“Nuk arritëm dot marrëveshjen e dëshiruar”,- u shpreh Komisioneri i BE-së për Migrimin, z. Dimitris Avramopoulos. Sipas tij, jo të gjithë shtetet anëtare janë gati për të vazhduar me hapat e ndërmarra, duke nënkuptuar kështu shtetet lindore si Hungaria, Polonia apo Sllovakia. Këto vende edhe gjatë takimit mbajtën një qëndrim të vendosur kundër përpjekjeve gjermane dhe franceze për arritjen e një marrëveshje mbi propozimet e Komisionit për të rishpërndarë 120 mijë persona në bazë të kuotave të detyrueshme. Sllovakia dhe Hungaria nënvizuan se sistemi i kuotave po tërheq më shumë emigrantë drejt Europës, duke shkaktuar një lëvizje masive njerëzish që mund të rrezikojnë zonën Schengen si dhe do të shkatërrojët ekonominë e tyre dhe stabilitetin shoqëror. Gjithashtu përfaqësuesit e Sllovakisë dhe Austrisë, si dhe Polonia dhe Hollanda deklaruan se do të ndjekin shembullin e Gjermanisë për të vendosur kontrolle në kufijtë e tyre. Gjermania nga ana tjetër u shpreh që mbyllja e zonës Schengen është thjesht një fazë e përkohshme, si një mënyrë për të përballuar fluksin e refugjatëve.
Hungaria pas vendosjes se murit me tela në kufirin me Serbinë, vazhdon me masat ekstreme kundër refugjatëve ku është vendosur se do të arrestohet çdo emigrant i paligjshëm që e kalon këtë gardh apo e dëmton atë, duke shkatërruar mundësinë e ëndrrës europiane për shumë refugjatë sirianë të mbetur në Serbi. Vetëm në vitin 2015, në Hungari kanë kaluar rreth 200 mijë persona, shumica e tyre në drejtim të Gjermanisë. Të martën (15 shtator) në orët e para të mëngjesit u vendosën ligje të reja, të cilat sipas qeverisë së djathtë hungareze nënkuptonin fillimin e një ”epoke të re”, për të përjashtuar azilkërkuesit që nuk u pranohet kërkesa duke i kthyer në Serbi. Kjo është një mënyrë për të ulur numrin e njerëzve drejt BE-së.
Komisioni Europian në deklaratën e tij mbi takimin e jashtëzakonshëm të ministrave përmendi si pozitive marrëveshjen për realizimin e fazës së parë mbi rishpërndarjen e 40 mijë azilantëve dhe për të arritur një marrëveshje për rishpërndarjen e 120 mijë të tjerëve në fazën e dytë. Gjithashtu aty u vendos për rritjen e fondit për të mbështetur krizën në Siri dhe vendet fqinjë si dhe u arrit marrëveshja mes ministrave për të përfunduar listën e vendeve të sigurta, ku sipas gjasave Turqia nuk do të jetë në këtë listë, për shkak të sulmeve që ka marrë kundër forcave kurde. Si përfundim Komisioni Europian kërkoi angazhim dhe solidaritet më të madh të vendeve të BE-së për të ndihmuar në lehtësimin e krizës dhe në zbatimin e shpejtë dhe në kohë të masave që duhen ndërmarrë.
Stafi i Eurospeak, shtator 2015