BE mbështet nismën për reduktimin e CO2 të lëshuar nga kamionët në masën 35% deri në vitin 2030

BE mbështet nismën për reduktimin e CO2 të lëshuar nga kamionët në masën 35% deri në vitin 2030

Objektivi i vendosur nga Komiteti për të ulur emetimet në 35% deri në vitin 2030 është më i ashpër sesa propozimi i Komisionit Europian i cili në maj të 2018 bëri thirrje për një ulje "të paktën 30%" të emetimit të CO2 nga kamionët sipas projekt-rregullores për automjetet e rënda. Në atë kohë, Komisioni Europian vlerësoi se një reduktim prej 30% do të mund të kursente deri në 170 milion ton naftë në periudhën 2020-2040, ekuivalente me rreth 1.24 miliard fuçi bruto gjatë një periudhe 20 vjeçare.

Komiteti gjithashtu mbështeti arritjen e një uljeje prej 20% të CO2 deri në vitin 2025, ndryshe nga propozimi i Komisionit që ishte 15%. Propozimet e komitetit mjedisor gjithashtu do të vendosin objektivin 35% si një detyrim ligjor. Sipas propozimit fillestar të KE-së, vetëm objektivi i 2025 duhej të bëhej ligjërisht i detyrueshëm, ndërkohë që objektivi i vitit 2030 do të ishte i rishikueshëm të paktën deri në 2022.

Sipas rregullave të reja, prodhuesit e makinave do të duhet të raportojnë të dhëna më specifike në lidhje me emetimet e CO2 të lëshuara nga makinat dhe furgonët. Gjithashtu ato duhet që të raportojnë vlerat e matura në vend të vlerave të deklaruara. Llogaritja e objektivave do të bazohet në vlerat e matura sipas Procedurave të Testimit të Automjeteve të Lehta të Harmonizuara (WLTP), shkruan Financial Times. Procedura e Testimit të Automjeteve të Lehta të Harmonizuara (WLTP) është një procedurë e përmirësuar e testimit e cila siguron vlera të sakta të çlirimit të CO2 dhe karburantit. WLTP u bë i detyrueshëm për të gjitha modelet e reja të makinave nga shtatori 2017 dhe për të gjitha makinat e reja nga shtatori 2018.

Historiku dhe Hapat e Ardhshëm

Komisioni Europian paraqiti propozimin e tij në nëntor 2017 i cili ka qenë objekt diskutimesh të gjata, përpara se t'u dorëzohet ministrave në Këshillin e Mjedisit më 9 tetor 2018. Synimi i përgjithshëm i propozimit është të kontribuojë në arritjen e qëllimeve të Marrëveshjes së Parisit dhe në arritjen e objektivit të zvogëlimit të CO2 në 35% në BE deri në vitin 2030. Masat dhe objektivat e propozuara bazohen në kornizën e klimës dhe energjisë të vitit 2030 dhe në strategjinë e bashkimit të energjisë, e cila synon reduktimin e emetimeve të CO2 lëshuar nga mjetet e transportit dhe përdorimin e energjive alternative.

Reagimi i Industrisë

BE dëshiron të ndërtojë një kornizë që inkurajon prodhuesit europianë të kamionëve dhe automjeteve të rënda për të zhvilluar makina më miqësore me mjedisin në vitet e ardhshme, duke ruajtur një avantazh konkurrues, ndërsa Kina ka avancuar më përpara duke hedhur në qarkullim 200 000 autobusë elektrikë, sipas Green Car Congress. Por prodhuesit e automjeteve të rënda pretendojnë se objektivat janë shumë të rrepta, duke pasur parasysh ciklet e gjata të zhvillimit për automjetet e rënda. Duke reaguar pas votimit, Shoqata Europiane e Prodhuesve të Automobilave (ACEA) i quajti propozimet "jashtëzakonisht të rrepta" dhe "shumë shqetësuese". "Këto objektiva do të paraqisnin probleme të mëdha, pasi ato thjesht nuk marrin parasysh realitetet dhe kompleksitetin e tregut të kamionëve, as ciklet e zhvillimit të gjatë për automjetet e rënda", tha në një deklaratë Sekretari i Përgjithshëm i ACEA, Erik Jonwert.

Pothuajse të gjitha automjetet e mallrave të rënda në Europë aktualisht mbështeten në naftë dhe sektori i transportit rrugor të BE-së konsumon rreth 2.1 milion fuçi për ditë naftë, ose 13% të totalit global. Kamionët përbëjnë rreth 5% të automjeteve në rrugët e BE, por gjenerojnë rreth një çerek të shkarkimeve të transportit rrugor, duke i bërë ato një objektiv kryesor të përpjekjeve të BE për reduktimin e karbonit. Për më tepër që pritet që transporti i mallrave të rritet me 60% nga 2010 në 2050.

                                                                                                                       Stafi i EuroSpeak, tetor 2018

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk