Teknologjitë e njohjes së fytyrës dhe vendimi i fundit i Parlamentit Europian në lidhje me përdorimin e tyre

Teknologjitë e njohjes së fytyrës dhe vendimi i fundit i Parlamentit Europian në lidhje me përdorimin e tyre



Inteligjenca artificiale (IA) fuqizon përdorimin e teknologjive biometrike, përfshirë njohjen e fytyrës, të cilat mund tw përdoren për verifikimin, identifikimin dhe qëllime kategorizimi nga aktorë publikë dhe privatë. Teknologjitë e njohjes së fytyrës (FRT) kanë dalë si një çështje e heshtur në debatin publik për mbikëqyrjen biometrike.

Teknologjia e njohjes së fytyrës sot po tregon që është e diskutueshme. Disa besojnë se do t'i bëjë rrugët dhe llogaritë tona bankare më të sigurta dhe shërbimet tona publike më efikase dhe të arritshme. Megjithatë të tjerët e shohin këtë teknologji si një mjet masiv mbikëqyrjeje që do të gërryejë privatësinë dhe do të dëmtojë të drejtat e njeriut. Këto mosmarrëveshje pasqyrojnë një debat të gjerë në shoqëri për kompromiset mes privatësisë dhe sigurisë publike.

Teknologjia e njohjes së fytyrës mund të forcojë sigurinë e qasjes ndaj një numri të madhë përdorimesh, duke siguruar që llogaritë bankare, pajisjet personale të tillë si telefonat e laptopët, dhe prona private të jenë të aksesueshme vetëm për personat e autorizuar.

Sistemet e njohjes së fytyrës, në kushtet e duhura, mund të verifikojnë menjëherë identitetin e një individi ose të dallojë njerëzit në një turmë, duke kursyer punën njerëzore dhe rritur efikasitetin në një numër shërbimesh (The Centre for Data Ethics and Innovation 2020).

Nga ana tjetër, fakti që teknologjia e njohjes së fytyrës është depërtuese kudo, ndërkohë që kontrolli njerëzor është i vështirë për t’u zbatuar, është burimi kryesor i shqetësimit. Risqet e sigurisë të paraqitura nga mbledhja dhe ruajtja, me një rrezik për shkeljen dhe keqpërdorimin e këtyre të dhënave, është theksuar.

Gjithashtu, risku i gabimit është nënvizuar. Studimet tregojnë se performanca e shumicës së sistemeve të njohjes së fytyrës janë të limituara dhe se software-t e detektimit të fytyrës mund të bëjnë gabime.

Diskriminimi në algoritmet që përdoren për njohjen e fytyrës, mund të ndodhë nëpërmjet përfshirjes së anësisë në algoritëm gjatë dizajnit, testimit dhe implementimit të tyre. Anësia e racës dhe gjinisë janë dokumentuar dhe variojnë në të qënurit më pak të sakta për gratë dhe personat me ngjyrë sesa për burrat e bardhë. Sipas studimeve, është gjetur se në SHBA, incidente të identifikimit të gabuar ndikon personat me ngjyrë, duke transformuar parimin e prezumimit të pafajësisë në çështjet penale, për rrjedhojë i shton barrën të dyshuarve për të provuar të kundërtën.

Për më tepër, risqe lidhur me mundësinë e përgjithësimit të përdorimit të teknologjive të njohjes së fytyrës gjithashtu janë theksuar. Mundësia e zgjerimit të përdorimit të këtyre sistemeve përtej autorizimit fillestar përbën risk në periudha afatmesme dhe afatgjata. Është argumentuar se këto përhapje të përdorimit mund të jenë pjesë e një strategjie të qëllimshme, duke e reklamuar fillimisht përdorimin e teknologjive të njohjes së fytyrës në kontekstin që duket legjitim dhe gradualisht duke shtuar përdorimin (Slippery Slope Argument).

Rritja e mbikëqyrjes biometrike, veçanërisht teknologjia e njohjes së fytyrës, mund të vërehet në pjesë të ndryshme të globit. Sipas një raporti nga Amnesty International, të paktën 64 vende po përdorin në mënyrë aktive sistemet e njohjes së fytyrës. Kina është dukshëm një nga përdoruesit kryesorë të teknologjisë. Për shembull, shkollat kineze përdorin njohjen e fytyrës për të monitoruar huazimet e librave në bibliotekë dhe për të përpiluar raporte vjetore të ushqyerjes për çdo student (Carnegie Endowment for International Peace 2019).

Raportohet se në Rusi, mjetet e mbikëqyrjes të ndihmuara nga AI përdoren gjithnjë e më shumë kundër disidentëve politikë dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe se pandemia ka përshpejtuar instalimin e një rrjeti prej 100 000 kamerash për njohjen e fytyrës për të mbajtur gjurmët e individëve të karantinuar.

Disa qytete amerikane, të tilla si San Francisco, Boston dhe Portland, kanë ndaluar teknologjinë e njohjes së fytyrës në hapësirat publike dhe shteti i Kalifornisë ka miratuar legjislacion që vendos një moratorium tre-vjeçar mbi çdo teknologji të njohjes së fytyrës të përdorur në kamerat e trupit të policisë.

Për t’u rikthyer në aktualitetin europian, në prill, Komisioni Europian prezantoi projektligjin për rregullimin e përdorimeve të teknologjisë së inteligjencës artificiale, i cili përfshinte një ndalim të vlerësimit social dhe ndalimin e përdorimit të mbikëqyrjes biometrike në distancë në publik (World Economic Forum 2021). Parlamenti Europian votoi në 5 tetor 2021, me 377 pro, 248 kundër dhe 62 abstenime, duke miratuar një ndalim total të mbikëqyrjes masive biometrike (European Parliament 2021).

Teknologjitë e mbikëqyrjes në distancë të pajisura me IA, si njohja e fytyrës, kanë implikime të mëdha për të drejtat dhe liritë themelore si privatësia, por pavarësisht kësaj, tashmë janë duke u përdorur në publik në Europë.

Për të respektuar “privatësinë dhe dinjitetin njerëzor”, eurodeputetët thanë se ligjvënësit e BE-së duhet të miratojnë një ndalim të përhershëm për njohjen e automatizuar të individëve në hapësirat publike, duke thënë se qytetarët duhet të monitorohen vetëm kur dyshohen për një krim.

Sipas problematikave të evidentuara, sistemet e identifikimit të bazuara në IA tashmë keqidentifikojnë grupet etnike të pakicave, të moshuarit dhe gratë, gjë që është veçanërisht shqetësuese në kontekstin e zbatimit të ligjit dhe gjyqësorit. Për të siguruar që të drejtat themelore të respektohen gjatë përdorimit të këtyre teknologjive, algoritmet duhet të jenë transparente, të gjurmueshme dhe të dokumentuara mjaftueshëm, kërkojnë eurodeputetët.

Parlamenti ka bërë thirrje gjithashtu për ndalimin e përdorimit të bazave të të dhënave private të njohjes së fytyrës – siç është sistemi i diskutueshëm Clearview (i cili tashmë është në përdorim) – duke u shprehur se policimi parashikues i bazuar në të dhënat e sjelljes duhet gjithashtu të jetë i jashtëligjshëm (The Parliament Magazine 2021).

Siç shihet, njohja e drejtpërdrejtë e fytyrës në hapësirat publike është një metodë e mbikëqyrjes masive dhe rrjedhimisht çon në krijimin e një shteti mbikëqyrës. Ai përmbys parimin jetik demokratik të dyshimit, duke e trajtuar të gjithë popullsinë si të dyshuar. Policia normalisht kërkon një bazë ligjore për të kontrolluar identitetin e personave ose për të kërkuar të dhënat biometrike, por mbikëqyrja nëpërmjet teknologjive të njohjes së fytyrës prezanton kontrolle arbitrare të identitetit në shoqërinë tonë, duke na kthyer në karta identiteti të lëvizshme (Big Brother Watch 2020).

Si përfundim, me hapat e ndërmarra së fundmi nga legjislatori europian, ndalimi total i mbikëqyrjes masive biometrike, është mënyra e duhur për të kontrolluar një teknologji të dëmshme dhe jo të ndodhi e kundërta. Ndërkohë që Kina përdor njohjen e fytyrës për të kontrolluar sjelljen njerëzore dhe është drejt parashikimit të sjelljes njerëzore, Bashkimi Europian ka zgjedhur të respektojë të drejtat e njeriut (CNET 2020).

 

Geri Dorzi, Stafi i EuroSpeak, nëntor 2021

 


Referencat:

European Parliament 2021: https://www.europarl.europa.eu/doceo/document/TA-9-2021-0405_EN.html

Big Brother Watch 2020: https://bigbrotherwatch.org.uk/campaigns/stop-facial-recognition/

World Economic Forum 2021: https://www.weforum.org/agenda/2021/04/facial-recognition-regulation-eu-european-union-ec-ai-artificial-intelligence-machine-learning-risk-management-compliance-technology-providers

The Centre for Data Ethics and Innovation 2020: https://assets.publishing.service.gov.uk/government/uploads/system/uploads/attachment_data/file/905267/Facial_Recognition_Technology_Snapshot_UPDATED.pdf

Carnegie Endowment for International Peace 2019: https://carnegieendowment.org/files/WP-Feldstein-AISurveillance_final1.pdf

CNET 2020: https://www.cnet.com/news/in-china-facial-recognition-public-shaming-and-control-go-hand-in-hand/ 

The Parliament Magazine 2021: https://www.theparliamentmagazine.eu/news/article/meps-back-ban-on-aidriven-mass-and-indiscriminate-surveillance

 




1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk