Roli i shoqërisë civile, përkatësisht organizatave joqevertiare (OJQ-ve) në përfaqësimin e interesave dhe të drejtave të grupeve specifike të synuara apo komunitetit në përgjithësi, është dëshmuar si qenësor në shoqërinë kosovare përgjatë pothuajse tre dekadave të fundit. Organizatat të shoqërisë civile në shumë raste kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në plotësimin e shërbimeve të caktuara për komunitetitn, në partneritet me qeveritë lokale dhe qendrore, në prezantimin, promovimin e programeve e aktiviteteve praktike në përputhje me nevojat e qytetarëve apo në dizajnimin dhe realizimin e iniciativave për të zhvilluar mundësitë në fusha të ndryshme.
Në Kosovë, numri i OJQ-ve të regjistruara ka kaluar 13,000 deri në fund të vitit 2024, ku mbi 95% e tyre janë regjistruar si shoqata. Nga këto, më pak se 300 OJQ kanë status aktiv të përfitimit publik. Numri i nismave të paregjistruara gradualisht po rritet, me një model të tillë të angazhimit qytetar duke u bërë më i pranishëm në sektorin e shoqërisë civile në Kosovë (Qeveria e Republikës së Kosovës, 2026, f. 9).
Roli i organizatave të shoqërisë civile në mundësimin e funksionimit të demokracisë në sferat e ndryshme shoqërore bëhet edhe më i rëndësishëm duke konsideruar rrugëtimin e Kosovës si shtet me status të kandidatit potencial për anëtarësim në BE. Kjo jo vetëm në aspektin procedural, por më tepër në aspektin praktik përgjatë përpjekjeve për të siguruar realizimin e parimeve bazë të transparencës dhe gjithëpërfshirjes në qeverisje, bashkëpunim dhe adresim të nevojave të komunitetit.
Duke kuptuar rëndësinë e këtij procesi dhe njëherit rëndësinë e përafrimit të praktikave në nivel kombëtar për mbështetjen, përfshirjen dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile, me ato të rajonit dhe në veçanti me politikat, rekomandimet dhe kërkesat e BE-së, institucionet përgjegjëse në Kosovë, përkundër sfidave, janë përqëndruar në krijimin e një mjedisi mundësues për shoqërinë civile, dhe gjatë vitit 2024 janë shënuar ndryshime të ndjeshme në aspektin e propozimeve dhe miratimeve legjislative në këtë drejtim (KCSF, 2024).
Krahas këtyre përpjekjeve vazhdon të diskutohet mundësia e përmirësimit të mbështetjes financiare për OSHC-të si nga buxhetet e nivelit qendror, komunal apo edhe të kombinimit të bashkëfinacimit me organizatat e ndryshme dhe me fondet e BE-së, për të ndikuar në qëndrueshmërinë e OSHC-ve dhe shërbimeve të tyre kundrejt grupeve të synuara që përfaqësojnë dhe komunitetit. Njëkohësisht përpjekje individuale dhe të bashkërenduara zhvillohen për të përmirësuar praktikat e financimit në aspektin procedural dhe përmbajtësor dhe për të mundësuar zbatimin dhe komplementimin e rregullores në fuqi nr. 04/2017 mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve.
Bashkërendimi me strategjinë e BE-së
Në Kosovë aktualisht Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyres së Kryeministrit ka hapur për diskutim publik Strategjinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile 2026–2031. Paraardhëse e kësaj strategjie ishte ajo e periudhës 2019-2023. Duke vlerësuar shkallën e zbatimit të saj si dhe duke mbledhur informatat nga konsultimet me fokus grupet dhe OSHC-të, njëkohësisht është vlerësuar që nevojat dhe sfidat në fushën e mbështetjes së OSHC-ve dhe përforcimit të bashkëpunimit mbesin pothujase të njejta me ato të definuara në strategjinë paraprake, dhe si rrjedhojë strategjia aktuale përfshin katër objektivat kryesore të njejta sikurse ato të asaj pararendëse me disa përshtatje dhe përditësime me aktivitete plotësuese. Këto objektiva përfshijnë: mundësimin e pjesëmarrjes qytetare, sigurimin e financimit të qëndrueshëm dhe transparent, formalizimin e përfshirjes së OShC-ve në ofrimin e shërbimeve publike, dhe nxitjen e vullnetarizmit. (Qeveria e Republikës së Kosovës, 2026, f. 29).
Në anën tjetër strategjia e BE-së për Shoqërinë Civile përcakton një sërë veprimesh konkrete si në nivel të BE-së ashtu edhe në nivel kombëtar, përfshirë edhe në kuadër të veprimit të jashtëm të BE-së. Këto veprime janë të strukturuara rreth tri objektivave kyçe: forcimit të angazhimit efektiv dhe domethënës të shoqërisë civile si partnere në qeverisje, sigurimit të një hapësirë qytetare të hapur, të sigurt dhe mundësuese, përmes ofrimit të mbështetjes dhe mbrojtjes për organizatat e shoqërisë civile, dhe mbështetjen për organizatat e shoqërisë civile me financim adekuat, të qëndrueshëm dhe transparent (Komisioni Evropian, 2025).
Përveç përputhjes në objektivat kryesore të dy strategjive, edhe veprimet specifike të objektivave të caktuara, specifikisht ato të propozuara në kuadër të objektivave 1 dhe 2 të strategjisë për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile 2026-2031 janë në koherencë me ftesën që u bëhet shteteve anëtare në kuadër të strategjisë së BE-së, përkatësisht në kuadër të objektivës 1: forcimi i angazhimit efektiv dhe domethënës të shoqërisë civile si partnere në qeverisje, ku ftohen që të forcojnë mekanizmat dhe politikat e angazhimit në përputhje me parimet e përcaktuara në strategji, përfshirë ndërmarrjen e hapave të mëtejmë për zbatimin e plotë të Rekomandimit të Komisionit (BE) 2023/2836. Në këtë drejtim në kuadër të objektivës 1: mundësimin e pjesëmarrjes qytetare të strategjisë së Kosovës parashihen rritja e cilësisë dhe zbatimi i rregulloreve për pjesëmarrjen e publikut; përmirësimi/avancimi i platformës online për konsultimet publike; ngritja e kapaciteteve, monitorimi dhe raportimi; mekanizma të përmirësuar për dialogun Qeveri-OShC. Si dhe në kuadër të objektivës 3: mbështetja për organizatat e shoqërisë civile me financim adekuat, të qëndrueshëm dhe transparent, ku shtetet anëtarë ftohen që të krijojnë dhe të mirëmbajnë një mjedis ligjor dhe rregullator mundësues për organizatat e shoqërisë civile dhe donatorët, përfshirë filantropinë, përmes zbatimit të parimit të mosdiskriminimit dhe Rekomandimit më të gjerë të Këshillit për zhvillimin e kushteve kornizë të ekonomisë sociale, si dhe të plotësohen fondet e BE-së për organizatat e shoqërisë civile me mekanizma mbështetës vendorë, në përputhje me Rekomandimin e Komisionit (BE) 2023/2836. Ku në këtë linjë në kuadër të objektivës 2: sigurimin e financimit të qëndrueshëm dhe transparent, të strategjisë së Kosovës parashihen zhvillimi i mekanizmave të avancuar për zbatimin e duhur të financimit publik të OShC-ve; eksplorimi i mundësive për krijimin e një fondi për bashkëfinancimin e projekteve të BE-së dhe donatorëve të tjerë; përmirësimi i mbështetjes jofinanciare për OShC-të; rritja e Filantropisë (dhënies individuale dhe korporative) dhe përmirësimi i bashkëpunimit ndërmjet OShC-ve dhe sektorit të biznesit.
Edhe objektivat 3 dhe 4 të strategjisë së Kosovës synojnë përmirësimin e mbështetjes ndaj OSHC-ve dhe përfshirjen e komunitetit përmes angazhimit qytetar dhe vullnetarizmit.
Pavarësisht se Kosova nuk është anëtare e BE-së, strategjia aktuale, që pritet të miratohet pas diskutimit publik, është punuar në koherencë me objektivat e strategjisë së BE-së për shoqërinë civilie dhe synon të adresojë sfidat e sektorit në praktikë.
Sfidat dhe mundësitë praktike
Ndër sfidat dhe fushat që kanë nevojë për përmirësim në praktikë janë planifikimi i mbështetjes finaciare për OSHC-të apo përcaktimi i objektivave dhe fushave prioritare të thirrjeve për grante, e cila në shumë raste bëhet pa u bazuar në dokumentet strategjike valide në nivelin lokal apo qendror si dhe pa realizuar diskutime apo konsultime me përfaqësuesit e shoqërisë civile apo komunitetin.
Theksimi i qëndrueshmërisë së aktiviteteve, interevenimeve apo iniciativave të mbështetura si faktor kyç, duke evituar planifikimet sporadike dhe jokonsistente të mbështetjes financiare dhe bashkëpunimit me shoqërinë civile, e njëherit duke zvogëluar realizimin e aktivitieteve afatshkurta me ndikim dhe rezulate jo të qëndrushme.
Adresimi i raportimit, monitorimit dhe evidentimit jo të rregullt dhe jo konsistent sikurse për fushëveprimet dhe programet, projektet e OSHC-ve, edhe për skemat mbështetëse të institucioneve të ndryshme. Kjo gjë ndikon në një menaxhim të shpërndarë të bazës së të dhënave, krijon hapësirë për mospërputhje të të dhënave dhe vështirëson arritjen tek informacionet e nevojshme për të gjithë, insititucionet, OSHC-të, dhe publikun në tërësi.
Definimi i modalitetit të mbështetjes financiare për shërbimet e ndryshme sociale, shëndetësore, kulturore, sportive përmes formave tjera të rregullta të kontraktimit dhe financimit për të evituar përsëritjen e procedurave të përvjetshme të aplikimit, për të siguruar qëndrueshmëri të shërbimeve si dhe për të mundësuar realizimin e thirrjeve për grante për projekt propozime shtesë përveq shërbimeve të rregullta apo aktiviteteve vjetore të organizatave.
Nxitjen e pjesëmarrjes së OSHC-ve në diskutime publike planifikuese dhe konsultative për procese, dokumente strategjike dhe investime është e domosdoshme për të siguruar vendime dhe intervenime të informuara si dhe për të mundësuar procese transparente dhe gjithëpërfshirëse. Konsultimet dhe përfshirja e OSHC-ve si përfaqësuese të komunitetit, duhet të realizohet në aspektin praktik duke përshtatur format dhe metodat e grumbullimit të të dhënave, kërkesave dhe inputeve nga qytetarët, me zhvillimet që mundëson digjitalizimi i proceseve dhe mundësive që qytetarët kanë për tu përfshirë, krahas metodave klasike të diskutimit publik.
Plotësimi i procesit të zbatimit të rregullores 04/2017 mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve, në veçanti hapat e dizajnimit të thirrjeve për grante duke siguruar gjithëpërfshirje, monitorimit të zbatimit të projekteve të mbështetura dhe raportimit si nga OSHC-të e mbështetura ashtu edhe nga institucionet dhe organizatat financuese.
Kaltrina Salihu, qershor 2026
*Kaltrina Salihu është Doktore e Shkencave në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Menaxhim Konflikti, me përvojë të gjerë profesionale në Kosovë. Aktualisht, ajo është bashkëpunëtore e jashtme në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku ligjëron lëndët Puna me të rinjtë dhe Aftësi e kufizuar – Studime kritike, dhe punon gjithashtu si analiste monitorimi për Programin Rajonal për Demokracinë Lokale në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD) të UNDP-së, ku ndjek zbatimin e projekteve të OSHC-ve, lehtëson aktivitetet rinore dhe përfshirjen e komunitetit, dhe përgatit raporte monitorimi mbi realizimin financiar dhe programor. Përvojat e saj të tjera përfshijnë menaxhim projektesh në sektorin privat, koordinim programesh për zhvillim të qëndrueshëm dhe ndërmarrësi sociale, si dhe trajnime dhe lehtësim të grupeve rinore. Kaltrina ka diplomë doktorature nga Universiteti Kirili dhe Metodi në Shkup, Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci nga Kolegji FAMA dhe Bachelor në Sociologji nga Universiteti i Prishtinës. Ajo zotëron aftësi të avancuara në komunikim, planifikim, monitorim dhe përdorim të teknologjive të informacionit. Interesat e saj përfshijnë zhvillimin e komunitetit, qeverisjen lokale, përfshirjen gjinore dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Referencat
Qeveria e Republikës së Kosovës. (2026). Strategjia e Qeverisë së Republikës së Kosovës për bashkëpunim me shoqërinë civile 2026–2031 me planin e veprimit për 2026–2028. Zyra e Kryeministrit.
https://konsultimet.rks-gov.net/Storage/Consultations/10-25-23-13012026/Strategjia_Qeveritare_Bashkepunim_Shoqerine_Civile_2026_2031_Konsultim_Publik.docx
Komisioni Evropian. (2025). Strategjia e BE-së për shoqërinë civile (COM(2025) 790 final). Zyra e Publikimeve e Bashkimit Evropian. https://eur-lex.europa.eu
Kosovar Civil Society Foundation (KCSF). (2024). Përmbledhje e matricës së monitorimit për mjedisin mundësues të zhvillimit të shoqërisë civile: Zhvillimet kryesore në shoqërinë civile në Kosovë gjatë vitit 2024. KCSF. https://kcsfoundation.org/publication-category/matrica-e-monitorimit/
.png)
.png)




.png)


.jpg)



























