A e forcon zgjerimi Bashkimin Europian? Ballkani Perëndimor, konkurrenca ndërmjet fuqive të mëdha dhe rasti i Shqipërisë

A e forcon zgjerimi Bashkimin Europian? Ballkani Perëndimor, konkurrenca ndërmjet fuqive të mëdha dhe rasti i Shqipërisë

Për tri dekada, Bashkimi Europian u mbështet te garancitë amerikane të sigurisë, tregtia e hapur globale dhe një sistem i përbashkët normash dhe parimesh. Këto kushte i mundësuan atij të krijonte një integrim të qëndrueshëm ekonomik dhe të promovonte parimet e tij themelore. Megjithatë, realiteti i sotëm ka ndryshuar, pasi Shtetet e Bashkuara po ndjekin një qasje gjithnjë e më të orientuar drejt interesave të tyre, ndërsa Kina synon dominimin teknologjik dhe lufta e Rusisë kundër Ukrainës përbën një sfidë të drejtpërdrejtë për sigurinë europiane. Konkurrenca ndërmjet Kinës dhe Rusisë, nga njëra anë, dhe Perëndimit, nga ana tjetër, e ka bërë gjithnjë e më të vështirë përshtatjen e BE-së me një mjedis ndërkombëtar që po ndryshon me shpejtësi.

Në këtë kontekst, Ballkani Perëndimor ka fituar një rëndësi strategjike gjithnjë e më të madhe, pasi rajoni është shndërruar në një hapësirë ku përplasen interesa të ndryshme gjeopolitike (Zweers dhe Kelecevic, 2025, fq.5). Kjo ka ndryshuar edhe rolin e procesit të zgjerimit të BE-së. Kur procesi i anëtarësimit përparon ngadalë, fuqitë konkurruese kanë më shumë mundësi për të zgjeruar ndikimin e tyre. Si rrjedhojë, BE-ja e sheh gjithnjë e më shumë zgjerimin jo vetëm si një instrument për promovimin e reformave, por edhe si një mënyrë për të mbrojtur ndikimin e vet në rajon dhe për të kundërbalancuar ndikimin e aktorëve të jashtëm. Vetë Komisioni Europian e ka cilësuar zgjerimin si një “instrument kyç gjeopolitik” (Komisioni Europian, 2025, fq. 2). Në këtë kuadër, anëtarësimi i mundshëm i vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk lidhet vetëm me reformat ligjore dhe ekonomike, por edhe me pozicionin e BE-së në skenën globale.

Një rend ndërkombëtar në ndryshim

Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Shtetet e Bashkuara u bënë fuqia kryesore në sistemin ndërkombëtar, në atë që përshkruhet si një «moment unipolar» (Krauthammer, 1990/91, f. 23–33). Europa ishte pjesë e këtij rendi dhe funksiononte në mënyrë të qëndrueshme brenda tij, falë sigurisë së ofruar nga Shtetet e Bashkuara përmes NATO-s dhe tregjeve të hapura. Nga ana tjetër, BE-ja mund të mbështetej te “soft power”, domethënë aftësia për të ushtruar ndikim përmes vlerave, së drejtës dhe besueshmërisë ndërkombëtare, në vend të përdorimit të forcës. Ky rend po shpërbëhet tashmë. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, rikthimi në pushtet i Donald Trump dhe ngritja teknologjike e Kinës kanë dobësuar sistemin e bazuar në rregulla, mbi të cilin u ndërtua BE. Rivaliteti midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, së bashku me shfaqjen e një bote gjithnjë e më shumëpolare, pritet të përcaktojnë zhvillimet e politikës ndërkombëtare. Në këtë kontekst gjeopolitik në zhvillim, NATO mund të mos jetë më në gjendje t’i ofrojë Europës të njëjtin nivel sigurie si në të kaluarën, duke krijuar nevojën që BE-ja të forcojë autonominë e saj strategjike (Kirkegaard, 2025).

Krahas këtyre sfidave gjeopolitike, BE-ja përballet gjithashtu me presione të konsiderueshme ekonomike, të cilat mund të ndikojnë në aftësinë e saj për të ruajtur konkurrueshmërinë në nivel global. Raporti i Draghi-t tregon se hendeku i PBB-së midis BE-së dhe Shteteve të Bashkuara u zgjerua nga pak më shumë se 15% në vitin 2002, në 30% në vitin 2023, kryesisht për shkak të rritjes më të ngadaltë të produktivitetit (Draghi, 2024, f. 12). Deri në vitin 2040, fuqia punëtore e BE-së pritet të tkurret me pothuajse dy milionë punonjës çdo vit (Draghi, 2024, f. 23), ndërsa kompanitë europiane vazhdojnë të paguajnë çmime të energjisë elektrike dy deri në tri herë më të larta se ato në Shtetet e Bashkuara (Draghi, 2024, f. 6). Këto sfida nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht se BE-ja do të humbasë ndikimin e saj global, por e bëjnë edhe më urgjente nevojën për reforma institucionale. Aftësia e saj për të ruajtur konkurrueshmërinë do të varet, pjesërisht, nga kapaciteti për t'u përshtatur me ndryshimet dhe për të integruar anëtarë të rinj.

Pse ka rëndësi gjeopolitikisht Ballkani Perëndimor

Ballkani Perëndimor është gjeografikisht pjesë e Europës, por vendet e tij nuk janë anëtare të Bashkimit Europian. Kjo i bën ato veçanërisht të ekspozuara ndaj konkurrencës ndërmjet fuqive të mëdha. Rusia ushtron ndikimin e saj përmes udhëheqësve politikë, Kishës Ortodokse, furnizimeve me energji dhe aleatëve lokalë, veçanërisht në Serbi dhe në Republikën Srpska (Zweers dhe Kelecevic, 2025, f. 6). Kina investon në infrastrukturën rrugore, industri dhe telekomunikacion (Zweers dhe Kelecevic, 2025, f. 11). Turqia ka një prani të konsiderueshme në rajon përmes tregtisë, veprimtarive fetare dhe bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, ndërsa shtetet e Gjirit Persik investojnë në pasuri të paluajtshme dhe në objekte kulturore e fetare, veçanërisht në Kosovë dhe Shqipëri (Zweers dhe Kelecevic, 2025, f. 13). Nga ana tjetër, qasja e Shteteve të Bashkuara është zhvendosur nga një qasje e orientuar drejt demokracisë në një qasje më transaksionale, të bazuar në interesa dhe përfitime konkrete (Zweers dhe Kelecevic, 2025, f. 10).

Në këtë realitet kompleks, BE zotëron një avantazh strategjik dhe vazhdon të jetë aktori më i fuqishëm në Ballkanin Perëndimor (Zweers dhe Kelecevic, 2025, f. 13). Ky avantazh mbështetet në peshën e tij ekonomike si partneri më i madh tregtar, investitori dhe donatori i rajonit, por mbi të gjitha në faktin se është i vetmi aktor që mund të ofrojë anëtarësimin e plotë, një rrugë integrimi që asnjë fuqi tjetër nuk mund ta ofrojë (Zweers dhe Kelecevic, 2025, f. 15). Problemi qëndron në faktin se BE-ja nuk e shfrytëzon këtë avantazh me shpejtësinë e duhur. Procesi i anëtarësimit zgjat me vite, pasi disa shtete anëtare bllokojnë përparimin për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe, ndërsa të tjera shprehin shqetësime lidhur me sundimin e ligjit, standardet demokratike, migracionin dhe pasojat ekonomike e institucionale të zgjerimit (Komisioni Europian, 2024; Parlamenti Europian, 2024).

Komunikata e Komisionit Europian “Përgatitja për një Union më të gjerë” (Preparing for a Wider Union), e miratuar më 6 tetor 2026, u përgjigjet disa prej këtyre pengesave. Për të përshpejtuar procesin dhe për t'u ofruar vendeve kandidate përfitime konkrete përpara anëtarësimit, ajo propozon integrimin gradual, duke u mundësuar vendeve kandidate të marrin pjesë në politika të përzgjedhura të BE-së, duke filluar me energjinë, transportin, fushën digjitale dhe mbrojtjen. Ky proces do të mbështetej në parimin se integrimi duhet të jetë “i bazuar në merita, i kushtëzuar dhe i kthyeshëm”. Për të kufizuar ndikimin e mosmarrëveshjeve dypalëshe, Komisioni propozon gjithashtu që disa hapa të ndërmjetëm të procesit, siç është hapja e grupkapitujve të negociatave, të vendosen me shumicë të cilësuar, në mënyrë që asnjë shtet i vetëm anëtar të mos mund ta bllokojë përparimin (Komisioni Europian, 2026).

Përfitimet dhe rreziqet e zgjerimit të BE

Zgjerimi e forcon BE-në përmes tri dimensioneve: sigurisë, besueshmërisë dhe ndikimit global. Për sa i përket sigurisë, një vend anëtar i BE-së përfiton nga një bashkëpunim më i fortë në këtë fushë, duke përfshirë sanksionet e koordinuara, monitorimin e investimeve të huaja dhe shkëmbimin e informacionit. Ndërkohë, vendet kandidate mund të përafrohen me këto masa, por kanë ndikim të kufizuar mbi vendimet që i përcaktojnë ato. Komisioni Europian e mbështet këtë objektiv përmes stimujve financiarë, siç është Instrumenti për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor, me vlerë 6 miliardë euro, i cili mundëson disbursimin e fondeve vetëm pas zbatimit të reformave të kërkuara (Komisioni Europian, 2025, f. 17, 19). Nëse Bashkimi Europian pranon vende që zbatojnë reformat e nevojshme, ai dëshmon se angazhimet e tij janë të besueshme, duke nxitur edhe vendet e tjera kandidate të vazhdojnë përpjekjet për anëtarësim në BE. Kjo ka rëndësi përtej Ballkanit, pasi një Union që premton anëtarësimin, por shënon përparim të ngadaltë, e humbet gradualisht fuqinë e tij normative (Manners, 2002) dhe krijon hapësirë për rivalët që ofrojnë marrëveshje më të shpejta dhe me më pak kërkesa. Dimensioni i tretë është ndikimi global. Në një sistem shumëpolar, Bashkimi Europian ka nevojë për një shkallë më të madhe ekonomike dhe investime më të konsiderueshme për të ruajtur konkurrueshmërinë (Draghi, 2024, f. 5). Integrimi më i thellë i ekonomive të Ballkanit Perëndimor, i mbështetur nga plane rritjeje të lidhura me reformat, zgjeron tregun e përbashkët dhe rrit ndikimin politik të BE-së në rajon (Komisioni Europian, 2025, f. 17–20).

Zgjerimi shoqërohet gjithashtu me tri rreziqe. I pari është ai institucional. Reformat e procesit vendimmarrës të BE-së po diskutohen gradualisht. Në të njëjtën kohë, ratifikimi i traktateve të anëtarësimit bëhet më i vështirë në një Union të polarizuar, ku skepticizmi i publikut është në rritje (Zorić, 2025). Nëse një anëtar i ri fiton të drejtën e vetos mbi vendimet e politikës së jashtme, BE rrezikon të bëhet edhe më i ngadaltë në një moment kur shpejtësia është thelbësore (Németh, 2026). Hungaria përbën shembullin më të qartë të këtij rreziku. Nën drejtimin e Viktor Orbánit, ajo ka vonuar sanksionet e BE-së kundër Rusisë dhe mbështetjen për Ukrainën, ka siguruar një përjashtim nga sanksionet ndaj naftës ruse dhe, në fillim të vitit 2026, bllokoi një kredi prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, deri në riparimin nga kjo e fundit të një tubacioni që transporton naftë ruse drejt Hungarisë (House of Commons Library, 2026). Në vitin 2022, Komisioni Europian përdori mekanizmin e kushtëzimit për shtetin e së drejtës për të ngrirë fondet e kohezionit dhe pjesën e Hungarisë nga fondet e rimëkëmbjes. Megjithatë, një pjesë e këtyre fondeve u zhbllokua më vonë, pjesërisht për të penguar Hungarinë të bllokonte vendime të tjera (House of Commons Library, 2026). Kjo tregon se anëtarësimi nuk garantoi që Hungaria të ndiqte qëndrimin e BE-së në politikën e jashtme dhe se e drejta e vetos i dha asaj mundësinë të negocionte në kundërshtim me kushtet e vendosura nga BE. Në të kundërt, Shqipëria, e cila vazhdon të jetë vend kandidat, u përafrua në masën 100% me deklaratat e politikës së jashtme të BE-së gjatë gjysmës së parë të vitit 2024, ndërsa Serbia arriti një nivel përafrimi prej 47% (European Western Balkans, 2024; Komisioni Europian, 2025, f. 3, 20; Parlamenti Europian, 2025, parag. 1). Rreziku i dytë lidhet me mundësinë që faktorët gjeopolitikë të marrin përparësi ndaj meritës. Përafrimi me politikën e jashtme të BE-së tashmë ka pothuajse të njëjtën peshë si reformat e brendshme. Kjo është e kuptueshme në kohë lufte, por përbën rrezik në planin afatgjatë, pasi pranimi i një vendi kryesisht për arsye strategjike mund të dëmtojë vlerat themelore të BE. Vetë Komisioni Europian këmbëngul se zgjerimi duhet të mbetet “ i rreptë, i drejtë dhe i bazuar në merita” dhe se kërkon “reforma të pakthyeshme në të gjitha fushat e së drejtës së BE-së” (Komisioni Europian, 2025, f. 26). Rreziku i tretë lidhet me pritshmëritë. Propozimi i paraqitur në vitin 2023 nga Charles Michel, presidenti i Këshillit Europian, për përgatitjen e BE-së për zgjerim deri në vitin 2030 (Michel, 2023), mund të rrisë shpresat e vendeve kandidate për një anëtarësim të mundshëm. Megjithatë, nëse standardet e kërkuara nuk përmbushen, këto pritshmëri mund të mos realizohen. Si pasojë, zhgënjimi i krijuar mund t'i shtyjë vendet kandidate drejt partnerëve të tjerë.

Rëndësia strategjike e Shqipërisë për BE

Nga një stanjacion i gjatë për procesin e integrimit, në shtator të vitit 2024, Këshilli Europian ndau proceset e dy vendeve (Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut), duke i mundësuar Shqipërisë të përparonte në mënyrë të pavarur. Midis tetorit 2024 dhe nëntorit 2025, vendi hapi të gjashtë grupkapitujt e negociatave, që përfshijnë 33 kapituj. Disa organizata kërkimore të specializuara në çështjet e BE-së e kanë vlerësuar këtë ritëm si jashtëzakonisht të shpejtë në krahasim me proceset e mëparshme të zgjerimit. 

Pyetja që shtrohet është nëse Shqipëria mund të bëhet realisht anëtare e BE-së deri në vitin 2030 (Zweers et al., 2025, f. 3). Përgjigjja mbetet e pasigurt, pasi kjo do të varet nga zbatimi i reformave thelbësore dhe të verifikueshme nga Shqipëria, veçanërisht në shtetin e së drejtës, si dhe nga vullneti politik i BE-së për të çuar përpara procesin e zgjerimit, pavarësisht ndasive të brendshme dhe sfidave institucionale. Shqipëria përbën një rast të rëndësishëm studimi për shkak të përparimit të shpejtë të negociatave gjatë viteve të fundit, por edhe sepse pozicioni i saj përbën një provë për besueshmërinë e BE-së si partner i qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor (Zweers et al., 2025, f. 1, 7).

Përparimi i vendit ka gjithashtu një dimension gjeopolitik. Përafrimi i Shqipërisë me vendimet e politikës së jashtme të BE-së, përfshirë sanksionet (Komisioni Europian, 2025, f. 20), si dhe kontributi i saj në sigurinë rajonale përmes anëtarësimit në NATO që prej vitit 2009 (Zweers et al., 2025, f. 3), dëshmojnë se një vend kandidat mund të kontribuojë në sigurinë europiane edhe përpara se të anëtarësohet në BE. Kjo përbën pikën e fortë të rastit të Shqipërisë, por njëkohësisht nxjerr në pah edhe rrezikun e dytë: përafrimi me politikën e jashtme të BE-së nuk mund të zëvendësojë reformat e brendshme.

Shqipëria kontribuon konkretisht në sigurinë e Bashkimit Europian. Që prej dhjetorit të vitit 2024, ajo ka një Partneritet për Sigurinë dhe Mbrojtjen me BE-në, i cili përfshin menaxhimin e krizave, kërcënimet hibride dhe kibernetike, luftën kundër terrorizmit dhe menaxhimin e kufijve (Shërbimi Europian i Veprimit të Jashtëm, 2024; Komisioni Europian, 2025, f. 20). Shqipëria ka rëndësi për BE-në sepse mbështet qëndrimet e saj në fushën e sigurisë dhe të sanksioneve, ndërsa prania e disa fuqive të jashtme në vend i jep BE mundësinë të dëshmojë se reformat dhe bashkëpunimi në fushën e sigurisë ofrojnë një alternativë më të besueshme ndaj ndikimit të këtyre fuqive (Parlamenti Europian, 2025).

Kjo rëndësi strategjike nënvizon gjithashtu nevojën për reforma thelbësore, pasi një vend kandidat që përafrohet me qëndrimet europiane, por nuk garanton respektimin e shtetit të së drejtës, do të cenonte besueshmërinë e procesit të anëtarësimit. Për më tepër, një vend kandidat që përafrohet me politikat europiane, por nuk respekton këto standarde, do të dobësonte besueshmërinë e kësaj qasjeje.

Pavarësisht këtyre arritjeve, progesi në negociata nuk garanton, në vetvete, anëtarësimin deri në vitin 2030. Komisioni Europian e vlerëson funksionimin e institucioneve demokratike të Shqipërisë pjesërisht në përputhje me standardet e kërkuara, për shkak të polarizimit politik dhe mbikëqyrjes së dobët parlamentare (Komisioni Europian, 2025, f. 21–22). Shqipëria duhet të vazhdojë të forcojë shtetin e së drejtës dhe institucionet demokratike, ndërsa BE-ja duhet të dëshmojë se përmbushja e kritereve të anëtarësimit mund të sjellë rezultate konkrete. Nëse Shqipëria ruan ritmin e reformave dhe Bashkimi Europian vijon të mbajë angazhimin e tij politik, anëtarësimi i saj mund të forcojë si besueshmërinë e BE-së, ashtu edhe pozicionin e tij në Ballkanin Perëndimor. Rasti i Shqipërisë nxjerr në pah argumentin qendror të këtij punimi: zgjerimi e forcon Europën vetëm nëse bazohet në meritë dhe nëse BE reformohet njëkohësisht edhe vetë.


                                                                                                                              Kristina Hasani, tetor 2026


*Kristina Hasani zotëron një diplomë Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci nga Instituti Ndërkombëtar në Gjenevë, Zvicër, ku tema e tezës së saj u përqendrua në procesin e anëtarësimit dhe zgjerimit të BE, me vëmendje të veçantë ndaj rrugëtimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit. Ajo ka përfunduar studimet Bachelor në Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Università degli Studi di Padova, ku tema e tezës së saj trajtoi pavarësinë e Kosovës. Interesat e saj përfshijnë politikën e zgjerimit të BE-së, bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe dinamikat institucionale të procesit të anëtarësimit. Më parë, ajo ka marrë pjesë në WFUNA Advanced Training Programme në Gjenevë, ku janë trajtuar çështje që lidhen me qeverisjen globale dhe diplomacinë shumëpalëshe. Ajo gjithashtu ka punuar si asistente bibliotekare në Universitetin e Padovës dhe ka qenë vullnetare pranë OJQ-së Casa Gabriella në Brescia, përvoja të cilat kanë forcuar aftësitë e saj organizative dhe të koordinimit. Aktualisht ajo po ndjek praktikën profesionale pranë EMA. 





















1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
24Abonues
European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk