Rrezikohet demokracia në Poloni

Rrezikohet demokracia në Poloni

Ky ligj që u nënshkrua menjëherë nga Presidenti i Polonisë është cilësuar nga ekspertët dhe kritikët si sulm ndaj pavarësisë së sistemit gjyqësor pasi rrezikon të paralizojë funksionimin normal të Gjykatës Kushtetuese. Sipas rregullimeve të miratuara ndryshon mënyra e votimit duke kaluar nga votim i thjeshtë në votim me 2/3 për 15 anëtarët e Gjykatës dhe për më tepër rrit dhe numrin e detyrueshëm të gjykatësve të pranishëm për të marrë vendime nga 9 që ishte me ligjin e mëparshëm, në 13. Kjo lëvizje e detyron Gjykatën Kushtetuese të pranojë në gjykim dhe marrje vendimi edhe pesë anëtarët e përzgjedhur në mënyrë të paligjshme nga Partia Ligj dhe Drejtësi pasi në të kundërt nuk plotësohet numri i përcaktuar në ligjin e ri dhe puna e Gjykatës pezullohet.

Pas nënshkrimit të ligjit nga Presidenti (28 dhjetor) për ndryshimet në rregullat e Gjykatës Kushtetuese, të mërkurën (30 dhjetor) Dhoma e Ulët e Parlamentit miratoi me 232 vota një projektligj sipas të cilit Kryetari i Radios dhe ai i Televizionit Publik Polak do të largohen nga postet dhe do të zëvendësohen nga borde me tre anëtarë të cilët do të emërohen nga Ministri i Thesarit. Ky projektligj është vlerësuar nga qeveria si faza e parë e reformës së medias publike në Poloni që ka si qëllim të vendosë një transmetues mediatik kombëtar që do të promovojë “interesat kombëtare”, por siç duket do të jetë nën kontrollin e plotë të qeverisë. Për më tepër deputetë të partisë në pushtet kanë deklaruar së është e papranueshme që në një demokraci parlamentare media shtetërore të kritikojë punën e qeverisë dhe sipas tyre projektligji i ri që ata sapo kanë miratuar do të shërojë Poloninë nga ‘indoktrinimi liberal’. Këto dy ligje të miratuara nga Parlamenti kanë sjellë një trazirë jo vetëm brenda shtetit polak, por edhe në vetë Bashkimin Europian dhe organizata të tjera të medias apo shoqërisë civile po shprehen të shqetësuar rreth ngjarjeve që po ndodhin në Poloni.

BE merr një vendim të paprecedent për zgjidhjen e krizës së shtetit ligjor në Poloni

Zhvillimet në Poloni u ndoqën me shqetësim nga zyrtarë të BE-së. Për kreun e Parlamentit Europian, Martin Schulz situata politike e krijuar në Poloni nga Partia Ligj dhe Drejtësi ngjan shumë me atë të një grushti shteti. Pa reaguar nuk ka mbetur edhe Donald Tusk, presidenti i Këshillit Europian, por që ka mbajtur edhe postin e Kryeministrit të Polonisë dhe njëkohësisht ka qenë edhe kryetar i Partisë tani në opozitë, Platforma Civile. Por as dy letrat paralajmëruese nga zëvendës presidenti i Komisionit Europian, Frans Timmermans nuk i ndalën deputetët e partisë konservatore që qeveris Poloninë, të miratojnë dy projektligjet që kërcënojnë demokracinë, balancën e pushteteve dhe lirinë e medias. Timmermans u kërkon argumentime se si ligji i ri mbi median përshtatet me standardet e BE-së dhe me nenin 2 të Traktatit të BE-së, nenin 11 të Kartës së të Drejtave Themelore dhe Direktivës së BE-së të vitit 2010 mbi shërbimet audiovizive. Për këtë arsye në letrën e Komisionit u kërkohej deputetëve ta shtyjnë votimin e ligjit të medias, deri sa t’iu jepet përgjigje të gjitha pyetjeve nga Komisioni. Pas letrave të dërguara dhe reagimit aspak pozitiv të përfaqësuesve të qeverisë polake, Komisioni Europian shpalli me datë 3 janar të 2016 vendimin për diskutimin e situatës së shtetit ligjor në Poloni duke vënë në zbatim Mekanizmin e Shtetit Ligjor, një procedurë e miratuar në 2014 e përbërë nga tre faza dhe e papërdorur më parë nga Komisioni Europian. Si fillim pritet që me datë 13 janar të zhvillohet një diskutim nga Komisioni Europian dhe më pas do të vazhdohet me tre fazat e Mekanizmit. Gjatë fazës së parë mblidhet informacioni dhe vlerësohet rreziku sistemik i shtetit ligjor. Nëse ky rrezik konfirmohet atëherë fillon faza e dytë me një dialog me shtetin që ka shkelur ligjet dhe kërcënon demokracinë duke i dhënë mundësinë të sqarohet dhe të marrë masat për zgjidhjen e çështjes bazuar edhe në rekomandimet e Komisionit. Nëse edhe pas kësaj faze rezultatet nuk janë të kënaqshme, Komisioni Europian mund të propozojë përdorimin e Nenit 7 të Traktatit të BE-së, sipas së cilit shteti anëtar i kapur në faj për shkelje të shteti ligjor i hiqet e drejta e votimit në institucionet e BE-së, specifikisht në Këshillin e Ministrave të BE-së dhe humb përkohësisht të drejtat e fituara nga anëtarësimi. Ky nen zbatohet vetëm nëse votohet nga 16 vende anëtare të Unionit që duhet të përfaqësojnë 65% të popullsisë së tij. Ky dënim nuk është dhënë ndonjëherë, dhe nëse Polonia vazhdon të mbajë pozicion të pandryshuar të veprimeve të saj atëherë ky mund të jetë rasti i parë.

Reagimi i opozitës dhe shoqërisë civile: Rrezikon fillimi i një revolucioni

Vendimet e marra nga Partia Ligj dhe Drejtësi, të konsideruara të jashtëligjshme janë shoqëruar me protesta jo vetëm nga radhët e opozitës por edhe nga qytetarë, shoqëri civile, grupe të medias dhe institucione ndërkombëtare. Thirrjes së opozitës polake për mbrojtjen e gjykatave, iu bashkuan me mijëra qytetarë në më shumë se 20 qytete të vendit, ku vetëm në Varshavë protestuan përpara parlamentit rreth 20 mijë polakë me pankarta në duar dhe flamuj kombëtarë dhe të BE-së, duke e akuzuar qeverinë se po cënon demokracinë në vend. Mes protestuesve ishte edhe ish-presidenti i parë polak i zgjedhur në mënyrë demokratike pas rënies së diktaturës, i cili i turpëruar dhe i indinjuar nga veprimet e qeverisë sipas tij anti kombëtare, kërkoi referendum për zgjedhje të parakohshme dhe shprehu shqetësimin e fillimit të një lufte civile. Reagim pati dhe nga Gjykata e Lartë Polake, e cila në letrën dërguar Parlamentit të Polonisë ka argumentuar se ligji ka qëllim të pengojë punën e Gjykatës Kushtetuese, e cila është nga të paktat institucione që garanton pushtetin e shumicës. Nuk kanë munguar edhe ironitë në radhët e kundërshtarëve të dy projektligjeve, ku një ligjvënës në Poloni me origjinë nga Zambia e ka cilësuar nxitimin për miratimin dhe nënshkrimin e ligjeve si një karakteristikë për Republikat e Bananeve.

Ligji i Medias: Kthim në kohën e Diktaturës Komuniste

Jan Dvorak, Kryetari i Këshillit Kombëtar të Transmetimit në letrën e tij e vlerësoi ligjin si një kthim në një model që polakët e njohin shumë mirë nga e shkuara, ku media shtetërore është e varur plotësisht nga qeveria. Katër organizata mbi lirinë e medias i dërguan Këshillit të Europës një letër ankese ndaj projektligjit të medias në Poloni. Edhe Shoqata e Gazetarëve Europianë shprehu shqetësimin e saj në një letër dërguar Ministrit të Kulturës duke kërkuar që ligji të mos shkelë paanshmërinë, objektivitetin dhe drejtësinë e medias. Në letër shkruhej se reforma do të demotivojë dhe do të zhgënjejë të gjitha ato vende të Europës Lindore që po luftojnë kaq shumë për një media të lirë dhe të drejtë në vendet e tyre si Moldavia, Ukraina apo Armenia. Kërkesë për të tërhequr propozimin ka ardhur edhe nga shefja e lirisë së medias së OSBE-së e cila shqetësohet për pavarësinë dhe lirinë e shërbimit publik mediatik polak nga miratimi i këtij ligji. Pesë grupet më të mëdha të gazetarëve në Europë, në një zë të përbashkët janë shprehur se nëse ky ligj kalon atëherë Polonia do të krijojë një regjim regresiv.

                                                                                                                               

EurActiv, janar 2016

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk