vendit, sistemi europian RASFF (Rapid Alert System for Food and Feed) ofron një test të jashtëm të performancës së tij.

RASFF është mekanizmi i Bashkimit europian për shkëmbimin e menjëhershëm të informacionit kur identifikohet një produkt ushqimor ose ushqim për kafshë që paraqet risk për shëndetin publik. Për vendet eksportuese, njoftimet në këtë sistem përbëjnë një indikator të rëndësishëm të cilësisë dhe besueshmërisë së produkteve të tyre.

Gjatë periudhës 2021 - 2025 numri total i njoftimeve të lidhura me Shqipërinë ka mbetur relativisht i qëndrueshëm, duke luhatur ndërmjet 38 dhe 49 rasteve në vit. Megjithatë, një zhvillim më domethënës lidhet me peshën e refuzimeve në kufijtë e Bashkimit europian.

Në vitin 2021 refuzimet në kufi përfaqësonin 16.3% të njoftimeve të lidhura me Shqipërinë. Në vitin 2025 kjo peshë arriti në 38.8%. Me fjalë të tjera, pothuajse katër në çdo dhjetë njoftime të lidhura me Shqipërinë gjatë vitit 2025 kanë qenë raste refuzimi në kufijtë e Bashkimit europian.

Ky tregues nuk duhet interpretuar automatikisht si dështim i sistemit shqiptar të kontrollit. Në shumë raste, rritja e kontrolleve dhe e monitorimit sjell edhe rritje të rasteve të identifikuara. Megjithatë, ai përbën një sinjal të rëndësishëm për autoritetet dhe eksportuesit, pasi refuzimet kufitare janë forma më e drejtpërdrejtë e reagimit të tregut europian ndaj produkteve që nuk përmbushin kërkesat e sigurisë ushqimore.

Për këtë arsye, analiza e kategorive të produkteve të refuzuara, shkaqeve të moskonformitetit dhe tendencave shumëvjeçare të njoftimeve në RASFF duhet të konsiderohet një instrument i rëndësishëm për përmirësimin e politikave publike dhe orientimin e investimeve në sektor.

Përfundime

Siguria ushqimore përfaqëson një nga testet më konkrete të gatishmërisë institucionale për anëtarësimin në Bashkimin europian. Analiza tregon se Shqipëria ka bërë progres në përafrimin e legjislacionit dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit në fushën e sigurisë ushqimore. Rritja e inspektimeve, zgjerimi i kontrolleve laboratorike dhe masat e ndërmarra ndaj produkteve jo-konforme dëshmojnë për përpjekje të vazhdueshme për t’iu afruar standardeve të Bashkimit europian.

Megjithatë, të dhënat tregojnë se përmbushja e standardeve europiane nuk matet vetëm me numrin e ligjeve të harmonizuara apo të inspektimeve të kryera. Ajo matet me aftësinë për të garantuar produkte të sigurta, të gjurmueshme dhe konkurruese në tregun europian. Në këtë drejtim, rastet e identifikuara si jo-konforme dhe refuzimet në kufijtë e BE-së tregojnë se mbeten ende sfida për t’u adresuar.



Pajtim Nikolli, qershor 2026


*Pajtim Nikolli ka formim akademik në shkenca ekonomike dhe një angazhim dyvjeçar në iniciativa të transparencës dhe të dhënave të hapura në Shqipëri. Ai ka punuar si analist pranë Institutit Shqiptar të Shkencave / Open Data Albania, me fokus në monitorimin e prokurimeve publike, analizën e shpenzimeve publike dhe transparencën buxhetore. Gjatë periudhës shtator 2024 - prill 2025, ai ka qenë pjesë e Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), me fokus te shteti i së drejtës dhe kapitujt themelorë të procesit të anëtarësimit në BE. Interesat e tij përfshijnë integrimin europian, mirëqeverisjen, antikorrupsionin dhe përdorimin e të dhënave për politika publike më të përgjegjshme. Prej një viti punon pranë Ministrisë së Financave, ku është i angazhuar në analizimin dhe monitorimin e risqeve fiskale.




[1] European Commission (2000). White Paper on Food Safety. Brussels: European Commission.

[2] European Parliament and Council (2002), Regulation (EC) No 178/2002, OJ L 31, 01.02.2002

[3] European Commission (2025), Albania Report 2025, Commission Staff Working Document, SWD(2025) 750 final, Brussels, 4 November 2025.

[4] INSTAT (2026), Tregtia e Jashtme e Mallrave.

[5] AKU (2026), Raportet Vjetore 2021 - 2025.





1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
24Abonues
European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk