Roli i kapitalizmit në rritjen e vazhdueshme të populizmit

Roli i kapitalizmit në rritjen e vazhdueshme të populizmit

Teksa me kalimin e kohës të gjitha këto sisteme janë përmbysur apo përzierë me njëri tjetrin duke u munduar kështu të vijnë si një formë e re, edhe pse mbase shpesh herë me përmbajtje të njëjtë, ne vazhdojmë të përballemi me një sfidë të madhe në fushën ekonomike. Ende nuk kemi një model që jo vetëm t’i rezistojë kohës, por në të njëjtën mënyrë të na mbajë larg krizave ekonomike. Mbase një ri-studim i atyre sistemeve ekzistuese të mëparshme të përshtatura për kohën e globalizimit në të cilën ne jetojmë dhe në vazhdën e përballjes me sfidat në këtë fushë, do të na shërbente për të kuptuar se cila do të ishte më e mira e mundshme, duke përfshirë këtu edhe një shans për një model të ri ekonomik.

Mbas krizës në vitin 2008, një përmbysje e besimit ndaj institucioneve politike na ka çuar padyshim në një rënie të ekonomisë në një periudhë prej rreth 5 vitesh. Duke marrë shkas edhe nga e shkuara, ku ekonomia globale ka hasur shpesh kriza të mëdha, si Depresioni i madh apo rënia e teorisë Kejnesiane, në kohët e sotme parashikohet një krizë tjetër: ajo e kapitalizmit global e nxitur nga kriza e 2008-ës.

Kriza e 2008-ës: shkaqet dhe pasojat

Kur një model i caktuar kapitalist është duke funksionuar si duhet, progresi material çlirohet nga presioni politik. Ndërkohë, kur ekonomia dështon, dhe kur ky dështim nuk është thjesht një fazë rastësore apo e përkohshme, por një simptomë e kontradiktave të thella, efektet sociale përçarëse të kapitalizmit mund të kthehen në probleme politike. Kjo ishte pikërisht ajo çka ndodhi në vitin 2008. Sapo dështimi i tregut të lirë, liberalizmit dhe monetarizmit filluan të shihen më shumë si ‘normalja e re’ e masave shtrënguese të përhershme dhe zvogëluan premisat apo pritshmëritë, pabarazitë ekonomike dhe sociale, humbja e vendeve të punës dhe përmbysja kulturore e periudhës para krizës nuk mund të legjitimohej më, ashtu si taksat shtrënguese të viteve 1950 dhe 1960 humbën legjitimitetin e tyre në stagflacionin e viteve 1970.

Në rast se ne jemi tashmë dëshmitarë të një transformimi të atillë, atëherë reformatorët të cilët janë përqendruar më shumë në kritikat e tyre ndaj migrimit, tregtisë apo pabarazisë së të ardhurave, do të humbasin ndaj politikanëve radikalë të cilët sfidojnë të gjithë sistemin. Për më tepër në një mënyrë apo tjetrën, këta radikalë do të kenë të drejtë. Humbja e sigurisë për punë të ‘mira’ nuk mund t’i faturohet migrimit, tregtisë apo teknologjisë. Ndërkohë që këto vektorë të konkurrencës ekonomike rrisin të ardhurat totale kombëtare, ato jo domosdoshmërisht shpërndajnë përfitime në të ardhura në një mënyrë sociale të pranueshme. Për të bërë këtë duhet një ndërhyrje politike e paramenduar dhe e qëllimtë në të paktën dy anë apo fronte.

Rikthimi i modelit Kejnesian: SHBA-ja dhe BE-ja

Si fillim, menaxhimi makroekonomik duhet të sigurojë që kërkesa të rritet gjithmonë në sajë të ofertës së krijuar nga teknologjia dhe globalizimi. Ky është parimi themelor Kejnesian i cili u hodh poshtë përkohësisht në krye të monetarizmit në fillimet e para të 1980-ës, dhe u rifitua më pas me sukses në 1990-ën (të paktën në Britani dhe në SHBA), edhe pse Kejnesi u harrua sërish nën panikun e deficitit mbas 2009-ës. SHBA-ja mund të jetë tashmë gati të braktisë dogmat monetariste të pavarësisë së bankës qendrore dhe targetimit të inflacionit, dhe të shtojë punësimin e plotë si prioritetin kryesor të menaxhimit të kërkesës. Ndërsa për Europën, ky revolucion në mendësinë makroekonomike është ende shumë larg…

Kush po fiton dhe kush po humbet?

Në të njëjtën kohë, një revolucion tjetër i dytë intelektual do të duhet sa i takon ndërhyrjes së qeverisë në përfundimet apo rezultatet sociale dhe në strukturat ekonomike. Këtu, fundamentalizmi i tregut gjen një kontradiktë të thellë. Tregtia e lirë, progresi teknologjik dhe format e tjera që promovojë ‘efikasitetin’ ekonomik janë prezantuar si të dobishme për shoqërinë, edhe pse ato në fakt dëmtojnë punëtorët individualë apo bizneset, sepse rritja e të ardhurave kombëtare lejon që fituesit të kompensojnë humbësit, duke siguruar që askush të mos lihet më keq. Ky parim i së ashtuquajturës eficienca Pareto nënvizon të gjitha aspektet morale të ekonomisë së tregut të lirë. Liberalizimi i politikave është i justifikuar në teori vetëm në sajë të supozimit se vendimet politike do të rishpërndajnë disa fitime të fituesve, tek humbësit në një mënyrë të pranueshme sociale. Por çfarë ndodhë nëse politikanët bëjnë të kundërtën në praktikë?

Duke rregulluar financën dhe tregtinë, duke intensifikuar konkurrencën dhe duke dobësuar sindikatat, qeveritë krijojnë kushtet teorike që kërkojnë rishpërndarjen nga fituesit te humbësit. Në realitet, përkrahësit e fundamentalizmit të tregut jo vetëm e harruan rishpërndarjen, por e ndaluan fare atë. Preteksti i përdorur ishte se taksat, pagesat e mirëqenies dhe ndërhyrjet e tjera qeveritare dëmtojnë nxitjen, prishin konkurrencën dhe reduktojnë rritjen ekonomike për shoqërinë si e tërë. Kështu nëse kthehemi sërish pas në kohë, sipas Margaret Thatcher, nuk ekziston një gjë e tillë në ekonomi. ‘Në këtë sistem, pra në ekonomi, ne kemi burra, kemi gra, kemi dhe familje.’ Duke u fokusuar te përfitimet sociale të konkurrencës ndërkohë që injorojmë koston ndaj njerëzve specifikë, mbështetësit e tregut shpërfillin principin e individualizmit në zemër të ideologjisë së tyre.

Një skemë e re ekonomike

Mbas uljeve dhe ngritjeve të këtij viti, kontradiktat apo përplasjet fatale midis përfitimeve sociale dhe humbjeve individuale nuk mund të vazhdojnë të injorohen. Nëse tregtia, konkurrenca dhe progresi teknologjik janë pjesë e fazës tjetër të kapitalizmit, atëherë ato duhet të bashkëpunojnë me ndërhyrjen e qeverisë për të rishpërndarë përfitimet nga rritja, të cilat Thatcher dhe Reagan i kanë deklaruar si tabu.

Për të thyer këto tabu, nuk do të thotë se duhet të kthehemi te taksat e larta, inflacioni dhe varësia kulturore e viteve 1970. Njësoj si politikat fiskale dhe monetare mund të kalibrohen për të minimizuar dhe papunësinë dhe inflacionin, rishpërndarja mund të bëhet jo vetëm duke ricikluar taksat në mirëqenie, por duke ndihmuar drejtpërdrejt punëtorët dhe komunitetet që vuajnë nga globalizimi dhe ndryshimet teknologjike.

Në vend të dhënies së vazhdueshme të parave cash që i shtyjnë njerëzit nga puna drejt një papunësie afatgjatë dhe mënjanimit apo daljes në pension, qeveritë mund të shpërndajnë përfitimet e rritjes duke mbështetur punësimin dhe të ardhurat me anë të subvencioneve rajonale dhe industriale, si dhe ligjet për pagat minimale. Në radhët e ndërhyrjeve më efektive të këtij lloji, i demonstruar nga Gjermania apo dhe vendet Skandinave, është se shpenzimi i parave në edukimin profesional me cilësi të lartë dhe të trajnimit për punëtorët dhe studentët jashtë universiteteve, krijojnë mundësi për arritjen dhe hvillimin e standardit mesatar të jetesës, pa kaluar domosdoshmërisht nga rruga akademike. Këto mbase mund të duken si zgjidhje të duhura dhe të qarta, por qeveritë kanë bërë më së shumti të kundërtën. Ato kanë bërë sistemet e taksave më pak progresive dhe kanë shkurtuar shpenzimet në edukim, politikat industriale dhe subvencionet rajonale, duke derdhur para në kujdesin shëndetësor, pensione dhe ndihma në para, që inkurajojnë pensionin e shpejtë dhe paaftësinë për punë. Rishpërndarja është bërë larg pagesës minimale ndaj punëtorëve të rinj, puna dhe paga e të cilëve kërcënohet vërtetë nga tregtia dhe migrimi, duke i çuar të ardhurat drejt elitave financiare të cilët kanë përfituar më së shumti nga globalizimi dhe pensionistët të cilët kanë garantuar pension për t’u mbrojtur nga problemet ekonomike.

Megjithatë, uljet dhe ngritjet politike të këtij viti janë udhëhequr nga votuesit e moshuar, ndërsa votuesit e rinj kanë mbështetur më së shumti status quo-n. Ky paradoks tregon se konfuzioni dhe zhgënjimi pas krizës nuk ka përfunduar ende. Siç shprehet dhe autori, kërkimi për një model të ri ekonomik ka filluar- qoftë kjo për mirë apo për keq…
                                                                                                            World Economic Forum, janar 2017

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk