Takimi i 12 i Këshillit të Stabilizim Asociimit (KSA), 16 mars 2023

Takimi i 12 i Këshillit të Stabilizim Asociimit (KSA), 16 mars 2023

Më 16 mars 2023 u mbajt takimi i 12 i Këshillit të Stabilizim-Asociimit (KSA), për herë të parë i zhvilluar në Tiranë. Kjo strukturë me karakter politik është krijuar në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit (MSA), të cilën Shqipëria e ka nënshkruar me Bashkimin Europian (BE) në 2006 dhe ka hyrë në fuqi në 2009. Këshilli, me vendimet dhe sugjerimet e tij shërben si busull për përmbushjen e objektivave të përbashkëta të cituara në këtë dokument. KSA i 12 kishte në përbërje përfaqësues të BE-së, në këtë rast Përfaqësuesin e Lartë të BE-së Borrell, Komisionerin për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Oliver Várhelyi si dhe nga pala shqiptare Kryeministrin Rama, Ministren për Europën dhe Punët e Jashtme, Xhaçka dhe Kryenegociatoren, Dhuka. Në punën e tij, KSA ndihmohet nga Komiteti i Stabilizim- Asociimit dhe nën-komitetet që krijohen në varësi të detyrave.

Vendimet e marra nga ky Këshill janë detyruese për palët dhe hartimi i rekomandimeve bëhet me pikësynim kryesor mbështetjen e Shqipërisë në forcimin e demokracisë, arritjen e stabilitetit politik, zhvillimin ekonomik, nxitjen e bashkëpunimit rajonal etj. KSA ka gjithashtu mjetet e duhura për shpjegimin e MSA dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve duke mbizotëruar interesi i përbashkët. Për më tepër, takimet e zhvilluara në intervale të rregullta kohore strukturojnë prioritetet dhe bëjnë një vlerësim dhe mbikëqyrje të përgatitjeve për anëtarësim. Pas mbajtjes së Samitit BE-Ballkan Perëndimor në Tiranë në dhjetor 2022, ky takim i nivelit të lartë momentalisht përforcon idenë që ndaj Shqipërisë ka një qasje pozitive nga institucionet e aktorët e BE. 


Çfarë përfundimesh mund të nxjerrim nga takimi i KSA? 

BE mbështeti drejtimin strategjik të Shqipërisë dhe përpjekjet në të gjitha fushat për anëtarësim, veçanërisht vlerësoi hapat e ndërmarrë lidhur me reformën në drejtësi. Në këtë linjë u inkurajuan reforma të tjera me interes të gjerë, si ajo në fushën e prokurimit publik apo pastrimit të parave të lidhura këto drejtpërdrejt me pesë kapitujt e përfshirë në Grupimin e Parë të Kapitujve - Themeloret. Duke qenë se Shqipëria ka kaluar në listën gri të Moneyval për sa i përket pastrimit të parave, në këtë takim u vu theksi te nevoja për ekspertizë nga BE për arritjen e rezultate të prekshme. Amnistia fiskale, njësoj siç u citua në Raportin e Komisionit Europian 2022 vazhdon të shihet me skepticizëm nga BE dhe kërkohet vendosja e disa kushteve dhe konsultim paraprak. Ecuria e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit u shoqërua me rekomandime për marrje masash për rastet e shkeljeve në nivele të larta shtetërore. Thënë këtë, projektligji i hartuar për përdorimin mjekësor të kanabisit i cili pritet të dalë para Parlamentit, rrjedhimisht nxit bashkëpunimin me strukturat europiane dhe lë hapësirë për një sistem kontrolli më të shtrënguar duke qenë se në rast dështimi të zbatimit në praktikë prek të gjithë rajonin.

Me situatën e krijuar në Ukrainë, Shqipëria ka ecur në të njëjtën rrugë me BE për adresimin e sfidave që lidhen me  sigurinë dhe politikën e jashtme. Vendit tonë iu rekomandua të shtojë përkushtimin për harmonizimin e legjislacionit për regjimin e vizave me vendet e treta. Pra, të unfikojë me BE listën e vendeve që lejohet të udhëtojnë pa viza, nënfushë kjo e Kapitullit 24. Shqipëria  këtë e sheh si çështje që i përket politikës së jashtme të një vendi dhe ka marrë vendimet e veta me shembullin më të fundit heqjen e vizave me Kinën. Gjithashtu, qëndrimi i BE-së kundër skemës së “pasaportave të arta” që i japin shtetësinë individëve që investojnë në vend ka ngrirë deri në marrjen e një vendimi nga GjED për rastin e Maltës si rast i ngjashëm.

Për sa i përket investimeve, vëmendjen kryesore e mori ndërtimi i Terminalit Europian të Gazit të lëngshëm i cili i jep vendit dhe rajonit mundësi për një zhvillim të shpejtë ekonomik. BE rikujtoi paketën mbështetëse për energjinë me vlerë 1 miliard euro për Ballkanin Perëndimor dhe shtoi se Shqipëria ka përfituar nga Plani Ekonomik dhe Investimeve dhe nga IPA III. Me interes për të rinjtë ishte dhe fakti se po investohet në edukim me hapjen e një kampusi të Kolegjit të Europës në Shqipëri. Nuk kaluan pa u cekur dhe çështjet problematike në rajon si dialogu Kosovë-Serbi dhe ecuria e reformave në Maqedoninë e Veriut duke qenë se delegacioni i BE-së do të vazhdojë me takimet në Shkup.


Në përfundim, Shqipëria shihet se me dhënien e rezultateve konkrete gjatë zbatimit të reformave i ka burimet për të ecur para në procesin e integrimit. Të tjerë indikatorë pozitivë që e dëshmojnë këtë janë harmonizimi i legjislacionit me Aquis e BE-së dhe marrëdhëniet e mira me vendet fqinje.

 

Endrita Shehu, EMA

Mars 2023

Burimet:

https://www.consilium.europa.eu/en/press/press-releases/2023/03/16/joint-press-statement-following-the-12th-meeting-of-the-eu-albania-stabilisation-and-association-council/

https://www.consilium.europa.eu/en/policies/enlargement/albania/

https://www.dap.gov.al/publikime/dokumenta-strategjik/61-marreveshja-e-stabilizim-asociimit

https://www.euractiv.com/section/justice-home-affairs/news/eu-takes-malta-to-court-over-golden-passports/ 

 



1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk