Procesi i integrimit europian i Shqipërisë ka hyrë në një fazë ku progresi nuk matet më vetëm me përafrimin e legjislacionit me acquis, por me aftësinë e institucioneve për të prodhuar rezultate konkrete dhe të qëndrueshme në praktikë. Në këtë kuadër, Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore përfaqëson një nga shtyllat më të rëndësishme të negociatave, pasi lidhet drejtpërdrejt me funksionimin e shtetit të së drejtës dhe besueshmërinë e institucioneve. Një nga dimensionet më të rëndësishme të këtij transformimi është dixhitalizimi i proceseve gjyqësore dhe menaxhimit të të dhënave, i cili po konsiderohet gjithnjë e më shumë si një instrument kyç për rritjen e aksesit në drejtësi, përmirësimin e eficiencës dhe forcimin e transparencës në sistemin gjyqësor.
Dixhitalizimi si prioritet në raportet e Bashkimit Europian
Raportet e fundit të Komisionit Europian për Shqipërinë e vendosin dixhitalizimin e sistemit gjyqësor në qendër të reformave për përmirësimin e eficiencës dhe aksesit në drejtësi. Sipas Rule of Law Report 2025, është siguruar një buxhet i konsiderueshëm për krijimin e një sistemi modern të integruar të menaxhimit elektronik të çështjeve në gjykata dhe prokurori, duke e konsideruar këtë një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit të drejtësisë. Megjithatë, funksionalizimi i plotë i sistemit parashikohet deri në vitin 2030, çka tregon nevojën për përshpejtim të mëtejshëm të implementimit dhe konsolidimit të tij në praktikë.[1] Në të njëjtën linjë, Raportin e Progresit për vitin 2025 thekson se ndërtimi i këtij sistemi përbën një komponent kyç për përmirësimin e cilësisë së drejtësisë dhe kërkon përparim të mëtejshëm në zbatim, në mënyrë që të shmangen ndikimet negative që mund të sjellin vonesat në implementim.[2] Këto vlerësime tregojnë se Shqipëria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në drejtim të dixhitalizimit, ndërsa sfida kryesore mbetet funksionalizimi i plotë dhe efektiv i sistemeve të reja.
Roli i institucioneve të pavarura dhe dimensioni institucional i reformës
Dixhitalizimi i sistemit gjyqësor nuk është vetëm një proces teknik, por një transformim institucional që kërkon koordinim të qëndrueshëm ndërmjet aktorëve të sistemit të drejtësisë. Raportet e Bashkimit Europian evidentojnë rëndësinë e forcimit të koordinimit ndërinstitucional dhe të qasjes së përbashkët në implementimin e sistemeve digjitale, si element kyç për rritjen e eficiencës dhe qëndrueshmërisë së reformës. Në këtë kuadër, institucionet e pavarura të qeverisjes së sistemit gjyqësor luajnë një rol thelbësor në drejtimin dhe zbatimin e këtyre reformave, duke kontribuar në ndërtimin e një sistemi më të strukturuar, transparent dhe të besueshëm.
JURONIX si hap konkret drejt transformimit digjital
Në këtë kontekst, prezantimi dhe implementimi i sistemit JURONIX më 10 mars 2026 [3] përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm në drejtim të modernizimit të administrimit gjyqësor në Shqipëri. Ndryshe nga sistemet ekzistuese të menaxhimit të çështjeve gjyqësore, JURONIX është konceptuar si një platformë e integruar kombëtare që nuk kufizohet vetëm në regjistrimin dhe administrimin e çështjeve, por synon transformimin e plotë të mënyrës se si funksionon administrata gjyqësore në Shqipëri. Sistemi është ndërtuar mbi parimin e centralizimit të të dhënave, standardizimit të proceseve dhe ofrimit të shërbimeve elektronike për të gjithë aktorët e sistemit të drejtësisë.
Një nga risitë më të rëndësishme është krijimi i një workflow të unifikuar kombëtar për trajtimin e çështjeve gjyqësore. Aktualisht, procedurat administrative dhe mënyra e menaxhimit të dosjeve ndryshojnë nga një gjykatë në tjetrën, duke krijuar mospërputhje në administrimin e drejtësisë. JURONIX synon të standardizojë të gjitha proceset, duke filluar nga regjistrimi i çështjes, shortimi i saj, planifikimi i seancave, administrimi i provave, regjistrimi i procesverbaleve, hartimi i vendimeve dhe deri te arkivimi përfundimtar i dosjes. Kjo qasje siguron trajtim më të njëjtë të çështjeve dhe redukton hapësirat për gabime administrative. Një risi tjetër me ndikim të drejtpërdrejtë në aksesin në drejtësi është moduli i e-Filing, i cili mundëson depozitimin elektronik të dokumenteve gjyqësore. Përmes këtij mekanizmi, qytetarët, avokatët dhe institucionet publike mund të paraqesin dokumente pa qenë të detyruar të paraqiten fizikisht në sekretaritë gjyqësore. Ky funksionalitet redukton kostot, kursen kohë dhe lehtëson veçanërisht aksesin për qytetarët që jetojnë larg qendrave gjyqësore. Sistemi përfshin gjithashtu një portal të vetëshërbimit, nëpërmjet të cilit përdoruesit mund të ndjekin në kohë reale ecurinë e çështjeve të tyre, të marrin njoftime elektronike dhe të aksesojnë dokumentacionin përkatës sipas nivelit të autorizimit. Kjo rrit transparencën dhe minimizon nevojën për komunikim fizik ose telefonik me administratën gjyqësore.
Një element inovativ i JURONIX është integrimi i regjistrimeve audio të seancave gjyqësore në sistemin e menaxhimit të çështjeve. Regjistrimet lidhen drejtpërdrejt me dosjen elektronike të çështjes, duke krijuar një gjurmë të plotë dhe të verifikueshme të zhvillimit të procesit gjyqësor. Kjo rrit transparencën procedurale dhe forcon besueshmërinë e dokumentacionit gjyqësor. Nga perspektiva e menaxhimit të të dhënave, JURONIX sjell një transformim të rëndësishëm përmes krijimit të një databaze të unifikuar kombëtare dhe përdorimit të standardeve ndërkombëtare për strukturimin e informacionit. Sistemi është projektuar për të siguruar integritetin e të dhënave, gjurmueshmërinë e çdo veprimi të kryer nga përdoruesit dhe ruajtjen e historikut të plotë të çështjeve. Kjo krijon mundësi të reja për analizë statistikore, monitorim të performancës së gjykatave dhe planifikim të politikave publike të bazuara në evidenca. Një risi me rëndësi të veçantë është moduli i avancuar i raporteve dhe statistikave dinamike. Për herë të parë, institucionet e drejtësisë do të kenë mundësi të gjenerojnë analiza në kohë reale mbi numrin e çështjeve, kohëzgjatjen e proceseve, ngarkesën e gjyqtarëve dhe indikatorë të tjerë të performancës. Kjo përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt një sistemi gjyqësor të bazuar në të dhëna (data-driven justice system), ku vendimmarrja institucionale mbështetet në analiza objektive dhe jo vetëm në vlerësime administrative. JURONIX parashikon gjithashtu integrim të drejtpërdrejtë me institucione të tjera shtetërore dhe sisteme kombëtare elektronike, duke mundësuar shkëmbimin automatik të informacionit. Interoperabiliteti me regjistrat shtetërorë redukton nevojën për dokumentacion fizik, shmang përsëritjen e procedurave dhe rrit efikasitetin e administrimit gjyqësor. Një aspekt tjetër që e dallon sistemin është arkitektura e avancuar e sigurisë. JURONIX është projektuar mbi parimet e menaxhimit të identitetit dhe aksesit, auditimit të plotë të veprimeve, mbrojtjes së të dhënave personale dhe monitorimit të vazhdueshëm të sigurisë. Çdo ndërhyrje në sistem regjistrohet automatikisht, duke garantuar llogaridhënie institucionale dhe mbrojtje më të lartë ndaj manipulimit të informacionit gjyqësor.
Në këtë kuptim, JURONIX nuk përfaqëson thjesht një sistem të ri informatik, por një model të ri të administrimit të drejtësisë. Ai synon të kalojë sistemin gjyqësor shqiptar nga një model i bazuar kryesisht në procedura fizike dhe dokumentacion letre drejt një administrimi tërësisht digjital, transparent dhe të orientuar ndaj qytetarit. Kjo e bën projektin një nga investimet më të rëndësishme në kuadër të modernizimit të sistemit të drejtësisë dhe të përmbushjes së standardeve europiane në fushën e sundimit të ligjit. [4].
Dixhitalizimi dhe aksesit në drejtësi: nga reforma në rezultate konkrete
Dixhitalizimi i proceseve gjyqësore ka një ndikim të drejtpërdrejtë në aksesin në drejtësi dhe përbën një nga instrumentet më të rëndësishme për modernizimin e funksionimit të sistemit gjyqësor. Në një kontekst ku eficienca, transparenca dhe besueshmëria e institucioneve janë të lidhura ngushtë me standardet europiane të sundimit të ligjit, përdorimi i sistemeve dixhitale krijon mundësi konkrete për përmirësimin e marrëdhënies ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve të drejtësisë. Një sistem i integruar dhe funksional i menaxhimit elektronik të çështjeve kontribuon në rritjen e transparencës së procedurave gjyqësore, pasi mundëson gjurmueshmëri më të qartë të proceseve dhe akses më të lehtë në informacion për qytetarët, avokatët dhe subjektet e interesuara. Në të njëjtën kohë, automatizimi dhe koordinimi më efikas i procedurave administrative ndihmojnë në reduktimin e kohëzgjatjes së proceseve gjyqësore dhe në uljen e barrës administrative për institucionet. Dixhitalizimi ndikon gjithashtu në reduktimin e kostove për qytetarët dhe bizneset, duke lehtësuar aksesin në shërbime dhe dokumentacion pa qenë e nevojshme prania fizike në institucionet gjyqësore për çdo procedurë administrative. Kjo merr një rëndësi të veçantë sidomos në drejtim të rritjes së aksesit në drejtësi për grupet që hasin më shumë vështirësi ekonomike ose gjeografike në përdorimin e shërbimeve publike.
Sipas Komisionit Europian, përmirësimi i eficiencës së sistemit gjyqësor dhe reduktimi i çështjeve të prapambetura mbeten prioritete kyçe për forcimin e sundimit të ligjit në Shqipëri. [5] Në këtë kuptim, dixhitalizimi nuk shihet vetëm si një modernizim teknik i administrimit gjyqësor, por si një mekanizëm konkret për rritjen e performancës institucionale dhe përmirësimin e cilësisë së drejtësisë. Për më tepër, rezultatet konkrete të reformës digjitale kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në procesin e integrimit europian. Krijimi i një sistemi më efikas, transparent dhe të matshëm kontribuon në ndërtimin e një “track record” të qëndrueshëm, i cili konsiderohet thelbësor për përmbushjen e piketave ndërmjetëse (interim benchmarks) dhe për avancimin e Shqipërisë në negociatat me Bashkimin Europian në kuadër të Kapitullit 23.
Harmonizimi i të dhënave dhe dimensioni statistikor i reformës
Një zhvillim tjetër i rëndësishëm në drejtim të forcimit të transparencës dhe eficiencës së sistemit gjyqësor është nënshkrimi, më 27 prill 2026 [6], i Marrëveshjes së Bashkëpunimit “Për Harmonizimin, Zbatimin dhe Publikimin e të Dhënave Statistikore Kombëtare në Sistemin e Drejtësisë”. Kjo marrëveshje përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një qasjeje më të koordinuar dhe të standardizuar në administrimin e statistikave gjyqësore, duke reflektuar nevojën për një sistem më të besueshëm dhe më transparent të menaxhimit të të dhënave në institucionet e drejtësisë. Marrëveshja synon forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për standardizimin e proceseve të mbledhjes, përpunimit dhe publikimit të statistikave gjyqësore, në përputhje me standardet e Komisionit Europian për Eficiencën e Drejtësisë. Në këtë kuadër, harmonizimi i metodologjive dhe praktikave statistikore merr një rëndësi të veçantë, pasi mundëson krijimin e të dhënave më të sakta, të krahasueshme dhe të unifikuara ndërmjet institucioneve të sistemit të drejtësisë. Nëpërmjet këtij angazhimi synohet ndërtimi i një sistemi të besueshëm statistikash, i cili jo vetëm rrit transparencën institucionale, por edhe përmirëson monitorimin e performancës së sistemit gjyqësor dhe mbështet procesin e vendimmarrjes së bazuar në evidencë. Një sistem i tillë krijon mundësinë për identifikimin më të qartë të problematikave që lidhen me eficiencën e gjykatave, kohëzgjatjen e proceseve dhe menaxhimin e çështjeve të prapambetura, duke kontribuar kështu në hartimin e politikave më efektive për përmirësimin e funksionimit të sistemit të drejtësisë.
Ky zhvillim merr një rëndësi të veçantë në kontekstin e rekomandimeve të Bashkimit Europian, të cilat theksojnë vazhdimisht nevojën për të dhëna të sakta, të standardizuara dhe të besueshme si bazë për vlerësimin e eficiencës së sistemit gjyqësor dhe për ndërtimin e një “track record” të qëndrueshëm në kuadër të Kapitullit 23. Në këtë aspekt, statistikat gjyqësore nuk përbëjnë vetëm një instrument administrativ, por edhe një mekanizëm të rëndësishëm monitorimi dhe llogaridhënieje institucionale. Në këtë kuptim, harmonizimi i të dhënave statistikore dhe dixhitalizimi i proceseve gjyqësore përbëjnë dy komponentë të ndërlidhur të së njëjtës reformë. Të dyja këto procese kontribuojnë në krijimin e një sistemi drejtësie më transparent, më të matshëm dhe më të orientuar drejt rezultateve konkrete, duke forcuar njëkohësisht besimin publik dhe kapacitetin institucional të Shqipërisë për të përmbushur standardet europiane në fushën e sundimit të ligjit.
Përfundime dhe rekomandime
Dixhitalizimi i proceseve gjyqësore përbën një nga shtyllat më të rëndësishme të modernizimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri dhe një element kyç në konsolidimin e sundimit të ligjit. Në kuadër të procesit të integrimit europian dhe të kërkesave të Kapitullit 23, transformimi digjital i administrimit gjyqësor po shndërrohet gradualisht në një tregues të drejtpërdrejtë të kapaciteteve institucionale të shtetit për të garantuar drejtësi më efikase, transparente dhe të aksesueshme për qytetarët. Zhvillime konkrete si implementimi i sistemit JURONIX dhe nismat për harmonizimin e statistikave gjyqësore tregojnë një angazhim të qartë institucional për ndërtimin e një sistemi modern të menaxhimit të çështjeve dhe të të dhënave gjyqësore. Këto reforma synojnë jo vetëm përmirësimin teknik të funksionimit të gjykatave, por edhe krijimin e një kulture të re institucionale të bazuar në transparencë, gjurmueshmëri, standardizim dhe përgjegjshmëri.
Megjithatë, për të siguruar një transformim të plotë dhe të qëndrueshëm, mbeten të nevojshme disa masa plotësuese. Së pari, kërkohet forcimi i kapaciteteve profesionale të aktorëve të sistemit të drejtësisë përmes trajnimeve të vazhdueshme mbi përdorimin e sistemeve digjitale dhe administrimin e të dhënave. Efektiviteti i reformës nuk lidhet vetëm me ndërtimin e platformave teknologjike, por edhe me aftësinë e institucioneve dhe përdoruesve për t’i zbatuar ato në mënyrë funksionale dhe të qëndrueshme në praktikë. Së dyti, garantimi i sigurisë së të dhënave dhe mbrojtjes së privatësisë përbën një element thelbësor në procesin e dixhitalizimit. Ndërsa rritet përdorimi i sistemeve elektronike dhe shkëmbimi institucional i informacionit, bëhet gjithnjë e më e rëndësishme ndërtimi i mekanizmave të sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes së të dhënave personale, në përputhje me standardet europiane. Po ashtu, përmirësimi i vazhdueshëm i infrastrukturës teknologjike dhe monitorimi i zbatimit praktik të reformave dixhitale mbeten elementë kyç për të shmangur vonesat dhe fragmentarizimin institucional. Përshpejtimi i implementimit të sistemeve të integruara dhe koordinimi efektiv ndërinstitucional janë të domosdoshme për të garantuar që investimet e kryera të reflektohen në rezultate konkrete dhe të matshme për qytetarët, bizneset dhe vetë sistemin gjyqësor.
Në këtë kuptim, dixhitalizimi nuk përbën vetëm një reformë teknologjike, por një instrument transformues për rritjen e cilësisë së drejtësisë, forcimin e besimit publik dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës. Përmes rritjes së eficiencës, transparencës dhe aksesit në drejtësi, këto reforma kontribuojnë drejtpërdrejt në ndërtimin e një “track record” të qëndrueshëm, i cili mbetet thelbësor për avancimin e Shqipërisë drejt standardeve të Bashkimit Europian dhe progresin e mëtejshëm në procesin e integrimit europian.
Aleksia Ndreu, qershor 2026
*Aleksia Ndreu është e angazhuar në fushën e së drejtës, institucioneve të drejtësisë dhe procesit të integrimit europian. Interesi i saj profesional fokusohet në sundimin e ligjit, reformën në drejtësi, Kapitullin 23 dhe rolin e institucioneve të pavarura në forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Ajo ka marrë pjesë në konferencën “Dita e Kërkimit Parlamentar”, me temë “Roli i Parlamentit në Procesin e Anëtarësimit në BE”, ku ka prezantuar punimin “Forcimi i Ndikimit Parlamentar në Procesin e Integrimit Europian: Konsolidimi i Praktikave për Përshtatjen Ligjore dhe Avancimin në Kapitullin 23”. Gjithashtu, ka qenë pjesëmarrëse në READ International Scientific Conference 2025, ku ka prezantuar dhe publikuar punimin “Strengthening Judicial Equity in Albania: Legal Reform as a Pathway to EU Integration”. Për më tepër, ajo ka ndjekur Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Edicioni III, si dhe Shkollën e Integrimit Europian, Edicioni IX, duke forcuar më tej ekspertizën e saj në procesin e integrimit europian.
Referenca
[1] European Commission. (2025). Rule of Law Report 2025.
[2] European Commission. (2025). Albania Report 2025.
[3] KLGJ prezanton fillimin e projektit të Sistemit të Ri të Menaxhimit të Çështjeve, platforma digjitale JURONIX (Link: https://klgj.al/aktivitete/klgj-prezanton-fillimin-e-projektit-te-sistemit-te-ri-te-menaxhimit-te-ceshtjeve-platforma-digjitale-juronix/ )
[4] Video-prezantimi zyrtar i sistemit JURONIX (Link: https://www.facebook.com/100064097862340/videos/pcb.1361153062697943/1456148562829566 )
[5] European Commission. (2024). Albania Report 2024.
[6] Nënshkruhet marrëveshja për harmonizimin e statistikave gjyqësore (Link: https://klgj.al/aktivitete/nenshkruhet-marreveshja-per-harmonizimin-e-statistikave-gjyqesore/ )








.jpg)



























