Politika e Përbashkët Bujqësore: Pritshmëritë rreth Reformës dhe Marrëveshja e Gjelbër Europiane

Politika e Përbashkët Bujqësore: Pritshmëritë rreth Reformës dhe Marrëveshja e Gjelbër Europiane Politika e Përbashkët Bujqësore: Pritshmëritë rreth Reformës dhe Marrëveshja e Gjelbër Europiane

***

Rëndësia ekonomike e CAP në buxhetin europian

Por si funksion në praktikë zbatimi i CAP? Aktualisht, politika është mbështetur në dy shtylla: nga njëra anë, duke mbështetur fermerët me pagesa të drejtpërdrejta duke shërbyer kështu në rritjen e të ardhurave të fermerit dhe nga ana tjetër, duke financuar projekte zhvillimore në zonat rurale në mënyrë që fshatrat të jenë më tërheqës për të jetuar (Komisioni Europian, 2018). BE kryen një financim të jashtëzakonshëm mbi CAP, ndërkohë që buxheti total i BE në vitin 2018, referuar të dhënave zyrtare marrë nga Komisioni Europian, arrin vlerën prej afërsisht 162 miliardë eurosh, 58 miliardë euro ose ndryshe 35.8% e buxhetit vjetor shkojnë për financimin e CAP. Këto shpenzime lidhur me CAP shkojnë më së shumti për pagesa të drejtpërdrejta afërsisht 41.74 miliardë euro, pra rreth 72% të shpenzimeve gjithsej për CAP, si mbështetje për të ardhurat e fermerëve. Pjesa tjetër e shpenzimeve shkon për zhvillimin rural, rreth 14.37 miliardë euro, ndryshe 25% të shpenzimeve gjithsej, ndërsa vetëm rreth 3% e shpenzimeve, ose afërsisht 2.7 miliardë euro shkojnë për mbështetjen e tregut bujqësor.

CAP në dritën e ndryshimeve pro-mjedisore

Në vijim, nën perspektivën e prioriteteve të reja të Komisionit Europian do të hulumtohen, përshkruhen dhe analizohen nevojat dhe kërkesat për reformim të CAP si dhe pritshmëritë për realizimin e ndryshimeve që do të sjellë reformimi. Që më 1 qershor 2018, Komisioni Europian paraqiti propozimet legjislative mbi CAP që do të nisnin pas vitit 2020. Propozimet synonin që CAP mund të vazhdojë të sigurojë mbështetje të fortë për bujqësinë europiane, zona rurale të zhvilluara dhe prodhimin e ushqimit me cilësi të lartë (Komisioni Europian, 2020). Sipas parashikimeve të Komisionit Europian në 2018, për periudhën 2021-2027, propozohet një buxhet ambicioz total prej 365 miliardë eurosh, ku CAP do të vazhdojë të zërë peshën mbi 1/3 e buxhetit të përgjithshëm të BE, duke theksuar rëndësinë e vazhdueshme të politikës. Buxheti i CAP do të ndahet midis dy ‘shtyllave’ të tij tradicionale: mbështetja e drejtpërdrejtë për fermerët dhe tregun, si dhe zhvillimi i zonave rurale. Shteteve anëtare do t’u jepet mundësia të përshtatin më mirë politikën sipas përparësive të sektorit të tyre bujqësor, duke mundur të transferojnë deri në 15% të alokimeve të CAP midis dy shtyllave. Gjithashtu, parashikohet një shumë prej 10 miliardë eurosh përmes programit të kërkimit Europian Horizon për të mbështetur kërkime dhe inovacione.

Propozimet e Komisionit Europian e përqëndrojnë vëmëndjen e tyre në sigurimin e një të ardhmeje të qëndrueshme për fermerët; në vendosjen e synimeve më të larta për angazhim mjedisor dhe klimatik; njëherazi duke u kujdesur për të mbajtur të pandryshuar pozicionin e bujqësisë në zemër të Europës. Në mbështetje të këtij spektri të gjerë, Komisioni Europian ka vendosur 9 qëllime specifike, arritja e të cilave do të monitorohet hap pas hapi. Lidhur me tre nga qëllimet si (i) sigurimi i të ardhurave, (ii) rritja e konkurrencës, (iii) ribalancimi i fuqisë në zinxhirin ushqimor, janë planifikuar reduktim të pagesave totale për fermë, rritje e fermave përfituese, kritere shtesë për pagesa mbi 100 mijë euro për fermë, nivel më i lartë të mbështetjes për hektarë për fermat e vogla dhe të mesme, të paktën 2% të alokimit të pagesave të drejtpërdrejta në çdo shtet të shkojnë për fermerët e rinj, vetëm fermerët e mirëfilltë të marrin mbështetje direkte, mbështetje shtesë për sektorët në vështirësi. Qëllimet e tjera me fokus klimën dhe mjedisin janë (iv) reagimi mbi ndryshimet klimatike, (v) përkujdesja ndaj mjedisit dhe (vi) ruajtja e peizazhit dhe biodiversitetit, për realizimin e të cilëve do të ndërmerren shpërblime për fermerët që shkojnë përtej kërkesave ligjore lidhur me përfshirjen agro-mjedisore, ku çdo vend anëtar do të ndërtojë skema ekologjike për mbështjetjen e tyre. Kjo nënkupton që minimalisht 30% e fondeve të shtyllës të dytë do të shpenzohen për masat ndaj klimës dhe mjedisit, 40% e të gjithë buxhetit total të CAP parashikohet të shpenzohet për veprime ndaj ndryshimeve klimatike dhe 5% e fondit të zhvillimit rural do t’i akordohet vendeve që arrijnë targetin e vendosur mbi mjedisin, klimën dhe biodiversitetin. Ndërsa për qëllimet (vii) burime të rinovueshme për gjeneratat, (viii) gjallërimi i zonave rurale, (ix) ruajtja e cilësisë së ushqimit dhe shëndetit do të ndërmerret inkurajimi i të rinjve që të merren me bujqësi, rregulla më të thjeshta taksimi dhe kalim pronësie, mbështetje e veçantë për “fshatrat smart”, reduktimi i pesticideve dhe i antibiotikëve, zhvillimi i bio-ekonomisë dhe diversifikimi i ekonomisë rurale sipas Deklaratës Cork 2.0 të vitit 2016.

Implikimet e CAP me Marrëveshjen e Gjelbër Europiane

Në 21 tetor 2020, Këshilli Europian ra dakord mbi miratimin e reformës së CAP pas vitit 2020. Marrëveshja nënvizon angazhimet e forta nga vendet anëtare për ambicie më të larta mjedisore me përfshirjen e instrumenteve të reja që do të ndihmonin arritjen e qëllimeve. Ndërkohë vendet anëtare do të kenë liri dhe fleksibilitet në mënyrën se si do të arrijnë qëllimet mjedisore. Në këtë situatë, Këshilli ka mandatin politik tani për të filluar negociatat me Parlamentin Europian me synimin për të arritur një marrëveshje të përgjithshme mbi reformën. Ndërkohë që më 15 Janar 2020, Parlamenti Europian shpalli rezolutën e tij mbi Marrëveshjen e Gjelbër Europiane, e cila përfshin dhe një kërkesë specifike për të analizuar kontributin e propozimit të reformës së CAP në angazhimet e BE për mbrojtjen e mjedisit, klimës dhe biodiversitetit. I gjithë reformimi i CAP i shërben Marrëveshjes së Gjelbër, marrim në konsideratë strategjinë “farm to fork” apo dhe ruajtjen e biodiversitetit, të cilat së bashku adresojnë zvogëlimin e përdorimit të pesticideve, uljen e përdorimit të antibiotikëve, promovimin e bujqësisë organike, ruajtjen e peizazhit, natyrës, si dhe mirëqenien e kafshëve, që nënkupton realizimin e Marrëveshjes së Gjelbër vetëm nëse CAP reformohet dhe përfshin përgjegjësinë ndaj mjedisit.

Si do të përkthehen në veprime konkrete në reformën e CAP targetimet e Marrëveshjes së Gjelbër Europiane për vitin 2030? Marrëveshja e Gjelbër Europiane referuar sektorit bujqësor ka një sërë targetimesh, të cilat do të shoqërohen me indikatorë në planin strategjik të CAP. Zvogëlimi me 50% i përdorimit të pesticideve deri në 2030 propozon përdorimin e qëndrueshëm të pesticideve për të reduktuar riskun dhe impaktin. Shitjet e antibiotikëve do të kufizohen deri në 50% deri në 2030 sipas Marrëveshjes së Gjelbër, që do të thotë kufizim të përdorimit të antibiotikëve të gjësë së gjallë. Deri në 2030 kërkohet të arrihet që 25% e zonës bujqësore të kthehet në fermë organike dhe kjo pasqyrohet në CAP si mbështetje që u duhet krijuar në bazë të sipërfaqes fermave organike. Gjithashtu, një ndër targetet për 2030 është aksesi i internetit me shpejtësi të lartë në zonat rurale, duke nënkuptuar kështu investime për përmirësimin e infrastrukturës rurale nga CAP. Marrëveshja e Gjelbër e ka një synim kryesor ruajtjen e biodiversitetit dhe mbrojtjen e peisazhit, e cila përfshihet në CAP me përcaktimin e qartë dhe menaxhimin e pjesës që do të zërë toka bujqësore në total.

Përplasje fermerë – aktivistë mjedisorë

Zhvillimi i bujqësisë industriale në shkallë të gjerë, kohët e fundit, ka qenë arsye debatesh dhe është fajësuar shpesh për ndikimin negativ që ka në rritjen e emetimit të CO2 , humbjen e biodiversitetit, ndotjen e tokës dhe të ujit. Në kontekstin europian mund të thuhet se lidhur me këtë çështje, CAP si politika më e rëndësishme dhe më e diskutuar europiane shpesh fajësohet mbi zhvillimin e bujqësisë ‘masive’. Pagesat e drejtpërdrejta, një nga shtyllat e CAP, funksionojnë në bazë të një mekanizmi të lidhur me madhësinë e fermave. Sistemi pagesa për hektarë, akuzohet të nxisë praktika bujqësore të dëmshme nëse i referohemi mjedisit, sipas aktivistëve mjedisorë, të klimës apo përfaqësuesve të partive europiane të gjelbërta (Euronews, 2020).

Në përgjigje të mbrojtjes së mjedisit, CAP e reformuar, synon transformimin rrënjësor të pagesave të drejtpërdrejta, të cilat do të vazhdojnë të zënë vend të rëndësishëm. Megjithatë, pagesat do të shpërndahen jo sipas madhësisë së fermave, por sipas skemave ekologjike, të cilat nënkuptojnë mbështetje me pagesa të drejtpërdrejta për fermerët me iniciativa pro-mjedisore, si fermat organike. Specialistët që merren me ruajtjen e mjedisit dhe natyrës shprehen se pavarësisht se ka ende shumë punë për të bërë, reformimi i këtillë i CAP është jo vetëm në përputhje me objektivat e BE për të ardhmen e mjedisit, por gjithashtu është një vendimmarrje më e drejtë ndaj fermerëve dhe taksapaguesve (NABU, 2020). Aktivistët e mjedisit e konsiderojnë dëmin ndaj mjedisit shkaktuar nga sektori bujqësor një problem madhor, për të cilin sistemi ia vlen te reformohet pavarësisht kostove dhe masave drastike (Deutsche Welle, 2020) . Nga ana tjetër, grupimet e fermerëve kundërshtojnë maksimizimin e kërkesave që lidhen veçanërisht me çështjen e mjedisit. Ata shprehen se BE duhet të përmbushë së pari qëllimet tradicionale të CAP, sikurse është sigurimi i një jetese të denjë për fermerët (Deutsche Welle, 2020). Përfaqësues të fermerëve thonë se ata nuk janë duke kërkuar rritje të subvencioneve, por një ruajtje të nivelit aktual që realisht të kryhen investime për të prodhuar në mënyrë të qëndrueshme (Euronews, 2020). Përplasje të tilla ekzistojnë midis vetë vendimmarrësve në organet e BE, disa prej të cilëve anojnë nga bujqësia, ndërsa disa nga mjedisi, pavarësisht se Këshilli Europian e miratoi paketën e re të CAP (Euronews, 2020). Herbert Dorfman, parlamentar europian, shprehet se duhet gjetur një ekuilibër midis fermerëve dhe interesave të qytetarëve, pasi pavarësisht politikave të gjelbërta CAP ka qenë gjithnjë një politikë ekonomike. Sipas Dorfman nuk funksionon të kërkosh një treg ushqim organik dhe “farm to fork” ndërkohë që dëshiron të blesh me çmime të ulëta. Ndërsa komisioneri Europian Virginijus Sinkevičius, shprehet me optimizëm se CAP e reformuar funksionon për t’i kthyer fermat në të qëndrueshme, njëkohësisht ruan natyrën sipas Marrëveshjes së Gjelbër Europiane.

Gjasat janë të mëdha që reformimi i CAP të vazhdojë të jetë një temë e nxehtë në BE, për peshën e madhe buxhetore që ka kjo politikë, për rëndësinë e vazhdueshme në jetët e qytetarëve europianë, si dhe për vetë faktin që ky ndryshim lidhet me Marrëveshjen e Gjelbërt Europiane, prioritet të Komisionit Europian nën Presidenten Ursula von der Leyen.

Alesia Makaj, janar 2021

*Alesia sapo ka përfunduar studimet e larta në Master i Shkencave në Ekonomiks dhe Studime Europiane, pranë Universitetit të Tiranës dhe Latvijas Universitate. Ajo është pjesë e Konrad Adenauer Stiftung Alumni, si bursante merite sur-place. Alesia është e interesuar mbi politikat publike lidhur me zhvillimin e qëndrueshëm, çështjet mjedisore, integrimim europian, arsimin dhe barazinë gjinore. Në angazhimet e saj mund të përmendim një varietet punësh vullnetare, aktivitetesh sociale dhe komunitare.

 Referenca:

https://enrd.ec.europa.eu/sites/enrd/files/cork-declaration_en.pdf

https://www.dw.com/en/could-high-tech-netherlands-style-farming-feed-the-world/a-47105412

https://www.dw.com/en/eu-agriculture-policy-what-are-the-bones-of-contention/a-55352567

https://www.euronews.com/2020/07/20/common-agricultural-policy-what-is-it-how-does-it-work-how-might-it-be-about-to-change

https://www.euronews.com/2020/10/23/eu-agriculture-reform-pits-farmers-against-environmentalists-as-cap-vote-looms-large-over-

https://www.euronews.com/2020/10/21/eu-ministers-agree-on-starting-point-for-post-2020-common-agricultural-policy

https://ec.europa.eu/eurostat/statistics-explained/index.php/Farms_and_farmland_in_the_European_Union_-_statistics#Farms_in_2016

https://www.consilium.europa.eu/en/meetings/agrifish/2020/10/19-20/

https://ec.europa.eu/commission/sites/beta-political/files/budget-may2018-modernising-cap_en.pdf

https://ec.europa.eu/info/food-farming-fisheries/key-policies/common-agricultural-policy/future-cap_en#proposal

https://enrd.ec.europa.eu/sites/enrd/files/cork-declaration_en.pdf

https://ec.europa.eu/info/food-farming-fisheries/key-policies/common-agricultural-policy/cap-glance_en#title

https://ec.europa.eu/info/sites/info/files/food-farming-fisheries/sustainability_and_natural_resources/documents/analysis-of-links-between-cap-and-green-deal_en.pdf

http://capreform.eu/agriculture-in-the-european-green-deal-from-ambition-to-action/

https://www.nabu.de/natur-und-landschaft/landnutzung/landwirtschaft/agrarreform2021/21519.html

 

9,455 Ndjekës
56,743 Ndjekës
43,501 Ndjekës
16 Abonues