Censi i popullsisë 2023 – Statistikat si një kapitull themelor për Shqipërinë në kuadër të procesit të integrimit europian

Censi i popullsisë 2023 – Statistikat si një kapitull themelor për Shqipërinë në kuadër të procesit të integrimit europian

Censi i popullsisë 2023 – Statistikat si një kapitull themelor për Shqipërinë në kuadër të procesit të integrimit europian


Koncepti i censit

Censi i popullsisë dhe banesave u parashikua të zhvillohej nga Instituti i Statistikave (INSTAT) për disa javë duke filluar nga muaji shtator 2023. Në vetvete ky proces realizohet në periudha të ndryshme periodike (çdo 10 vjet) dhe synon të mbledhë informacione dhe të dhëna statistikore mbi:

a) numrin dhe shpërndarjen gjeografike të popullsisë vendbanuese;

b) strukturën demografike dhe karakteristikat kryesore të popullsisë;

c) numrin, shpërndarjen gjeografike dhe strukturën e banesave e të ndërtesave që përdoren për qëllime banimi;

ç) kushtet e strehimit të popullsisë.[1]

Këto të dhëna të mbledhura më pas grumbullohen e analizohen për ti ardhur në ndihmë qeverisë dhe aktorëve të tjerë vendimmarrës mbi nevojat e vendit për investime si dhe për një shpërndarje më efikase të fondeve buxhetore. Të dhënat dhe statistikat e grumbulluara përmes censit nuk i shërbejnë vetëm institucioneve të sipërpërmendura, pasi funksionimi dhe ekzistenca e një sistemi statistikor është një detyrim që buron nga angazhimet ndërkombëtare.


Kuadri ligjor dhe detyrimet që burojnë nga marrëveshjet ndërkombëtare

Shqipëria tashmë prej vitesh po përpiqet që të ketë progres të konsiderueshëm në mënyrë që të marrë statusin e një vendi anëtar të Bashkimit Europian. Vlen të përmendet këtu Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komuniteteve Europiane e shteteve të tyre anëtare, e ratifikuar që prej vitit 2006 dhe me anën e së cilës vendi ynë është angazhuar në realizmin e një sërë objektivash të një standardi europian. Ndër gjithë angazhimet e tjera, në këtë marrëveshje parashikohet edhe zhvillimi i një sistemi statistikor efikas dhe të qëndrueshëm, të aftë për të siguruar të dhëna të krahasueshme, të besueshme, objektive dhe të sakta, që nevojiten për të planifikuar dhe monitoruar procesin e tranzicionit dhe reformës në Shqipëri. Ky sistem duhet gjithashtu të mundësojë Institutin Shqiptar të Statistikës për të përmbushur më mirë nevojat e klientëve vendas dhe ndërkombëtarë (si të administratës publike ashtu dhe sektorit privat). Sistemi statistikor duhet të respektojë parimet themelore të statistikave të nxjerra nga OKB-ja dhe Kodi Statistikor Europian i Praktikës dhe parashikimet e se drejtës Statistikore Europiane, dhe duhet të zhvillohet drejt acquis të BE-së.[2]

Më tej, në qershor të vitit 2014 Shqipëria fitoi statusin e vendit kandidat për anëtarësimin në BE, ndërsa në muajin mars të vitit 2020 Këshilli Europian hapi zyrtarisht procesin e negociatave për këtë qëllim. Tashmë objektivat që duhen përmbushur janë edhe më konkrete e të qarta e një ndër më kryesoret lidhet pikërisht me përafrimin e legjislacionit shqiptar me legjislacionin e Bashkimit Europian. Për të koordinuar dhe përshpejtuar procesin e përafrimit është miratuar dhe po zbatohet Plani Kombëtar për Integrimin Europian (PKIE) 2022 – 2024. Në të është theksuar shprehimisht se “Shqipëria është mesatarisht e përgatitur në fushën e statistikave”, pra dukshëm mbeten akoma hapa që duhen ndërmarrë e rekomandime që duhen realizuar në mënyrë që të kemi një përafrim tërësor me standardet e BE-së.

Një përafrim të konsiderueshëm në fushën e statistikave, Shqipëria e realizoi me miratimin e ligjit nr. 17/2018 “Për statistikat zyrtare”, i cili plotëson kërkesat e BE-së, zbaton parime të rëndësishme lidhur me objektivitetin, transparencën dhe pavarësinë institucionale.[3] Pas kësaj faze, censi i popullsisë dhe i banesave ka qenë një prej rekomandimeve të fundit të BE-së dhe zbatimi i tij në përputhje me legjislacionin përkatës të BE-së dhe standardet ndërkombëtare është identifikuar si prioriteti kryesor në fushën e statistikave. Sipas PKIE-së, pyetësori mbi të cilin u bazua ky proces është hartuar duke u bazuar në rekomandimet e OKB-së dhe Eurostat-it për raundin e censit të vitit 2020 dhe pasqyron të gjitha kërkesat e Rregullores së Censit (EC) Nr. 763/2008 - të gjitha temat thelbësore.[4] Në këtë kuadër, janë evidentuar edhe 3 elementë të rinj që ka përfshirë realizimi i këtij procesi, pasi:

  1. Janë përdorur pajisjet elektronike (tabletë), të cilat do të zëvendësojnë pyetësorët letër për procesin e mbledhjes së të dhënave në terren;
  2. Është modernizuar Sistemi i Informacionit Gjeografik (GIS) (kryesisht lidhur me mbledhjen, monitorimin, analizën dhe shpërndarjen e të dhënave);
  3. Censi do të shërbejë si bazë për konceptimin dhe krijimin e regjistrave statistikorë të popullsisë banuese, ndërtesave dhe banesave.[5]

Dixhitalizimi dhe përdorimi i mjeteve e metodave më moderne, ka gjasa që ta bëjë procesin më efikas, më të saktë e më të shpejtë në kuadër të publikimit dhe shpërndarjes së të dhënave, përgjatë vitit 2024-2025. Rezultatet statistikore të censit konsiderohen si pasuri e përbashkët e të gjithë shoqërisë shqiptare. Është e rëndësishme të kuptohet se të dhënat e mbledhura nga ky proces, përdoren më pas për qëllime statistikore nga një sërë subjektesh, si: INSTAT-i, institucionet publike, shoqëria civile, pushteti qendror dhe lokal e organizata të tjera kombëtare apo ndërkombëtare.


Rezultatet e censit dhe rekomandime

Këto statistika duhet të analizohen e të përdoren së pari nga pushteti ekzekutiv dhe ai legjislativ, në mënyrë që të merren vendime dhe të hartohen politika në të mirë e në dobi të mirëqenies së qytetarëve.  Në propozimin e çdo projektligji në vazhdim, duhen analizuar faktorët lidhur me moshën e popullsisë, nivelin e papunësisë, kushteve të strehimit, të furnizimit me shërbime të caktuara e nivelin e migracionit, pasi kjo do të sjellë zbatimin e politikave më efektive.

Së dyti, organet e qeverisjes vendore duhet të planifikojnë investimet që do të kryejnë, në bazë edhe të shpërndarjes gjeografike të popullsisë. Mbi bazën e rezultateve, bashkitë duhet të hartojnë plane strategjike për të ofruar më shumë shërbime atje ku është më tepër e nevojshme, si dhe duhet të mbajnë parasysh kushtet e kërkesat për strehim të popullsisë banuese në ato zona.

Së treti, duke qenë së rezultatet e censit bëhen të ditura për të gjithë publikun e gjerë, ato duhet ti shërbejnë shoqërisë civile, pasi organizatat apo grupimet e ndryshme në ushtrim të misioneve të tyre duhet të dinë si të reagojnë ndaj nevojave të shoqërisë. Në vijimësi ato mund të organizojnë trajnime, fushata ndërgjegjësuese apo programe me objektiva më të qarta e të matshme dhe mund të ndikojnë kështu në përmirësimin apo adresimin e problematikave të një zone, grupi apo komuniteti të caktuar.


Nosiana Burnazi, dhjetor 2023 EuroSpeak
*Nosiana Burnazi është në përfundim të studimeve të nivelit Master Shkencor në Drejtësi, pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës me rezultate të shkëlqyera. Ajo është e angazhuar pranë organizatës “Vish këpucët e mia”, si koordinatore projektesh me në fokus edukimin e komunitetit rom. Gjithashtu, që prej nëntorit te vitit 2022 Nosiana punon edhe si asistente ligjore, pranë zyrës A.R.S Legal & Financial Services. Ka qenë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë përgjatë një praktike 7 mujore, ku ka asistuar një prej deputetëve në hartimin dhe analizimin e projektligjeve si dhe nismave të ndryshme ligjore. Fushat e saj të interesit lidhen kryesisht me të drejtën publike, shkrimin dhe hulumtimin akademik shkencor si dhe të drejtat e njeriut, ku në këtë kuadër ka botuar një sërë artikujsh kërkimorë në bashkëpunim me Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, Revistën Juridike Shqiptare, si dhe Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.


[1]Neni 2 i ligjit nr. 140/2020 “Për censin e popullsisë dhe të banesave”

[2]Neni 88 i Ligjit nr. 9590, datë 27.7.2006 “Për ratifikimin e “Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komuniteteve Europiane e shteteve të tyre anëtare”

[3]Ligj nr. 17/2018 “Për statistikat zyrtare”

[4] Plani Kombëtar për Integrimin Evropian 2022 – 2024

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk