Prospekti i antarësimit në Bashkimin Europian, i shteteve ballkanike, ka qenë gjithmonë prezent, pavarësisht formave mes të cilave është trajtësuar. Filluar me Brukselin si nismëtar, përmes MSA-ve dhe vijuar nga vetë dëshira e shteteve për t’u përshtatur dhe përafruar sa më shpejt me vendet tashmë anëtare, jo rrallë ky proces është shoqëruar nga debate, polemika e qëndrime kontradiktore. Ky artikull parqet një analizë krahasimore midis dy instrumenteve të bashkëpunimit shumëpalësh perms të cilave procesi i integrimit duket se ka getur manifestim në Ballkan: Procesit të Berlinit, si një platformë ndërqeveritare nën administrimin dhe vëzhgimin e BE-së dhe institucioneve të ngarkuara për këtë qëllim dhe nismës Open Balkan nga ana tjetër, si një mekanizëm sui generis i iniciuar nga shtetet pjesë e Ballkanit, brenda vetë rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë.[1]
Nëse do i shihnim në një vështrim krahasimor, së pari, nga pikëpamja e organizimit dhe funksionimit, Procesi i Berlinit, funksionon mbi parime të qarta që i ngarkojnë vendet aspirante me detyra për përmbushjen e standardeve të caktuara nga MSA-të, duke u fokusuar në harmonizimin e legjislacioneve kombëtare me standardet europiane përmes Traktatit të Tregut të Përbashkët Rajonal (CRM). Në anën tjetër të boshtit krahasimor, Open Balkan u shfaq si një nismë juridiko-politike e limituar ratione personae (vetëm në subjektet pjesëmarrëse), me qëllim implementimin e përshpejtuar të katër shtyllave kryesore të BE-së: lëvizjes së lirë të mallrave, personave, shërbimeve dhe kapitalit te shtetet e Ballkanit pjesë dhe nënshkruese të nismës.[2] Pra, thënë ndryshe, si një sferë e vogël nismash, pjesë e një rrethi më të madh të MSA-së.
Ky artikull ka si synim paraqitjen e një analize, nëse këto dy nisma krijojnë nevojë për risi normative, apo funksionojnë si dy sisteme plotësuese të njëra-tjetrës. Përmes një qasjeje analitke e njëherazi kritike, do të vlerësohet shkalla e përputhshmërisë së marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të Open Balkan paralelisht me detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA), si dhe roli i tyre në forcimin e bashkëpunimit mes shteteve të Ballkanit Perëndimor përballë sistemit gia të konsoliduar të politikave të Brukselit.
I. Procesi i Berlint: korniza europiane
Procesi i Berlinit, i iniciuar në gusht të vitit 2014, nuk është iniciatori thjesht dhe vetëm i një nisme diplomatike ad-hoc, por e zgjeron më tej kuptimin dhe qëllimin e tij si një platformë ndërqeveritare e institucionalizuar, që synon të shërbejë si katalizatori bazë për integrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Nëse do e analizonim nga pikëpamja juridike, ky proces funksionon si përmbledhës rregullator e si një kornizë mbikëqyrëse që harmonizon/përqas objektivat dhe vizionet politike kombëtare të këtyre shteteve me standardet e përcaktuara dhe të detyrushme pë implementim dhe zbatim të Acquis.[3]
Qëllimi kryesor i këtij procesi dhe ai final, mund të përmblidhet me krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, i miratuar në Samitin e Sofjes (2020). [4] Pyetja që shtrohet është: Ku bazohet dhe si funksionon qasja e këtij instrumenti të zgjedhur prej këtyre palëve? Në përgjigje për sa më sipër, mund të themi se, juridikisht, CRM mbështetet në parimin e konvergjencës me tregun unik europian. Gjë kjo që nënkupton se, shtetet pjesëmarrëse angazhohen të marrin përsipër detyrime kontraktuale specifikisht për përafrimin e legjislacionit të konkurrencës dhe ndihmës shtetërore; standardizimin e certifikatave fitosanitare dhe teknike sipas normave të BE-së dhe zbatimin e protokolleve të CEFTA-s si instrumenti bazë kryesor ekzekutiv i tregtisë. Nëse do të krahasonim këtë qasje me procesin e Berlinit, do të konkludonim se, ndryshe nga sa më sipër, Procesi i Berlinit funksionon mbi parimin e gjithëpërfshirjes . Në aspektin procedural, vetë ekzistenca e këtij parimi shërben si garantues se çdo marrëveshje e nënshkruar (si p.sh. marrëveshjet për njohjen e kualifikimeve profesionale apo ato për udhëtimin vetëm me letërnjoftime) do të ketë fuqi juridike të barabartë për të gjashtë shtetet negociatore të rajonit, pa asnjë lloj përjashtimi apo diskriminimi. Vetë ekzistenca e kësaj qasje, eliminon rastet e mospërputhjeve të akteve juridike dhe parandalon krijimin e zonave gri, ku disa shtete mbeten jashtë kuadrit normative apo hasin vështirësi në aplikimin e tij ndërsa të tjerat ecin me hapa të shpejtë drejt përmbushjes së kërkesave.[5] Duhet sjellë në vëmednje se, një element kyç që e dallon këtë kornizë, është lidhja e drejtpërdrejtë me Planin Ekonomik dhe të Investimeve të BE-së. Thënë këtë, duhet të kemi parasysh se financimi i projekteve infrastrukturore dhe energjetike, kushtëzohet me progresin në reformat e sundimit të ligjit të secilit shtet.[6] Ky mekanizëm siguron që integrimi ekonomik të mos jetë i shkëputur dhe i pabazuar në detyrimet ligjore që rrjedhin nga Kapitujt 23 dhe 24 të negociatave për anëtarësim dhe kriteret specifike të vendosura në to. A është kjo një qasje realisht e përqafuar dhe efektive në këto shtete? Vlerësimet e jashtme tregojnë sa ka vakum dhe një angazhim të paplotë dhe shpesh jo efektiv.
II. Open Balkan: nisma e qendërzuar ballkanike
Ndërsa Procesi i Berlinit përfaqëson një qasje nga lart-poshtë, nisma Open Balkan në vetvete lindi si një angazhim shumëpalësh politik nga poshtë-lart, e vetë shteteve të BP6. Kjo nismë sikurse u tha mësipër, përbën një marrëveshje shumëpalëshe ndërshtetërore, e cila ka si qëllim kryesor të analizojë, të marrë masa dhe të zgjidhë nevojat imediate të tregut përmes aplikimit të platformave rregullatore që synojnë shmangien ose reduktimin e procedurave të fryra burokratike. Në një vështrim të fokusuar ligjor, fokusi zbatohet te fushat më emergjente, nga nevojat që paraqesin, duke anashkaluar përkohësisht burokracinë e stërzgjatur të Brukselit.[7] Kjo qasje ka sjalle disa praktika dhe zhvillime positive, por njëherazi ka krijuar një klimë përplasjes ligjore.
Open Balkan, nga ana tjetër, ndjek si metodologji bazë operimi, funksionimin përmes një serie memorandumesh dhe marrëveshjesh ndërshtetërore që kanë fuqi detyruese për palët nënshkruese (Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut). Nëse i shohim këto akte nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare, ato në vetvete synojnë krijimin e një zone të unifikuar ekonomike pa pritur harmonizimin e plotë të BP6, me qëllim kryesor pasjen e procedurave dhe shërbimeve të përshpejtuara. Është testuar dhe provuar se përmes marrëveshjeve për bashkëpunimin në fushat sanitare dhe veterinare, shtetet kanë njohur reciprokisht certifikatat e lëshuara nga laboratorët e tyre kombëtarë, duke reduktuar barrierat teknike në tregti, një zhvillim ky që duhet vlerësuar si tejet pozitiv.
Një arritje kyç në fushën juridike që nuk duhet lënë pa përmendur, është krijimi i numrit të identifikimit Open Balkan, i cili u lejon shtetasve të tre vendeve të punësohen pa pasur nevojë për leje pune specifike.[8] Nisma ka gjetur mbështetje të gjerë dhe shtetet e kanë justifikuar ekzistencën e saj si një mjet për zbatimin e parimit të subsidiaritetit, si parim themelor i MSA. Nga ana tjetër, drejtuesit e shteteve BP6, kanë shprehur bindjet dhe qëndrimet se, në mungesë të një veprimi efektiv nga BE-ja, shtetet sovrane kanë të drejtën dhe detyrimin të ndërmarrin reforma rajonale që lehtësojnë jetën e qytetarëve të tyre. Një qëndrim ky që nuk pritej nga pjesa më e madhe e studiuesve të fushës. Megjithatë garantimi i kësaj autonomie strategjike mund të themi se nuk shihet si një kundërvënie ndaj BE-së, por si një parapërgatitje për tregun unik europian.[9]
Një aspekt kritik i shumëfolur i Open Balkan, është mungesa e gjithëpërfshirjes. Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina kanë refuzuar pjesëmarrjen, duke pretenduar se nisma bie në ndesh me detyrimet e MSA-së dhe krijon një dublikim ligjor dhe po aq institucional të panevojshëm dhe ngadalësues mbi procedurat e integrimit. Megjithatë, duhet theksuar se, të dyja nismat pretendojnë se bazohen në katër shtyllat e BE-së. Në vështrim krahasimor, ndërsa Procesi i Berlinit insiston në mbikëqyrjen nga institucionet europiane dhe RCC, Open Balkan bazohet në besimin reciprok midis shteteve të BP6. Open Balkan ka treguar një shpejtësi më të lartë në implementimin e marrëveshjeve teknike (p.sh. rasti i korridoreve të gjelbra), ndërsa Procesi i Berlinit ka avantazhin e financimit të madh përmes granteve të BE-së, të cilat Open Balkan si nismë e përqëndruar, nuk i disponon dot dhe për vetë faktin se nuk gëzon fuqinë e barabartë suprakombëtare.
III. Qasje krahasimore
Analiza krahasimore midis Procesit të Berlinit dhe Open Balkan, nuk mund të përkufizohet vetëm në terma të një konkurrence të thjeshtë politike, pasi ajo është në thelb një qasje mbi metodologjinë e integrimit. Ndërsa qëllimi përfundimtar mbetet i njëjtë (anëtarësimi në Bashkimin Europian), instrumentet juridikë dhe shpejtësia e zbatimit ndryshojnë ndjeshëm mes tyre. Dallimi parësor, qëndron te vizioni mbi qasjen e pjesëmarrësve. Procesi i Berlinit, funksionon mbi dakortësinë e palëve nënshkruese, ku asnjë marrëveshje nuk konsiderohet plotësisht efektive pa pëlqimin e të gjithë aktorëve. Kjo shpesh ka çuar në pengesa dhe shtyrje për shkak të mosmarrëveshjeve (si rasti i Kosovës dhe Serbisë). Në të kundërt, Open Balkan bazohet te dakortësia midis shteteve BP6. Praktikisht, kjo lejon një progres linear për vendet e Ballkanit që janë gati të harmonizojnë tregjet e tyre, duke lënë mudësi të hapura për subjektet e tjera, pa vendosur kufizime. Kjo qasje thellësiht pragmatiste, ka prodhuar rezultate më të shpejta e të matshme në lehtësimin e lëvizjes së lirë, por ka krijuar një standard me dy shpejtësi të ndryshme brenda rajonit, i cili ecën paralelisht. Cili është qëndrimi i duhur? Ky është një aspekt që do të vijojë të kërkojë kohë me qëllim arritjen e një vlerësimi të bazuar.
Një pikë kyçe krahasimi dhe analize, është garancia që ofrojnë standardet. Në Procesin e Berlinit, çdo akt rregullator, pavarësisht nga natyra e tij, kalon përmes filtrave dhe kontrolleve rigoroze të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) dhe Komisionit Europian, gjë që garanton se legjislacioni i ri është 100% në përputhje me Acquis.[10] Në Open Balkan nga ana tjetër nuk ka monitorim të vazhdueshëm mbi këtë çështje, marrëveshjet janë më shumë të natyrës dypalëshe ose trepalëshe. Megjithëse këto akte rrisin efikasitetin (p.sh. njohja e certifikatave fitosanitare në kufi), ato mund të krijojnë sfida në të ardhmen, nëse standardet mbi të cilat shtetet kanë rënë dakord, nuk përputhen plotësisht me kërkesat strikte të kapitujve negociues të BE-së. Kështu, pare në këtë aspekt, Procesi i Berlinit është më i fuqishëm dhe solid pasi mbështetet nga Plani i Rritjes i BE-së, i cili funksionon mbi parimin “para për reforma”. Nëse një shtet nuk zbaton marrëveshjet, ai humb aksesin në fondet e BE-së. [11]Open Balkan, duke qenë një nismë e brendshme, mbështetet kryesisht në marrëveshjet politike dhe rregullimet e ndryshimet e tregut, duke pasur mungesë të mekanizmave ndëshkues juridikë në rast moszbatimi të marrëveshjeve. Në spektrin e ndryshimeve që pritet të rrëmbejnë periudhë 2026-2030, jam i opinionit se, do të nevojitet një qasje më efektive dhe e centralizuar e praktikave të shteteve pjesë e Open Balkan me qëllim pasjen e rezultateve konkrete dhe të matshme në kuadër të praktikave për integrim dhe moslënies vend për ekuivoke.[12]
IV. Sfidat
Pavarësisht dëshirës së mirë për progres, bashkëpunimi rajonal ndeshet me sfida që prekin direkt sovranitetin dhe sistemin juridik të shteteve të Ballkanit Perëndimor.Sfida kryesore mbetet statusi i Kosovës. Ndërsa Procesi i Berlinit përdor formatin Gymnich (pjesëmarrje pa simbole shtetërore, por me të drejta të barabartapër secilin shtet), Open Balkan u perceptua si një nismë që mund ta anashkalonte këtë, duke krijuar një ngërç në implementimin e marrëveshjeve rajonale, pasi disa shtete paraqitën kërkesa në thelb nacionaliste. Një aspekt sfidues mbetet ekzistenca e dy platformave paralele, e cila rrezikon mbivendosjen e ligjeve dhe akteve rregullatore. Për subjektet private, kjo mund të sjellë paqartësi dhe mungesë sigurie mbi atë se cilat protokolle duhen ndjekur, ato të dakorduara në kuadër të CEFTA/Berlinit apo ato të Open Balkan?[13]Asnjëra prej nismave nuk disponon një gjykatë apo organ me kompetenca gjyqësore/arbitrazhi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare. Çdo konflikt juridik mbetet në dorë të komisioneve arbitrare ose vullnetit politik të vetë palëve, gjë që ul sigurinë juridike për investitorët e huaj.
V. Aktualiteti permes lenteve kritike
Në kontekstin aktual, shohim një zhvendosje të qasjes së derimëtanishme. Pas vitit 2023, Open Balkan ka kaluar në një fazë stanjacioni, ndërsa Procesi i Berlinit ka rifituar fuqinë e vet dhe influencën përmes Planit të Rritjes të BE-së. BE-ja ka aplikuar një qëndrim të ri kritik të njohur gjerësisht si reforma për investime. Ky mekanizëm juridik (edhe pse i ri) i jep Procesit të Berlinit një avantazh ekzekutiv që Open Balkan nuk e pati kurrë as që në fillesat e veta. Tani, integrimi ekonomik nuk është më një çështje rajonale, por një detyrim ligjor i lidhur me asistencën financiare para-anëtarësimit. Kritikët argumentojnë se Open Balkan ishte një tentativë për sovranitet të deleguar brenda rajonit, pa mbikëqyrjen e duhur ndërkombëtare.[14] Ndërkohë, Procesi i Berlinit kritikohet për burokraci të tepruar, që shpesh ngadalëson proceset teknike që palët i kërkojnë me urgjencë.[15]
Përfundime
Si përfundim, mund të themi se, analiza krahasimore midis Procesit të Berlinit dhe Open Balkan dëshmon se, bashkëpunimi rajonal nuk është një proces linear, por një ndërveprim kompleks midis nevojave praktike të shteteve dhe kornizave rregullatore europiane. Open Balkan luajti rolin e një shtytësi që detyroi Procesin e Berlinit të reagonte ndaj praktikave të konsoliduara burokratike të aplikuara historikisht,që shpesh nuk ishin efektive, duke dëshmuar se rajoni mund të prodhojë zgjidhje juridike autonome, kur ekziston vullneti politik i mjaftueshëm midis shteteve. Megjithatë, për shkak të lidhjes organike me Acquis Communautairedhe mbështetjes financiare të Unionit, Procesi i Berlinit mbetet e vetmja rrugë legjitime që garanton kalimin nga bashkëpunimi rajonal në anëtarësimin e plotë të shteteve në përputhje të plotë ligjore. Për të ardhmen, është e rëndësishme që të gjitha marrëveshjet teknike të arritura në Open Balkan të integrohen dhe përshtaten brenda Tregut të Përbashkët Europian, duke siguruar një standard të unifikuar juridik për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në fund të kësaj analize, jemi të mendimit se, mbetet e qartë se objektivi nuk është zgjedhja mes njërës apo tjetrës nismë, por shkrirja e tyre në një instrument të vetëm që përgatit rajonin për integrim në përmbushje të plotë të standardeve, nevojave dhe kritereve. Nëse këto dy qasje do të plotësojnë njëra-tjetrën apo do të krijojnë hapësira konflikti, kjo mbetet për t’u parë dhe vlerësuar në vitet që do të pasojnë, por përpjekjet padyshim do të jenë një impakt pozitiv mbi shtetet në proces integrimi.
[1]European Commission (2020). Communication on a Common Regional Market - Action Plan 2021-2024. COM(2020) 641 final.
[2]Regional Cooperation Council (RCC) (2022). Report on the Implementation of the Common Regional Market: Legal and Regulatory Framework. Sarajevo.
[3]European Commission (2020). Communication on a Common Regional Market - Action Plan 2021-2024. Brussels.
[4]Regional Cooperation Council (2020). Common Regional Market: A New Milestone for Western Balkans Integration. Sarajevo.
[5]Grieveson, R., et al. (2021). Western Balkans Investment Framework: Linking Infrastructure to Policy Reforms. Vienna Institute for International Economic Studies.
[6]Börzel, T. A., & Risse, T. (2019). Litmus Test for the Berlin Process: Regional Cooperation in the Shadow of EU Accession. Journal of European Integration.
[7]Hajdari, A., & Mazllami, A. (2021). The "Open Balkan" Initiative: A Legal and Political Perspective. Journal of Liberty and International Affairs.
[8]Atlantic Council (2021). The Economic Benefits of the Open Balkan: A Quantitative Analysis. Washington D.C.
[9]Marciacq, F. (2022). The Balkanization of Regional Cooperation: Berlin Process vs. Open Balkan. Austro-French Centre for Rapprochement in Europe.
[10]European Commission (2024). The New Growth Plan for the Western Balkans: Enhancing Regional Integration.
[11]Balkan Policy Research Group (2023). The Future of Regional Cooperation: Merging Initiatives for a Common Goal.
[12]Samiti i Berlinit (2024). Deklarata Përfundimtare e Kryetarëve të Shteteve mbi Solidaritetin Rajonal.
[13]Kmezić, M. (2022). The Rule of Law and Regional Cooperation in the Western Balkans. Routledge.
[14]European Union (2024). Regulation on the Reform and Growth Facility for the Western Balkans. Official Journal of the EU.
[15]Balkan Green Foundation (2025). Regional Integration and the Green Agenda: A Legal Review.


.png)






.jpg)



























